Instituti
Mësimi 19 Materiali i Mësuesit: Shëlbimi i të Vdekurve


“Mësimi 19 Materiali i Mësuesit: Shëlbimi i të Vdekurve”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)

“Mësimi 19 Materiali i Mësuesit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes

Mësimi 19 Materiali i Mësuesit

Shëlbimi i të Vdekurve

Profeti Jozef Smith dha mësim se njëra nga përgjegjësitë më të mëdha që Perëndia u ka dhënë shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, është të ndihmojnë për të shëlbuar të vdekurit (shih Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 508). Ky mësim hartohet për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë dhe të tregojnë përse shëlbimi i të vdekurve është një pjesë kaq jetike e planit të Perëndisë dhe ta shtojnë dëshirën e tyre për të marrë pjesë më plotësisht në historinë familjare dhe në shërbimin në tempull.

Sugjerime për Mësimdhënien

Zoti e zbulon doktrinën e shëlbimit për të vdekurit nëpërmjet Profetit Jozef Smith.

Paraqitni figurën shoqëruese dhe shpjegoni se portretizon Alvin Smithin duke mbajtur vëllanë e tij më të vogël, Jozefin, pas operacionit të këmbës së Jozefit. Ftojini studentët të tregojnë nga përgatitja e tyre për orën mësimore se çfarë dinë rreth ndjenjave të Jozefit për vëllanë e tij, Alvinin, dhe atë që i ndodhi Alvinit.

Alvin Smithi duke mbajtur Jozef Smithin e vogël
  • Çfarë i la të kuptonte një shërbestar presbiterian familjes Smith në shërbesën mortore të Alvinit?

  • Si do të ishit ndier po t’i dëgjonit këto fjalë nëse do të kishit qenë pjesëtar i familjes së Jozefit?

Kujtojuni studentëve se fjalët e shërbestarit pasqyronin bindjen fetare, siç jepet mësim në Dhiatën e Re, se pagëzimi është thelbësor për shpëtimin (shih Gjoni 3:5). Kërkojuni studentëve të shqyrtojnë vegimin e Jozef Smithit në vitin 1836 të mbretërisë çelestiale, siç shënohet te Doktrina e Besëlidhje 137:1, 5–8, duke kërkuar atë që mësoi Jozef Smithi rreth vëllait të tij, Alvinit. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjetën.

  • Për çfarë të vërtetash për planin e shpëtimit ndihmon kjo zbulesë që të rivendosen ose qartësohen? Si mendoni, çfarë mendimesh dhe ndjenjash mund të ketë pasur Jozefi kur i mësoi këto të vërteta?

Shpjegoni se katër vjet e gjysmë pasi e pa vegimin që Alvini ishte në mbretërinë çelestiale, Jozefi u dha mësim shenjtorëve në Navu lidhur me mënyrën se si dikush si Alvini, që nuk ishte pagëzuar në këtë jetë, mund të shpëtohej në mbretërinë e Perëndisë. Profeti e paraqiti doktrinën e pagëzimit për të vdekurit gjatë një predikimi në një shërbesë mortore më 15 gusht 1840 (shih Church History Topics, “Baptism for the Dead”, ChurchofJesusChrist.org).

Ftojini studentët të lexojnë në dyshe ose grupe të vogla pjesët e shkëputura nga letra e Vajlet Kimballit, që gjendet në pjesën 1 të materialit të përgatitjes. Më pas paraqitni pyetjet vijuese (që gjithashtu gjenden në pjesën 1 të materialit të përgatitjes) dhe ftojini studentët t’i diskutojnë ato:

  • Çfarë mendoni se e bën shëlbimin e të vdekurve një “doktrinë [kaq të] lavdishme”?

  • Çfarë mund t’i mësojë kjo doktrinë dikujt rreth karakterit dhe dëshirave të Atit Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit?

