“Mësimi 5 Materiali i Mësuesit: Dalja në Dritë e Librit të Mormonit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)
“Mësimi 5 Materiali i Mësuesit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes
Mësimi 5 – Materiali i Mësuesit
Dalja në Dritë e Librit të Mormonit
Dalja në dritë e Librit të Mormonit ndodhi në një mënyrë të mrekullueshme. Ky mësim do t’i ndihmojë studentët ta kuptojnë më mirë se si Libri i Mormonit u përkthye “me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 135:3). Studentët gjithashtu do të reflektojnë mbi dëshminë e tyre për vërtetësinë e Librit të Mormonit dhe atyre do t’u jepet mundësi ta shprehin dëshminë e tyre.
Sugjerime për Mësimdhënien
Libri i Mormonit doli në dritë “me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë”.
Paraqitni një figurë të Moronit duke i futur në dhé fletët.
Kërkojuni studentëve të përshkruajnë atë që dinë për çfarë po ndodh në figurë. Gjithashtu mund t’i pyesni se çfarë mendojnë se Moroni e dinte lidhur me ndikimin që anali do të kishte mbi brezat e ardhshëm.
Ftojini studentët të lexojnë te Mormoni 8:12–16, duke kërkuar atë që Moroni na mësoi për daljen në dritë të Librit të Mormonit.
-
Çfarë donte të qartësonte Moroni lidhur me daljen në dritë të Librit të Mormonit?
Paraqitni thënien vijuese nga Jozef Smithi që ai shpesh e përsëriste kur fliste për përkthimin e Librit të Mormonit:
“Unë vërtet e përktheva Librin e Mormonit me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë”. (Joseph Smith, në James Palmer, Journal, 75, Biblioteka e Historisë së Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve, Solt‑Lejk‑Siti, Juta; është modernizuar përdorimi i germave të mëdha)
Ftojini studentët të tregojnë se çfarë zbuluan në materialin e përgatitjes rreth mënyrës se si Libri i Mormonit doli në dritë “me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë”. (Nëse nevojitet, nxitini studentët të rishikojnë shkurtimisht pjesën 1 të materialit të përgatitjes.) Gjithashtu mund t’i ftoni të bëjnë ndonjë pyetje që mund ta kenë nga studimi i tyre rreth përkthimit të Librit të Mormonit.
Ftojini studentët të shqyrtojnë atë që mësuan nga thëniet e Jozef Smithit dhe Plakut Nil A. Maksuell në fund të pjesës 1 të materialit të përgatitjes. (Ju mund të doni ta ftoni një student t’i lexojë me zë të lartë këto thënie.)
-
Si mendoni, përse duhet të jemi më të interesuar për “përmbajtjen e librit” sesa “për procesin nëpërmjet të cilit e morëm atë”?
Perëndia premton se individët mund të marrin dëshmi vërtetuese për Librin e Mormonit.
Pyetini studentët se sa prej tyre do të donin t’i shihnin vetë fletët e arta dhe përse.
-
Si mendoni, përse Zoti nuk e provon vërtetësinë e Librit të Mormonit duke lejuar që fletët dhe objektet e tjera antike t’i tregohen botës?
Ftojini studentët të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 5:3, 6–7, duke kërkuar arsyen përse Jozefi nuk ua tregoi fletët atyre që donin provë. Kërkojuni studentëve të shpjegojnë çfarë na mësojnë vargjet.
Shpjegoni se kjo zbulesë iu dha Jozefit si rrjedhojë e kërkesës së Martin Harrisit për dëshmi se Jozefi i kishte fletët e arta. Martini ishte mik i Jozefit dhe kishte aftësinë financiare që të ndihmonte për botimin e Librit të Mormonit pasi të përkthehej. Bashkëshortja e Martinit, Lusi, i paraqiti ankesë gjykatësit vendor, duke e paditur Jozefin se e kishte mashtruar bashkëshortin e saj dhe njerëz të tjerë për përfitime financiare. Në mars 1829 Martini shkoi në Harmoni të Pensilvanisë që t’i kërkonte Jozef Smithit provë për ekzistencën e fletëve.
Ftojini studentët të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 5:11–15, duke kërkuar një mënyrë se si Zoti do ta vendoste të vërtetën e analit të Librit të Mormonit. Kërkojuni studentëve të shpjegojnë se çfarë mësojnë nga këto vargje.
