“Mësimi 8 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Organizmi i Kishës së Jezu Krishtit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)
“Mësimi 8 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes
Mësimi 8 – Materiali i Përgatitjes së Klasës
Organizimi i Kishës së Jezu Krishtit
Çfarë do të thotë për ju anëtarësia në Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit? Teksa e studioni këtë mësim, merrni parasysh se si pjesëmarrja juaj në Kishën e Zotit mund t’ju çojë drejt bekimeve më të mëdha për ju dhe familjen tuaj, si edhe për të tjerët me të cilët takoheni gjatë gjithë jetës suaj.
Pjesa 1
Në ç’mënyrë është Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e pashoqe mes të gjitha kishave dhe feve të tjera?
Duke qëndruar pranë një përroi më 6 prill 1830, Jozef Smithi “dëshmoi pagëzimet e nënës dhe babait të tij në kishë. Pas vitesh që kishin ecur në shtigje të ndryshme në kërkimin e tyre për të vërtetën, ata së fundi u bashkuan në besim. Ndërsa babai i tij doli nga uji, Jozefi e kapi për dore, e ndihmoi të dilte në breg dhe e përqafoi.
‘Perëndia im’, thirri ai, duke e zhytur fytyrën në kraharorin e të atit, ‘jetova sa ta shoh atin tim të pagëzohet në kishën e vërtetë të Jezu Krishtit!’” (Shenjtorët: Historia e Kishës së Jezu Krishtit në Ditët e Mëvonshme, vëll. 1, Standardi i së Vërtetës, 1815–1846 [2018], f. 86)
Pasi Jozef Smithi e përktheu Librin e Mormonit dhe e mori autoritetin e priftërisë nga lajmëtarë qiellorë, Zoti e drejtoi atë “me anë të Shpirtit të Profecisë dhe zbulesës … që të organizonte Kishën [e Jezu Krishtit] sërish, këtu në tokë” (Joseph Smith, në History, rreth qershor 1839 – rreth 1841 [boca 2], f. 29, josephsmithpapers.org). Më 6 prill 1830, rreth 60 veta u mblodhën në shtëpinë e Piter Uitmer Plakut në Fajet të Nju‑Jorkut, për të dëshmuar “ngritj[en] e Kishës së Krishtit në këto ditë të fundit” sipas “vullnetit dhe urdhërimeve të Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 20:1).
Në ditën që u organizua Kisha, shenjtorët i mbështetën Jozef Smithin dhe Oliver Kaudërin si udhëheqësit e tyre, morën sakramentin, dëshmuan shugurimin e burrave në detyrat e priftërisë dhe panë ata që ishin pagëzuar më parë, të merrnin dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe të konfirmoheshin anëtarë të Kishës.
Për këtë ditë, Profeti Jozef Smith u shpreh:
“Pas një kohe të gëzueshme që kaluam duke dëshmuar dhe ndjerë vetë fuqitë dhe bekimet e Frymës së Shenjtë, nëpërmjet hirit të Perëndisë dhuruar mbi ne, e mbyllëm mbledhjen me dijen e këndshme se tani ne ishim anëtarë të veçantë dhe të njohur nga Perëndia, të ‘Kishës së Jezu Krishtit’, të organizuar në përputhje me urdhërimet dhe zbulesat që Ai na kishte dhënë.” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 143)
Zoti përcaktoi nëpërmjet zbulesës ditën e caktuar që do të organizohej Kisha e Tij sërish në tokë (shih Doktrina e Besëlidhje 20, kreu i seksionit) dhe më vonë Ai dha emrin me të cilin Kisha duhej të quhej.
Rreth një vit e gjysmë pasi u organizua Kisha, Zoti shpalli se Ai u kishte dhënë Jozef Smithit dhe të tjerëve fuqi “për të ngritur themelin e kësaj kishe dhe për ta nxjerrë atë nga terri dhe errësira, të vetmen kishë të vërtetë dhe të gjallë mbi faqen e tërë dheut, me të cilën unë, Zoti, jam shumë i kënaqur, duke i folur kishës në mënyrë kolektive dhe jo individuale” (Doktrina e Besëlidhje 1:30).
Pjesa 2
Cilat janë disa arsye pse Zoti shpalli se kjo ishte “[e] vetm[ja] kishë [e] vërtetë dhe [e] gjallë”?
Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, dha mësim:
“Tri veçori – 1) plotësia e doktrinës, 2) fuqia e priftërisë dhe 3) dëshmia për Jezu Krishtin – shpjegojnë arsyen përse Perëndia ka shpallur dhe përse ne, si shërbëtorë të Tij, e mbrojmë me bindje që kjo është e vetmja Kishë e vërtetë dhe e gjallë mbi faqen e tërë dheut. …
Ngaqë kaq shumë kishte humbur gjatë Braktisjes, ishte e nevojshme që Zoti ta rivendoste plotësinë e doktrinës së Tij. …
Doktrina e Jezu Krishtit, e kuptuar në plotësinë e saj, është plani nëpërmjet të cilit ne mund të bëhemi ata që fëmijët e Perëndisë pritet të bëhen. …
Tipari i dytë dhe tërësisht thelbësor … është autoriteti i priftërisë. …
Ngaqë ne kemi fuqinë e priftërisë, udhëheqësit dhe anëtarët e autorizuar në mënyrë të rregullt … fuqizohen që të kryejnë ordinancat e kërkuara të priftërisë. …
Arsyeja e tretë përse jemi e vetmja Kishë e vërtetë është që ne kemi të vërtetën e zbuluar rreth natyrës së Perëndisë dhe marrëdhënies sonë me Të dhe ne, si rrjedhojë, kemi një dëshmi të pashoqe për Jezu Krishtin. Në mënyrë domethënëse, bindja jonë për natyrën e Perëndisë është çfarë na dallon nga besime të tjera zyrtare të shumicës së kishave të krishtera.” (Dallin H. Oaks, “The Only True and Living Church”, New Era, gusht 2011, f. 3–5)
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, më tej shpjegoi se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme “është një kishë e gjallë për shkak të funksionimit dhe dhuratave të Frymës së Shenjtë” (“Merrni Frymën e Shenjtë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 97).
Vëllai Ted R. Kelister, ish‑President i Përgjithshëm i Shkollës të së Dielës, gjithashtu ka dhënë mësim:
“[Shpallja e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 1:30] nuk do të thotë që kishat e tjera nuk kanë disa të vërteta, sepse sigurisht që ato i kanë disa të vërteta. Nuk do të thotë që kishat e tjera nuk bëjnë mirë, sepse ato bëjnë shumë të mira. Ajo që do të thotë, është se kjo është e vetmja kishë që ka gjithë të vërtetën që është zbuluar deri më tani në këtë periudhë ungjillore – e vetmja kishë që ka ordinancat e nevojshme për ekzaltim dhe e vetmja kishë që ka priftërinë e Perëndisë për t’i kryer ato ordinanca me vlefshmëri hyjnore. Çfarë faktesh kemi ne për këtë pohim? …
Nëse një person do të krahasonte projektin e Kishës së hershme të Krishtit me secilën kishë në botë sot, ai do të zbulonte se … do të përkonte vetëm me një kishë – Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.” (Ted R. Kelister, “Cili Është Projekti i Kishës së Krishtit?” [takim shpirtëror i Sistemit Arsimor të Kishës për të rinjtë në moshë madhore, 12 janar 2014], ChurchofJesusChrist.org)
Është e rëndësishme të kuptojmë se të jesh anëtar i “të vetme[s] kishë të vërtetë dhe të gjallë” të Jezu Krishtit nuk do të thotë se ne besojmë që jemi më të mirë se njerëzit e tjerë. Por anëtarësia jonë vërtet përfshin një përgjegjësi për t’i dashur të tjerët dhe për t’i ftuar ata të vijnë te Krishti dhe të marrin bekimet e ungjillit të Tij të rivendosur.
Pjesa 3
Çfarë mund t’i them dikujt që ndien se ai ose ajo mund të jetë fetare ose shpirtërore pa marrë pjesë në Kishën e Zotit?
Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Ka nga ata njerëz të cilët e konsiderojnë veten fetarë ose shpirtërorë e megjithatë nuk e pranojnë pjesëmarrjen në një kishë ose edhe nevojën për një institucion të tillë. Për ta, praktika fetare është krejtësisht vetjake. Prapëseprapë, Kisha është krijimi i Atij në të cilin përqendrohet shpirtshmëria jonë – Jezu Krishtit. …
… Qëllimi i dikurshëm vazhdon të jetë po ai: që është, të predikohet lajmi i mirë i ungjillit të Jezu Krishtit dhe të administrohen ordinancat e shpëtimit – me fjalë të tjera, të sillen njerëzit te Krishti. …
… Është e rëndësishme të dihet se qëllimi kryesor i Perëndisë është përparimi ynë. Dëshira e Tij është që të vazhdojmë ‘nga hiri në hir, derisa [ne të marrim] një plotësi’ [Doktrina e Besëlidhje 93:13] të gjithçkaje që Ai mund të japë. Kjo kërkon më tepër sesa thjesht të jesh i sjellshëm ose të ndihesh shpirtëror. Ajo kërkon besim te Jezu Krishti, pendim, pagëzim nga uji e nga Fryma dhe durim deri në fund me besim [shih 2 Nefi 31:17–20]. Një person nuk mund ta arrijë plotësisht këtë duke qenë i veçuar, ndaj një arsye madhore pse Zoti ka një kishë, është që të krijojë një komunitet shenjtorësh që do ta mbështetin njëri‑tjetrin në ‘shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar që të çon në jetën e përjetshme’ [2 Nefi 31:18]. …
Nëse dikush beson se të gjitha rrugët të çojnë drejt qiellit ose se nuk ka kërkesa të veçanta për shpëtim, ai ose ajo nuk do ta shohë të nevojshme shpalljen e ungjillit ose të ordinancave dhe besëlidhjeve për shëlbimin qoftë të të gjallëve apo të të vdekurve. Por nuk flasim vetëm për pavdekësinë, por edhe për jetën e përjetshme dhe për këtë shkak shtegu i ungjillit dhe besëlidhjet e ungjillit janë thelbësore. Dhe Shpëtimtari ka nevojë për një kishë që t’ua mundësojë këto të gjithë fëmijëve të Perëndisë – si të gjallëve edhe të vdekurve.” (D. Tod Kristoferson, “Përse Kisha”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 108, 110)
Motra Boni L. Oskarson, e cila shërbeu si Presidente e Përgjithshme e Të Rejave, dha mësim se pjesëmarrja në Kishë gjithashtu na ndihmon të bëhemi më shumë si Shpëtimtari duke na dhënë mundësi për të shërbyer dhe për t’u dhënë shërbesë të tjerëve:
“Është e vërtetë që ne i frekuentojmë mbledhjet tona të përjavshme të Kishës për të marrë pjesë në ordinanca, për të mësuar doktrinën dhe për t’u frymëzuar, por një arsye tjetër shumë e rëndësishme përse i frekuentojmë është që, si familje e një lagjeje dhe si dishepuj të Shpëtimtarit Jezu Krisht, ne të kujdesemi për njëri‑tjetrin, t’i japim kurajë njëri‑tjetrit dhe të gjejmë mënyra për t’i shërbyer njëri‑tjetrit dhe për ta forcuar njëri‑tjetrin. Ne nuk jemi thjesht marrës dhe përfitues të asaj që na ofrohet në kishë; na nevojitet të jemi dhënës dhe furnizues. …
Kërkojini Atit tuaj Qiellor që t’ju tregojë njerëzit përreth jush që kanë nevojë për ndihmën tuaj dhe t’ju frymëzojë se si t’u shërbeni atyre më së miri. Sillni ndërmend se Shpëtimtari më shpesh u dha shërbesë njerëzve një e nga një.” (Boni L. Oskarson, “Nevojat përpara Vetvetes”, Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 26)