“Mësimi 12 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Ngritja e Kauzës së Sionit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)
“Mësimi 12 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes
Mësimi 12 Materiali i Përgatitjes së Klasës
Ngritja e Kauzës së Sionit
Profeti Jozef Smith dha mësim: “Ne duhet ta kemi ndërtimin e Sionit si objektivin tonë më të madh” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 195). Teksa e studioni këtë material, kërkoni të vërtetat që do t’ju ndihmojnë të kuptoni se çfarë është Sioni, përse kemi nevojë ta ndërtojmë Sionin dhe atë që mund të bëni për të ndihmuar për këtë përpjekje.
Pjesa 1
Çfarë do të thotë të ngresh Sionin?
Në dhjetor 1830, ndërkohë që Jozef Smithi punonte për përkthimin e Biblës, Zoti zbuloi, siç shënohet tani te Moisiu 7, se profeti i Dhiatës së Vjetër, Enoku, kishte ndërtuar një qytet të quajtur Sion.
Shihni materialin filmik “Teachings of Joseph Smith: Preparing for Zion” [“Mësimet e Jozef Smithit: Përgatitja për Sionin”] (1:42) ose studioni thënien e Profetit Jozef Smith më poshtë:
Profeti Jozef Smith shpalli:
“Ndërtimi i Sionit është një kauzë që u ka interesuar njerëzve të Perëndisë në çdo kohë; … ata e kanë shpresuar me pritje të gëzuar ditën në të cilën jetojmë ne; dhe të frymëzuar me parashikime qiellore e të gëzueshme, ata kanë kënduar dhe shkruar, dhe profetizuar për këtë ditën tonë; … ne jemi populli i favorizuar që Perëndia e ka përzgjedhur për të sjellë lavdinë e ditëve të mëvonshme; na është lënë neve që ta shohim, të marrim pjesë dhe të ndihmojmë për ta çuar përpara lavdinë e ditëve të mëvonshme.
Çfarëdo vendi ku mblidhen shenjtorët është Sion, të cilin çdo burrë [dhe grua] i drejtë do ta ndërtojë si një vend sigurie për fëmijët e tij [dhe të saj]. …
… Po vjen shpejt koha kur asnjë njeri nuk do të ketë paqe, përveçse në Sion dhe në kunjet e [tij].” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 194–195)
Në një zbulesë dhënë Profetit Jozef Smith, Zoti shpalli se Sioni gjithashtu u drejtohet “të kulluar[ve] në zemër” (Doktrina e Besëlidhje 97:21).
Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Sioni është si një vend ashtu edhe një popull. …
Sioni është Sion për shkak të karakterit, cilësive dhe besnikërisë së qytetarëve të tij. … Nëse do ta vendosnim Sionin në shtëpitë, degët, lagjet dhe kunjet tona, … [d]o të jetë e domosdoshme 1) të bashkohemi në një zemër e një mendje; 2) të bëhemi, si individë dhe si kolektiv, një popull i shenjtë dhe 3) të kujdesemi për të varfrit dhe nevojtarët me aq efektshmëri, sa të zhdukim varfërinë mes nesh. Nuk mund të presim derisa të vijë Sioni, që të ndodhin këto gjëra – Sioni do të vijë vetëm kur ato të ndodhin. …
Ne do të bëhemi të një zemre dhe të një mendjeje kur individualisht e vendosim Shpëtimtarin në qendër të jetës sonë dhe i ndjekim ata që Ai u ka dhënë autoritetin të na drejtojnë.” (D. Tod Kristoferson, “Ejani në Sion”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 37–38)
Për më shumë informacion rreth karakteristikave të një populli si ai i Sionit, shih 4 Nefi 1:1–4, 15–18.
Pjesa 2
Çfarë u ndodhi shenjtorëve në Misuri, të cilët u përpoqën ta ndërtonin Sionin?
Një vit pas organizimit të Kishës, Zoti e përcaktoi Indipendensën në kontenë Xhekson në Misuri si “vendi[n] qendror” (Doktrina e Besëlidhje 57:3) të Sionit, ku shenjtorët do të mblidheshin dhe do të ndërtonin qytetin e shenjtë të Sionit, gjithashtu të përmendur si Jerusalemi i Ri (shih Doktrina e Besëlidhje 45:64–66; 57:1–3).
Nën drejtimin e Profetit, anëtarët e hershëm të Kishës u përpoqën të ngrinin një qytet të Sionit në kontenë Xhekson, por hasën vështirësi që të zhvillonin një marrëdhënie të mirë me qytetarët atje. Mosmarrëveshjet lidhur me çështjet e fesë, skllavërisë, politikës dhe popullata në rritje e shenjtorëve i shtynë shumë prej qytetarëve të tjerë të kontesë Xhekson që të bënin thirrje për dëbimin e shenjtorëve nga konteja.
