Instituti
Mësimi 19 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Shëlbimi i të Vdekurve


“Mësimi 19 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Shëlbimi i të Vdekurve”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)

“Mësimi 19 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes

Mësimi 19 Materiali i Përgatitjes së Klasës

Shëlbimi i të Vdekurve

vajzë duke parë një fotografi të një paraardhëseje

Mendoni për një rast kur dikush bëri diçka për ju që nuk mund ta bënit vetë. Si u ndiet kundrejt këtij personi? Teksa studioni, merreni parasysh se si mund të ndihen kundrejt jush pjesëtarët e vdekur të familjes, kur ju bëni për ta atë që nuk mund ta bëjnë për vete – të kryejnë ordinancat thelbësore për shpëtimin e tyre.

Pjesa 1

Çfarë u ndodh atyre që vdesin pa një njohuri për ungjillin?

Shënim: Në vend që të lexoni këtë pjesë të parë të këtij mësimi, ju mund të zgjidhni që të shihni këtë material filmik dhe më pas përsiatni pyetjet në fund të pjesës.

Në moshën 17-vjeçare, Jozef Smithi ishte zemërthyer prej vdekjes së papritur të vëllait të tij më të madh, Alvinit, të cilin ai e donte dhe e admironte shumë. Familja Smith i “kërkoi një shërbestari presbiterian në Palmira të Nju-Jorkut, që të kryente shërbesën në funeralin e tij. Meqenëse Alvini nuk kishte qenë pjesëtar i [bashkësisë së] shërbestarit, kleriku shpalli në predikimin e tij se Alvini nuk mund të shpëtohej. Uilliam Smithi, vëlla më i vogël i Jozefit, kujtoi: ‘[Shërbestari] … aludoi shumë fuqishëm se [Alvini] kishte shkuar në ferr’, sepse Alvini nuk ishte pagëzuar” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 429, 431).

Përgjigjja e klerikut për vdekjen e Alvinit mund të ketë tingëlluar e ashpër. Gjithsesi, mësimi i tij bazohej në të vërtetën se të gjithë njerëzit duhet ta pranojnë Krishtin dhe të pagëzohen që të shpëtohen (shih Gjoni 3:5).

Në janar 1836, më shumë se 12 vjet pas vdekjes së Alvinit, Profeti Jozef Smith u mblodh me babanë e tij dhe udhëheqës të tjerë të Kishës në një dhomë të sipërme të Tempullit të Kirtlandit që pothuajse kishte mbaruar. Gjatë kësaj mbledhjeje, Profeti pati një vegim të së ardhmes, tani të shënuar te Doktrina e Besëlidhje 137.

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 137:1, 5–8.

Jozefi u “mahnit” kur pa vëllanë e tij, Alvinin, në mbretërinë çelestiale, sepse Alvini nuk ishte pagëzuar. Katër vjet më vonë, në gusht 1840, Profeti filloi t’u mësonte shenjtorëve doktrinën e pagëzimit për të vdekurit. Apostulli Pal e kishte dhënë mësim këtë doktrinë në Dhiatën e Re përpara se Zoti ta rivendoste në kohën tonë (shih 1 Korintasve 15:29).

Në një letër drejtuar bashkëshortit të saj, Vajlet Kimballi shkroi për ngazëllimin e shenjtorëve lidhur me këtë doktrinë të saporivendosur:

“Presidenti Smith ka folur për një temë të re dhe të lavdishme. … Ai thotë se është privilegji i kësaj kishe për t’u pagëzuar për të gjithë të afërmit e tyre që kanë vdekur para se të dilte në dritë ky ungjill. … Duke e bërë këtë, ne veprojmë si përfaqësues për ta dhe u japim atyre privilegjin për t’u ngritur në ringjalljen e parë. Ai thotë se atyre do t’u predikohet Ungjilli në Burg. … Që kur ky urdhër është predikuar këtu, ujërat kanë qenë vazhdimisht të trazuara. Gjatë konferencës pati disa herë nga tetë deri në dhjetë pleq në ujë në të njëjtën kohë duke pagëzuar. … A s’është kjo një doktrinë e lavdishme?” (Vilate Kimball, në Janiece Johnson and Jennifer Reeder, The Witness of Women: Firsthand Experiences and Testimonies from the Restoration [2016], f. 181)

Familja Smith pa dyshim ndjeu gëzim të madh kur Hajrëmi u pagëzua për vëllanë e tij, Alvinin.

ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Çfarë mendoni se e bën shëlbimin e të vdekurve një “doktrinë [kaq të] lavdishme”? Çfarë ju mëson kjo doktrinë rreth karakterit dhe dëshirave të Atit Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit?

Vitin pasues, në 1841-shin, Zoti shpalli se “kjo ordinancë i përket shtëpisë sime” dhe se pasi vaska e pagëzimit të ishte gati, shenjtorët duhej të ndalonin kryerjen e pagëzimeve për të vdekurit në lumë (shih Doktrina e Besëlidhje 124:29–34). Jozef Smithi dha udhëzime të mëtejshme rreth shëlbimit të të vdekurve në dy letrat që u shkroi shenjtorëve ndërkohë që ishte i fshehur për shkak të akuzave të rreme. Përmbajtja e këtyre letrave tani gjendet te Doktrina e Besëlidhje 127 dhe 128. Profeti dha mësim se vetëm kur një ordinancë e ungjillit, e tillë si pagëzimi për të vdekurit, kryhet nga autoriteti i priftërisë dhe mbahet një anal i duhur, ordinanca do të jetë lidhëse në tokë dhe në qiell (shih Doktrina e Besëlidhje 127:5–7; 128:1–9).

