“Mësimi 3 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Marrja e Njohurisë Shpirtërore”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)
“Mësimi 3 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes
Mësimi 3 – Materiali i Përgatitjes së Klasës
Marrja e Njohurisë Shpirtërore
Nganjëherë ne zbulojmë informacion të ri që na befason ose na shtron pyetje lidhur me doktrinën, praktikat apo historinë e Kishës. Mënyra se si i formuloni pyetjet tuaja dhe vendi ku shkoni për përgjigje, mund ta forcojë ose ta dobësojë besimin tuaj. Ndërkohë që studioni se si të merrni njohuri shpirtërore, përcaktoni parime që mund t’ju ndihmojnë teksa kërkoni përgjigje sipas mënyrës së Zotit.
Pjesa 1
A është në rregull të kemi pyetje rreth Kishës?
Shkrimet e shenjta na nxitin në mënyrë të përsëritur që t’i bëjmë pyetje Perëndisë (shih Jakob [Bibël] 1:5; Doktrina e Besëlidhje 88:63). Ndërkohë që shërbente në Presidencën e Parë, Presidenti Diter F. Uhtdorf dha mësim:
“Miqtë e mi të rinj, të dashur, ne jemi një popull që bëjmë pyetje. Gjithnjë kemi qenë, sepse e dimë që kërkimi çon tek e vërteta. … Ajo është mënyra se si e pati Kisha nisjen e saj, nga një i ri që pati pyetje. Në fakt, nuk jam i sigurt se si dikush mund ta zbulojë të vërtetën pa bërë pyetje. Kërkimi është vendlindja e dëshmisë. Bërja e pyetjeve nuk është një shenjë dobësie. Është një pararendëse e rritjes.” (“Pasqyrimi në Ujë”, takim shpirtëror i Sistemit Arsimor të Kishës [1 nëntor 2009], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org)
Ati Qiellor dhe Jezu Krishti gëzohen të na japin njohuri dhe kuptim. Ne rritemi shpirtërisht kur bëjmë pyetje dhe kërkojmë përgjigje me çiltërsi e besim. Mbani mend që teksa Zoti na ndihmon të mësojmë që të kemi besim tek Ai, Ai mund të mos japë çdo përgjigje për çdo pyetje që kemi në këtë jetë. Në fakt, nuk na duhet të gjejmë përgjigje për çdo pyetje për të marrë dëshmi dhe për të qëndruar si dëshmitarë të së vërtetës. Por bërja e pyetjeve të sinqerta mund të na ndihmojë që të vazhdojmë të mësojmë e të rritemi.
Pjesa 2
Si do të donte Zoti që unë të kërkoja përgjigje ndaj pyetjeve dhe të merrja njohuri shpirtërore?
Parimet në vijim mund t’ju ndihmojnë të kërkoni përgjigje ndaj pyetjeve dhe t’i zgjidhni shqetësimet sipas mënyrës së Zotit:
-
Veproni me besim.
-
Shqyrtojini konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm.
-
Kërkoni kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore.
Teksa i studioni këto parime të marrjes së njohurisë shpirtërore më poshtë, merreni parasysh shenjimin e thënieve ose pikave domethënëse që ju bien në sy, në mënyrë që të mund t’ia tregoni klasës dhe t’iu referoheni atyre më vonë.
Veproni me Besim
Besimi fillon me bindjen se Perëndia jeton, i di të gjitha gjërat dhe është burimi i gjithë së vërtetës. Ne veprojmë me besim kur zgjedhim ta mirëbesojmë Perëndinë dhe të kthehemi tek Ai nëpërmjet lutjes së sinqertë, studimit të mësimeve të Tij dhe bindjes ndaj urdhërimeve të Tij. Zoti na fton: “Mos dyshoni, por jini besues” (Mormoni 9:27). Teksa krijojmë një model të veprimit me besim në jetën tonë të përditshme, ne ndërtojmë një themel të fortë mbi Jezu Krishtin, i cili na siguron që të mbetemi të fortë edhe kur përballemi me pyetje ose sfida të vështira (shih Helamani 5:12).
Kur hasni informacion ose pretendime që nuk i kuptoni ose që ua sfidojnë bindjet tuaja fetare, nuk nevojitet të vini në dyshim dëshminë tuaj ose përvojat tuaja shpirtërore të së kaluarës. Gjatë çasteve të tilla, Plaku Xhefri R. Holland këshilloi: “Mos u trembni dhe mos u zmbrapsni. Mos e humbisni vetëbesimin tuaj. Mos harroni se si u ndiet një herë e një kohë. Mos e humbni besimin te përvoja[t shpirtërore] që i [keni] pasur” (“Remember How You Felt”, New Era, gusht 2004, f. 6). Përkundrazi, “mbahuni fort tek ajo që tashmë e dini dhe qëndroni të paepur derisa vjen dija e mëtejshme” (Xhefri R. Holland, “Unë Besoj, o Zot”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 94).
Ndërkohë që “mbah[e]ni fort tek ajo që tashmë e dini”, kujtoni se sjellja dhe qëllimi me të cilët i bëni pyetjet dhe i kërkoni përgjigjet, do të ndikojnë në një pjesë të madhe të aftësisë suaj për të mësuar nga Fryma e Shenjtë. Ky proces kërkon përulësi, çiltërsi dhe qëllim të vërtetë për të vepruar sipas së vërtetës që marrim nga Zoti.
