Instituti
Mësimi 28 Materiali i Mësuesit: Zoti po e Përshpejton Veprën e Tij


“Mësimi 28 Materiali i Mësuesit: Zoti po e Përshpejton Veprën e Tij”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)

“Mësimi 28 Materiali i Mësuesit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes

Mësimi 28 Materiali i Mësuesit

Zoti po e Përshpejton Veprën e Tij

Ne jetojmë në një kohë kur Zoti po e përshpejton veprën e Tij për shpëtimin (shih Doktrina e Besëlidhje 88:73). Ky mësim është hartuar për ta forcuar besimin e studentëve që vepra e Zotit do të ecë përpara pavarësisht nga kundërshtimi dhe do t’i ndihmojë studentët të krijojnë një plan për ta ndihmuar Zotin me zell për përshpejtimin e veprës së Tij.

Sugjerime për Mësimdhënien

Jozef Smithi dha mësim se vepra e Zotit do të ecë përpara pavarësisht nga kundërshtimi.

Tregojuni studentëve një imazh të shtëpisë prej druri të Piter Uitmer Plakut (shih materialin përgatitor) dhe kërkojuni të tregojnë atë që dinë rreth rritjes së Kishës së rivendosur të Zotit që nga koha e organizimit të saj në vitin 1830. (Studentët mund të duan të shkojnë te pjesa 1 e materialit përgatitor.)

  • Çfarë kanë thënë profetët rreth së ardhmes së Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme? Si mendoni, përse është e rëndësishme ta kuptojmë fatin e Kishës së Zotit?

Shpjegoni se në mars 1842, Jozef Smithi përshkroi fatin e ungjillit të Zotit dhe Kishës së Tij, kur dha përgjigje në një letër ndaj një kërkese për informacion rreth bindjeve fetare të Kishës, të bërë nga Xhon Uentuorthi, i cili ishte redaktori i një gazete në Çikago të Ilinoisit. Në atë letër, Profeti përshkroi “lindjen, përparimin, përndjekjen dhe besimin e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2007], f. 464).

Paraqiteni pjesën vijuese të letrës dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë:

“Standardi i së Vërtetës është vendosur; asnjë dorë mëkatare nuk mund ta ndalojë përparimin e punës; përndjekjet mund të tërbohen, turmat mund të bashkohen, armiqtë mund të mblidhen, shpifja mund të përgojojë, por e vërteta e Perëndisë do të shkojë përpara me guxim, me fisnikëri dhe e pavarur derisa ajo të ketë përshkuar çdo kontinent, të ketë vizituar çdo rajon, të ketë përfshirë çdo vend dhe të jetë dëgjuar nga çdo vesh, derisa qëllimet e Perëndisë të përmbushen dhe Jehova i Madh të thotë se puna u krye.” (Mësimet: Jozef Smith, f. 473–474)

Nëse nevojitet, shpjegoni se fjala shpifja u drejtohet deklaratave të rreme me qëllimin për të dëmtuar emrin e dikujt.

  • Çfarë të vërtetash mund të mësojmë rreth veprës së Perëndisë nga thënia e Jozef Smithit dhe nga ajo që e studiuat te materiali përgatitor? (Pasi studentët të përgjigjen, paraqiteni të vërtetën vijuese: Pavarësisht nga kundërshtimi, vepra e Perëndisë do të ecë përpara derisa qëllimet e Tij të përmbushen.)

Shpjegoni se Presidenti M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dëshmoi se profecia e Jozef Smithit vazhdon të përmbushet në kohën tonë. Paraqiteni thënien vijuese dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë.

Presidenti M. Rasëll Ballard

“Përndjekje kanë ardhur furishëm. Shpifja dhe gënjeshtra dhe shtrembërimi janë përpjekur ta shkatërrojnë emrin e mirë. Por në çdo dekadë, që nga koha e rivendosjes e më tej, e vërteta e Perëndisë ka ecur ʻpërpara, trimërisht, fisnikërisht dhe e pavarurʼ. Kisha e vogël, që filloi në vitin 1830 me vetëm një grusht anëtarësh, është rritur tani [në miliona] shenjtorë të ditëve të mëvonshme në shumë vende të ndryshme nëpër botë dhe ne jemi pozicionuar mirë drejt përparimit me mënyrën si jemi duke përshkuar çdo kontinent, vizituar çdo vend dhe duke u dëgjuar nga çdo vesh.

Kjo është vepra e Perëndisë dhe vepra e Perëndisë nuk do të pengohet.” (M. Rasëll Ballard, “E Vërteta e Perëndisë do të Ecë Përpara”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 83)

Paraqitini pyetjet vijuese dhe jepuni studentëve një minutë kohë që të përsiatin për to përpara se të përgjigjen:

  • Cilët janë disa shembuj nga historia e Kishës ose nga koha e sotme që tregojnë se, pavarësisht nga kundërshtimi, vepra e Perëndisë vazhdon të ecë përpara?

  • Në ç’mënyrë ju ndihmon dijenia se vepra e Perëndisë nuk mund të ndalet që të përgatiteni për t’u përballur me kundërshtimin ndaj bindjeve tuaja fetare?

Zoti po e përshpejton veprën e Tij.

