Bekuar nga Mama Tamino
Viktor D. Keiv, Revistat e Kishës
Kur takova Taumatagi Tamino, isha misionar i ri që po punoja në vetë vendin tim. Motra Tamino, vejushë në moshë të thyer, ishte paksa e kërrusur përpara nga mosha dhe puna e vështirë, por ajo gjithmonë shtrinte krahët e saj për të përshëndetur shokun tim misionar e mua dhe na puthte në të dyja faqet, sipas zakonit që kanë në Polinezinë Franceze.
Motra Tamino ishte e brishtë dhe ecja e saj ishte e ngadaltë dhe e matur, por ajo përkujdesej për këdo. Ajo gjithashtu sigurohej që shoku im misionar dhe unë të kishim gjithmonë rroba të pastra e të hekurosura. Fëmijëve u pëlqente t’i rrinin pranë sepse ajo i mirëpriste dhe ua vinte veshin gjërave që ata kishin për t’i thënë. Ajo bënte një jetë të thjeshtë në një shtëpi dy-dhomëshe rrethuar me rërë, palma, familje dhe miq. Nga respekti që kishin, të gjithë e thërrisnin “Mama Tamino”.
Presidenti i Misionit të Papetës në Tahiti na kishte caktuar shokun tim misionar, Plakun Tçan Fat, dhe mua të ndihmonim në përgatitjen e një grupi prej 80 Shenjtorësh të Ditëve të Mëvonshme për të marrë indaumentet e tyre dhe të vuloseshin si familje në tempullin më të afërt – Tempulli i Hamiltonit në Zelandën e Re, pesë orë larg me aeroplan. Mama Tamino kishte udhëtuar për në tempull çdo vit për gjashtë vjet dhe këtë vit do të shkonte përsëri. Pyesja veten sesi mund të përballonte udhëtime kaq të shtrenjta kur kushtet e saja të jetës ishin aq të varfra. Gjashtë vjet më vonë mësova përgjigjen.
Në vitin 1976, si president i Kunjit të Papetës në Tahiti, unë këqyrja rregullisht godinat e mbledhjeve të kunjit. Një ditë, në mesditë, ndalova tek kisha në Tiperu. Në atë kohë, ne patëm paguar kujdestarë, dhe aty gjeta Mama Taminon, tanimë nga fundi i të 60-ve të saj, duke punuar si kujdestare për të ndihmuar në mbajtjen e familjes së saj të madhe. Ajo më përshëndeti siç e kishte zakon: “Hajde dhe ha”, por unë iu përgjigja: “Mama Tamino, nuk je më e re dhe për drekë e gjitha që konsumoni a nuk është një copë e vogël bukë, një konservë e vogël me sardele dhe një shishe e vogël me lëng frutash? A nuk fitoni mjaftueshëm që të hani më shumë ushqim sesa kaq?”
Ajo u përgjigj: “Unë po kursej për të udhëtuar përsëri për në tempull.” Zemra ime u prek nga admirimi për shembullin e saj të dashurisë dhe sakrificës. Mama Tamino udhëtoi në tempullin në Zelandën e Re për afro 15 herë – çdo vit derisa u dedikua Tempulli i Papitës në Tahiti, që u dedikua në tetor 1983. Gjatë dedikimit ajo rrezatonte gëzim.
Në vitin 1995, këtë herë si president misioni, pashë përsëri Mama Taminon. Ajo kishte shkuar sërish në atolin e Makemos, jo larg nga vendlindja e saj. Tanimë në të 80-tat e saja, nuk mund të ecte më, por rrudhat e fytyrës së saj shfaqnin paqe, durim dhe një kuptim të thellë të jetës dhe të ungjillit. Ajo përsëri kishte një buzëqeshje të bukur dhe sytë e saj shfaqnin dashuri hyjnore të pastër.
Mëngjesin tjetër herët, e gjeta të ulur në një nga shtretërit e luleve të godinës së mbledhjeve, duke shkulur barërat e këqija dhe pastruar. Një nga bijtë e saj e kishte shpënë në krahë deri atje. Pasi mbaronte një zonë, përdorte duart e krahët e saj për t’u zhvendosur vetë në zonën tjetër. Kjo ishte mënyra sesi ajo vazhdonte t’i shërbente Zotit.
Pasdite vonë, kur po bëja intervista për rekomandime tempulli, Mama Taminon e sollën aty ku isha ulur, në hijen e një peme pranë ndërtesës së kishës. Ajo donte të kishte mundësinë t’i përgjigjej secilës pyetje që kërkohej për një rekomandim tempulli.
“President, unë nuk mund të shkoj dot më në tempull”, tha ajo. “Po plakem e sëmurem, por gjithmonë dua të kem një rekomandim aktual tempulli me vete.”
Ishte e dukshme sesa shumë donte të kthehej në tempull dhe e dija se dëshira e saj ishte e pranueshme për Perëndinë. Jo shumë kohë më pas, e la tabernakullin e saj tokësor për t’u bashkuar me ata të cilëve u kishte shërbyer besnikërisht në shtëpinë e Zotit. Ajo nuk mori me vete asgjë përveç besimit, dëshmisë e mirësisë së saj, dashurisë hyjnore dhe gatishmërisë së saj për të shërbyer.
Mama Tamino ishte një pioniere e vërtetë polineziane, shembulli i së cilës bekoi shumë prej vëllezërve e motrave të saja – përfshirë mua.