“Mësimi 27 Materiali i Mësuesit: Zbulesa mbi Priftërinë”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)
“Mësimi 27 Materiali i Mësuesit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes
Mësimi 27 – Materiali i Mësuesit
Zbulesa mbi Priftërinë
Më 1 qershor 1978, Presidenti Spenser W. Kimball mori një zbulesë nga Zoti që i hoqi kufizimet e shugurimeve në priftëri dhe të ordinancave të tempullit për anëtarët e Kishës me prejardhje afrikane zezake. Ky mësim do t’i ndihmojë studentët që të shpjegojnë rrethanat dhe të vërtetat që lidhen me këtë zbulesë, të veprojnë me besim ndërsa përballen me pyetje ose situata të vështira dhe të marrin një kuptueshmëri më të madhe se Perëndia e udhëheq Kishën e Tij nëpërmjet zbulesës së dhënë profetëve të Tij të gjallë.
Sugjerime për Mësimdhënien
Ne mund tʼu drejtohemi pyetjeve në lidhje me kufizimet e priftërisë dhe të tempullit nga këndvështrimi i besimit.
Paraqiteni imazhin vijues të Vëllait Xhorxh Rikford:
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë rrëfimin vijues të një burri që quhej Xhorxh Rikford:
“Në vitin 1969, Xhorxh Rikfordi, një i ri në moshë madhore që jetonte në Lestër, Angli, hasi misionarë nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Fillimisht Xhorxhi nuk e pranoi mesazhin e tyre, por në fund ai filloi të takohej me misionarët. Pas tre muajsh hulumtimi të thellë, Xhorxhi u zgjua një mëngjes me bindjen se Kisha ishte e vërtetë.
Xhorxhi me padurim donte t’ua shprehte dëshminë e porsagjetur misionarëve, por përpara se të mund ta bënte, ata e vunë në dijeni se ai nuk do të kishte të drejtën të merrte priftërinë nëse do të bashkohej me Kishën, për shkak të prejardhjes së tij racore të përzier, gjë që përfshinte paraardhësit me prejardhje afrikane zezake.
Xhorxhit iu copëtua zemra nga lajmi. Ai kujtoi: ‘Pata një reagim tepër armiqësor. U bëra shumë i ashpër dhe pas një diskutimi me tone disi të nxehta i përzura nga shtëpia. … I sulmova me fjalë tepër të rënda rreth diskriminimit dhe racizmit dhe me gjithfarë llojesh të atyre fjalëve.’
Pasi misionarët u larguan, Xhorxhi qau.” (Shih Elizabeth Maki, “I Will Take It In Faith”, history.ChurchofJesusChrist.org.)
Drejtojini studentët te pjesa 1 e materialit përgatitor. Bëjuni pyetjen vijuese, duke u dhënë pak kohë të shqyrtojnë mënyrën se si do të përgjigjeshin:
-
Nëse dikush do t’ju pyeste se përse ekzistonin kufizimet e priftërisë dhe të tempullit, cilat do të ishin pikat kryesore që do të donit t’i diskutonit? (Merreni parasysh t’i shkruani në tabelë përgjigjet e studentëve.)
Ftojini studentët të mendojnë mbi pyetjet që mund të kenë në lidhje me kufizimet e priftërisë dhe të tempullit. Nxitini që t’i mbajnë në mendje ato pyetje gjatë mësimit dhe t’u kushtojnë vëmendje diskutimeve dhe frymëzimit nga Fryma e Shenjtë që mund t’i ndihmojnë për t’i diskutuar ato pyetje.
Paraqiteni thënien vijuese dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë:
“Sot Kisha i mohon teoritë e përhapura në të shkuarën se lëkura e zezë është një shenjë e mospëlqimit ose mallkimit hyjnor, apo që ajo pasqyron veprime të padrejta në jetën para lindjes; që martesat mes racave të përziera janë mëkat; ose që zezakët apo njerëzit e ndonjë race ose etnie tjetër janë më të ulët në njëfarë mënyre nga njerëzit e tjerë. Udhëheqësit e Kishës sot pa asnjë mëdyshje e dënojnë të gjithë racizmin, të shkuar dhe të tanishëm, në çfarëdo forme.” (“Raca dhe Priftëria”, Ese mbi Temat e Ungjillit, topics.ChurchofJesusChrist.org)
-
Përse mendoni se është e rëndësishme ta shmangim hamendësimin rreth arsyeve të dhëna më parë, për faktin se përse ekzistonin kufizimet e priftërisë dhe të tempullit?