Ftojeni një student t’i lexojë me zë të lartë mësimet e Jozef Smithit siç shënohen te Doktrina e Besëlidhje 128:15. Vëreni klasën që ta ndjekë, duke kërkuar përse pjesëmarrja në punën për të shëlbuar të vdekurit është kaq e rëndësishme për ne.

  • Sipas këtij vargu, përse është thelbësore që ne të kryejmë ordinancat shpëtuese për të vdekurit? (Studentët mund të përcaktojnë disa të vërteta, duke përfshirë sa vijon: Pa ordinancat shpëtuese të ungjillit, paraardhësit tanë që vdiqën pa ungjillin, nuk mund të përparojnë drejt ekzaltimit. Shpëtimi i paraardhësve tanë të vdekur është thelbësor për vetë shpëtimin tonë.)

  • Si mendoni, në çfarë mënyra shpëtimi i paraardhësve tanë është “i domosdoshëm dhe thelbësor” për vetë shpëtimin tonë?

Si pjesë të diskutimit tuaj, paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë:

“Megjithëse puna në tempull dhe e historisë familjare ka fuqinë të bekojë ata përtej velit, ajo ka po atë fuqi për të bekuar të gjallët. Ajo ka një ndikim përmirësues mbi të gjithë ata që përfshihen në të. Ata vërtet po ndihmojnë në ekzaltimin e familjeve të tyre.

Ne do të jemi të ekzaltuar kur të mund të jetojmë së bashku me familjet e të afërmve tanë në prani të Perëndisë së Plotfuqishëm.” (Rasëll M. Nelson, “Breza të Lidhur me Dashuri”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 93–94; kursivi i shtuar).

Jozef F. Smithi shikon një vegim rreth shëlbimit të të vdekurve.

Shpjegoni se edhe pas vdekjes së Profetit Jozef Smith, Zoti vazhdoi të zbulonte të vërteta “rresht pas rreshti” (Doktrina e Besëlidhje 98:12) rreth planit të Tij për t’i shëlbuar të vdekurit. Në vitin 1918, Presidenti Jozef F. Smith mori një vegim për shëlbimin e të vdekurve.

  • Çfarë përvojash të Presidentit Jozef F. Smith dhe çfarë ngjarjesh në botë e bënë kaq të kohës këtë vegim? (Nxitini studentët të mendojnë për atë që mësuan nga pjesa 2 e materialit të përgatitjes.)

Kujtojuni studentëve që Presidenti Smith e pati vegimin e tij ndërkohë që përsiati për flijimin shlyes të Jezu Krishtit dhe për mësimet e Apostullit Pjetër lidhur me vizitën e Shpëtimtarit në botën e shpirtrave (shih Doktrina e Besëlidhje 138:1–11). Ftojini studentët të lexojnë në heshtje te Doktrina e Besëlidhje 138:28–34, 57, duke kërkuar atë që Shpëtimtari e bëri gjatë vizitës së Tij të shkurtër në botën e shpirtrave dhe ndikimin që pati ajo.

  • Si na ndihmojnë të vërtetat në këtë fragment të shkrimit të shenjtë që ta kuptojmë më mirë planin e Atit Qiellor për fëmijët e Tij?

Vini në dukje frazën “pagëzimi mëkëmbës” (vargu 33). Shpjegoni se mëkëmbës do të thotë që vepron si zëvendësues për dikë tjetër.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien nga Plaku D. Tod Kristoferson që gjendet te pjesa 3 e materialit të përgatitjes. Vëreni klasën të kërkojë atë që dha mësim Plaku Kristoferson rreth punës mëkëmbëse për shpëtimin, të cilën e kryejmë në tempull për pjesëtarët e vdekur të familjeve tona.

  • Si do ta përmblidhnit një parim që mund ta mësojmë nga mësimet e Plakut Kristoferson? (Studentët mund të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Ne dëshmojmë për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij kur marrim pjesë në punën për të ndihmuar që të shëlbojmë pjesëtarët e vdekur të familjeve tona.