Kur Jozef Smithi u përball me një klimë fetare, të mbushur me “ngatërresa dhe grindj[e] midis zotërimeve të ndryshme” (Joseph Smith – Historia 1:8), ai mund ta kishte humbur lehtësisht kurajën, ta kishte lejuar dyshimin të mbushte zemrën e tij dhe të “mbete[j] në errësirë dhe ngatërresë” (vargu 13). Në vend të kësaj, ai kërkoi në shkrimet e shenjta dhe i bëri shumë përshtypje mesazhi që gjendet te Jakob [Bibël] 1:5 që të “kërko[nte] nga Perëndia”. Duke vepruar me besim, ai shkoi në korije, “ra në gjunjë dhe fillo[i] t’i trego[nte] dëshirat e zemrës [së tij] Perëndisë” (Joseph Smith – Historia 1:15). Lutja e tij e sinqertë mori përgjigje me një vegim qiellor. Ai u largua nga korija pasi kishte “mësuar vetë” përgjigjet për pyetjet e tij (vargu 20).
Shqyrtojini Konceptet dhe Pyetjet me një Këndvështrim të Përjetshëm
Për t’i shqyrtuar konceptet doktrinore, pyetjet dhe çështjet shoqërore me një këndvështrim të përjetshëm, ne i marrim ato parasysh në kontekstin e planit të shpëtimit dhe të mësimeve të Shpëtimtarit. Ne e kërkojmë ndihmën e Frymës së Shenjtë me qëllim që t’i shohim gjërat ashtu sikurse i sheh Zoti (shih 1 Korintasve 2:5, 9–11). Kjo metodë na ndihmon t’i shohim gjërat nga këndvështrimi i Zotit në vend të këndvështrimit të botës. Ne mund ta bëjmë këtë duke bërë pyetje të tilla si: “Çfarë di unë tashmë rreth Atit Qiellor, planit të Tij dhe mënyrës se si Ai vepron me fëmijët e Tij?” dhe “Cilat mësime të ungjillit e qartësojnë ose lidhen me këtë koncept apo çështje?”
Pyetjet lidhur me ngjarjet historike gjithashtu duhet të shqyrtohen nga një këndvështrim i përjetshëm. Kjo mund të ndihmojë gjithashtu që pyetjet historike të shqyrtohen në kontekstin e duhur historik, duke marrë parasysh kulturën dhe standardet e sjelljes së periudhës kohore në vend që të japim me detyrim këndvështrime dhe qëndrime bashkëkohore. Për shembull, nëse zbuluat një paraardhës prej viteve 1 800 që u martua në moshën 14 ose 15‑vjeçare, ju mund ta shihni atë si një martesë në moshë shumë të re, në qoftë se nuk e kuptoni që në atë periudhë kohore kjo nuk ishte diçka e pazakontë.
Është e rëndësishme të kujtojmë se hollësitë historike nuk mbartin fuqinë shpëtuese të ordinancave, besëlidhjeve dhe doktrinës. Të na tërhiqet vëmendja prej hollësive më pak domethënëse në kurriz të humbjes së mrekullisë në shpalosje e sipër të Rivendosjes, është si të kaloni kohë duke shqyrtuar një kuti dhurate dhe duke mos e përfillur mrekullinë e vetë dhuratës.
Kërkoni Kuptueshmëri të Mëtejshme nëpërmjet Burimeve të Caktuara në Mënyrë Hyjnore
Përfytyroni që një i panjohur akuzoi njërin nga njerëzit tuaj të dashur se bëri diçka gabim. Si do ta gjenit nëse ata po tregonin të vërtetën apo qenë mashtruar? Cili do të ishte rreziku nëse i besonit të panjohurit pa hetim të mëtejshëm të çështjes?
Nëpërmjet internetit, ne kemi mundësi të pashembullt për informacion të mirë. Në të njëjtën kohë, interneti na ekspozon ndaj një sulmi të furishëm nga informacione të dyshimta. Ngaqë interneti nuk na e filtron automatikisht informacionin e gënjeshtërt, mashtrues apo të rremë, ne duhet ta filtrojmë atë vetë. Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, paralajmëroi: “Ne kemi nevojë të jemi të vëmendshëm kur e kërkojmë të vërtetën dhe kur zgjedhim burime” (“Truth and the Plan”, Ensign ose Liahona, nëntor 2018, f. 25).
Si pjesë e procesit të caktuar nga Zoti për ta fituar njohurinë shpirtërore, Ai ka krijuar burime nëpërmjet të cilave Ai u zbulon vërtetësi dhe udhërrëfim fëmijëve të Tij. Këto burime të caktuara në mënyrë hyjnore përfshijnë Dritën e Krishtit, Frymën e Shenjtë, shkrimet e shenjta, udhëheqësit e Kishës dhe pjesëtarët besnikë të familjes. Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve – profetët e Zotit në tokë sot – janë një burim jetik i së vërtetës. Zoti i ka zgjedhur e shuguruar këta individë që të flasin për Të.
Ne gjithashtu mund ta mësojmë të vërtetën nëpërmjet burimeve të tjera të denja për t’u besuar. Megjithatë, kërkuesit e sinqertë të së vërtetës duhet të jenë të vëmendshëm ndaj burimeve të pasigurta të informacionit. Kur mësojmë t’i dallojmë dhe t’u shmangemi burimeve të pasigurta, kjo mund të na mbrojë nga keqinformimi dhe nga ata që përpiqen ta shkatërrojnë besimin. Pyetjet dhe udhëzimet vijuese mund t’ju ndihmojnë ndërsa përcaktoni sigurinë e burimeve: