Instituti
Mësimi 22 Materiali i Mësuesit: Martesa me Shumë Gra


“Mësimi 22 Materiali i Mësuesit: Martesa me Shumë Gra”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)

“Mësimi 22 Materiali i Mësuesit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes

Mësimi 22 Materiali i Mësuesit

Martesa me Shumë Gra

Martesa midis një burri dhe një gruaje është ligji i Zotit, në qoftë se Ai nuk urdhëron ndryshe (shih Jakobi [LiM] 2:27–30). Me anë të zbulesës, Zoti e urdhëroi Profetin Jozef Smith të jetonte parimin e martesës me shumë gra dhe t’ua mësonte atë disa prej anëtarëve të hershëm të Kishës. Martesa me shumë gra vazhdoi në Kishë derisa Zoti shpalli me anë të zbulesës se shenjtorët duhej t’i jepnin fund praktikimit (shih Deklarata Zyrtare 1). Ky mësim hartohet për ta forcuar sigurimin e studentëve se Jozef Smithi dhe anëtarët e hershëm të Kishës po vepronin nën drejtimin e Zotit kur e praktikuan martesën me shumë gra. Ai gjithashtu do t’i ndihmojë studentët që të mirëbesojnë më plotësisht te Zoti ndërkohë që përpiqen t’i binden vullnetit të Tij dhe të gjejnë përgjigje për pyetjet e tyre.

Sugjerime për Mësimdhënien

Zoti dha nëpërmjet zbulesës praktikën e martesës me shumë gra.

Paraqiteni thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson:

“Perëndia u ka kërkuar përherë fëmijëve të Tij të besëlidhjes që të bëjnë gjëra të vështira”. (Rasëll M. Nelson, “Qëndroni si Mijëvjeçaristë të Vërtetë”, Liahona, tetor 2016, f. 27)

  • Cilat janë disa “gjëra të vështira” që Perëndia ka kërkuar të bëjnë anëtarët e Kishës në kohën tonë? (Ju mund t’i renditni përgjigjet në tabelë. Ftojini studentët të marrin parasysh bindjen e tyre vetjake ndaj këtyre urdhërimeve gjatë gjithë mësimit.)

  • Si mendoni, përse Perëndia u kërkon fëmijëve të Tij të besëlidhjes që të bëjnë këto gjëra?

Vini në dukje se për shumë prej shenjtorëve të hershëm të ditëve të mëvonshme, njëra prej kërkesave më të vështira nga Perëndia ishte që ata të jetonin parimin e martesës me shumë gra. Kujtojuni studentëve se që në vitin 1831, Jozef Smithi u lut që të kuptonte përse disa profetë dhe mbretër të lashtë izraelitë praktikonin martesën me shumë gra (shih kreun e seksionit dhe vargun 1 te Doktrina e Besëlidhje 132).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë te Doktrina e Besëlidhje 132:34–37. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë se si iu përgjigj Zoti pyetjes së Profetit.

  • Paraqiteni pyetjen në vijim: Përse Abrahami u martua me Hagarin si një grua e dytë?

  • Sipas vargjeve 36–37, çfarë parimi i mësoi Zoti Jozef Smithit rreth bindjes ndaj urdhërimeve të Tij? (Pasi studentët përgjigjen, shkruani në tabelë të vërtetën vijuese: Kur ne jemi të gatshëm t’i bindemi çfarëdo gjëje që urdhëron Zoti, ajo na “llogarit[et] për drejtësi”.)

  • Si mund të krahasohet urdhërimi i Zotit për Abrahamin që të flijonte Isakun, me urdhërimin e Tij për Jozef Smithin dhe shenjtorët e hershëm që të praktikonin martesën me shumë gra?

Shpjegoni se në njëfarë kohe pasi Zoti i zbuloi Jozef Smithit parimin e martesës me shumë gra, Ai e urdhëroi Profetin që ta jetonte këtë parim dhe t’ua mësonte të tjerëve.

Paraqitni thënien vijuese dhe ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë:

“Sipas Helen Mar Kimballit, Jozef Smithi tha se ‘praktikimi i këtij parimi do të ishte sprova më e vështirë që shenjtorët do të duhej ta kishin ndonjëherë që të vinin në provë besimin e tyre’. Edhe pse ishte një nga sprovat ‘më të vështira’ në jetën e saj, ajo dëshmoi se kishte qenë gjithashtu ‘një nga bekimet më të mëdha’.” (“Plural Marriage in Kirtland and Nauvoo” [“Martesa me Shumë Gra në Kirtland dhe Navu”], Gospel Topics, topics.ChurchofJesusChrist.org)

  • Cilat ishin ndjenjat e Jozef Smithit kundrejt praktikimit të martesës me shumë gra kur ajo u prezantua fillimisht? (Nëse nevojitet, jepuni studentëve kohë të shqyrtojnë thënien e Motrës Eliza R. Snou në pjesën 2 të materialit të përgatitjes.)

