“Mësimi 4 Materiali i Mësuesit: Doktrina e Zbulesës”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)
“Mësimi 4 Materiali i Mësuesit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes
Mësimi 4 – Materiali i Mësuesit
Doktrina e Zbulesës
Zoti u zbuloi të vërteta të rëndësishme rreth doktrinës së zbulesës Jozef Smithit dhe të tjerëve në ditët e hershme të Rivendosjes. Ky mësim hartohet që t’i ndihmojë studentët të rritin aftësinë e tyre për të marrë zbulesë dhe për të dalluar më mirë kur Fryma e Shenjtë po u flet atyre.
Sugjerime për Mësimdhënien
Zoti u zbulon parime të zbulesës Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit.
Paraqitni pyetjen vijuese: Çfarë është një situatë, vendim ose pyetje e tanishme për të cilën do të donit udhërrëfim e zbulesë nga Ati juaj Qiellor?
Ftojini studentët të mendojnë për këtë pyetje dhe të shkruajnë mendimet e tyre. Pas një kohe të mjaftueshme, ju mund t’u kërkoni disa studentëve që t’i tregojnë klasës atë që shkruan, në qoftë se nuk është tepër personale.
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë domethënien e këtij mësimi në jetën e tyre, shpjegoni rezultatet e dëshiruara që u përshkruan në parathënien e këtij mësimi.
Paraqitni figurën vijuese dhe pyetni:
-
Cilat rrethana e çuan Oliver Kaudërin ta ndihmonte Jozef Smithin për përkthimin e Librit të Mormonit? (Ftojini studentët të mbështeten tek ajo që mësuan nga pjesa 1 e materialit të përgatitjes së tyre, nëse është e nevojshme.)
-
Si ndikoi zbulesa te vendimi i Oliverit për të ndihmuar Jozefin?
Kujtojuni studentëve që, si përgjigje ndaj dëshirës së Oliverit për të ndihmuar që të përkthente Librin e Mormonit, Zoti i dha atij mësim lidhur me marrjen e zbulesës. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë te Doktrina e Besëlidhje 8:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar të vërtetat që Oliveri kishte nevojë t’i kuptonte që të merr zbulesë për të përkthyer.
-
Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga këto vargje rreth kërkimit dhe marrjes së zbulesës? (Studentët mund të përcaktojnë disa të vërteta, përfshirë sa vijon: Zoti u flet mendjes dhe zemrës sonë me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë.)
-
Nisur nga studimi dhe përvoja juaj vetjake, cilat janë disa mënyra se si Zoti i flet mendjes sonë? Po zemrës sonë? (Renditini përgjigjet e studentëve në tabelë. Nëse nevojitet, ftojini studentët të shqyrtojnë fragmentet e shkrimeve të shenjta dhe komentet që i studiuan te pjesa 1 e materialit të përgatitjes.)
-
Si mendoni, përse Zoti zgjedh të komunikojë me ne si nëpërmjet mendjes ashtu edhe zemrës sonë? (Nxitini studentët të mbështeten tek ajo që mësuan dhe përsiatën gjatë studimit dhe përgatitjes së tyre vetjake.)
Shpjegoni se kur Oliveri u përpoq të përkthente, ai pati vështirësi të merrte zbulesën që i nevojitej për të vazhduar. Jozefi dhe Oliveri e pyetën Zotin përse pati vështirësi Oliveri. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje te Doktrina e Besëlidhje 9:7–9, duke kërkuar një model që Zoti ia mësoi Oliverit rreth mënyrës se si të merrte zbulesë.
-
Çfarë modeli i zbuloi Zoti Oliverit që mund të na ndihmojë të marrim dhe ta dallojmë zbulesën? (Zbulesa shpesh vjen pas studimit të pyetjeve dhe çështjeve në mendjen tonë, arritjes së një përfundimi dhe më pas pyetjes drejtuar Perëndisë nëse përfundimi ynë është i drejtë.)
Shpjegoni që Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, tha se “një djegie në kraharor” mund të nënkuptojë “një ndjenjë ngushëllimi dhe qetësie” (“Teaching and Learning by the Spirit”, Ensign, mars 1997, f. 13).
Ftojini studentët të shprehin mendimet e tyre lidhur me pyetjet dhe ftesën vijuese nga materiali i përgatitjes së tyre:
-
Si mendoni, përse Zoti pret që ne t’i studiojmë çështjet në mendjen tonë si pjesë e kërkimit të zbulesës?
