Instituti
Mësimi 11 Materiali i Mësuesit: Mbledhja e Izraelit


“Mësimi 11 Materiali i Mësuesit: Mbledhja e Izraelit – Themelet e Rivendosjes (Feja 225)”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)

“Mësimi 11 Materiali i Mësuesit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes

Mësimi 11 Materiali i Mësuesit

Mbledhja e Izraelit

Jezu Krishti premtoi se do ta mblidhte popullin e Tij në ditët e mëvonshme (shih 3 Nefi 21:22–29). Ky mësim hartohet për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më mirë rolin e tyre që ta ndihmojnë Zotin të mbledhë Izraelin. Gjithashtu do t’i ndihmojë studentët të planifikojnë se si do të marrin pjesë më plotësisht në këtë mbledhje.

Sugjerime për Mësimdhënien

Zoti i ka urdhëruar shenjtorët e Tij të mblidhen.

Paraqitni figurën vijuese dhe ftojeni një student të lexojë me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 29:1–2.

Pamja
Sa Herë, nga Liz Lemon
  • Çfarë na mëson rreth Shpëtimtarit gjuha figurative në këto vargje? Çfarë dëshiron të bëjë Jezu Krishti për njerëzit e Tij?

Vini në dukje fjalën “shlyer” në vargun 1. Shpjegoni se Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim se “në hebraisht, rrënja e fjalës shlyerje është kaphar, një folje që do të thotë ‘të mbulosh’” (“The Atonement”, Ensign, nëntor 1996, f. 34).

  • Sipas vargut 2, cilët janë njerëzit e Zotit që Ai dëshiron t’i mbledhë dhe mbulojë me krahët e Tij të mëshirës?

Shpjegoni se Bibla, Libri i Mormonit dhe disa prej zbulesave të dhëna Jozef Smithit, që të gjitha na mësojnë se Zoti do ta mbledhë popullin e Tij, Izraelin e shpërndarë, në ditët e mëvonshme (shih Ezekiel 28:25; 2 Nefi 10:8; Doktrina e Besëlidhje 33:6).

Ftojini studentët të shpjegojnë se çfarë kuptojnë rreth mbledhjes së Izraelit. (Nxitini të drejtohen te pjesa 1 e materialit të përgatitjes.) Ju gjithashtu mund të bëni pyetje si vijueset që të ndihmoni për ta thelluar diskutimin:

  • Si mendoni, përse Presidenti Nelson do ta quante mbledhjen “sfidë[n] më të madhe, kauzë[n] më të madhe dhe punë[n] më të madhe në tokë sot”? (“Shpresa e Izraelit” [takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018], material shtesë për revistat Ensign dhe New Era, f. 5, ChurchofJesusChrist.org; kursivet në origjinal).

  • Çfarë mund të mësojmë rreth Zotit dhe karakterit të Tij nëpërmjet shpërndarjes dhe mbledhjes së popullit të Tij të besëlidhjes?

  • Cilat janë disa nga arsyet përse Zoti dëshiron të mblidhen së bashku shenjtorët e Tij?

Shpjegoni se në dhjetor 1830 Jozef Smithi mori një zbulesë që i urdhëroi shenjtorët të shkonin në Ohajo (shih Doktrina e Besëlidhje 37:1–3). Në një konferencë të Kishës në janar 1831, Jozefi mori zbulesë shtesë që dha arsyet e Zotit për urdhërimin e shenjtorëve që të mblidheshin dhe që shpjegoi bekimet e premtuara për bërjen e kësaj gjëje.

Ftojeni klasën të lexojë te Doktrina e Besëlidhje 38:28, 31–33, duke kërkuar mënyrat se si shenjtorët do të bekoheshin nëse i bindeshin urdhërimit për t’u mbledhur në Ohajo. Ftojini studentët të tregojnë atë që zbuluan.

Ju mund të theksoni të vërtetën vijuese: Zoti i mbledh njerëzit e Tij për t’i mbrojtur dhe për t’i forcuar ata shpirtërisht.

  • Si bëhet e mundur që ne të marrim mbrojtje dhe forcë shpirtërore nga Zoti, nëpërmjet mbledhjes së bashku sot në lagjet, kunjet dhe tempujt tanë?

  • Çfarë llojesh mbrojtjeje keni përjetuar kur jeni mbledhur me shenjtorë të tjerë?

Zoti i thërret dhe i ndihmon shërbëtorët e Tij që të mbledhin Izraelin.

Drejtojuni përsëri figurës së klloçkës që po i mbledh zogjtë e vet nën krahët e saj. Paraqitni të vërtetën vijuese: Zoti na ka thirrur dhe do të na ndihmojë për ta mbledhur Izraelin.

Ftojini studentët të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 29:4–7 dhe 84:86–88, duke kërkuar mënyra se si Zoti do të na ndihmojë kur ndihmojmë për mbledhjen e Izraelit. Vërini studentët të tregojnë atë që gjejnë.

Për një shembull të mënyrës se si Zoti do të na ndihmojë që ta mbledhim Izraelin, ftojini studentët të tregojnë ose të lexojnë së bashku tregimin për misionin e Hibër C. Kimballit në Angli, që gjendet te pjesa 2 e materialit të përgatitjes. Kjo mund të bëhet në grupe të vogla. Ftojeni secilin grup (ose klasën) të diskutojë së bashku pyetjet vijuese pasi të rishikojë tregimin e Plakut Kimball:

  • Çfarë mund të mësoj nga përvoja e Hibër C. Kimballit që mund të më japë më shumë vetëbesim për të ndihmuar për mbledhjen e Izraelit nëpërmjet përhapjes së ungjillit tek njerëz të tjerë?

  • Kur e kam ndier ndihmën e Zotit për shpalljen e ungjillit?

  • Çfarë mund të bëj që ta ushtroj besimin tim dhe që t’u flas të tjerëve më shumë për ungjillin?

Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ftojini studentët të lexojnë citimin dhe më pas të tregojnë se si ua kanë treguar të tjerëve mesazhin e ungjillit në mënyra të efektshme por të natyrshme.

“Kudo që të jeni në këtë tokë, keni mundësi të shumta për ta përhapur lajmin e mirë të ungjillit të Jezu Krishtit [t]e njerëzit që takoni, [me të cilët] studioni e jetoni ose që punoni dhe shoqëroheni. … Ka shumë mënyra normale dhe të natyrshme për ta bërë këtë gjë.” (Diter F. Uhtdorf, “Puna Misionare: Shprehja e Asaj që Keni në Zemër”, Ensign ose Liahona, maj 2019, f. 15, 17)

Ne mund të marrim pjesë në punën e mrekullueshme të mbledhjes së Izraelit.

Shfaqeni thënien e mëposhtme nga Presidenti Nelson dhe kërkojini një studenti ta lexojë atë me zë të lartë:

Në çfarëdo kohe që bëni çfarëdo gjëje që e ndihmon cilindo – në çdonjërën prej anëve të velit – të hedhë një hap drejt bërjes së besëlidhjeve jetike me Perëndinë dhe marrjes së ordinancave të veta thelbësore të pagëzimit dhe tempullit, ju po ndihmoni që Izraeli të mblidhet.” (Rasëll M. Nelson, “Shpresa e Izraelit”, f. 8; germat e pjerrëta në origjinal)

  • Nisur nga mësimet e Presidentit Nelson, çfarë tjetër mund të bëjmë që të ndihmojmë Zotin për ta mbledhur Izraelin? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Ne e mbledhim Izraelin kur i ndihmojmë fëmijët e Perëndisë të ndërmarrin hapa drejt bërjes dhe mbajtjes së besëlidhjeve me Të.)

Shënim: Studentët do të jenë në gjendje ta diskutojnë më tej mbledhjen e Izraelit nëpërmjet historisë familjare dhe shërbimit në tempull te mësimi 19, “Shëlbimi i të Vdekurve”.

Ftojini studentët të përcaktojnë disa mënyra të veçanta se si mund të ndihmojnë për ta mbledhur Izraelin. Renditini përgjigjet e tyre në tabelë. Ju mund t’u kërkoni studentëve që të tregojnë përvoja që i kanë pasur lidhur me zërat në listë.

Siguroni kohë që studentët të përsiatin pyetjen vijuese e cila gjendet në pjesën 2 të materialit të përgatitjes, dhe të shkruajnë një synim që e ndiejnë se mund ta përmbushin. Ata mund të dëshirojnë të bëjnë një plan që të veprojnë sipas synimit të tyre me një mik/e ose një grup në klasë. Gjithashtu mund të pyesni nëse disa studentë do të ishin të gatshëm të raportonin mbi përvojat e tyre gjatë një diskutimi të ardhshëm.

  • Çfarë do të bëni në ditët dhe javët e ardhshme që të merrni pjesë më aktive në mbledhjen e Izraelit?

Përfundojeni duke dhënë dëshminë tuaj se Zoti po e mbledh Izraelin në ditët e mëvonshme. Sigurojini studentët për mbrojtjen dhe forcën që Perëndia do t’ua japë kur mblidhen me shenjtorë të tjerë dhe kur ndihmojnë për ta mbledhur Izraelin.

Për Herën Tjetër

Shpjegoni se mbledhja e Izraelit lidhet ngushtë me punën e Zotit për ngritjen e Sionit në tokë në përgatitje për Ardhjen e Tij të Dytë. Ftojini studentët të studiojnë materialin e përgatitjes për orën e ardhshme mësimore dhe të vijnë të përgatitur për të diskutuar se çfarë është Sioni dhe bekimet që vijnë kur ndihmojnë për ta ngritur Sionin në shtëpitë dhe kunjet e tyre.

Shtyp në Letër