“Mësimi 4 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Doktrina e Zbulesës”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)
“Mësimi 4 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes
Mësimi 4 – Materiali i Përgatitjes së Klasës
Doktrina e Zbulesës
Përsiatni ftesën profetike që vijon nga Presidenti Rasëll M. Nelson: “Në ditët e ardhshme, nuk do të jetë e mundur të mbijetojmë shpirtërisht pa ndikimin udhërrëfyes, drejtues, ngushëllues dhe të vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë. … Ju lutem që ta rritni aftësinë tuaj shpirtërore për të marrë zbulesë” (“Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 96).
Teksa studioni këtë material, kërkoni të vërteta që mund t’ju ndihmojnë ta shtoni aftësinë tuaj shpirtërore për të marrë e dalluar zbulesën.
Pjesa 1
Si mund ta dalloj kur Perëndia po më flet?
Në dimrin në vitet 1828–1829, një mësues shkolle 22‑vjeçar i quajtur Oliver Kaudëri mësoi për Profetin Jozef Smith dhe fletët e arta ndërkohë që banonte me prindërit e Jozefit në Palmira, Nju‑Jork. Pasi u lut në fshehtësi që të dinte nëse ajo që kishte dëgjuar ishte e vërtetë, Oliveri ndjeu një siguri bindëse plot paqe. Ai udhëtoi drejt Harmonisë në Pensilvani, ku u takua me Profetin. I bindur që mesazhi që Jozefi i tregoi për ungjillin e rivendosur ishte i vërtetë, Oliveri shërbeu si shkruesi i Jozefit gjatë përkthimit të Librit të Mormonit. Jo shumë kohë pasi Oliveri filloi të ndihmonte për përkthimin, Profeti mori zbulesa që i dhanë udhëzim Oliverit dhe folën për dëshirën e tij që të ndihmonte për të përkthyer. Fjalët nga Zoti drejtuar Oliverit që gjenden te Doktrina e Besëlidhje 6:14–15, 22–23, na ndihmojnë të kuptojmë më mirë mënyrat se si Ai mund të na flasë.
Kur Jozefi e mori këtë zbulesë, “Oliveri u habit. Menjëherë i tha Jozefit rreth lutjes së tij të fshehtë [më parë] dhe dëshmisë hyjnore që kishte marrë. Askush nuk mund të dinte për këtë përveç Perëndisë” (Shenjtorët: Historia e Kishës së Jezu Krishtit në Ditët e Mëvonshme, vëll. 1, Standardi i së Vërtetës, 1815–1846 [2018], f. 62).
Kur Oliveri dëshiroi të përkthente fragmente nga fletët, Zoti i mësoi atij më shumë rreth marrjes së zbulesës.
Duke folur për mënyrën se si Zoti komunikon me mendjen si edhe me zemrën tonë nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi një mënyrë se si mund të ndodhë kjo:
“Një komunikim i drejtuar zemrës është një mbresë më e përgjithshme. Zoti shpesh fillon nëpërmjet dhënies së mbresave. Atje ku ka një pranim të rëndësisë së tyre dhe tregohet bindje ndaj tyre, një njeri fiton më shumë aftësi për të marrë udhëzim më të hollësishëm drejtuar mendjes.” (Richard G. Scott, “Helping Others to Be Spiritually Led” [bisedë drejtuar arsimtarëve fetarë të SAK‑ut, 11 gusht 1998, f. 4], ChurchofJesusChrist.org)
Plaku Krejg C. Kristensen, i Të Shtatëdhjetëve, gjithashtu ka dhënë mësimin:
“Ne të gjithë kemi përvoja me Frymën e Shenjtë, megjithëse jo gjithmonë mund t’i kuptojmë ato. Kur mendimet e frymëzuara na vijnë në mendje, ne e dimë që janë të vërteta prej ndjenjave shpirtërore që hyjnë në zemrën tonë.” (Krejg C. Kristensen, “Dhuratë e Papërshkrueshme nga Perëndia”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 14)
Nganjëherë mund të pyesni veten nëse një mendim ose ndjenjë është vërtet nga Perëndia. Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, diskutoi për mënyrën se si mund ta dallojmë ndryshimin midis Frymës së Shenjtë dhe vetë mendimeve tona në materialin filmik “Patterns of Light, Part 2: Discerning Light” [“Modelet e Dritës, Pjesa 2: Dallimi i Dritës”] (2:12).
Pjesa 2
Çfarë mund të bëj për ta ftuar shpirtin e zbulesës në jetën time?
