Instituti
Mësimi 17 Materiali i Mësuesit: Qëndroni Besnikë mes Kundërshtimit dhe Mundimit


“Mësimi 17 Materiali i Mësuesit: Qëndroni Besnikë mes Kundërshtimit dhe Mundimit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)

“Mësimi 17 Materiali i Mësuesit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes

Mësimi 17 Materiali i Mësuesit

Qëndroni Besnikë mes Kundërshtimit dhe Mundimit

Gjatë periudhës midis viteve 1837 deri 1839, shenjtorët përjetuan një shpirt kërcënues braktisjeje në Kirtland të Ohajos dhe përndjekje të dhunshme në Misuri. Ky mësim do t’i ndihmojë studentët të përcaktojnë se si mund të drejtohen, të kenë besim dhe të mbështeten më tërësisht tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishtit në kohët e vështirësisë dhe kundërshtimit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Disa anëtarë në Kirtland të Ohajos u larguan nga Kisha, ndërkohë që të tjerët mbetën besnikë.

Fillojeni orën mësimore duke u kërkuar studentëve që të përshkruajnë mënyrën se si njerëz që ata i njohin, u janë përgjigjur sprovave të vështira në jetën e tyre. Ju gjithashtu mund të pyesni se çfarë mësojnë nga shembuj të tillë.

Ftojini studentët të përsiatin sprovat që ata ose njerëzit e tyre të dashur po i përjetojnë aktualisht dhe të marrin parasysh se çfarë mund t’u mësojë Zoti atyre sot rreth mënyrës se si t’u përgjigjen sprovave të tilla.

  • Cilat janë disa nga sfidat dhe sprovat që i përjetuan shenjtorët e hershëm? (Ju mund t’i drejtoni studentët te materiali i përgatitjes së tyre për t’i ndihmuar që të kujtojnë.) Çfarë mund të mësojmë prej atyre që u ndikuan nga sprovat në Ohajo?

Kujtojini studentët se në verën e vitit 1837, Tomas B. Marshi, Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, udhëtoi nga Misuri për në Kirtland që të takohej me anëtarë të atij kuorumi dhe me Profetin Jozef Smith.

  • Cilat ishin disa prej sfidave dhe shqetësimeve me të cilat u ndesh Tomas B. Marshi përpara se të arrinte në Kirtland?

Shpjegoni se pasi Tomas B. Marshi dhe Jozef Smithi u takuan së bashku dhe i zgjidhën mospërputhjet, Profeti mori zbulesë nga Zoti drejtuar Tomasit. Ftojini studentët të lexojnë ose rishikojnë në heshtje te Doktrina e Besëlidhje 112:10, duke kërkuar këshillën dhe parimet që Zoti ua mësoi Tomas B. Marshit dhe anëtarëve të tjerë të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve. Ftojini studentët të tregojnë dhe diskutojnë atë që gjetën.

Nëse nevojitet, ndihmojini studentët të përcaktojnë dhe të diskutojnë një parim nga vargu 13 duke bërë disa nga pyetjet vijuese:

  • Çfarë premtoi Zoti se do të bënte për ata prej Të Dymbëdhjetëve të cilët zgjidhnin të mos i ngurtësonin zemrat e tyre kur besimi i tyre të vihej në provë? (Pasi studentët të përgjigjen, paraqitni ose shkruani në tabelë parimin vijues: Nëse nuk i ngurtësojmë zemrat tona kur besimi ynë vihet në provë, Zoti do të jetë me ne dhe do të na ndihmojë ta thellojmë kthimin tonë në besim.)

  • Si mund t’i ngurtësojnë zemrat e tyre disa njerëz kur besimi i tyre vihet në provë? Cilat janë rreziqet e bërjes së kësaj gjëje?

  • Kur e keni parë dikë t’i përgjigjet një prove të besimit me një zemër të butë dhe një mendje të hapur? Çfarë vutë re se i ndodhi personit teksa ai ose ajo u përgjigj në këtë mënyrë?

Profeti Jozef Smith u bekua për besnikërinë e tij gjatë sprovave në burgun e Libertisë.

Paraqitni pyetjen vijuese: Përse lejon Perëndia që gjëra të këqija t’u ndodhin njerëzve të mirë?

Pyetini studentët nëse ndonjëherë ia kanë bërë vetes këtë pyetje apo nëse njerëz të tjerë ua kanë bërë atë pyetje atyre. Shpjegoni se Jozef Smithi bëri një pyetje të ngjashme pasi e burgosën padrejtësisht në Liberti të Misurit. Teksa studentët diskutojnë përvojën e Jozefit, ftojini të marrin parasysh se si do të përgjigjeshin, në qoftë se një mik/e do tʼua bënte atë pyetje.

Paraqitni figurat vijuese të burgut të Libertisë:

Pamja
Dimër në Burgun e Libertisë, nga Al Rounds
Pamja
kopje e burgut të Libertisë

Kërkojuni studentëve të tregojnë ngjarjet që çuan drejt burgosjes së Jozef Smithit në burgun e Libertisë. (Nëse nevojitet, udhëzojini studentët të rishikojnë pjesën 3 të materialit të përgatitjes.)

