“Mësimi 13 Materiali i Mësuesit: Ligjet e Perëndisë”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)
“Mësimi 13 Materiali i Mësuesit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes
Mësimi 13 Materiali i Mësuesit
Ligjet e Perëndisë
Zoti i ka zbuluar ligjet dhe urdhërimet e Tij përsëri në këtë periudhë ungjillore nëpërmjet Jozef Smithit dhe profetëve pasues. Ky mësim do t’i përgatitë studentët të shpjegojnë qëllimet hyjnore të Perëndisë për dhënien e urdhërimeve fëmijëve të Tij. Studentët gjithashtu do të marrin ftesën për të përcaktuar atë që mund të bëjnë ata për t’i zbatuar më besnikërisht urdhërimet e Zotit.
Sugjerime për Mësimdhënien
Zoti na jep ligje dhe urdhërime për shpëtimin tonë.
Tregojuni studentëve materialin filmik “Why Does God Give Us Commandments?” [“Përse Perëndia na Jep Urdhërime?”] (0:39) dhe vërini të kërkojnë çfarë ilustron ai rreth mënyrës se si disa njerëz mund t’i shohin urdhërimet e Perëndisë.
-
Si e ilustron ky material filmik qëndrimin që mund të kenë disa të rinj e të reja në moshë madhore kundrejt ligjeve dhe urdhërimeve të Perëndisë?
-
Çfarë mund të kenë keqkuptuar disa njerëz të cilët i shohin ligjet e Perëndisë si kufizuese?
Shpjegoni se ka qëllime më të rëndësishme për ligjet e Perëndisë sesa thjesht mbrojtja fizike apo vënia në provë në vdekshmëri. Në zbulesat e Tij dhënë Profetit Jozef Smith, Zoti u dha mësim shenjtorëve disa arsye më të larta përse Perëndia u jep ligje dhe urdhërime fëmijëve të Tij. Ftojeni gjysmën e klasës të lexojë në heshtje te Doktrina e Besëlidhje 93:19–20 dhe gjysmën tjetër të klasës të lexojë në heshtje te Doktrina e Besëlidhje 130:20–21. Vërini studentët të kërkojnë premtimet e Zotit dhënë atyre që i zbatojnë ligjet dhe urdhërimet e Perëndisë. Vërini studentët të raportojnë atë që gjetën.
Vini në dukje se fjala “plotësinë” për të cilën flitet te Doktrina e Besëlidhje 93:19–20, është premtimi i jetës së përjetshme – që të hyjnë në praninë e Perëndisë dhe të bëhen si Ati dhe Biri (shih Doktrina e Besëlidhje 76:94).
-
Si do ta përmblidhnit një të vërtetë nga këto fragmente të shkrimit të shenjtë rreth arsyes përse Ati Qiellor u jep urdhërime fëmijëve të Tij? (Duke përdorur fjalët e studentëve, shkruani në tabelë ose paraqitni një thënie doktrine të ngjashme me sa vijon: Ati Qiellor u jep fëmijëve të Tij urdhërime që Ai të mund t’i bekojë ata dhe t’i ndihmojë të bëhen si Ai.)
Për ta thelluar kuptueshmërinë e studentëve për këtë të vërtetë, paraqitni thënien vijuese nga Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë:
“Plani i Perëndisë përfshin udhëzime për ne, të cilave shkrimet e shenjta u drejtohen si urdhërime. Këto urdhërime nuk janë as një grumbull i çuditshëm, as një përmbledhje e paarsyeshme rregullash të detyrueshme që kanë si qëllim vetëm të na mësojnë se si të jemi të bindur. Ato lidhen me zhvillimin tonë të tipareve të perëndishmërisë, me kthimin tek Ati ynë Qiellor dhe marrjen e gëzimit të përhershëm.” (“Zgjidhni Këtë Ditë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2018, f. 105)
-
Si janë urdhërimet një tregues i dashurisë së Atit tonë Qiellor dhe Shpëtimtarit për ne?
-
Çfarë ndryshimi mund të sjellë në jetën tonë po t’i shohim urdhërimet si udhëzime të dashura që do të na ndihmojnë të fitojmë vetitë e perëndishmërisë dhe të marrim gëzim?
Zoti u jep shenjtorëve ligjin e Tij.
