Instituti
Mësimi 2 Materiali i Mësuesit: Vegimi i Parë


“Mësimi 2 Materiali i Mësuesit: Vegimi i Parë”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)

“Mësimi 2 Materiali i Mësuesit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes

Mësimi 2 – Materiali i Mësuesit

Vegimi i Parë

Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, iu shfaqën Jozef Smithit në vitin 1820. Ky mësim hartohet që t’i ndihmojë studentët të bëhen të njohur me rrëfimet e Jozefit për Vegimin e tij të Parë, të përcaktojnë doktrinën dhe parimet që mund t’i mësojnë nga vegimi i tij dhe t’i forcojnë dëshmitë e tyre se Jozef Smithi pa Atin dhe Birin.

Shënim: Kërkimi i Jozef Smithit për të vërtetën siç tregohet te Joseph Smith – Historia 1:5–13, do të trajtohet me hollësi më të madhe te mësimi 3 i këtij kursi.

Sugjerime për Mësimdhënien

Ati Qiellor dhe Jezu Krishti i shfaqen Jozef Smithit.

Paraqitni thënien vijuese nga Joseph Smith – Historia 1:21:

“Nuk k[a] gjëra të tilla si vegime ose zbulesa në këto ditë”.

  • Cilat janë ndjenjat tuaja rreth kësaj thënieje?

  • Si do të ishte ndryshe jeta juaj nëse do ta besonit këtë thënie?

Shpjegoni se kjo thënie u bë nga një predikues metodist kur i riu Jozef Smith i tregoi rreth Vegimit të tij të Parë. Ftojini studentët të lexojnë te Joseph Smith – Historia 1:15–19 dhe kërkojuni të mendojnë rreth mënyrës se si përshkrimi i Jozefit për atë që përjetoi, e hedh poshtë deklarimin e këtij predikuesi. Pasi të lexojnë, ftojini studentët të tregojnë atë që mendojnë.

PËRMIRËSIMI I MËSIMDHËNIES DHE I TË MËSUARIT TONË

Ftojini studentët të lexojnë në klasë. Leximi në klasë mund të bëhet në një larmi mënyrash, të tilla si studentë që lexojnë në heshtje nga librat e tyre të shkrimeve të shenjta, një student që lexon me zë të lartë, studentë që lexojnë vargjet me radhë me zë të lartë, studentë që lexojnë njëzëri me zë të lartë, e kështu me radhë.

Shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Perëndia, Ati, dhe Jezu Krishti iu shfaqën Jozef Smithit dhe folën me të.

Ftojini disa studentë që do të duan të japin dëshmi për Vegimin e Parë të Jozefit, për t’i dhënë përgjigje pyetjes vijuese:

  • Si e keni marrë dëshminë tuaj shpirtërore për Vegimin e Parë?

Ne mësojmë të vërteta të rëndësishme nga rrëfimet e Vegimit të Parë.

Kujtojini studentët se Jozef Smithi dha katër rrëfime të ndryshme të Vegimit të Parë për të cilat kemi dijeni. Ne gjithashtu kemi pesë rrëfime shtesë të këtij vegimi të shënuara nga ata që e dëgjuan Jozefin të fliste për të. Sikurse ka ndryshime në rrëfimet për jetën e Shpëtimtarit të shënuara nga Mateu, Marku, Lluka dhe Gjoni, secili rrëfim i Vegimit të Parë të Jozefit thekson aspekte të ndryshme të përvojës së tij. Por ato të gjitha kanë të përbashkëta elemente të rëndësishme të asaj që Jozefi pa dhe dëgjoi. Disa njerëz përpiqen ta hedhin poshtë Vegimin e Parë për shkak të ndryshimeve në rrëfimet e ndryshme. (Për shembull, rrëfimi i vitit 1832 thekson se Jozefi po kërkonte falje për mëkatet e tij dhe gjithashtu përdor titullin “Zoti” në vend që t’u drejtohet veç e veç Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Rrëfimi i vitit 1835 përshkruan që Ati Qiellor u shfaq i pari, i pasuar nga Shpëtimtari.)

Që t’i ndihmoni të shpjegojnë përse ka ndryshime në këto rrëfime, kërkojuni studentëve të mendojnë për një përvojë të rëndësishme ose domethënëse që e kanë pasur në jetën e tyre.

  • Si mund të ndryshonte tregimi juaj për atë përvojë në varësi nga cilët janë dëgjuesit tuaj? Si mund të ndryshonte ai në varësi nga koha kur po tregoni apo arsyeja përse po tregoni rreth përvojës?

  • Si do t’i përgjigjeshit dikujt që debaton se ndryshimet në rrëfimet e ndryshme të Vegimit të Parë e vënë në pikëpyetje realitetin e përvojës së Jozefit? (Nëse nevojitet, nxitini studentët të mendojnë rreth asaj që mësuan nga pjesa 2 e materialit të përgatitjes.)