Më 20 korrik 1833, një turmë e qytetarëve në kontenë Xhekson u ballafaquan me udhëheqësit vendorë të Kishës në një mbledhje në gjykatë dhe kërkuan që shenjtorët tʼi mbyllnin zyrën për botimet dhe dyqanin e tyre, si edhe të largoheshin nga konteja. Udhëheqësit e Kishës nuk pranuan, kështu që turma e shkatërroi zyrën e Kishës për botimin dhe e lyen me zift dhe e mbuluan me pupla Peshkopin Eduard Partrixh dhe anëtarin e Kishës Çarls Alenin. Tri ditë më vonë, turma kërcënoi se do të kishte më shumë dhunë. Të detyruar, udhëheqësit vendorë të Kishës ranë dakord të largoheshin nga konteja deri në pranverën e ardhshme. Gjithsesi, kur udhëheqësit dhe anëtarët e Kishës më vonë vendosën të qëndronin dhe të luftonin për të drejtat e tyre në vjeshtën e vitit 1833, dhuna e turmës vazhdoi.
Plaku Parli P. Prat rrëfeu:
“Kompanitë e horrave po endeshin nëpër konte në çdo drejtim; duke u futur me forcë nëpër shtëpitë pa pasur frikë, … duke i trembur gratë e fëmijët dhe duke i kërcënuar se do t’i vrisnin nëse nuk merrnin menjëherë arratinë. …
… Gratë dhe fëmijët morën arratinë në çdo drejtim. Një grup prej gati njëqind e pesëdhjetë vetash u larguan drejt stepës ku u endën për shumë ditë, kryesisht pa ushqim; dhe asgjë përveç [qiellit] të hapur për strehimin e tyre. Grupe të tjera u larguan drejt lumit Misuri. Gjatë shpërndarjes së grave dhe fëmijëve, grupet po ndiqnin burrat, po qëllonin mbi disa, po i lidhnin dhe rrihnin të tjerët dhe disa i ndoqën për shumë kilometra. …
Bregu [i lumit Misuri] filloi të mbushej në të dyja anët e linjës së tragetit me burra, gra e fëmijë; mallra, karro, kuti, furnizime etj., ndërkohë që trageti qe vazhdimisht në punë. … Qindra njerëz shiheshin në çdo drejtim, disa në tenda dhe disa në qiell të hapur përreth zjarreve të tyre, ndërsa shiu binte si rrëke. Burrat kërkonin gratë e tyre, gratë burrat e tyre; prindërit fëmijët dhe fëmijët prindërit. Disa patën fatin e mirë që të arratiseshin me familjet e tyre, me të mirat materiale nga shtëpitë dhe disa rezerva ushqimore; ndërsa të tjerë nuk e dinin fatin e miqve të tyre dhe i kishin humbur gjithë gjërat. …
… Çdo anëtar i shoqërisë [sonë] u dëbua nga konteja dhe fushat e misrit i rrënuan e shkatërruan; duajt e grurit i dogjën, të mirat materiale të shtëpive i plaçkitën, ndërtimet shtesë dhe çdo lloj pronësie e shkatërruan.” (Autobiography of Parley Parker Pratt, red. Parley P. Pratt Jr. [1938], f. 101–103)
Më shumë se 1 000 shenjtorë i dëbuan nga konteja Xhekson dhe më shumë se 200 prej shtëpive të tyre i dogjën.
Pjesa 3
Çfarë i pengoi shenjtorët që të mos e krijonin Sionin në kontenë Xhekson në Misuri?
Në muajt që pasuan dëbimin me dhunë të shenjtorëve nga konteja Xhekson, Zoti i zbuloi Profetit Jozef Smith arsyet përse Ai kishte lejuar që shenjtorët e Tij të përndiqeshin dhe të dëboheshin nga tokat dhe shtëpitë e tyre. Teksa studioni fragmentet vijuese të shkrimeve të shenjta nga Doktrina e Besëlidhje 101 dhe 105, shikoni se cilat veprime dhe qëndrime i penguan shenjtorët për ngritjen e Sionit në kontenë Xhekson në Misuri.
Pjesa 4
Cila është e ardhmja e Sionit?
Plaku Kristoferson dha mësim se kur e ngremë Sionin, ne e përgatitim veten tonë dhe botën për ta pranuar Shpëtimtarin në Ardhjen e Tij të Dytë:
“Vendimtare për kthimin e Zotit, është prania në tokë e një populli të përgatitur për ta pritur Atë në ardhjen e Tij. …
Në kohët e lashta, Perëndia e mori për Vete qytetin e drejtë të Sionit. Në dallim me këtë, në ditët e fundit, një Sion i ri do ta presë Zotin në kthimin e Tij. …
Ndërkohë që përpiqemi fort të jemi të zellshëm në ndërtimin e Sionit, duke e përfshirë pjesën tonë në mbledhjen e të zgjedhurve të Zotit dhe në shëlbimin e të vdekurve, ne duhet të ndalemi për të kujtuar se kjo është vepra e Zotit dhe se Ai po e bën atë. …
Kjo periudhë madhështore dhe e fundit ungjillore po shkon vazhdimisht drejt kulmit të saj – Sioni në tokë, që bashkohet me Sionin nga lart në kthimin e lavdishëm të Shpëtimtarit. … Le të punojmë për ndërtimin e Sionit për ta përshpejtuar atë ditë.” (D. Tod Kristoferson, “Duke u Përgatitur për Kthimin e Zotit”, Ensign ose Liahona, maj 2019, f. 82–84)