Instituti
Mësimi 24 Materiali i Mësuesit: Profeti Jozef Smith – Një Shikues i Zgjedhur


“Mësimi 24 Materiali i Mësuesit: Profeti Jozef Smith – Një Shikues i Zgjedhur”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)

“Mësimi 24 Materiali i Mësuesit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes

Mësimi 24 Materiali i Mësuesit

Profeti Jozef Smith – Një Shikues i Zgjedhur

Zoti e përshkroi Profetin Jozef Smith si “një shikues të zgjedhur” i cili do të “vlerësohe[j] shumë” nga njerëzit e tij (2 Nefi 3:7). Megjithatë, pavarësisht nga të gjitha të mirat që bëri Zoti nëpërmjet Jozef Smithit, Profeti ka shumë kritikë. Ky mësim do t’i përgatitë studentët të përgjigjen me besim ndaj kritikave kundër Jozef Smithit dhe do ta forcojë bindjen e tyre se Zoti i lartëson ata të cilët Ai i thërret.

Sugjerime për Mësimdhënien

Zoti e thirri Jozef Smithin në dobësinë e tij dhe e lartësoi atë për t’u bërë një shikues i zgjedhur.

Shfaqni pikturën vijuese të të riut Jozef Smith.

Në Qoftë se Ndonjërit nga Ju i Mungon Urtia, nga Walter Rane

Ftojini studentët të tregojnë fjalë dhe fraza nga pjesa 1 e materialit përgatitor, të cilat përshkruajnë se si u ndje Jozefi rreth vetë aftësive të tij në kohën kur u thirr për të ndihmuar në rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit.

Ftojini studentët të mendojnë për rastet kur ata janë ndier të mbingarkuar emocionalisht ose të papërshtatshëm për të bërë atë që Zoti ose shërbëtorët e Tij u kanë kërkuar të bëjnë.

Shpjegoni se thirrja e Jozef Smithit nga ana e Zotit na mëson një parim të fuqishëm që mund të na ndihmojë kur ndihemi të dobët ose të papërshtatshëm për të bërë punën e Zotit. Në Librin e Mormonit, profeti Lehi rrëfeu një profeci të Jozefit të Egjiptit. Lexoni si klasë te 2 Nefi 3:6–11, 15, duke kërkuar fjalë ose fraza që përdoren nga Zoti për të përshkruar një profet të ardhshëm, i cili do të quhej gjithashtu Jozef.

  • Cilat janë disa fjalë ose fraza që përdori Zoti për të përshkruar Jozef Smithin dhe veprën që Ai do ta ndihmonte të përmbushte?

  • Çfarë roli premton të luajë Shpëtimtari në punën që Jozefi do të thirrej të kryente?

Lexoni si klasë vargjet te 2 Nefi 3:13 dhe Doktrina e Besëlidhje 124:1, duke kërkuar mënyrën se si Zoti e përshkroi Jozef Smithin. Vërini studentët të raportojnë atë që gjetën.

  • Si mendoni se tregohet mençuria e Zotit duke thirrur “gjëra[t e] dobëta të tokës” të kryejnë punën e Tij? (Doktrina e Besëlidhje 124:1.)

  • Çfarë mësimesh mund të mësojmë prej thirrjes së Jozef Smithit nga ana e Zotit në dobësinë e tij?

Paraqitni parimin vijues nga Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë:

Plaku Nil A. Maksuell

“Një nga mesazhet e shkëlqyera që buron prej përdorimit nga ana e Zotit të Jozef Smithit si ‘shikues [i] zgjedhur’ në ditët e mëvonshme, është se me të vërtetë ka shpresë për secilin nga ne! Zoti mund të na thërrasë në dobësitë tona e prapëseprapë të na lartësojë për qëllimet e Tij.” (Neal A. Maxwell, “A Choice Seer”, Ensign, gusht 1986, f. 14; kursivet të shtuara)

  • Si mund t’i ndihmojë ky parim njerëzit të cilët hasin vështirësi lidhur me dështimet njerëzore që shohin te vetja, udhëheqësit e tyre të Kishës dhe anëtarë të tjerë?

  • Kur e keni ndier se Zoti i lartësoi aftësitë tuaja për të bërë punën e Tij, pavarësisht nga dobësitë tuaja? Kur e keni parë Zotin ta bëjë këtë për të tjerët?

  • Çfarë bëri Jozef Smithi për të marrë fuqinë forcuese të Zotit? (Ju mund t’i ftoni studentët të rishikojnë thënien e Plaku Markus B. Nash që gjendet te pjesa 1 e materialit përgatitor.)