Paraqiteni thënien vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, të cilën ai e dha ndërkohë që po shërbente si Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë:

Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Ndonjëherë ne mendojmë për Rivendosjen e ungjillit si diçka të përfunduar, tashmë të lënë pas – Jozef Smithi e përktheu Librin e Mormonit, ai i mori çelësat e priftërisë, Kisha u organizua. Në të vërtetë, Rivendosja është një proces i vazhdueshëm; ne po jetojmë në të pikërisht tani.” (Diter F. Uhtdorf, “A Po Flini Gjatë Rivendosjes?Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 59)

  • Përse mendoni se është e rëndësishme që ta kuptojmë se Rivendosja është e vazhdueshme?

Shpjegoni se nga fundi i dhjetorit të vitit 1832, Zoti i urdhëroi pleqtë në Kirtland, Ohajo, që të përgatiteshin “për të shkuar mes Johebrenjve për herë të fundit” (Doktrina e Besëlidhje 88:84).

Lexoni me studentët te Doktrina e Besëlidhje 88:73–74, 80–81 dhe ftojini të marrin parasysh që ta shenjojnë premtimin e Zotit dhe urdhërimet që lidhen me të.

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë premtim, ftojini të lexojnë thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson, që gjendet te hyrja e materialit përgatitor të këtij mësimi:

Presidenti Rasëll M. Nelson

“Këto janë ditë emocionuese. Zoti po e përshpejton veprën e Tij pikërisht përpara syve tanë. Është ngazëlluese! Është tërësore! Më shumë kërkohet nga secili prej nesh – më shumë se kurrë më parë. Dhe më shumë është duke u dhënë.” (Russell M. Nelson, “Personal Invitation”, ChurchofJesusChrist.org)

  • Çfarë mund të mësojmë nga këto vargje te Doktrina e Besëlidhje 88:8 dhe nga thënia e Presidentit Nelson rreth rolit tonë për përshpejtimin e veprës së Zotit? (Studentët mund të tregojnë një ide të ngjashme me të vërtetën vijuese: Ne kemi përgjegjësi që të marrim pjesë në përshpejtimin e veprës së Zotit.)

Ftojini studentët të mendojnë rreth aspekteve të veprës së Zotit për shpëtimin, rreth të cilave kanë mësuar në këtë kurs. Ju mund ta shqyrtoni programin e kursit ose listën me tituj të mësimeve për t’i ndihmuar studentët të kujtojnë tema të rëndësishme. Ju gjithashtu mund t’u kërkoni studentëve të tregojnë se çfarë u la mbresë rreth fragmenteve të shkrimeve të shenjta dhe ftesave nga udhëheqësit e Kishës që gjenden te pjesa 2 e materialit përgatitor.

  • Cilat janë disa aspekte të veprës së Zotit për shpëtimin, në të cilën kemi përgjegjësi për të marrë pjesë? (Renditini përgjigjet e studentëve në tabelë. Këto mund të përfshijnë mbledhjen e Izraelit, shpalljen e ungjillit, shëlbimin e të vdekurve, ndjekjen e profetëve, sakrificën ndaj të tjerëve, dhënien e shërbesës, dhënien e ndihmës ndaj njerëzve nevojtarë, adhurimin në tempull dhe nderimin e ditës së Shabatit.)

  • Në çfarë mënyrash konkrete po vini re që Zoti po e përshpejton veprën e Tij në fushat që i kemi renditur?

Ftojini studentët të marrin pak minuta kohë për të shqyrtuar plot lutje mënyrën se si Zoti mund të dojë që ata të marrin pjesë personalisht në përshpejtimin e veprës së Tij. Jepuni kohë të shkruajnë një plan për atë që do të bëjnë për ta ndihmuar Zotin. Ndërkohë që krijojnë planet e tyre, ju mund të sugjeroni që të përfshijnë informacion konkret rreth mënyrës si dhe kur do të fillojnë të veprojnë.

Merreni parasysh të shkruani planin tuaj vetjak përpara orës mësimore, ku të përshkruani disa gjëra që do të bëni (ose do të vazhdoni të bëni) për të marrë pjesë në përshpejtimin e veprës së Zotit. Përpara se studentët ta shkruajnë planin e tyre, merreni parasysh ta tregoni planin tuaj si shembull.

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët të dëshmojnë për atë që kanë mësuar dhe kanë ndier gjatë kohës që kanë marrë pjesë në këtë kurs. Jepni shkurtimisht dëshminë tuaj dhe bindjen tuaj për bekimet që do të marrin studentët ndërsa vazhdojnë të jenë pjesëmarrës aktivë në përshpejtimin e veprës së Zotit.

PËRMIRËSIMI I MËSIMDHËNIES DHE I TË MËSUARIT TONË

Nxitini studentët të vazhdojnë derisa të marrin diplomimin nga instituti. Presidenti Rasëll M. Nelson ka thënë: “Diplomimi nga … instituti do ta rritë aftësinë tuaj që të shkëlqeni në gjërat më të rëndësishme që do të bëni ndonjëherë në jetë” (“A Personal Invitation to Participate in Seminary and Institute”, 4 shkurt 2019, ChurchofJesusChrist.org). Ndihmojini dhe nxitini studentët t’i plotësojnë kërkesat e kursit. Nxitini që të regjistrohen përsëri në institut.