Kërkojuni anëtarëve të klasës të shqyrtojnë shembujt e Abrahamit dhe Jozef Smithit.

  • Çfarë zbulon rreth karakterit dhe besimit të tyre, gatishmëria e shenjtorëve të hershëm për t’iu bindur urdhërimeve kaq të vështira?

Shpjegoni se disa prej shenjtorëve të hershëm lanë përshkrime të ndeshjes së brendshme që përjetuan, kur atyre iu prezantua martesa me shumë gra. Ftojini studentët të tregojnë atë që e kujtojnë nga rrëfimet që i studiuan te pjesa 3 e materialit të përgatitjes.

Paraqitni rrëfimin vijues nga Fibi Udrafi, bashkëshortja e Presidentit Uillford Udraf. Ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë:

“Kur parimi i poligamisë u dha mësim fillimisht, unë e mendova si gjënë më e ligë që kisha dëgjuar ndonjëherë. … Gjithsesi, sapo u bëra e bindur që e pati zanafillën si zbulesë nga Perëndia nëpërmjet Jozefit dhe duke e ditur që ai ishte një profet, u ndesha me Atin tim Qiellor në lutje të zjarrtë, për t’u udhërrëfyer siç duhet në atë çast shumë të rëndësishëm të jetës sime. Përgjigjja erdhi. Paqe iu dha mendjes sime. E dija se ishte vullneti i Perëndisë.” (Phebe Woodruff, në Edward Tullidge, The Women of Mormondom [1877], f. 413)

  • Si mund ta ndihmojë shembulli i Fibit dikë sot që mund ta ketë të vështirë që t’i bindet një urdhërimi nga Perëndia? Si mund ta ndihmojë shembulli i saj dikë që mund të ketë pyetje rreth praktikës së martesës me shumë gra mes shenjtorëve të hershëm?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Fjalët e Urta 3:5–6 dhe vëreni klasën ta ndjekë e të kërkojë një parim që mund të lidhet me përvojat e këtyre shenjtorëve të hershëm.

  • Çfarë parimesh mund të mësojmë nga ky fragment dhe përvoja e shenjtorëve të hershëm? (Duke përdorur fjalët e studentëve, shkruani në tabelë [ose paraqitni] një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Nëse mirëbesojmë te Zoti me gjithë zemrën tonë dhe nuk mbështetemi te kuptueshmëria jonë, atëherë Ai do ta udhërrëfejë jetën tonë.)

Bëjuni studentëve pyetjen që vijon:

  • Si mendoni, çfarë do të thotë për dikë që shqetësohet rreth praktikës së hershme të martesës me shumë gra, që t’i mirëbesojë Zotit me gjithë zemrën e tij ose të saj dhe të mos mbështetet thjesht në kuptueshmërinë e vet?

Shpjegoni se nuk është e pazakontë që anëtarët e Kishës të kenë pyetje ose shqetësime rreth martesës me shumë gra. Perëndia nuk i ka zbuluar dhe nuk u kërkon fëmijëve të Tij sot të kuptojnë hollësitë e martesës me shumë gra. Megjithatë, gjithë shenjtorëve u premtohet se ata mund të fitojnë dëshmi se Jozef Smithi ishte profeti i Perëndisë i cili mori urdhërime e zbulesë nga Ai dhe se Jozefi jetoi besnikërisht në përputhje me urdhrat e Zotit.

PËRMIRËSIMI I MËSIMDHËNIES DHE I TË MËSUARIT TONË

Ju mund t’i ndihmoni studentët t’u përgjigjen pyetjeve të vështira. Dhënia e informacionit të saktë studentëve dhe të ndihmuarit e tyre që të gjejnë burime të besueshme, mund t’i ndihmojnë ata të mendojnë rreth temave sfiduese dhe t’i shpjegojnë ato me saktësi. Nëse studentët dëshirojnë të mësojnë më shumë rreth praktikës së martesës me shumë gra në historinë e hershme të Kishës, ftojini që me lutje të studiojnë burimet shtesë të renditura te pjesa “Doni më Shumë?” e materialit të përgatitjes.

