Instituti
Mësimi 25 Materiali i Mësuesit: Vijimësia në Presidencë dhe Rrugëtimi drejt Perëndimit


“Mësimi 25 Materiali i Mësuesit: Vijimësia në Presidencë dhe Rrugëtimi drejt Perëndimit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)

“Mësimi 25 Materiali i Mësuesit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes

Mësimi 25 Materiali i Mësuesit

Vijimësia në Presidencë dhe Rrugëtimi drejt Perëndimit

Pas martirizimit të Jozef dhe Hajrëm Smithit, shumë shenjtorë morën dëshmi hyjnore që Brigam Jangu dhe Dymbëdhjetë Apostujt duhej ta udhëhiqnin Kishën e Zotit. Nën drejtimin e tyre të frymëzuar, shenjtorët udhëtuan drejt luginës së Solt-Lejkut. Ky mësim është hartuar që ta thellojë besimin e studentëve se Presidenca e Parë dhe Dymbëdhjetë Apostujt i mbajnë të gjithë çelësat e priftërisë së kësaj periudhe të fundit ungjillore. Ky mësim do t’i ndihmojë studentët gjithashtu të mirëbesojnë se Zoti do ta drejtojë jetën e tyre individuale, kur ata i nderojnë besëlidhjet e veta.

Sugjerime për Mësimdhënien

Apostujt mbajnë çelësat e mbretërisë.

Paraqiteni imazhin vijues të Jozef dhe Hajrëm Smithit.

Jozef dhe Hajrëm Smithi

Shpjegoni se vëllezërit u martirizuan në mbrëmjen e 27 qershorit 1844. Mëngjesin vijues, miku i Profetit, Porter Rokuell, shkoi me kalë drejt Navusë duke thirrur: “Jozefin e vranë! Jozefin e vranë! Ata e kanë vrarë!” (Anson Call, Autobiography and journal, rreth 1856–1889, f. 12, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti, Jutë).

  • Si mendoni se u ndien shenjtorët pasi e dëgjuan këtë lajm?

Ju mund t’i pyesni studentët a e kanë përjetuar marrjen e lajmit për vdekjen e një profeti dhe si u ndien ata.

  • Çfarë pyetjesh dhe shqetësimesh mendoni se patën shenjtorët e hershëm kur dëgjuan për vdekjen e Jozef Smithit?

  • Si reagoi Brigam Jangu ndaj lajmit për vdekjen e Jozef dhe Hajrëm Smithit? (Nëse është e nevojshme, ftojini studentët ta shqyrtojnë reagimin e Brigam Jangut te pjesa 1 e materialit përgatitor.)

  • Pavarësisht nga hidhërimi i tij për vdekjen e Profetit, çfarë e ngushëlloi Brigamin?

Paraqitini imazhet e Brigam Jangut dhe Sidni Rigdonit.

Brigam Jangu, Moisiu i Amerikës, nga Kenneth A. Corbett; dhe Sidni Rigdoni

Kujtojuni studentëve se Brigam Jangu ishte Apostulli më i vjetër në atë detyrë në kohën kur vdiq Profeti. Sidni Rigdoni kishte shërbyer si këshilltari i Jozef Smithit në Presidencën e Parë dhe ndjeu se duhej ta drejtonte ai Kishën duke qenë kujdestari i saj. Sidni kërkoi një mbledhje të veçantë, me shpresën se anëtarët e Kishës do ta miratonin pretendimin e tij që të ishte udhëheqësi. Edhe Sidni edhe Brigami u folën shenjtorëve.

Ftojeni një student t’i lexojë me zë të lartë thëniet nga Presidenti Brigam Jang te pjesa 1 e materialit përgatitor.

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga thënia e Brigam Jangut rreth autoritetit të burrave të shuguruar si Apostuj? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni në tabelë të vërtetën vijuese: Apostujt mbajnë të gjithë çelësat e nevojshëm të priftërisë për të kryesuar mbi Kishën. [Shih Doktrina e Besëlidhje 27:12–13; 112:30–32.])

