Instituti
Mësimi 1 Materiali i Mësuesit: Preludi për Rivendosjen


“Mësimi 1 Materiali i Mësuesit: Preludi për Rivendosjen”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)

“Mësimi 1 Materiali i Mësuesit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes

Mësimi 1 – Materiali i Mësuesit

Preludi për Rivendosjen

Zoti Jezu Krisht i dha fund Braktisjes së Madhe kur ai rivendosi ungjillin e Tij dhe organizoi Kishën e Tij edhe njëherë në tokë. Pas pjesëmarrjes në këtë mësim, studentët duhet të jenë në gjendje ta dallojnë dorën e Zotit në ngjarjet që i paraprinë Rivendosjes dhe të shpjegojnë nevojën që e vërteta të përhapej sërish mes fëmijëve të Perëndisë në kohën tonë.

Shënim: Nëse është e mundur, vihuni në kontakt me studentët që regjistrohen për këtë kurs, përpara ditës së tyre të parë në klasë dhe ftojini ta lexojnë materialin e përgatitjes për mësimin 1 përpara se të vijnë në klasë. Nëse do të zhvilloni mësimin 1 dhe 2 së bashku, ftojini studentët që gjithashtu ta studiojnë materialin për mësimin 2.

Sugjerime për Mësimdhënien

Tregojuni studentëve që nuk e njohin materialin e përgatitjes, se si ta gjejnë atë elektronikisht. Ju gjithashtu mund të siguroni kopje në letër për studentët që nuk kanë mjete elektronike.

PËRMIRËSIMI I MËSIMDHËNIES DHE I TË MËSUARIT TONË

Përgatituni me studentët në mendje. Teksa përgatiteni të jepni mësim, merrni parasysh se çfarë shpresoni që studentët do të ndiejnë e bëjnë dhe mënyrën se si shpresoni që jeta e tyre do të ndryshojë si rrjedhojë e mësimit dhe e kursit. Me lutje merrni parasysh nevojat e studentëve tuaj dhe mbani vesh për drejtimin e Shpirtit teksa përgatiteni. Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, u mësoi mësuesve se “një student nuk është një enë për t’u mbushur; një student është një zjarr për t’u ndezur” (“Angels and Astonishment”, transmetimi i trajnimit të Sistemit Arsimor të Kishës, 12 qershor 2019).

Braktisja e Madhe e bëri të nevojshme Rivendosjen e ungjillit.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë hyrjen e mësimit 1 në materialin e përgatitjes.

Paraqitni një bimë të gjallë dhe një të tharë ose duke u tharë (ose një degë të tharë në pak dhe). Ose paraqitni figurat shoqëruese nëse nuk keni në dispozicion bimë të vërteta.

bimë e gjallë
bimë e tharë
  • Si mendoni, përse këto bimë duken të ndryshme nga njëra‑tjetra? Çfarë lloj analogjie rreth vetë gjendjes sonë shpirtërore mund të bëjmë duke i përdorur këto bimë?

Shpjegoni se një profet i Dhiatës së Vjetër, i quajtur Amos, i paralajmëroi njerëzit e ligj të Izraelit se do të përjetonin zi buke. Ftojini studentët të lexojnë tek Amos 8:11–12, duke kërkuar se për çfarë lloj urie paralajmëroi Amosi.

Ftojini studentët të shohin te pjesa 1 e materialit të përgatitjes, duke kërkuar për atë që humbi gjatë Braktisjes së Madhe. Vërini studentët të tregojnë atë që gjejnë.

Shfaquni studentëve materialin filmik “Dispensations: The Pattern of Apostasy and Restoration” [“Periudhat Ungjillore: Modeli i Braktisjes dhe i Rivendosjes”] (6:52). Ftojini studentët që teksa shohin, të mendojnë rreth asaj që na mëson për Atin Qiellor modeli i braktisjes dhe i rivendosjes, i përshkruar në materialin filmik.

6:55
  • Si mendoni, çfarë na mëson për Atin Qiellor ky model i braktisjes dhe i rivendosjes?

  • Përse është periudha ungjillore e plotësisë së kohëve e ndryshme nga çdo periudhë tjetër ungjillore? Cilat janë mendimet ose ndjenjat tuaja rreth të jetuarit gjatë kësaj kohe?

Zoti e përgatiti udhën për Rivendosjen e ungjillit.

Paraqitni të vërtetën vijuese: Zoti e përgatiti udhën për Rivendosjen e ungjillit.

