Instituti
Mësimi 8 Materiali i Mësuesit: Organizimi i Kishës së Jezu Krishtit


“Mësimi 8 Materiali i Mësuesit: Organizmi i Kishës së Jezu Krishtit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)

“Mësimi 8 Materiali i Mësuesit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes

Mësimi 8 – Materiali i Mësuesit

Organizimi i Kishës së Jezu Krishtit

Nëpërmjet Profetit Jozef Smith, Zoti organizoi Kishën e Tij përsëri në tokë. Ky mësim do t’i ndihmojë studentët të shpjegojnë se çfarë e bën Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme “të vetmen kishë të vërtetë dhe të gjallë” (Doktrina e Besëlidhje 1:30). Studentët gjithashtu do të përcaktojnë se si ata mund të marrin pjesë më plotësisht në Kishën e rivendosur të Zotit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Zoti e rivendosi Kishën e Tij nëpërmjet Profetit Jozef Smith.

Ftojini studentët të përfytyrojnë se, kur e ftuan një mike të vinte në kishë, ajo u përgjigj: “Kisha është në rregull, por unë mendoj se mund të jem njeri i mirë pa fenë e organizuar. Ne të gjithë kemi shtegun tonë individual drejt Perëndisë, apo jo?”

  • Cilat janë disa keqkuptime që mund ta pengojnë miken tuaj që të kuptojë vlerën e Kishës së Zotit?

Lejojini studentët të diskutojnë për pak minuta në grupe të vogla për mënyrën se si ata mund t’ia shpjegojnë kësaj mikeje përse Zoti e ngriti një kishë në tokë. (Nxitini studentët të përdorin atë që e mësuan nga studimi i materialit të përgatitjes.)

Paraqitni figurat shoqëruese të shtëpisë së Piter Uitmer Plakut në Fajet të Nju‑Jorkut. Ftojini studentët të kujtojnë atë që studiuan te pjesa 1 e materialit të përgatitjes, për të përshkruar se çfarë ndodhi në shtëpinë e familjes Uitmer në ditën kur u organizua Kisha.

pamje nga jashtë e shtëpisë prej druri të Piter Uitmerit
Jozef Smithi duke i dhënë mësim një bashkësie

Si klasë, lexoni te Doktrina e Besëlidhje 1:6, duke kërkuar atë që shkroi dikur Jozef Smithi rreth organizimit të Kishës së Jezu Krishtit. Nëse nevojitet, ju mund të vini në dukje se termi “ungjilltarë” mund t’u drejtohet patriarkëve dhe “barinj” drejtuesve kryesues si peshkopët.

  • Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga kjo thënie? (Një e vërtetë që mund ta mësojmë, është që Kisha e Zotit në ditët e mëvonshme është organizuar siç ishte në kohën e Jezusit.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë paragrafin e dytë të thënies së Vëllait Ted R. Kalister në pjesën 2 të materialit të përgatitjes, që fillon me fjalët: “Nëse një person do të krahasonte projektin …”.

Paraqitni referencat vijuese nga shkrimet e shenjta. Ftojini studentët të përzgjedhin një ose më shumë prej tyre që t’i lexojnë në heshtje, duke kërkuar atë që zbulojnë rreth organizimit, praktikave dhe mësimeve të Kishës së Shpëtimtarit në Dhiatën e Re.

Shënim: Kjo veprimtari nuk ka për qëllim të jetë tërësore apo të shpenzojë shumë kohë. Është thjesht që t’i ndihmojë studentët të dallojnë se si Kisha e rivendosur e Zotit është modeluar sipas Kishës së Tij të lashtë.

  • Çfarë ngjashmërish shihni midis Kishës fillestare të Krishtit dhe Kishës në kohën tonë? Përse është e rëndësishme të dimë se Kisha e Zotit sot u organizua në përputhje me modelin e Kishës së Tij të lashtë?

Shpjegoni se gati një vit e gjysmë pasi u organizua Kisha, Zoti dha mësim rreth qenies unike të Kishës së Tij të rivendosur. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje te Doktrina e Besëlidhje 1:30, duke kërkuar atë që shpalli Zoti.

  • Si e përshkroi Zoti Kishën e Tij në vargun 30? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë thënien vijuese të doktrinës: Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e vetmja kishë e vërtetë dhe e gjallë mbi tokë.)

Që të ndihmoni për ta thelluar kuptimin nga studentët të kësaj të vërtete, ju mund t’i kërkoni klasës të diskutojë disa nga pyetjet vijuese. Nxitini studentët të rishikojnë dhe të mendojnë rreth asaj që mësuan nga pjesa 2 e materialit të përgatitjes gjatë diskutimit.

