2010
Bërja e Martesës në Tempull një Përparësi
Prill 2010


Bërja e Martesës në Tempull një Përparësi

Vitali dhe Ekaterina (Katia) Shmakov u lindën përkatësisht në Omsk, Rusi dhe Ekaterinburg, Rusi. Të dy u bashkuan me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme kur ishin adoleshentë dhe të dy shërbyen misione – Vitali në Misionin e Çekisë, Pragë dhe Katia në Misionin e Rusisë, Novosibirsk. Ata thonë se kthimi u hapi mendjet mbi mundësitë e jetës së lumtur, të sigurt, përmbushëse dhe misionet e tyre çimentuan dëshirat e tyre për të krijuar shtëpi të përqendruara në ungjill, duke filluar me martesën në tempull. Kjo është historia e tyre.

Vitali: Kur kisha pak muaj që isha kthyer në shtëpi nga misioni, më kërkuan të bëhesha këshilltar në një konferencë vendore të rinisë. Stivën C. Smith, presidenti i Misionit të Rusisë, Novosibirsk, më thirri në zyrën e tij. Unë parashikova një thirrje të re apo ndonjë lloj intervistë formale. Në vend të kësaj, Presidenti Smith më tregoi për dikë që donte ta takoja – një e re që kishte përfunduar kohët e fundit misionin dhe ishte kthyer në shtëpi në një pjesë tjetër të Rusisë, por që do të ishte në qytet për konferencën.

Unë nuk e kisha parë kurrë Katian më parë, por me të arritur në konferencë, unë iu prezantova dhe ne folëm siç e donte rasti për disa minuta. Më vonë atë natë unë e ftova Katian për një vallëzim. Ditën tjetër e ftova për një tjetër.

Katia: Duke u rritur, unë nuk njihja shumë të rinj, beqarë mbajtës të priftërisë, por gjithnjë shpresoja që Zoti do të dhuronte një të ri të denjë që unë të martohesha. Unë nuk e kisha idenë kur apo si do të takoheshim, por kisha besim tek Zoti dhe premtimet e Tij.

Pas misionit tim, u ftova të ndihmoj kujdestaren në një konferencë rinie. Kur pashë Vitalin në konferencë, menjëherë u interesova për ta njohur. Ne kaluam së bashku tri ditët më të mrekullueshme dhe të paharrueshme në konferencë.

Unë ndjeva herët një nxitje të fortë që Vitali ishte burri me të cilin do të martohesha. Sigurisht, jo çdokush do të përjetojë këtë lloj ndjenje kaq herët në një vardisje. Kështu, si e mësojmë se jemi duke lëvizur në drejtimin e duhur? Unë mësova gjatë misionit tim të njoh Shpirtin dhe të ndjek drejtimin e Tij pa asnjë dyshim. Kështu, kur ndjeva nxitjet që më duhej ta njihja Vitalin, unë vendosa t’i ndjek ato.

E di se Shpirti do të na drejtojë të gjithëve nëse kërkojmë shoqërimin e Tij. Është e rëndësishme që të mos krahasojmë rrugën tonë me atë të të tjerëve – Shpirti mund të mos na drejtojë të gjithëve saktësisht në të njëjtën mënyrë – por nëse ndjekim Shpirtin, ne mund të kemi besim që rruga jonë është e drejtë për ne.

Kapërcimi i Pengesave

Vitali: Gjatë atyre tre ditëve, unë kuptova se kisha gjetur një njeri të veçantë. U mërzita kur konferenca mbaroi dhe Katia e unë duhej të ndaheshim. Për fat, megjithatë, ishte një konferencë të rinjsh beqarë muajin tjetër. Unë menjëherë fillova të prisja me padurim për të.

Ajo konferencë ishte po aq e mrekullueshme sa kisha shpresuar. Katia dhe unë kaluam mjaft kohë duke e njohur vërtet njëri-tjetrin. Kur aktiviteti mbaroi, ne shkëmbyem numrat e telefonit dhe u kthyem në qytetet tona përkatëse.

Gjatë javëve më pas ne mbajtëm lidhje më shumë me telefon dhe me mesazhe të shkruara. (Unë mendoj se në më pak se një muaj mësova të shkruaj në celular më shpejt nga sa mund të shkruajnë shumë njerëz në laptop!)