  • Si ishin kushtet për Jozef Smithin dhe të tjerët në burgun e Libertisë?

Kujtojini studentët se Profeti Jozef Smith kaloi mbi katër muaj në burgun e Libertisë gjatë një dimri tepër të ftohtë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë te Doktrina e Besëlidhje 121:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar pyetjet që Profeti i bëri në këtë letër plot lutje.

  • Çfarë zbulojnë këto pyetje rreth asaj që Jozef Smithi mund të kishte ndier në atë kohë?

  • Si mund të ketë qenë kjo periudhë kohore një sprovë e besimit të Jozefit?

Kujtojuni studentëve se ndërkohë që ishte në burg, Jozef Smithi i dërgoi dy letra Kishës. Ndajini studentët në grupe të vogla. Ftojini të rishikojnë ose të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 121:7–10 dhe 122:7–9 dhe më pas të tregojnë për frazat dhe parimet që u ranë në sy atyre.

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të japin një frazë ose parim që e diskutuan me grupet e tyre. Merreni parasysh t’i paraqitni këto parime ose fraza, apo t’i shkruani ato në tabelë. Disa parime që studentët i përcaktojnë, mund të shprehen ose përmblidhen në mënyrat vijuese: Kur kthehemi te Zoti dhe mbështetemi tek Ai gjatë sprovave tona, Ai do të na bekojë me zbulesë, ngushëllim e nxitje. Nëse mbetemi besnikë, fatkeqësia dhe kundërshtimi mund të na japin përvojë dhe të jenë për të mirën tonë.

  • Si mund ta ndihmojnë parimet dhe frazat që përcaktuat, një njeri që po përjeton kundërshtim ose një sprovë të besimit?

Si pjesë të diskutimit tuaj, ju mund të paraqitni thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë:

“Ju mund të keni përvoja të shenjta, zbuluese, thellësisht udhëzuese me Zotin gjatë përvojave më të mjerueshme të jetës suaj – në rrethanat më të këqija, ndërsa duroni padrejtësitë më të dhimbshme, kur përballeni me vështirësitë dhe kundërshtimin më të pakapërcyeshëm që keni hasur ndonjëherë. …

… Mësimet e dimrit të vitit 1838–1839 na mësojnë se çdo përvojë mund të bëhet një përvojë shëlbuese nëse ne mbetemi të lidhur me Atin tonë në Qiell përmes asaj vështirësie. Këto mësime të vështira na mësojnë se kur njeriu gjendet në zgrip, Perëndia ka një mundësi dhe nëse do të jemi vërtet të përulur e besnikë, nëse do të jemi besues dhe nuk do ta mallkojmë Perëndinë për problemet tona, Ai mund t’i kthejë burgjet e padrejta, çnjerëzore dhe shkatërruese të jetës sonë në tempuj – ose të paktën në një rrethanë që mund të na sjellë ngushëllim e zbulesë, shoqërim hyjnor dhe paqe.” (Jeffrey R. Holland, “Lessons from Liberty Jail”, Ensign, shtator 2009, f. 28)

  • Si mendoni, çfarë do të thotë që sprovat mund të bëhen përvoja “shëlbuese”?

  • Si na ndihmon durimi me besnikëri i sprovave të jetës që të bëhemi më shumë si Ati ynë Qiellor dhe Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti?

  • Cilat janë disa mënyra se si jeni kthyer dhe jeni mbështetur më plotësisht tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti gjatë sprovave që e vunë në provë besimin tuaj? Çfarë keni mësuar nga bërja e kësaj gjëje?

Ftojini studentët t’i tregojnë një shoku ose shoqeje të klasës se si do t’i përgjigjeshin pyetjes që e paraqitët më parë rreth arsyes përse Perëndia lejon që gjëra të këqija t’u ndodhin fëmijëve të Tij.

Më pas ftojini studentët të marrin parasysh paraqitjen e fjalëve dhe frazave që i përzgjodhën nga fragmentet e shkrimeve të shenjta të diskutuara më parë, në vende ku ata mund t’i shohin shpesh ose t’i mësojnë përmendsh, apo t’i përhapin ato nëpërmjet mjeteve shoqërore të komunikimit. Dëshmoni se, kur drejtohemi nga Shpëtimtari gjatë sprovave tona, Ai do të na japë paqe, do të na ngushëllojë dhe do ta thellojë kthimin tonë në besim.

Për Herën Tjetër

Teksa përfundon ora juaj mësimore, merreni parasysh se një nga organizatat më të mëdha të grave në botë sot, Shoqata e Ndihmës, u krijua në vitin 1842 nga Profeti Jozef Smith. Bëjuani të ditur studentëve se teksa përgatiten për orën e ardhshme mësimore, ata do të kenë mundësinë të mësojnë më shumë për mënyrën se si dhe arsyen përse u krijua kjo organizatë mbarëbotërore. Nxitini studentët të vijnë të përgatitur për të treguar atë që mësuan.

Shtyp në Letër