Ftojini studentët të sjellin ndërmend atë që dinë për rrethanat të cilat çuan drejt zbulesës nga Zoti, që i hoqi kufizimet e priftërisë dhe të tempullit.
Shpjegoni se Deklarata Zyrtare 2 te Doktrina e Besëlidhje përmban shpalljen zyrtare të zbulesës që u mor nga Presidenti Spenser W. Kimball dhe që u pranua dhe u miratua nga këshilltarët e tij në Presidencën e Parë dhe nga anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve në qershor të vitit 1978.
Ftojini studentët t’i lexojnë në heshtje dy paragrafët e parë te Deklarata Zyrtare 2 nën fjalët “Të Dashur Vëllezër”. Ftojini të kërkojnë atë që udhëheqësit e Kishës thanë se kishin dëshmuar, dhe ta raportojnë atë që gjejnë.
Më pas, ftojini studentët të sjellin ndërmend historinë e Vëllait Billi Xhonson dhe të bashkësisë së tij në Ganë te pjesa 2 e materialit përgatitor.
-
Në ç’mënyrë këta individë janë shembuj për “besnikërinë e atyre, të cilëve priftëria u është refuzuar”?
Vëreni një student të lexojë më shumë nga rrëfimi i Xhorxh Rikfordit dhe ftojeni klasën të dëgjojë për mënyrën se si Xhorxhi zgjodhi të vepronte me besim pasi mësoi për kufizimin e priftërisë:
“Një ditë, Xhorxhi po bisedonte me një mik të ngushtë rreth përvojës së tij me misionarët dhe filloi t’i mësonte mikut të tij rreth Profetit Jozef Smith. Ai kujtoi: ‘Teksa po e tregoja atë histori, befas u gjallërova, diçka më pushtoi dhe thjesht u çela në fytyrëʼ.
Përvoja e ripohoi dëshminë e Xhorxhit, por sidoqoftë shqetësimet e tij rreth kufizimit të priftërisë nuk iu larguan. Ndërsa lutej për kuptim të mëtejshëm, i erdhi ky mesazh: ‘Nuk duhet të kuptosh çdo gjë rreth ungjillit tim përpara se të zotohesh ndaj tij. Përse nuk e tregon besimin tënd duke e pranuar atë që ke dëgjuar dhe pjesën tjetër të ma lësh mua në dorë?ʼ
I ngushëlluar nga mesazhi, Xhorxhi plot lutje u përgjigj: ‘Po, Zot, do ta bëj. Vërtet do ta marr këtë gjë me besim. Dhe faleminderit, faleminderit!ʼ Dy muaj më vonë, Xhorxhi u pagëzua dhe u bë një anëtar besnik i Kishës.
Xhorxhi shkroi në vitin 1975 (tre vjet përpara zbulesës mbi priftërinë) se ai e pranoi moslejimin e priftërisë ‘me besim, pa asnjë rezervëʼ dhe shprehu bindjen e tij se, pavarësisht nga gjendja e tij në atë kohë, Perëndia ishte i drejtë. ‘Jam thjesht mirënjohës që priftëria e Zotit është edhe njëherë mbi tokë, me të gjitha bekimet, autoritetin dhe përgjegjësinë e saj shoqëruese. Për mua ka më pak rëndësi se kush e ka dhe kush nuk e ka atë, por ka më shumë rëndësi se si ajo përdoret.’” (Në Maki, “I Will Take It in Faith”, history.ChurchofJesusChrist.org)
-
Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Xhorxh Rikfordit që mund të na ndihmojë kur ne kemi pyetje rreth ungjillit që s’u janë dhënë përgjigje? (Pasi studentët të jenë shprehur, shkruajeni në tabelë të vërtetën vijuese: Kur kemi pyetje që s’u janë dhënë përgjigje, ne mund të ecim përpara me besim ndërkohë që mbështetemi te drita dhe njohuria që Perëndia na ka dhënë.)