Ftojini studentët të formojnë grupe të vogla dhe më pas të lexojnë me radhë nga pjesa 2 e materialit të përgatitjes, duke kërkuar se cilat ngjarje përgatitën udhën për Rivendosjen e ungjillit. (Nëse shumica e studentëve tuaj ishin në gjendje ta lexonin materialin e përgatitjes përpara orës mësimore, ju mund t’i ftoni të përmbledhin përmbajtjen e pjesës 2.) Paraqitini pyetjet vijuese dhe jepini kohë secilit grup që t’i diskutojnë ato së bashku.

  • Si e përgatiti Zoti udhën që të ndodhte Rivendosja?

  • Çfarë mund të mësojmë për Zotin nëpërmjet mënyrës se si Ai e përgatiti udhën për Jozef Smithin dhe Rivendosjen?

Studentët mund të luajnë një rol aktiv në mësimin e tyre të ungjillit.

Paraqitni një listë të titujve të mësimeve për kursin (ju mund t’i gjeni ato në tabelën e përmbajtjes). Shpjegoni se ky kurs do të përqendrohet mbi ngjarjet, doktrinën dhe shkrimin e shenjtë themelor të Rivendosjes, si edhe do të trajtojë tema të vështira që nganjëherë shfaqen në historinë e Kishës. Merreni parasysh t’i ftoni studentët të lexojnë listën e mësimeve të ardhshme dhe t’i tregojnë klasës se për cilat tema do të donin të mësonin më shumë. Mbajini shënim përgjigjet e tyre në mënyrë që të dini se cilat mësime mund t’i theksoni pak më shumë gjatë kursit.

Shpjegoni se materiali i përgatitjes është pjesë e pandashme e këtij kursi dhe mund ta rritë të mësuarit vetjak të ungjillit nga studentët dhe t’i ndihmojë të përgatiten që të japin ndihmesa domethënëse gjatë orës mësimore.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë bekimet që mund të vijnë nga përgatitja për secilën përvojë në klasë, paraqitni thënien vijuese nga Plaku Kim B. Klark, i Të Shtatëdhjetëve:

“Nëse dëshironi vërtet të mësoni thellësisht, nëse zemra juaj dhe mendja juaj janë të hapura ndaj të mësuarit dhe nëse veproni sipas asaj dëshire, Zoti do t’ju bekojë. Kur e bëni pjesën tuaj – luteni me besim, përgatiteni, studioni, përfshiheni aktivisht dhe bëni më të mirën që mundeni – Fryma e Shenjtë do t’ju japë mësim, do ta lartësojë aftësinë tuaj për të vepruar sipas asaj që mësoni, dhe do t’ju ndihmojë të bëheni çfarë Zoti do që ju të bëheni.” (Kim B. Clark, “Learning for the Whole Soul”, Ensign, gusht 2017, f. 27)

Ftojini studentët të përsiatin me kujdes se si do t’u përgjigjeshin pyetjeve vijuese:

  • Si do ta ndihmojë rritjen time shpirtërore pjesëmarrja e sinqertë në këtë kurs?

  • A jam gati të paguaj çmimin e të studiuarit vetë përpara çdo ore mësimore, në mënyrë që të vij i përgatitur për të mësuar më thellësisht? Në cilën orë në planin tim ditor do të zotohem që ta bëj përparësi studimin dhe përgatitjen time vetjake?

Merreni parasysh t’i nxitni studentët të mbajnë shënim synimet e tyre lidhur me këto pyetje. Ju gjithashtu mund të diskutoni si klasë se si ata mund ta ndihmojnë njëri‑tjetrin që të vijnë të gatshëm për të mësuar më thellësisht. (Idetë mund të përfshijnë krijimin e grupeve për mesazhe sms si klasë, të grupeve të studimit, mënyra për ta kujtuar njëri‑tjetrin për synimet e tyre ose forume diskutimi ku ata mund të japin ide nga studimi i tyre.)

Për Herën Tjetër

Shpjegojuni studentëve që materiali i përgatitjes për orën e ardhshme mësimore përfshin pjesë të rrëfimeve të mirëfillta nga Profeti Jozef Smith për Vegimin e tij të Parë. Ftojini studentët të marrin parasysh se çfarë mund të mësojmë nga rrëfimet e ndryshme, si edhe rëndësinë e pasjes së vetë dëshmive tona për realitetin e Vegimit të Parë.