  • Si është pjesëmarrja në punën për të shëlbuar të vdekurit tanë një shprehje e dëshmisë sonë për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij?

  • Në çfarë mënyrash na ndihmon pjesëmarrja në historinë familjare dhe shërbimi në tempull që të bëhemi më shumë si Shpëtimtari?

Profetët e Zotit premtojnë bekime të fuqishme për ata që ndihmojnë për të shëlbuar të vdekurit.

Shkruajeni në tabelë parimin e paplotë vijues: Kur marr pjesë në historinë familjare dhe shërbimin në tempull …

Shfaqni materialin filmik “The Promised Blessings of Family History” [“Bekimet e Premtuara të Historisë Familjare”] (3:22). Ftojini studentët të dëgjojnë për bekimet që i presin ata që bëjnë histori familjare dhe shërbejnë në tempull. Merreni parasysh t’i shkruani nën thënien në tabelë bekimet që studentët i përcaktojnë.

  • Cilat bekime të premtuara ju bien në sy më shumë dhe përse?

  • Cilat janë disa prej mënyrave se si ju dhe familja juaj keni marrë pjesë në historinë familjare dhe shërbimin në tempull? Çfarë bekimesh keni përjetuar për bërjen e kësaj pune?

Ju mund t’i ftoni studentët të mendojnë për dikë që mund ta pyesin për t’i këshilluar që të bëjnë historinë familjare. Nëse disa studentë janë tashmë të aftë që ta bëjnë historinë familjare, ftojini të këshillojnë dikë tjetër në klasë. Nëse e lejon koha, ju gjithashtu mund t’u tregoni studentëve faqen në internet të historisë familjare ChurchofJesusChrist.org/family-history dhe t’i nxitni ta shqyrtojnë këtë faqe për ide shtesë lidhur me mënyrën se si të bëhen më të përfshirë në historinë familjare.

PËRMIRËSIMI I MËSIMDHËNIES DHE I TË MËSUARIT TONË

Veproni sipas nxitjeve shpirtërore. Nëse doktrina e ungjillit ose një parim i ungjillit mësohet, por nuk vihet në jetë, të mësuarit nuk është i plotë. Ne e vëmë në jetë të mësuarit e ungjillit kur pranojmë një të vërtetë në zemrat tona dhe më pas veprojmë sipas asaj të vërtete. Ftojini studentët të veprojnë sipas nxitjeve shpirtërore që marrin, për t’i vënë në jetë të vërtetat e ungjillit që mësojnë.

Lexoni thënien e mëposhtme nga Presidenti Rasëll M. Nelson:

“Ju ftoj që me lutje të mendoni se çfarë lloj sakrifice – dhe mundësisht sakrificë të kohës – mund të bëni për të bërë më shumë punë për historinë familjare dhe punë në tempull këtë vit.” (Russell M. Nelson, RootsTech Family Discovery Day—Opening Session 2017, ChurchofJesusChrist.org)

Përfundojeni duke i ftuar studentët që me lutje të përsiatin dhe më pas të shkruajnë çfarë sakrificash të veçanta do të bëjnë ose çfarë hapash të veçantë do të ndërmarrin që të marrin pjesë më plotësisht në historinë familjare dhe shërbimin në tempull.

Për Herën Tjetër

Paraqitni një figurë të një tempulli. Shpjegoni se që nga kohët e lashta, Zoti i ka urdhëruar njerëzit e Tij të ndërtojnë tempuj. Profetët e ditëve të mëvonshme kanë dhënë mësim se bekimet kurorëzuese të ungjillit merren në tempujt e Zotit. Ftojini studentët të studiojnë materialin e përgatitjes për mësimin e ardhshëm dhe të vijnë të përgatitur për të diskutuar se si Zoti na bekon nëpërmjet ordinancave të tempullit dhe adhurimit në tempull.