Jepuni studentëve një çast që të marrin në shqyrtim plot lutje dhe ndoshta të shënojnë atë që mund të bëjnë për ta ftuar në jetën e tyre fuqinë e Zotit, për t’i lartësuar ata për qëllimet e Tij.

Emri i Jozef Smithit do të “mbahej për mirë e për keq mes të gjitha kombeve”.

Shpjegoni se pavarësisht nga të gjitha të mirat që bëri Profeti Jozef Smith, ai pati shumë përgojues dhe kritikë. Por kjo nuk ishte befasi për Jozefin. Kur Moroni iu shfaq fillimisht një Jozefi 17‑vjeçar, ai i dha Jozefit një ide për të ardhmen e tij. Ftojini studentët të lexojnë te Joseph Smith – Historia 1:33–58, duke kërkuar mënyrën se si do të ndiheshin njerëzit rreth Jozefit.

  • Çfarë mund të mësojmë nga ky fragment? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Emri i Jozef Smithit do të flitet për mirë e për keq mes të gjithë njerëzve.)

  • Në cilat mënyra po e shikojmë këtë profeci të përmbushet sot?

Shpjegoni se Zoti e ngushëlloi Jozefin gjatë njërës prej periudhave më të errëta të jetës së tij kur u burgos në Liberti të Misurit. Ftojini studentët të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 122:1–3, duke kërkuar mënyrën se si Zoti i dha siguri Jozefit.

  • Çfarë mund të mësojmë nga ky fragment rreth mënyrës se si do të reagojnë besimtarët ndaj Jozef Smithit dhe misionit të tij profetik? (Ndërkohë që disa njerëz mund ta tallin Jozef Smithin, të kulluarit në zemër nuk do të kthehen kundër tij, por do të kërkojnë bekimet që janë vënë në dispozicion nëpërmjet shërbesës së tij.)

Kërkojuni studentëve të rishikojnë thëniet në pjesën 2 të materialit përgatitor nga ata që e njihnin Profetin Jozef Smith, dhe të tregojnë se çfarë u bëri përshtypje.

  • Çfarë ndjenjash dhe dëshmie keni për Profetin Jozef Smith?

Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë:

Plaku Nil L. Andersen

“Komentet negative rreth Profetit Jozef Smith do të shtohen teksa shkojmë drejt Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit. Gjysmë të vërtetat dhe mashtrimet e holla nuk do të pakësohen. Do të ketë anëtarë të familjes dhe miq të cilët do të kenë nevojë për ndihmën tuaj.” (Nil L. Andersen, “Jozef Smithi”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 30).

Diskutoni si klasë ose në grupe të vogla për mënyrën se si studentët mund ta ndihmojnë një pjesëtar të familjes apo një mik/e, që shqetësohet për komentet negative që ka dëgjuar ose lexuar rreth Profetit Jozef Smith. Si pjesë e diskutimit, grupi mund të dëshirojë të rishikojë thënien e Plakut Andersen në pjesën 3 të materialit përgatitor. Pyetjet vijuese mund të jenë gjithashtu të dobishme për t’u përfshirë në diskutim:

  • Si mendoni, përse është e rëndësishme ta nxitni dikë të studiojë burime të besueshme ndërkohë që e ftoni atë person të përsiatë dhe të lutet kur kërkon përgjigje për pyetje që lidhen me Jozef Smithin dhe misionin e tij profetik?

  • Çfarë do ta nxitnit të bëjë dikë për të fituar një dëshmi shpirtërore ose për ta forcuar dëshminë e tij ose të saj për misionin hyjnor të Jozef Smithit?

Përfundoni duke dëshmuar për rëndësinë e marrjes së një dëshmie shpirtërore nga Perëndia se Jozef Smithi ishte profeti i Tij, i thirrur në dobësitë e tij dhe i lartësuar nga Zoti për të qenë shikuesi i zgjedhur i Rivendosjes.

Për Herën Tjetër

Pyetini studentët nëse shqetësohen dhe luten ndonjëherë për vendime që ndikojnë në të ardhmen e tyre. Ftojini që ta studiojnë materialin e përgatitjes së klasës për herën tjetër. Në të ata do të mësojnë për pasigurinë që përjetuan shenjtorët pas vdekjes së Jozef Smithit dhe besimin e tyre të jashtëzakonshëm për të ndjekur një udhëheqës të ri në shkretëtirë. Ftojini studentët të vijnë në klasë të gatshëm për të diskutuar mbi atë që mësuan nga shenjtorët gjatë kësaj kohe sfiduese.