Me raste, ju mund të ndiheni të mërzitur kur duket se nuk po vjen zbulesa që kërkoni. Kur kjo ndodh, ju mund të merrni parasysh udhëzimin e Zotit dhënë Oliver Kaudërit kur ai u ndje i mërzitur që nuk ishte në gjendje të merrte zbulesën e nevojshme për të përkthyer fletët (shih Shenjtorët, 1:62–64).
Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, shpjegoi një parim që ne mund ta mësojmë nga mësimet e Zotit të dhëna Oliver Kaudërit:
“Ne do të marrim nxitje të Shpirtit kur të kemi bërë gjithçka që mundemi, kur të jemi jashtë në diell duke punuar në vend që të ulemi në hije duke u lutur për drejtimin lidhur me hapin e parë që duhet të ndërmarrim. …
Prandaj bëjmë gjithçka mundemi. Më pas ne e presim Zotin për zbulesën e Tij. Ai ka afatin e Tij kohor.
… Të mësohesh nga Shpirti nuk është diçka pasive. Shpesh komunikimi i Zotit nuk vjen derisa t’i kemi studiuar çështjet në mendjen tonë. Atëherë ne marrim një konfirmim.” (Dallin H. Oaks, “In His Own Time, in His Own Way”, Ensign, gusht 2013, f. 24, 26)
Edhe kur jeni përgatitur të merrni zbulesë nëpërmjet denjësisë dhe veprimeve tuaja besnike, përgjigjet e Zotit mund të mos vijnë menjëherë.
Plaku Skot këshilloi:
“Çfarë bëni kur jeni përgatitur me kujdes, jeni lutur me zjarr, keni pritur për një kohë të arsyeshme përgjigjen dhe përsëri nuk ndieni ndonjë përgjigje? Ju mund të dëshironi të shprehni falënderime kur kjo ndodh, sepse është një provë e mirëbesimit nga Ai. Kur po jetoni të denjë dhe zgjedhja juaj është në përputhje me mësimet e Shpëtimtarit dhe keni nevojë të veproni, vazhdoni me mirëbesim. … Kur jetoni me drejtësi dhe po veproni me mirëbesim, Perëndia nuk do t’ju lejojë të vazhdoni për shumë kohë pa një mbresë paralajmëruese, në qoftë se keni marrë vendimin e gabuar.” (Richard G. Scott, “Using the Supernal Gift of Prayer”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 10)
Pjesa 3
Si vjen zakonisht zbulesa?
Shihni materialin filmik “Patterns of Light: Spirit of Revelation” [“Modelet e Dritës: Shpirti i Zbulesës”] (3:04) ose studioni thënien më poshtë të Plakut Bednar:
“Disa zbulesa merren përnjëherësh dhe ngjeshur; disa dallohen shkallë‑shkallë dhe hollë‑hollë. …
Një dritë që ndizet në dhomë të errët, është si të marrësh nga Perëndia një mesazh shpejt, plotësisht dhe përnjëherë. Shumë nga ne e kanë përjetuar këtë mënyrë zbulese kur neve na u dhanë përgjigje për lutjet e sinqerta apo kur u pajisëm me udhëzimin dhe mbrojtjen që na duhej, sipas vullnetit dhe kohës së Perëndisë. … Megjithatë, kjo mënyrë zbulese priret të jetë më shumë e rrallë se e zakonshme.
Shtimi shkallë‑shkallë i dritës që rrezatohet nga dielli që lind, është si të marrësh nga Perëndia një mesazh ‘rresht pas rreshti, parim pas parimi’ (2 Nefi 28:30). Më së shpeshti, zbulesa vjen me shtesa të vogla përgjatë kohës dhe dhurohet në pajtim me dëshirën, denjësinë dhe përgatitjen tonë. … Megjithatë, kjo mënyrë zbulese priret të jetë më shumë e rrallë se e zakonshme. …
Një përvojë tjetër me dritën na ndihmon të mësojmë një të vërtetë shtesë për mënyrën e zbulesës të llojit ՙrresht pas rreshti, parim pas parimiʼ. Nganjëherë dielli lind në një mëngjes që është i vrenjtur ose i mjegullt. Për shkak të kushteve të vranësirës, dallimi i dritës është më i vështirë dhe përcaktimi i çastit të saktë të lindjes së diellit mbi horizont, nuk është i mundur. Mirëpo në një mëngjes të tillë ne, megjithatë, kemi dritë të mjaftueshme për të dalluar një ditë të re e për t’u dhënë drejtim punëve tona.
Në mёnyrё tё ngjashme, ne shumë herë marrim zbulesë pa dalluar me saktësi mënyrën apo kohën kur po e marrim.” (Dejvid A. Bednar, “Shpirti i Zbulesës”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 88–89)