Paraqitni thënien e paplotë vijuese: Ne mësojmë nga Vegimi i Parë se …

Shpjegoni se ne mund të mësojmë të vërteta të mrekullueshme nga të gjitha rrëfimet e Jozefit për Vegimin e Parë. Kujtojini studentët se ata u ftuan të përgatiteshin për këtë orë mësimore duke bërë një listë të të vërtetave që ata përcaktuan nga këto rrëfime të Vegimit të Parë. Nëse nevojitet, jepuni studentëve kohë që të rishikojnë atë që shenjuan dhe të vërtetat që i mbajtën shënim. (Mund t’ju nevojitet të siguroni kohë për studentët që t’i studiojnë rrëfimet në klasë, nëse po i ndërthurni dy mësimet e para dhe studentët nuk kanë qenë në gjendje të përgatiten për mësimin.)

Ftojini studentët të thonë disa nga të vërtetat që i gjetën dhe gjithashtu vargun, vargjet ose fragmentin e rrëfimit që ua mësoi ato të vërteta. Shkruajini përgjigjet e studentëve nën thënien e paplotë që sapo e paraqitët.

Shënim: Për shembuj të të vërtetave që mund t’i mësojmë nga Vegimi i Parë i Jozef Smithit, shihni bisedën “The First Vision: Key to Truth” (Ensign, qershor 2017, f. 60–65) nga Plaku Riçard J. Meinis, i Të Shtatëdhjetëve, e cila përmendet në pjesën “Doni më Shumë?” të materialit të përgatitjes.

Teksa studentët tregojnë për të vërtetat që i gjetën, merreni parasysh t’u bëni një ose më shumë prej këtyre pyetjeve që ndjekin ecurinë:

  • Si mendoni, përse kjo e vërtetë është e rëndësishme ta dimë dhe ta kuptojmë?

  • Si ju ka bekuar njohja e asaj të vërtete?

  • Çfarë mësoni për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin nga ajo që keni studiuar rreth Vegimit të Parë?

Ne mund ta thellojmë dëshminë tonë për Vegimin e Parë.

Shpjegoni se shumë njerëz në komunitetin e Jozefit nuk e pranuan dëshminë e tij për atë që ai pa e dëgjoi, dhe shumë e përndoqën për shkak të saj (shih Joseph Smith – Historia 1:21–23).

Ftojini studentët të lexojnë te Joseph Smith – Historia 1:24–25, duke kërkuar mënyrën se si Profeti Jozef Smith iu përgjigj atyre që e përqeshën dëshminë e tij për vegimin.

  • Cilat fraza nga dëshmia e Jozef Smithit ju bëjnë përshtypje? Përse?

  • Si mund t’ju ndihmojë shembulli i Jozef Smithit nëse hasni përqeshje ose sfida ndaj dëshmisë suaj për Vegimin e Parë dhe për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit?

Paraqitni ose jepni si fletushkë thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli dhe ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë:

“Për më tepër se një shekull e gjysmë, armiqtë, kritikët dhe disa të ashtuquajtur studiues e kanë shkuar kot jetën e tyre në përpjekjen për të hedhur poshtë vlefshmërinë e atij vegimi. Sigurisht që ata nuk mund ta kuptojnë atë. Gjërat e Perëndisë kuptohen nëpërmjet Shpirtit të Perëndisë. Nuk ka pasur asgjë të një madhështie të tillë që nga koha kur Biri i Perëndisë eci në tokë gjatë vdekshmërisë. Pa të si një gurthemel të besimit dhe organizimit tonë, ne nuk kemi asgjë. Me të, kemi gjithçka.

Shumë është shkruar, shumë do të shkruhet, në përpjekje për ta shpjeguar atë. … Por dëshmia e Shpirtit të Shenjtë, e përjetuar nga një mori e pafund njerëzish gjatë gjithë viteve që nga koha kur ajo ndodhi, dëshmon se ndodhi pikërisht ashtu si Jozef Smithi tha se ndodhi.” (Gordon B. Hinckley, “Four Cornerstones of Faith”, Ensign, shkurt 2004, f. 5)

Nxitini studentët të cilët mund të dëshirojnë një dëshmi më të thellë për Jozef Smithin dhe Vegimin e Parë, që ta ndjekin shembullin e Jozefit për kërkimin e së vërtetës duke vazhduar studimin e këtyre rrëfimeve dhe duke i kërkuar Perëndisë që t’ua pohojë atyre realitetin e Vegimit të Parë nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Mund ta mbyllni orën e mësimit duke dhënë dëshminë tuaj për Vegimin e Parë dhe për Rivendosjen e ungjillit nëpërmjet Profetit Jozef Smith.

Për Herën Tjetër

Kërkojuni studentëve të mendojnë rreth pyetjeve sfiduese që ata ose të tjerët i kanë pasur për mësimet, praktikat ose historinë e Kishës. Shpjegoni se në orën tjetër mësimore, ata do të mësojnë se çfarë të bëjnë kur u dalin pyetje ose çështje të vështira. Nxitini studentët ta studiojnë materialin e përgatitjes për mësimin 3, që të mund të vijnë gati për të diskutuar parime që do t’i ndihmojnë të fitojnë më shumë njohuri shpirtërore.