Ftojini studentët të marrin parasysh raste në jetën e tyre kur ata kanë mirëbesuar te Zoti dhe iu bindën një urdhërimi të vështirë – ose kur atyre iu është dashur të “mos … mbështet[en] në gjykimin [e tyre]” teksa kërkonin përgjigje ndaj pyetjeve të vështira. Ju mund t’i ftoni disa studentë të tregojnë përvojat e tyre. Pyetini se si Zoti i drejtoi shtigjet e tyre.

Merreni parasysh t’u jepni kohë studentëve që të mendojnë rreth pyetjeve fetare ose personale që kanë. Kërkojuni të përsiatin se çfarë mund të bëjnë për të gjetur përgjigje ose siguri përsëri për këto pyetje, për të mirëbesuar te Zoti dhe për t’u mbështetur tek Ai. Ata madje mund t’i shënojnë mendimet e tyre në ditar ose të luten për ndihmën e Zotit që të dinë se si të veprojnë me besim.

Zoti zbuloi disa arsye për praktikën e martesës me shumë gra.

Shpjegoni se ne nuk i kuptojmë të gjitha qëllimet e Perëndisë për fillimin e martesës me shumë gra në këtë periudhë ungjillore, por Ai na i ka dhënë disa prej arsyeve të Tij. Për shembull, Zoti i mësoi Profetit Jozef Smith se praktika ishte pjesë e rivendosjes së “të gjitha gjëra[ve]” nga periudhat e mëparshme ungjillore (shih Doktrina e Besëlidhje 132:40, 45).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë te Jakobi [LiM] 2:30 dhe vëreni klasën të kërkojë një arsye tjetër që Zoti e ka dhënë përse e urdhëroi popullin e Tij që ta praktikonte martesën me shumë gra. Kërkojuni studentëve të raportojnë çfarë kanë gjetur. (Studentët duhet të përfshijnë në përgjigjet e tyre se urdhri u dha si një mënyrë për ta rritur numrin e fëmijëve të lindur në besëlidhjen e ungjillit. Në këtë mënyrë, populli i Zotit “do ta rri[të] farën” për Të.)

Vini në dukje se përpjekjet e shenjtorëve të hershëm që t’i bindeshin këtij urdhërimi “rezultu[an] në lindjen e një numri të madh fëmijësh brenda shtëpive të shenjtorëve besnikë të ditëve të mëvonshme” (“Plural Marriage and Families in Early Utah” [“Martesa me Shumë Gra dhe Familjet në Jutën e Hershme”], Gospel Topics, topics.ChurchofJesusChrist.org).

Zoti më vonë zbuloi se shenjtorët e ditëve të mëvonshme duhej ta ndërprisnin praktikimin e martesës me shumë gra

Ftojeni një student që e studioi materialin e përgatitjes (pjesa 2), që të tregojë atë që çoi drejt përfundimit të martesës me shumë gra në Kishën e rivendosur.

  • Si do t’ia shpjegonit dikujt qëndrimin e tanishëm të Kishës lidhur me martesën me shumë gra?

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga paragrafi i parë dhe i shtatë i materialit “Pjesë të Shkëputura nga Tre Fjalime të Presidentit Wilford Woodruff Lidhur me Manifestin”, që pason Deklaratën Zyrtare 1.

  • Çfarë u mësoi shenjtorëve Presidenti Udraf? (Studentët duhet të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me atë që vijon: Zoti kurrë nuk do ta lejojë Presidentin e Kishës që ta drejtojë Kishën në udhë të gabuar.)

  • Si mund të ndikojë kjo e vërtetë mbi mënyrën se si u përgjigjemi personalisht këshillës dhe mësimeve të profetit të gjallë të Zotit?

Përfundojeni duke dhënë dëshminë tuaj se Profeti Jozef Smith dhe udhëheqës të tjerë të hershëm të Kishës ishin profetë të vërtetë të Perëndisë, të cilët i ndoqën me bindje urdhërimet e Zotit dhe ua mësuan ato urdhërime shenjtorëve të ditëve të mëvonshme.

Për Herën Tjetër

Shpjegojuni studentëve se teksa studiojnë për orën tjetër mësimore, ata do të kenë mundësinë të mësojnë rreth hollësive që rrethuan vdekjet e Jozef dhe Hajrëm Smithit. Nxitini studentët të vijnë në klasë të përgatitur që të diskutojnë mendimet e tyre për atë që Jozef Smithi përmbushi si profet i Perëndisë.

Shtyp në Letër