Vini në dukje se në kohën tonë, kur secili Apostull shugurohet, atij i jepen të gjithë çelësat e priftërisë që Zoti i ka rivendosur në tokë nëpërmjet Jozef Smithit. Sidoqoftë, vetëm Presidenti i Kishës është i autorizuar t’i ushtrojë të gjithë këta çelësa. Anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve i ushtrojnë çelësat e tyre të priftërisë nën drejtimin e presidentit të Kishës.

  • Çfarë ndodh tani kur Presidenti i Kishës ndërron jetë?

Nëse është e nevojshme, paraqiteni thënien vijuese dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë:

“Kur Presidenti i Kishës ndërron jetë, Presidenca e Parë shpërbëhet automatikisht. Burrat që shërbenin më parë si këshilltarë, zënë vendet e tyre në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve dhe ai kuorum merr udhëheqjen e Kishës, me Apostullin më të vjetër në atë detyrë, në krye të saj. … Gjatë gjithë historisë sonë, Apostulli më i vjetër në atë detyrë është bërë gjithnjë Presidenti vijues i Kishës.” (“A Message from the First Presidency”, 16 janar 2018, ChurchofJesusChrist.org)

Referojuni sërish figurave të Brigamit dhe Sidnit dhe bëni pyetjen:

  • Çfarë përjetuan shumë shenjtorë teksa e shihnin dhe e dëgjonin Brigam Jangun të fliste? Si ndikoi ajo gjë tek ata? (Nxitini studentët të kujtojnë atë që mësuan te pjesa 1 e materialit përgatitor.)

Paraqiteni thënien vijuese nga Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Shpjegoni se Plaku Andersen i tha këto fjalë ditën që Presidenti Rasëll M. Nelson u mbështet si Presidenti i ri i Kishës:

Plaku Nil L. Andersen

“Ne kemi privilegjin si shenjtorë të ditëve të mëvonshme që të marrim dëshmi vetjake se thirrja e [profetit] është nga Perëndia”. (“Profeti i Perëndisë”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 25–26)

Ftojini disa studentë të tregojnë dëshmitë e tyre se profeti i sotëm thirret nga Perëndia dhe ndoshta mënyrën se si e morën atë dëshmi. Nxitini studentët të fitojnë dëshminë e tyre vetjake që udhëheqësit e Kishës thirren me anë të frymëzimit.

Brigam Jangu dhe Të Dymbëdhjetët i udhëheqin shenjtorët drejt luginës së Solt-Lejkut.

Tempulli i Navusë

Tregoni një figurë të Tempullit të Navusë dhe pyetini studentët përse shenjtorët punuan aq fort për ta përfunduar tempullin përpara se t’i linin shtëpitë e të niseshin drejt perëndimit. (Ju mund t’i ftoni studentët të lexojnë thënien nga Sara Riçi te pjesa 2 e materialit përgatitor.)

Shpjegoni se kur shenjtorët u larguan nga Navuja për të udhëtuar drejt perëndimit, ata kishin pak dijeni për atë që i priste. Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Plaku Erastus Snou, një pionier i hershëm dhe më vonë një anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Erastus Snou

“Kur pionierët u larguan [për në Perëndim] … ne po kërkonim një vend që na e kishte përmendur Profeti Jozef Smith, në mes të Maleve Shkëmbore. … Ai grup i pionierëve shkoi, pa e ditur se ku po shkonte, vetëm … se Perëndia i kishte urdhëruar që të shkonin në një vend që Ai do t’ua tregonte. Dhe sa herë që Profetit Brigam Jang … ia bënë pyetjen: ‘Ku po shkon?ʼ e vetmja përgjigje që mundi të jepte ishte: ‘Do t’jua tregoj kur të mbërrijmë atjeʼ. Lutjet e atij grupi pionierësh, drejtuar ditë e natë, vazhdimisht ndaj Perëndisë, ishin për të na udhëhequr, siç kishte premtuar Ai, drejt një vendi … që e kishte shpallur se do të na e jepte.” (Journal of Discourses, 16:207)

  • Çfarë vini re nga kjo thënie rreth besimit të pionierëve?