Shpjegoni që Zoti zbuloi se Martin Harrisi mund të ishte njëri nga Tre Dëshmitarët nëse ai do të “përkule[j]” dhe do të “përule[j] në lutje të fuqishme e besim” (Doktrina e Besëlidhje 5:24). Tre muaj më vonë Jozefi e ftoi Martin Harrisin që të bashkohej me Oliver Kaudërin dhe Dejvid Uitmerin për të kërkuar dëshminë e veçantë që kishte premtuar Zoti.
Paraqitni figurën e Jozef Smithit dhe Tre Dëshmitarëve nga materiali i përgatitjes dhe kërkojini klasës të përmendin se çfarë ndodhi kur këta burra u lutën për një dëshmim të fletëve.
-
Si u ndie Jozefi rreth Tre Dëshmitarëve që i panë fletët? (Nëse nevojitet, vërini studentët të shqyrtojnë rrëfimin e Lusi Mek Smithit në materialin e përgatitjes.)
-
Si forcohet dëshmia e Tre Dëshmitarëve nga fakti që ata kurrë nuk e mohuan dëshminë e tyre, edhe kur secili prej tyre ishte larguar nga Profeti dhe Kisha?
Ftojini studentët të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 5:15–16 dhe Moroni 10:3–5, duke kërkuar një mënyrë se si të gjithë njerëzit mund të fitojnë dëshmi për vërtetësinë e Librit të Mormonit. Teksa studentët shpjegojnë se çfarë mësuan nga këto fragmente të shkrimeve të shenjta, ndihmojini të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Zoti do t’ua shfaqë vërtetësinë e Librit të Mormonit nëpërmjet Frymës së Shenjtë të gjithë atyre që kërkojnë dëshmi.
-
Si krahasohet një dëshmi nga Fryma e Shenjtë me provën fizike, si shikimi i fletëve ose pasja e një njohurie të plotë për të gjitha hollësitë e përkthimit të Librit të Mormonit?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë historinë vijuese nga Vëllai Ted R. Kelister, ish‑President i Përgjithshëm i Shkollës të së Dielës:
“Një nga miqtë e mi të mirë e të mençur u largua nga Kisha për një kohë. Ai kohët e fundit më shkroi për rikthimin e tij: ‘Në fillim, doja që Libri i Mormonit të më vërtetohej nga ana historike, gjeografike, gjuhësore dhe kulturore. Por kur e ktheva vëmendjen tek ajo që na mësohet rreth ungjillit të Jezu Krishtit dhe misionit të Tij shpëtues, fillova të marr dëshmi për vërtetësinë e tij. Një ditë ndërsa po lexoja Librin e Mormonit në dhomën time, ndalova, u gjunjëzova dhe bëra një lutje me gjithë zemër dhe ndjeva me siguri të madhe që Ati Qiellor i pëshpëriti shpirtit tim se Kisha dhe Libri i Mormonit ishin pa dyshim të vërtetë. Periudha ime prej tre vitesh e gjysmë duke kërkuar sërish për Kishën më ktheu me gjithë zemrën dhe bindshëm drejt vërtetësisë së tij.’
Nëse dikush do të shpenzojë kohë për ta lexuar me përulësi dhe përsiatur Librin e Mormonit, sikurse bëri miku im, dhe ua vë veshin fryteve të ëmbla të Shpirtit, atëherë ai ose ajo do të marrë më në fund dëshminë e dëshiruar.
Libri i Mormonit është një nga dhuratat më të çmueshme të Perëndisë për ne.” (Ted R. Kelister, “Dëshmitari i Fuqishëm i Perëndisë – Libri i Mormonit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 109).
-
Çfarë përvojash ju kanë ndihmuar të dini se Libri i Mormonit është i vërtetë? (Jepuni studentëve mundësinë të tregojnë atë që shkruan në materialin e tyre të përgatitjes në fund të pjesës 2.)
Përfundojeni duke dhënë dëshminë tuaj se, edhe pse nuk i kemi parë fletët e arta, edhe pse nuk ishim të pranishëm kur u përkthye Libri i Mormonit, ne mund ta lexojmë e studiojmë librin dhe të fitojmë vetë një dëshmi shpirtërore se ai është me të vërtetë fjala e Perëndisë.
Për Herën Tjetër
Ftojini studentët të marrin parasysh përse kritikët e Kishës së Zotit e vënë në shënjestër egërsisht Librin e Mormonit. Nxiteni klasën që të studiojë materialin e përgatitjes për orën e ardhshme mësimore, duke kërkuar mënyrën se si mund ta rritin aftësinë e tyre për ta mbrojtur Librin e Mormonit.