-
Çfarë ju mësoi një mik ose një pjesëtar i familjes rreth mënyrës se si të ftojmë dhe të marrim zbulesë? Çfarë keni mësuar nga vetë përvojat tuaja rreth mënyrës se si të ftojmë dhe të marrim zbulesë?
Shënim: Veprimtaria vijuese ka për qëllim që t’u japë studentëve kohë të mjaftueshme për të marrë parasysh se çfarë po mësojnë dhe për ta vënë atë në praktikë. Përshtateni mësimin sipas nevojës që t’u jepni studentëve mjaft kohë që të përsiatin, shkruajnë, lexojnë ose luten.
Ftojini studentët të përsiatin e të shkruajnë për pak minuta rreth asaj që kanë mësuar për zbulesën dhe mënyrën se si lidhet me mendimet që i shkruan në fillim të orës mësimore. Ose ata mund të luten në heshtje për udhëzim mbi atë që shkruan. Ju gjithashtu mund të paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson dhe t’i ftoni studentët ta lexojnë atë në heshtje, duke kërkuar mënyra shtesë që mund ta ftojnë zbulesën.
“Lutuni në emrin e Jezu Krishtit për shqetësimet tuaja, frikën tuaj, dobësitë tuaja – po, pikërisht dëshirat e zemrës suaj. Dhe më pas dëgjoni! Shkruajini mendimet që ju vijnë në mendje. Shënojini ndjenjat dhe pasojini me veprime që nxiteni të bëni. Kur e përsëritni këtë proces ditë pas dite, muaj pas muaji, vit pas viti, ju do të ‘rriteni drejt parimit të zbulesës’ (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 136). …
Ju nxit të shtriheni përtej aftësisë suaj të tanishme shpirtërore për të marrë zbulesë vetjake. …
Asgjë nuk i hap qiejt ashtu si ndërthurja e pastërtisë më të madhe, bindjes së përpiktë, kërkimit të zellshëm, ushqyerjes me bollëk me fjalët e Krishtit në Librin e Mormonit dhe kohës së vazhdueshme, të zotuar për punën në tempull dhe punën e historisë familjare.” (Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 95)
Rivendosja e ungjillit siguron një model për marrjen e zbulesës.
Vini në dukje se parimet e zbulesës që i mësuan Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri, iu zbuluan atyre me kalimin e kohës, në përputhje me rrethanat që u shfaqën dhe pyetjet që ata bënë. Kjo ilustron një të vërtetë të rëndësishme që Zoti e dha mësim në disa prej zbulesave.
Ftoni tre studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë te Doktrina e Besëlidhje 42:61; 50:24; 98:12. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që na mësojnë këto fragmente rreth mënyrës se si Zoti na zbulon të vërtetën dhe vullnetin e Tij.
-
Si do ta përmblidhnit një të vërtetë që e japin mësim këto vargje, rreth marrjes së zbulesës nga Zoti? (Duke përdorur fjalët e studentëve, paraqitni ose shkruani në tabelë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Zoti na e zbulon të vërtetën “rresht pas rreshti, parim pas parimi”.)
Kujtojini studentët se në pjesën 3 të materialit të përgatitjes, ata mësuan rreth modeleve të marrjes së zbulesës nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ftojini studentët të tregojnë se çfarë u ra në sy nga mësimet e dhëna prej tij. Gjithashtu mund t’i pyesni se si analogjitë e tij që lidhen me zbulesën, mund të na ndihmojnë të kuptojmë më mirë të vërtetën e paraqitur ose të shkruar në tabelë.
-
Si mund ta ndihmojë të kuptuarit e kësaj të vërtete dikë që ndien se ai ose ajo nuk po merr përgjigje apo udhërrëfim nga Zoti?
-
Çfarë përvoje keni pasur me situata kur përgjigjja apo udhërrëfimi po vinte gradualisht me kalimin e kohës?
Mbylleni duke dëshmuar ose duke ftuar ndonjë nga studentët që do të dëshirojë të dëshmojë, për të vërtetat rreth zbulesës që u dhanë mësim gjatë orës mësimore.
Për Herën Tjetër
Pyetini studentët se çfarë mendojnë se mund të jenë mrekullitë më të mëdha të Rivendosjes. Ftojini ta studiojnë materialin e përgatitjes për mësimin e ardhshëm rreth daljes në dritë të Librit të Mormonit dhe të marrin parasysh mrekullitë që lidhen me ruajtjen, përkthimin dhe botimin e Librit të Mormonit.