“Mësimi 3 Materiali i Mësuesit: Marrja e Njohurisë Shpirtërore”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)
“Mësimi 3 Materiali i Mësuesit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes
Mësimi 3 – Materiali i Mësuesit
Marrja e Njohurisë Shpirtërore
Zoti ka zbuluar parime që mund të na udhërrëfejnë në kërkimin tonë për të vërtetën (shih “Marrja e Njohurisë Shpirtërore”, Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor [2018]). Ky mësim do ta rrisë aftësinë e studentëve për të zbatuar parime të marrjes së njohurisë shpirtërore dhe për të vlerësuar besueshmërinë e burimeve.
Sugjerime për Mësimdhënien
Zoti ka siguruar një model për të marrë njohuri shpirtërore.
Shfaqini pyetjet në vijim: A është në rregull të kemi pyetje rreth Kishës? Përse po ose përse jo? Ftojini dy ose tre studentë të shprehin mendimet e tyre.
Si klasë, lexoni te Joseph Smith – Historia 1:8–10, duke kërkuar fjalë ose fraza që Jozefi i përdori për të përshkruar pyetjet ose shqetësimet e tij fetare. Ftojini studentët të tregojnë atë që gjetën dhe atë që mësojnë nga tregimi i Jozefit rreth bërjes së pyetjeve.
Shkruajeni në tabelë thënien vijuese: Unë mund të fitoj njohuri shpirtërore teksa …
Kërkojuni studentëve të përcaktojnë tri parime nga materiali i përgatitjes që e plotësojnë këtë thënie. (Ndërsa studentët përgjigjen, sigurohuni që parimet vijuese përcaktohen dhe paraqiten:
-
Veproj me besim.
-
I shqyrtoj konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm.
-
Kërkoj kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore.
Kërkojuni studentëve të shpjegojnë se çfarë kuptojnë rreth secilit prej këtyre parimeve. Nëse nevojitet, siguroni pak kohë që ata të rishikojnë materialin e përgatitjes.
Ftojini studentët të lexojnë te Joseph Smith – Historia 1:11–14, duke kërkuar mënyrën se si veprimet e Jozef Smithit i ilustrojnë këto parime të marrjes së njohurisë shpirtërore teksa ai kërkoi përgjigje për pyetjet dhe shqetësimet e veta. Ftojini studentët të tregojnë atë që mësuan.
Përzgjidhni dhe paraqitni një ose më shumë prej pyetjeve që morët nga studentët, tek të cilat mund t’i zbatojnë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore (shih veprimtarinë “Shënojini Mendimet Tuaja” në pjesën 1 të materialit të përgatitjes). Shpjegoni se ndërkohë që gjatë kësaj ore mësimore do të jeni në gjendje të përdorni vetëm pak prej pyetjeve të dhëna, ju do të kërkoni hapësira më vonë gjatë programit mësimor të kursit që tʼi trajtoni pyetjet e tjera që keni marrë.
Shënim: Qëllimi i kësaj veprimtarie është që t’u lejojë studentëve një mundësi për të folur rreth mënyrës se si do t’i zbatonin parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore për pyetje të ndryshme. Nuk ka për qëllim që të japë përgjigje për pyetje të veçanta. Jini të kujdesshëm që të mos ngecni në hollësitë e një pyetjeje apo të një çështjeje.
Diskutoni se si studentët do t’i përdorin parimet e paraqitura në tabelë për të kërkuar përgjigje ndaj pyetjes ose pyetjeve të përzgjedhura. Pyetjet vijuese për ndjekjen e ecurisë mund të jenë pjesë e diskutimit tuaj:
-
Si mund të veprojmë me besim kur kërkojmë përgjigje për këtë pyetje?
-
Si mund të na ndihmojë një këndvështrim i përjetshëm që t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje? Çfarë dimë rreth Atit Qiellor dhe planit të Tij për shpëtimin që mund të na ndihmojë ta shohim këtë pyetje nga një këndvështrim i përjetshëm?
-
Cilat burime të caktuara në mënyrë hyjnore mund të na ndihmojnë që ta kuptojmë më mirë këtë temë? Çfarë burimesh të tjera të besueshme mund të ndihmojnë? (Shënim: Mund të jetë dobiprurëse t’i bëni studentët të shkojnë te faqja Tema të Ungjillit te ChurchofJesusChrist.org që të tregoni një burim të besueshëm që gjithashtu i drejton te hallka lidhëse të shkrimeve të shenjta dhe te biseda profetike.)