Katia jetonte në Ekaterinburg, që është 11 orë larg me tren nga ku jetoja unë në Omsk, Siberi. Sidoqoftë, ne të dy donim së tepërmi ta shihnim njëri-tjetrin përsëri. Ne filluam të bëjmë udhëtime të rregullta fundjavëve. Unë do të shkoja ta shihja atë një fundjave dhe disa javë më vonë, ajo do të më vizitonte mua. Kur vizitoja Katian, qëndroja me miq të përbashkët në qytetin e saj dhe kur ajo më vizitonte, qëndronte me miq të përbashkët që jetonin në qytetin tim. Ne shpesh kalonim kohën me këta miq nga kisha gjatë vizitave tona.

Katia: Njëmbëdhjetë orë mund të duken një udhëtim i gjatë, por për Rusinë ky është shi një udhëtim i shkurtër! Për shkak të largësisë, takimet tona nuk ishin aq të shpeshta sa do të na pëlqente. Ne mund të ishim bashkë vetëm një herë në çdo pak javë dhe të kalonim dy ose tre ditë bashkë përpara se njëri nga ne të kthehej në shtëpi. Shpesh, ndienim se kishim nevojë për shumë më shumë kohë se aq dhe ndarja ishte gjithnjë e vështirë. Por ngaqë na duhej të bënim një përpjekje të tillë për të parë njëri-tjetrin, ne e vlerësonim çdo minutë që kalonim bashkë. Ndërsa marrëdhënia jonë përparonte, filluam të shpresonim për një kohë kur neve nuk do të na duhej të thoshim mirupafshim.

Takimet tona ishin shumë interesante dhe të ndryshme: ne ngisnim biçikleta dhe kuaj, vizitonim muzeume, lexonim shkrimet e shenjta, gatuanim, ecnim në parqe (madje kërcyem në një prej tyre) dhe shkonim në një jetimore për të shërbyer dhe luajtur me fëmijët.

Çdo herë që takoheshim, ne bënim diçka të re, kështu që argëtoheshim shumë. Unë vlerësoja sa krijues ishte Vitali në planifikimin e takimeve tona. Veprimtaritë që planifikonte na ndihmonin vërtet të njihnim njëri-tjetrin.

Vitali: Ngaqë isha student, vërtet nuk mund të përballoja shumë gjëra për argëtim. Unë shpenzoja shumë nga paratë e mia për udhëtimin që të shihja Katian dhe të paguaja faturën e telefonit. Por të kishim një buxhet të kufizuar nuk do të thoshte që takimet tona duhej të bëheshin jointeresante apo joproduktive. Në fakt, disa nga takimet tona më të mira nuk kushtuan asnjë qindarkë.

Mund të tingëllojë si budallallëk, por doja të shihja Katian si do të vepronte mes fëmijëve, kështu që shkuam në një jetimore. Ishte si me shumë nga takimet tona; ne vërtet u përpoqëm të mësonim sa më shumë mbi njëri-tjetrin.

Jeta sipas Mënyrës së Zotit

Vitali: Në Rusi, si në shumë vende, është normë për njerëzit të jetojnë bashkë përpara se të martohen. Pasi i propozova Katias, disa nga miqtë e mi më pyetën si mund të martohesha me të pa e ditur më parë nëse përshtateshim personalisht. Ata arsyetonin, siç bënin shumë të tjerë me Katian, se e vetmja mënyrë për ta ditur vërtetë nëse ajo ishte e përshtatshme për mua, ishte të jetoja me të për një periudhë të gjatë kohe.

U thashë atye se nuk ka nevojë të jetoj me një person për ta njohur. Unë u përpoqa gjithashtu t’u shpjegoj miqve të mi në një mënyrë që ta kuptonin se unë isha lutur dhe kisha marrë një përgjigje se duhej të martohesha me Katian. Pasi isha lutur për vendimin tim, unë nuk kisha frikë për jetën në martesë. Unë mezi prisja dhe ndjeja se një jetë krejt e re po shpalosej përpara meje. Askush ndonjëherë nuk më kundërshtoi apo kritikoi që mora këtë qëndrim. Në fakt, ata më mbështetën në vendimin tim.

Katia: Kur Vitali propozoi, prindërit e mi u përpoqën të më flisnin për të mos u martuar. Ata mendonin se ishte tepër herët për ne të fejoheshim dhe se unë kisha nevojë ta njihja Vitalin më mirë se aq. Përgjegjësi im në punë më tha të njëjtën gjë dhe shtoi: “Ju keni nevojë të jetoni së bashku përpara se të bëni një zgjedhje si kjo.”

