2010
Një Fustan Martese dhe një Plan
Prill 2010


Një Fustan Martese dhe një Plan

“Martesa shugurohet nga Perëndia” (DeB 49:15).

Lori u ul në shtratin e motrës së saj më të madhe, ndërsa Kerina përfundoi së përgatituri çantën e saj për në tempull. Kerina martohej atë ditë.

Lori ishte e emocionuar që shkonte atë mbrëmje në pritjen martesore, por gjithashtu ndihej e trishtuar. Vëllai i saj më i madh, i cili kishte shërbyer në një mision, mund të hynte brenda tempullit bashkë me Kerinën. Edhe prindërit e saj mund të hynin. Por Lori dhe vëllezërit e saj më të vegjël nuk mund të hynin brenda.

“Sa do të doja të mund të isha në tempull me ju”, tha Lori.

Kerina ngriti sytë nga çanta që përgatiste. “Edhe unë, por ti do të jesh në rregull jashtë. Dhe ndonjë ditë unë do të shkoj në tempull me ty kur të martohesh.”

Lori nuk u ndie më aq e trishtuar, por pyeste veten për diçka tjetër. “Si e dije ti që doje të martoheshe me Matin?” pyeti ajo.

Kerina u ul pranë Lorit. “Para shumë kohësh unë mësova që Ati Qiellor ka një plan për mua. Kur takova Matin, unë kuptova që ne mund ta përmbushnim atë plan së bashku.”

“E ke plotësuar atë plan?” pyeti Lori.

Kerina mohoi duke tundur kokën. “Mati dhe unë dëshirojmë të kemi fëmijë, të përfundojmë arsimimin dhe akoma më shumë.”

Lori vështroi fustanin e bardhë e të bukur të martesës që ishte varur te dera e dollapit të Kerinës. “Fustanin e ke shumë të bukur”, tha ajo.

Kerina buzëqeshi. “Ai është një pjesë tjetër e planit”, tha ajo. “Unë gjithnjë kam dashur të martohem në tempull, prandaj fustani im duhet të jetë i thjeshtë.”

Disa orë më vonë, Lori pa Kerinën dhe Matin që dilnin nga tempulli. Fytyra e tyre shkëlqente.

Lori vrapoi drejt Kerinës dhe e rrethoi me krahët e saj.

Disa javë më vonë Lori mori një fotografi me postë. Ishte një fotografi e Kerinës dhe e Matit që qëndronin përpara tempullit. Kerina kishte shkruar në krye: “Ati Qiellor ka një plan për ty”.

Lori e vendosi fotografinë në komonë e saj. Ajo premtoi me vete se një ditë do të shkonte në tempull dhe do të kishte të njëjtin shkëlqim që ndriti në fytyrën e motrës së saj.

Ilustrim nga Jennifer Tolman; fotografija © Busath.com