“Mësimi 14 Materiali i Mësuesit: Zoti Zbulon Shkrim të Shenjtë Shtesë”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)
“Mësimi 14 Materiali i Mësuesit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes
Mësimi 14 Materiali i Mësuesit
Zoti Zbulon Shkrim të Shenjtë Shtesë
Ashtu si në periudhat e mëparshme ungjillore, Zoti vazhdon të zbulojë shkrime të shenjta shtesë nëpërmjet profetëve të Tij të gjallë. Ky mësim u jep studentëve një mundësi për të treguar se si shkrimi i shenjtë i ditëve të mëvonshme rivendos dhe ndihmon për të qartësuar të vërteta të ungjillit. Studentët do të jenë edhe më të përgatitur për të trajtuar pyetje lidhur me librin e Abrahamit.
Sugjerime për Mësimdhënien
Zoti zbuloi shkrim të shenjtë shtesë nëpërmjet Profetit Jozef Smith.
Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur një shok i pyet me çiltërsi: “Pse Kisha jote ka më shumë shkrime të shenjta dhe jo vetëm Biblën? Mendoja se Bibla përmbante tërë fjalën e Perëndisë.” Kërkojuni studentëve të ngrenë dorën nëse u është bërë një pyetje si kjo. Ftojini disa studentë të tregojnë se si u përgjigjën (ose se si do të përgjigjeshin).
Shpjegoni se Libri i Mormonit përmban një anal të shkruar nga Nefi të një vegimi ku ai i pa fjalët e Biblës të përhapeshin nëpër botë. Ai gjithashtu pa se shumë pjesë “të qarta” dhe “të çmueshme” (1 Nefi 13:26) të ungjillit të Shpëtimtarit u hoqën nga Bibla (shih 1 Nefi 13:24–26).
Lexoni te 1 Nefi 13:38–41 si klasë, duke kërkuar se cilat anale pa Nefi që do të ishin në dispozicion të njerëzve në ditët e mëvonshme. Ju mund të ndaloni pas çdo vargu dhe t’i lini studentët të shpjegojnë se cilët prej analeve po u referohet Nefi. Për shembull, “libra[t e] tjerë” që përmenden te vargu 39 përfshijnë Librin e Mormonit, Doktrinën e Besëlidhjet, Perlën me Vlerë të Madhe dhe Përkthimin e Biblës prej Joseph Smith-it.
-
Sipas vargut 40 dhe 41, cilat janë qëllimet e këtyre shkrimeve të shenjta shtesë të zbuluara nëpërmjet Jozef Smithit? (Duke përdorur përgjigjet e studentëve, përcaktoni një të vërtetë të tillë si ajo që vijon: Nëpërmjet Jozef Smithit, Zoti zbuloi shkrim të shenjtë shtesë i cili pohon të vërtetat e Biblës, rivendos të vërteta të qarta dhe të çmueshme dhe ndihmon për t’i sjellë njerëzit te Jezu Krishti.)
Për të ndihmuar në thellimin e të kuptuarit të studentëve për këtë të vërtetë, merreni parasysh të përdorni disa nga idetë e mëposhtme mbi mësimdhënien për të lehtësuar të treguarit dhe diskutimin nga ana e studentëve.
Doktrina e Besëlidhje
Kujtojuni studentëve që në një mbledhje të vitit 1831, Jozef Smithi dhe disa pleq vendosën të botonin zbulesat e marra deri në atë kohë. Gjatë mbledhjes, Zoti e zbuloi vetë parathënien e Tij për Librin e Urdhërimeve (tani Doktrina e Besëlidhje) nëpërmjet Jozef Smithit. Kjo parathënie është Doktrina e Besëlidhje 1.
Jepuni studentëve një minutë kohë për të shqyrtuar seksionet te Doktrina e Besëlidhje 1:17, 21–23, 37 nga materiali i përgatitor. Ftojini të kërkojnë atë që dha mësim Zoti rreth zbulesave (e cila përmendet si “urdhërime” në tekst). Ftojini studentët të tregojnë atë që gjetën.
Te pjesa 2 e materialit përgatitor, studentëve iu kërkua të gjenin vendndodhjen e një fragmenti të shkrimit të shenjtë nga Doktrina e Besëlidhje që e ka forcuar besimin e tyre te Jezu Krishti. Jepuni kohë studentëve që t’ia tregojnë fragmentet e tyre njëri-tjetrit. Ju mund ta bëni këtë veprimtari në grupe të vogla apo si klasë. Ata gjithashtu mund t’i tregojnë njëri-tjetrit përgjigjet për pyetjen vijuese:
-
Në çfarë mënyrash këto fragmente pohojnë të vërtetën e Biblës, rivendosin të vërteta të qarta dhe të çmueshme, ose na sjellin më pranë Jezu Krishtit?
