2010
Eksperimentimi me Besimin Tim
Prill 2010


Rinia

Eksperimentimi me Besimin Tim

Kur isha 13 vjeç, fillova të lexoja çdo ditë nga Libri i Mormonit dhe jam bekuar çdo ditë qysh atëherë.

Klasa jonë me 13-vjeçarë e Shkollës të së Dielës nuk shquhej tamam për nderimin tonë. Megjithatë, ne kishim një mësuese të shkëlqyer që përpiqej me gjithë fuqitë ta zhvillonte çdo mësim me anë të Shpirtit. Një mësim i tillë qe për leximin e shkrimit të shenjtë.

Në fund të mësimit ajo na bëri një sfidë. Ajo ishte për të gjithë ne, por për ndonjë arsye ajo pa drejt e tek unë ndërsa tha: “Ju bëj sfidën që të lexoni nga Libri i Mormonit për çdo ditë të veçantë!” Mendova me vete: “Do të ta tregoj. Unë do ta bëj këtë!”

Unë fillova kapitullin 1 të 1 Nefi po atë natë dhe vazhdova të lexoj çdo ditë. Ndoshta nuk kisha qëndrimin e duhur kur fillova, por gjatë kohës fillova ta pëlqej mënyrën si më bënte të ndihesha leximi i Librit të Mormonit. Leximi për çdo natë u bë një zakon i kënaqshëm.

Muaj më vonë arrita tek Alma 32 dhe më la mbresë ideja e një eksperimentimi me besimin. Në shkollë sapo kishim mësuar për zhvillimin e eksperimenteve shkencore, kështu që u gjunjëzova dhe i thashë Atit Qiellor se po e filloja eksperimentin. I kërkova që të arrija të dija nëse Libri i Mormonit ishte i vërtetë.

Duke hedhur vështrimin pas, unë e di që Ati Qiellor iu përgjigj lutjeve të mia shumë herë. Leximi i përditshëm nga Libri i Mormonit më dha aftësi më të madhe për të mposhtur të ligën. U ndjeva më pranë Atit tim në Qiell. U ndieva i forcuar nga fuqia e Frymës së Shenjtë për të kapërcyer pengesat. Ajo çfarë tha Alma për eksperimentimin me fjalën e Perëndisë është e vërtetë: “Po fillon të zmadhojë shpirtin tim; po, po fillon të ndriçojë kuptimin tim, po, po fillon të jetë e këndshme për mua” (Alma 32:28).