Ftojini një ose dy studentë të tregojnë se si tri parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore i kanë bekuar ata në kërkimin për njohuri shpirtërore.
Ne mund ta vlerësojmë besueshmërinë e burimeve.
Shfaqni një pjesë të materialit filmik “Divinely Appointed Sources” [“Burime të Caktuara në Mënyrë Hyjnore”] (kodet kohore 0:00 deri 4:19).
Ftojini studentët të shohin se cilat lloje të burimeve të informacionit janë më të besueshmet dhe cilat kanë mundësinë ta dëmtojnë kuptimin tonë për të vërtetën.
Pasi ta ndaloni materialin filmik, merrni parasysh të bëni disa pyetje si ato që vijojnë, për t’i ndihmuar studentët të shqyrtojnë ndryshimet midis burimeve hyjnore, burimeve të besueshme dhe burimeve të pabesueshme ose madje shkatërruese:
-
Cilat janë burimet më të pastra nga të cilat mund të kërkojmë përgjigje?
-
Si e dalloni nëse një burim informacioni është i besueshëm ose jo?
-
Çfarë bëni kur hasni burime informacioni që kanë për qëllim ta shkatërrojnë besimin?
Për të treguar rëndësinë e përdorimit të burimeve të besueshme kur studioni historinë e Kishës, ftojini studentët të përfytyrojnë situatën vijuese: Ju po kërkoni më shumë informacion rreth Tre Dëshmitarëve të Librit të Mormonit. Në kërkimin tuaj ju hasni thënien vijuese nga Stefën Bërneti, i cili jetoi në të njëjtën kohë me Martin Harrisin, dhe nuk jeni të sigurt nëse thënia është e vërtetë apo jo:
“Unë kam reflektuar gjatë dhe plot dëshirë mbi historinë e kësaj kishe dhe i kam peshuar provat pro dhe kundër saj. … Por kur arrita të dëgjoj Martin Harrisin të shpallë në publik se ai kurrë nuk i pa fletët me sytë e tij natyrorë, vetëm në vegim ose nëpërmjet imagjinatës, [as] Oliveri apo Dejvidi, … shkalla e fundit e dëshmisë sime u shkatërrua.” (Stephen Burnett, në Richard Lloyd Anderson, Investigating the Book of Mormon Witnesses [1981], f. 155)
-
Çfarë hapash mund të ndërmerrni përpara se të vendosni ta pranoni ose jo pretendimin e Stefën Bërnetit rreth Martin Harrisit?
Ftojini studentët të raportojnë se çfarë mësuan për vlerësimin e burimeve nga pjesa e materialit të përgatitjes, e titulluar “Pyetjet për Vlerësimin e Burimeve”.
Me këto udhëzime për vlerësimin e burimeve në mendje, jepuni studentëve fletushkën “Sfondi Historik për Thënien e Stefën Bërnetit” dhe ftojini studentët (si klasë ose në grupe të vogla) që të kërkojnë informacion, i cili do t’i ndihmonte të vlerësonin besueshmërinë e akuzimit nga Stefën Bërneti se Martin Harrisi nuk i pa fletët e arta.
Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për ta lexuar e diskutuar fletushkën, bëni pyetjet vijuese:
-
Çfarë informacioni nga kjo fletushkë vë në dyshim besueshmërinë e thënies së Stefën Bërnetit?
-
Përveç vënies në provë të besueshmërisë së burimit, në ç’mënyrë tjetër mund të zbuloni nëse dëshmia e Tre Dëshmitarëve është e vërtetë?
Ftojini studentët të tregojnë atë që kanë mësuar nga kjo përvojë. Merrni parasysh ta përfundoni orën mësimore duke shfaqur pjesën e mbetur të materialit filmik “Divinely Appointed Sources” [“Burimet e Caktuara në Mënyrë Hyjnore”] (kodet kohore 4:20 deri 9:16) dhe duke dhënë dëshminë tuaj për vlerën e vënies në jetë të parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore.
Për Herën Tjetër
Pyetini studentët a kanë hasur ndonjëherë vështirësi për të dalluar se kur po u fliste Zoti ose a kanë dashur ndonjëherë të dinin se si të merrnin më mirë zbulesë dhe udhërrëfim personal në jetën e tyre. Ftojini ta studiojnë me kujdes materialin e përgatitjes për mësimin e ardhshëm mbi doktrinën e zbulesës dhe të vijnë të përgatitur për të treguar në orën mësimore atë që zbuluan.