Pjesa 2

Çfarë zbuloi më tej Zoti rreth shëlbimit të të vdekurve në vegimin që Ai i dha Presidentit Jozef F. Smith?

Pas vdekjes së Profetit Jozef Smith, Zoti vazhdoi të zbulonte “rresht pas rreshti” (Doktrina e Besëlidhje 98:12) të vërteta rreth planit të Tij për t’i shëlbuar të vdekurit. Në vitin 1918, Presidenti Jozef F. Smith mori një vegim që zbuloi të vërteta të mëtejshme rreth shëlbimit të të vdekurve. Vegimi i tij shënohet te Doktrina e Besëlidhje 138.

Presidenti M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se si Presidenti Jozef F. Smith u përgatit për të marrë këtë vegim mbresëlënës:

“Gjatë jetës së tij, Presidenti Smith humbi të atin [në moshën 5 vjeç], nënën e tij [në moshën 13 vjeç], një vëlla, dy motra, dy bashkëshorte dhe trembëdhjetë fëmijë. Ai e njihte mirë hidhërimin dhe humbjen e njerëzve të dashur. …

[Viti 1918] qe veçanërisht i dhimbshëm për të. Ai u brengos për numrin e madh të të vdekurve në Luftën e Madhe Botërore që vazhdoi të rritej deri në 20 milionë njerëz të vrarë. Përveç asaj, një epidemi gripi po përhapej në mbarë botën duke marrë jetën e më shumë se 100 milionë njerëzve.

Gjatë vitit, Presidenti Smith humbi gjithashtu tre pjesëtarë … të vyer të familjes. Plaku Hajrëm Mek Smithi, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, biri i tij i parëlindur dhe gjyshi im, vdiq papritur nga plasja e apendicitit.

Presidenti Smith shkroi: ‘Kam mbetur pa fjalë – [i mpirë] nga pikëllimi! … Zemra më është thyer dhe më duket sikur nuk kam jetë! … Ah! Sa e desha atë! … E falënderoj Perëndinë nga thellësia e shpirtit tim për të! Por … ah! Kisha shumë nevojë për të! Të gjithë kishim nevojë për të! Ai ishte shumë i dobishëm për Kishën. … Kurse tani, … Ah! Çfarë mund të bëj! … Ah! Perëndia më ndihmoftë! …’

Dhe kështu ndodhi më 3 tetor 1918, pasi kishte përjetuar një dhembje kaq të madhe për miliona njerëz që kishin ndërruar jetë në botë prej luftës dhe sëmundjeve, si edhe për vdekjet e pjesëtarëve të vetë familjes së tij, Presidenti Smith mori zbulesën qiellore të njohur si ‘vegimi i shëlbimit të të vdekurve’.” (M. Rasëll Ballard, “Vegimi i Shëlbimit të të Vdekurve”, Ensign ose Liahona, nëntor 2018, f. 72)

Jozef F. Smithi e mori vegimin e tij hyjnor ndërkohë që përsiaste për flijimin shlyes të Shpëtimtarit dhe lexonte përshkrimin e Apostullit Pjetër për shërbesën e Jezusit në botën e shpirtrave pas Kryqëzimit të Tij (shih Doktrina e Besëlidhje 138:1–11).

portret i Jozef Filding Smithit, Hajrëm Mek Smithit dhe Jozef F. Smithit

Presidenti Jozef F. Smith me birin e tij, Hajrëmin, dhe nipin e tij, Jozefin.

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 138:30, 33–34, 57 dhe merrni parasysh shenjimin e asaj që Zoti i mësoi Presidentit Smith për mënyrën se si ungjilli u predikua në botën e shpirtrave.

Në një mjedis tjetër, Presidenti Smith dha mësim se gratë besnike gjithashtu thirren të predikojnë ungjillin në botën e shpirtrave (shih Gospel Doctrine, bot. i 5‑të [1939], f. 461).

Pjesa 3

Si na ndihmon pjesëmarrja në punën për të shëlbuar të vdekurit që të afrohemi më pranë Shpëtimtarit?

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

“Presidenti Gordon B. Hinkli është shprehur: ‘Mendoj se puna mëkëmbëse për të vdekurit i afrohet pothuajse më shumë flijimit mëkëmbës të Shpëtimtarit Vetë sesa cilado punë tjetër për të cilën di. …’ [“Excerpts from Recent Addresses of President Gordon B. Hinckley”, Ensign, janar 1998, f. 73].

Shqetësimi ynë për t’i shëlbuar të vdekurit dhe koha e burimet që harxhojmë për atë zotim, janë, mbi të gjitha, shprehje e dëshmisë sonë në lidhje me Jezu Krishtin. Ajo përbën një shpallje me gjithë fuqinë tonë lidhur me karakterin dhe misionin e Tij hyjnor. …

Duke gjetur paraardhësit tanë dhe duke kryer për ta ordinancat e shpëtimit, që ata vetë nuk mund t’i kryenin, ne po dëshmojmë për shtrirjen e pafundme të Shlyerjes së Jezu Krishtit.” (D. Todd Christofferson, “The Redemption of the Dead and the Testimony of Jesus”, Ensign, nëntor 2000, f. 10)

ikonë, diskutoni

Përsiatni dhe Diskutoni në Përgatitje për Orën Mësimore

Si është pjesëmarrja në punën për të shëlbuar të vdekurit një shprehje e dëshmisë suaj për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij?

Nëse jeni në gjendje, kërkojini një pjesëtari të familjes ose një miku apo mikeje të tregojë për përvojën e tij ose të saj me bërjen e historisë familjare. Bëni pyetje rreth mënyrës se si ta filloni ose ta bëni me më shumë efektshmëri historinë familjare. Ejani në klasë të përgatitur për të treguar një pjesë të asaj që mësuat.