Përkthimi i Biblës prej Joseph Smith‑it dhe Perla me Vlerë të Madhe
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien e Jozef Smithit rreth Biblës që gjendet te pjesa 3 e materialit përgatitor. Shpjegoni se nëpërmjet përkthimit të Biblës prej Jozef Smithit, Zoti rivendosi shumë prej të vërtetave të qarta dhe të çmueshme që kishin humbur.
Si pjesë e përgatitjes së tyre për orën mësimore, studentët studiuan shpjegime të asaj se çfarë janë Përkthimi prej Joseph Smith‑it dhe Perla me Vlerë të Madhe. Kërkojuni disa studentëve të përmbledhin atë që mësuan rreth secilit libër.
Nëse është e nevojshme, kujtojuni studentëve se pjesë të Përkthimit prej Joseph Smith-it përfshihen te Perla me Vlerë të Madhe si libri i Moisiut dhe Joseph Smith – Mateu. Rishikime të tjera të frymëzuara të Profetit mund të gjenden te poshtëshënimet dhe shtojca e disa botimeve të Biblës, tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta dhe te scriptures.ChurchofJesusChrist.org. Merreni parasysh që t’u kërkoni studentëve të hapin cilindo burim që është në dispozicion, për t’u siguruar që ata e dinë mënyrën se si t’i përdorin këto shkrime të shenjta.
Paraqiteni listën e fragmenteve të shkrimeve të shenjta nga librat e Moisiut, të Abrahamit dhe Përkthimit prej Joseph Smith-it në pjesën 3 të materialit përgatitor. Kërkojuni studentëve që t’i shqyrtojnë shkurtimisht këto fragmente të shkrimeve të shenjta të cilat ata i përzgjodhën vetë ose nga lista.
Pasi t’u jepni atyre një minutë kohë për t’i shqyrtuar, ftojini studentët t’i tregojnë një partneri se çfarë të vërtetash të qarta dhe të çmuara u mësojnë këto shkrime të shenjta ose se si e thellojnë ato njohurinë e tyre për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij. Ju mund të doni gjithashtu t’i tregoni klasës dëshminë tuaj për shkrimet e shenjta të ditëve të mëvonshme dhe ndikimin e tyre në jetën tuaj.
Ne mund të veprojmë me besim teksa trajtojmë pyetjet rreth përkthimit të librit të Abrahamit.
Paraqitni figurën e mëposhtme dhe shpjegoni se është një fragment i papiruseve egjiptiane që Jozef Smithi kishte dikur.
Ftojini studentët të shpjegojnë atë që dinë rreth marrjes së papiruseve dhe historisë së tyre (shih pjesët 3 dhe 4 të materialit përgatitor).
-
Çfarë pyetjesh kanë dalë nga studimi i fragmenteve ekzistuese të papiruseve? (Ftojini studentët të kujtojnë atë që mësuan nga pjesa 4 e materialit përgatitor.)
-
Çfarë do t’i tregonit dikujt që pati shqetësime në përgjithësi rreth përkthimit të librit të Abrahamit?
Ndërsa studentët i përgjigjen pyetjes së mëparshme, ju mund të përdorni një ose më shumë pyetje që ndjekin ecurinë, për të vazhduar diskutimin. Si pjesë e diskutimit, siguroni mundësi që studentët të marrin parasysh ato gjëra që i lexojnë në materialin përgatitor dhe të bëjnë çfarëdo pyetje që kanë rreth librit të Abrahamit.
-
Çfarë bëni kur nuk jeni në gjendje të gjeni përgjigje specifike për pyetjet e ungjillit, siç janë ato rreth librit të Abrahamit?
-
Cilat janë disa nga provat që kanë dalë në dritë që prej botimit të librit të Abrahamit, të cilat e mbështetin vërtetësinë e tij? (Shih “Libri i Abrahamit dhe Bota e Lashtë” në pjesën 4 të materialit përgatitor.)
-
Çfarë do t’i sugjeronit dikujt se është mënyra më e besueshme për të përcaktuar vërtetësinë e librit të Abrahamit? Përse?
Përfundoni duke u dhënë studentëve një mundësi që të tregojnë fragmentet e tyre të parapëlqyera të shkrimit të shenjtë nga libri i Abrahamit dhe të dëshmojnë për atë libër dhe për shkrime të tjera të shenjta të Rivendosjes.
Për Herën Tjetër
Kërkojuni studentëve të marrin në shqyrtim mënyrën se si priren të mendojnë për veten e tyre. Ftojini ata të marrin gjithashtu në shqyrtim ndikimin e tyre të fuqishëm në këtë jetë dhe në përjetësi. Nxitini studentët që herën tjetër të vijnë të përgatitur për të diskutuar mbi të vërtetat e rivendosura rreth planit të Perëndisë për ta dhe të ardhmen e tyre.