-
Si mund ta ndihmojë e vërteta me shkrim të theksuar dikë që po lufton me besimin e vet për shkak të pyetjeve rreth ungjillit që s’u janë dhënë përgjigje?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Besimi nuk kërkon kurrë një përgjigje për çdo pyetje, por kërkon sigurinë dhe guximin që të shkojmë përpara, ndonjëherë duke e pranuar: ʻUnë nuk di çdo gjë, por di mjaftueshëm që të vazhdoj në udhën e dishepullimit’.” (Nil L. Andersen, “Besimi Nuk Vjen nga Rastësia, por nga Zgjedhja”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 66)
-
Si ju ka ndihmuar drita dhe njohuria që ju ka dhënë Perëndia, për të ecur përpara me besim kur jeni përballur me pyetje që s’u janë dhënë përgjigje ose në situata pasigurie?
-
Si mund ta ndihmojmë dikë që po lufton me pyetje të cilave s’u janë dhënë përgjigje, që të ecë përpara me besim?
Jepuni kohë studentëve të përsiatin se si mund ta vënë në zbatim parimin e veprimit me besim në vetë jetën e tyre ose ta përdorin atë për të ndihmuar dikë që e njohin. Ftojini studentët ta marrin parasysh që ta shënojnë planin e tyre në ditar.
Bekimet e priftërisë dhe të tempullit tani janë shtrirë tek çdo anëtar i denjë i Kishës.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë paragrafin e tretë dhe të katërt nën pjesën “Të Dashur Vëllezër:” te Deklarata Zyrtare 2, duke filluar me fjalët “Ai i ka dëgjuar lutjet tona”.
-
Çfarë mund të mësojmë nga këta paragrafë rreth mënyrës se si Zoti e drejton Kishën e Tij? (Pasi studentët të jenë përgjigjur, shkruajeni në tabelë të vërtetën vijuese: Zoti e drejton Kishën e Tij nëpërmjet zbulesës së dhënë profetëve të Tij.)
-
Kur keni vënë re që Zoti e drejton Kishën e Tij nëpërmjet zbulesës së dhënë profetëve të Tij?
Shpjegoni se një ditë pasi u mor zbulesa mbi priftërinë, Xhorxh Rikfordi, u shugurua prift në Priftërinë Aarone dhe pak kohë pas kësaj mori Priftërinë Melkizedeke. Në tetor të vitit 1978, Xhorxhi dhe bashkëshortja e tij, Xhuni, u vulosën së bashku me katër fëmijët e tyre si familje e përjetshme në tempullin e Londrës në Angli (shih Maki, “I Will Take It in Faith”, history.ChurchofJesusChrist.org).
-
Çfarë ndikimi pati zbulesa mbi Kishën, anëtarët e saj dhe njerëzit në mbarë botën?
Paraqiteni thënien vijuese dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë:
“Ungjilli i Jezu Krishtit është për këdo. Libri i Mormonit deklaron: ʻTë zinj dhe të bardhë, skllevër dhe të lirë, burra dhe gra; … të gjithë janë njësoj para Perëndisëʼ (2 Nefi 26:33). Ky është mësimi zyrtar i Kishës.” (“Race and the Church: All Are Alike Unto God”, 29 shkurt 2012, newsroom.ChurchofJesusChrist.org)
Në mbyllje të mësimit, ftojini studentët të marrin parasysh (ose ta praktikojnë), bazuar tek ajo që mësuan sot, se si mund të përgjigjeshin nëse do tʼi pyetnin përse Kisha nuk i shuguroi në priftëri për njëfarë kohe burrat me prejardhje afrikane zezake. Theksoni se është e përshtatshme që t’ua shpjegoni të tjerëve se ne nuk e dimë përse filluan kufizimet e priftërisë dhe të tempullit. Sidoqoftë, ne mund të tregojmë dhe të dëshmojmë për të vërtetat që i dimë, përfshirë ato që janë diskutuar sot.
Për Herën Tjetër
Shpjegojuni studentëve se gjatë përgatitjes për orën tjetër mësimore, ata do të studiojnë se çfarë kanë dhënë mësim profetët e lashtë dhe modernë, rreth fatit të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Nxitini studentët të vijnë të përgatitur që të diskutojnë mbi mënyra se si mund të ndihmojnë në veprën e Zotit për shpëtimin në ditët e fundit.