Kujtojuni studentëve se pak kohë pasi Profeti Jozef Smith u shpërngul në Kirtland të Ohajos, ai mori një zbulesë që përmbante ligjin e Zotit për Kishën e Tij (shih Doktrina e Besëlidhje 42). Në vitet që pasuan, Zoti u mësoi shenjtorëve më shumë nga ligji i Tij.
-
Cilat janë disa nga ligjet dhe urdhërimet e lashta që Zoti i ka ripohuar në periudhën tonë ungjillore?
Kujtojini studentët për detyrën që iu caktua atyre në materialin e përgatitjes. Jepuni studentëve pak minuta për të rishikuar ligjin ose ligjet që i studiuan. Ftojini studentët që mund të mos e kenë studiuar njërin prej ligjeve të përvijuara në materialin e përgatitjes, që ta bëjnë këtë gjë gjatë kësaj kohe.
Pas një kohe të mjaftueshme, ndajeni klasën në grupe të vogla (dy deri në pesë studentë për grup) sipas ligjit që zgjodhën të studionin. Për shembull, dy deri në pesë studentë, të cilët zgjodhën të studionin ligjin e përkushtimit, do të formonin një grup. Mund të jetë e nevojshme të ketë shumë grupe që të diskutojnë të njëjtin ligj, në qoftë se më shumë se pesë studentë zgjodhën të diskutonin të njëjtin ligj. (Nëse klasa juaj është e vogël ose nëse vetëm një student zgjodhi të studiojë një ligj të caktuar, atëherë përshtateni këtë veprimtari që të plotësojë nevojat e klasës suaj. Për shembull, ju mund ta ftoni atë student/e që t’ju tregojë juve ose një grupi që studioi një temë të ndryshme, se çfarë mësoi ai ose ajo.)
Kërkojuni studentëve që ta caktojnë një anëtar/e të grupit si udhëheqës. Jepini secilit udhëheqës/e të grupit një kopje të fletushkës shoqëruese “Ligjet e Perëndisë”.
Jepuni grupeve 10 minuta ose kohë të mjaftueshme që të kenë një diskutim kuptimplotë. Pas një kohe të mjaftueshme, ftoni përfaqësues nga secili grup që t’i tregojnë gjithë klasës disa pika kryesore nga diskutimi i tyre. Merreni parasysh që ta nxitni çdo përfaqësues që të tregojë se si bindja ndaj ligjit që ai ose ajo studioi, mund të na ndihmojë të bëhemi më shumë si Ati ynë Qiellor.
Jepni dëshminë tuaj dhe tregoni për përvojën tuaj se si bindja ndaj ligjeve dhe urdhërimeve të Perëndisë e ka bekuar jetën tuaj dhe ju ka ndihmuar të bëheni më shumë si Ati Qiellor.
Paraqitini pyetjet e mëposhtme. Jepuni studentëve kohë për të përsiatur pyetjet, për të shkruar mbresat e tyre dhe për të përcaktuar veprimet që ndihen të frymëzuar t’i ndërmarrin. Nxitini studentët që me lutje të kërkojnë ndihmën dhe udhërrëfimin e Atit Qiellor që të veprojnë sipas mbresave që morën. Gjithashtu mund t’i ftoni të përcaktojnë një kohë që ta ndjekin ecurinë e asaj që janë zotuar të bëjnë.
-
Cilat nga urdhërimet e Zotit të diskutuara sot mund t’i ndjek më me besim?
-
Çfarë më nevojitet veçanërisht që të ndryshoj, të filloj të bëj ose të mos e bëj më për ta zbatuar më plotësisht këtë urdhërim?
-
Çfarë bekimesh, vetish të perëndishmërisë dhe gëzimi do të vijë në jetën time nëpërmjet ndjekjes së këtij urdhërimi më nga afër dhe me sinqeritet më të madh?
Për Herën Tjetër
Shpjegoni se një nga bindjet fetare të pashoqe të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është se Perëndia vazhdon t’i udhërrëfejë fëmijët e Tij duke u dhënë shkrime të shenjta shtesë. Ftojini studentët ta studiojnë materialin e përgatitjes për orën e ardhshme mësimore dhe të vijnë të përgatitur për të diskutuar se si shkrimet e shenjta shtesë e qartësojnë dhe e thellojnë kuptueshmërinë tonë për ungjillin e Shpëtimtarit.