Kërkojuni studentëve të shqyrtojnë për një minutë udhëtimin e jetës që shtrihet përpara tyre dhe se çfarë udhërrëfimi shpresojnë të marrin nga qielli.

  • Cilat janë disa nga sfidat që përjetuan shenjtorët teksa u larguan nga Navuja dhe e nisën udhëtimin e tyre drejt perëndimit? (Nëse nevojitet, drejtojini studentët te pjesa 2 e materialit përgatitor.)

Kujtojuni studentëve se gjatë dimrit të vështirë të vitit 1846–1847, gjatë kohës që shenjtorët u grumbulluan në koloninë e përkohshme në Lagjet Dimërore në Nebraska, Brigam Jangu mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 136. Ftojini studentët të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 136:22, duke kërkuar premtimin e Zotit ndaj shenjtorëve, që mund të na japë ngushëllim teksa përpiqemi fort ta zbulojmë e ndjekim vullnetin e Perëndisë për ne në jetën tonë.

Ju mund të theksoni se fraza “krahu im shtrihet në ditët e fundit” përfaqëson fuqinë dhe udhërrëfimin e Zotit që po shtrihen drejt popullit të Tij.

  • Çfarë mund të mësojmë nga ky varg rreth asaj që dëshiron të bëjë Zoti për popullin e Tij? (Pasi studentët të përgjigjen, paraqiteni ose shkruajeni në tabelë të vërtetën vijuese: Zoti dëshiron që të na udhërrëfejë dhe të na ndihmojë në jetën tonë.)

  • Cilat janë disa mënyra se si Zoti na udhërrëfen në jetën tonë? Çfarë kemi nevojë të bëjmë që të marrim udhërrëfim të tillë? (Shqyrtojeni me studentët thënien e Presidentit Ouks te pjesa 2 e materialit përgatitor.)

Shkruani në tabelë sa vijon: Unë mund të marr udhërrëfim dhe ndihmë nga Zoti kur unë …

Ftojini studentët të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 136:2–4, 7–11, 19–24, duke kërkuar se çfarë lloj njerëzish duhej të ishin shenjtorët që të kishin udhërrëfim nga Zoti. Merreni parasysh t’i ftoni studentët që t’i renditin përgjigjet e tyre në tabelë për ta plotësuar parimin.

  • Si mendoni, përse përpjekja e zellshme për t’u bërë ata lloj njerëzish siç përshkruhen në këto vargje, na ndihmon që të marrim udhërrëfim dhe ndihmë nga Zoti?

Ftojini studentët të kujtojnë se çfarë tha Brigam Jangu kur e pa për herë të parë luginën e Solt-Lejkut (shih pjesën 2 te materiali përgatitor). Pyetini studentët nëse kanë pasur çaste në jetën e tyre kur Zoti u ka pohuar se po bënin gjënë e duhur ose ishin në vendin e duhur. Merreni parasysh t’i ftoni disa studentë të tregojnë përvojat e tyre.

Jepuni studentëve disa minuta që ta përsiatin plot lutje pyetjen vijuese dhe të shënojnë ndonjë mendim dhe mbresë që mund t’u vijë:

  • Në çfarë e ndieni se keni nevojë të përqendroheni me qëllim që të merrni nga Zoti udhërrëfimin që shpresoni të merrni?

Mbylleni duke i nxitur studentët të veprojnë sipas mbresave që morën, dhe shprehni dëshminë tuaj për të vërtetat e dhëna në këtë mësim.

Për Herën Tjetër

Shpjegojuni studentëve që në materialin përgatitor për orën tjetër mësimore, ata do të studiojnë një nga ngjarjet më tragjike në historinë e Kishës, Masakrën e Livadheve Malore. Ftojini të vijnë në klasë të përgatitur për të diskutuar mësimet që mund të marrim nga kjo përvojë.