Unë mërzitem që njerëzit ndjehen kështu mbi martesën dhe familjen. Unë nuk mendoj se ata e kuptojnë se sa të lumtur mund të jenë çiftet kur martohen dhe vulosen në tempull. Dashuria dhe lumturia e madhe që Vitali dhe unë ndiem në martesën tonë u bënë edhe më të forta nga dija që ne jemi vulosur për përjetësi.

Vitali: Katia dhe unë u martuam në Omsk më 25 shkurt 2006. (Ligjet e Rusisë kërkojnë një martesë civile përpara një vulosjeje në tempull, siç ndodh me shumë vende.) Mëngjesin tjetër ne u nisëm në udhëtim për në tempullin e Stokholmit në Suedi. Ne morëm aeroplanin në Omsk dhe fluturuam për tre orë në Moskë, ku ne kaluam pjesën tjetër të ditës. Pastaj ne morëm një tren për gjithë natën për në Shën Petërburg. Pasi mbërritëm atje ne morëm një autobus me shenjtorë të tjerë të ditëve të mëvonshme dhe udhëtuam për tetë orë për në Helsinki, Finlandë. Faza e fundit e udhëtimit tonë ishte një udhëtim 11-orësh me traget për në Stokholm.

Më në fund, ne kishim arritur në tempull.

Për disa, një udhëtim i tillë i gjatë duket si sfidë, por në shumë aspekte, udhëtimi ynë përmes Europës ishte një muaj mjalti i shkëlqyer.

Dita e vulosjes tonë, 1 mars 2006, ishte një ditë e madhe – një ditë paqeje dhe sigurie. Unë e dija se personi, dorën e së cilës po mbaja, ishte ajo me të cilën do të ndaja përjetësinë. Vetëm ky mendim më mbushte me gëzim dhe mirënjohje të madhe për Atin Qiellor që ma besonte bijën e Tij që të ishte gruaja ime. Unë ndihesha më afër Tij se kurrë më parë.

Kërkimi i Karakteristikave si të Krishtit

Katia: Tani Vitali dhe unë kemi një vajzë të vogël. Ajo është e mrekullueshme. Unë dua që ajo të martohet në tempull një ditë dhe mbështetja më e mirë që mund t’i jap është të jemi shokë dhe prindër të dashur.

Unë shpresoj që ajo të jetë e aftë të gjejë një mbajtës të denjë priftërie që ka shumë cilësi si të Krishtit. Ishte shikimi i atyre lloj cilësive tek Vitali që më ndihmuan të dija se mund të martohesha me të.

Çfarë më tërhoqi tek Vitali? Sigurisht, ai është i hijshëm e i zgjuar dhe ai di si t’i vardiset një gruaje. Por këto nuk ishin kriteri kryesor. Ai kishte atë që më pëlqen ta quaj “sy të një dishepulli të Krishtit”. Unë ndjeva një dritë te ai. Ai është një mbajtës i drejtë priftërie.

Vitali: Sigurisht, është fantastike të martohesh me dikë që të tërheq. Por kur fokusi ynë është vetëm mbi cilësi fizike, ne pashmangësisht harrojmë cilësitë më të rëndësishme – personalitetin, shpirtshmërinë dhe cilësi të tjera që vërtet kanë rëndësi për një martesë të qëndrueshme.

Unë kuptoj se mund të jetë një sfidë për disa të rinj të gjejnë një bashkëshorte në Kishë thjesht sepse nuk ka shumë shenjtorë të ditëve të mëvonshme atje ku jetojnë. Unë i mirëkuptoj ata. Sidoqoftë, unë e di se pavarësisht nga rrethanat ku ndodhemi, nëse ne bëjmë pjesën tonë dhe përgatitemi për tʼu vulosur në tempull, Ati Qiellor mund të japë një rrugë.

Majtas: Shmakovët në ditën e vulosjes së tyre në 2006-ën; udhëtimi i tyre për në tempullin e Stokholmit, Suedi vazhdoi rreth 30 orë.

Djathtas: Sot, Shmakovët kanë një vajzë të vogël. Katia thotë: “Unë dua që ajo të martohet në tempull një ditë dhe mbështetja më e mirë që mund t’i jap është të jemi shokë dhe prindër të dashur.”

Foto të familjes me mirësinë e Shmakovëve

Shtyp në Letër