  • Si do t’ia shpjegoni dikujt në mënyrë të ndjeshme, por edhe të guximshme, se çfarë do të thotë që kjo Kishë është “[e] vetm[ja] Kishë [e] vërtetë dhe [e] gjallë mbi faqen e tërë dheut”?

  • Çfarë e bën këtë kishë një kishë “të gjallë”? (Mund të jetë ndihmuese po të paraqitni diçka që është e gjallë, të tillë si një bimë, dhe t’u kërkoni studentëve të përshkruajnë tiparet e një gjëje të gjallë në krahasim me diçka që nuk është e gjallë ose është e vdekur.)

  • Si mendoni, përse është e rëndësishme të kuptojmë se ndërkohë që të vërtetat e përjetshme të ungjillit të Shpëtimtarit nuk ndryshojnë, Kisha vazhdon të rritet dhe të përshtatet nëpërmjet zbulesës nga Zoti?

  • Çfarë përvojash ju kanë ndihmuar të arrini të dini se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është Kisha e vërtetë dhe e gjallë e Shpëtimtarit?

Kisha e Zotit i vë në dispozicion për çdo njeri bekimet e ungjillit.

Paraqiteni thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë:

“Ia vlen të ndalemi për të marrë parasysh arsyen përse Jezu Krishti zgjedh që të përdorë një kishë, Kishën e Tij, për të kryer veprën e Tij dhe veprën e Atit të Tij”. (“Përse Kisha”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 108)

  • Si mendoni, përse Jezu Krishti zgjedh që të përdorë një kishë, Kishën e Tij, për të kryer veprën e Tij dhe veprën e Atit të Tij?

Si klasë, lexoni te Moroni 6:3–6 dhe Doktrina e Besëlidhje 43:8–9, duke kërkuar disa prej qëllimeve dhe bekimeve që vijnë nëpërmjet anëtarësisë dhe shërbimit në Kishën e Zotit. Kërkojuni studentëve të tregojnë se çfarë mësuan nga këto fragmente.

Jepuni studentëve pak kohë që të shqyrtojnë shkurtimisht thëniet nga Plaku Kristoferson dhe Motra Boni L. Oskarson në pjesën 3 të materialit të përgatitjes.

  • Cilat mësime në këto thënie ishin veçanërisht domethënëse për ju? (Pasi studentët të përgjigjen, paraqitni të vërtetën vijuese: Zoti e organizoi Kishën e Tij që të na ndihmojë të vijmë tek Ai, të marrim bekimet e plota të ungjillit të Tij dhe të kemi mundësi t’u japim shërbesë të tjerëve.)

Kërkojuni studentëve të mendojnë për secilën pjesë përbërëse të kësaj të vërtete. Ftojini studentët të tregojnë se si e kanë parë këtë të vërtetë të përmbushet në vetë jetën e tyre. Ju mund të bëni disa pyetje që e ndjekin ecurinë, si këto:

  • Cilat janë “bekimet e plota” të ungjillit të Zotit?

  • Çfarë roli luan Kisha për t’ju ndihmuar që të bëheni më shumë si Ati juaj Qiellor?

Jepuni studentëve pak kohë që të mendojnë për pyetjen vijuese dhe t’i shënojnë mendimet e tyre:

  • Në çfarë mënyrash mund të marr pjesë më aktivisht në Kishë dhe të ndihmoj që të përmbushen qëllimet e saj?

Pas një kohe të mjaftueshme, ju mund t’i pyetni studentët se çfarë mësuan sot që mund t’i ndihmojë për t’iu përgjigjur pyetjeve të një miku, si pyetja e paraqitur në skenarin e përshkruar në fillim të mësimit. Ju mund ta mbyllni duke dëshmuar për të vërtetat e dhëna mësim në këtë orë mësimore.

Për Herën Tjetër

Shpjegoni se për shkak të Rivendosjes së ungjillit, ne mund të kuptojmë më shumë rreth karakterit të Shpëtimtarit dhe flijimit të Tij shlyes sesa ishte në gjendje ndonjë njeri për gati 2 000 vjet. Vërini studentët të mendojnë rreth bekimeve të afrimit më shumë me Shpëtimtarin e tyre, Jezu Krishtin. Ftojini ta thellojnë kuptueshmërinë dhe besimin e tyre tek Ai duke studiuar me kujdes materialin e përgatitjes për orën e ardhshme mësimore.