Pyetje e Përgjigje
“Si mund të kem mendime të pastra kur shikoj kaq shumë mungesë modestie përreth meje?”
Duket sikur sot nuk ka asnjë vend ku mund të shkosh e të mos shikosh njerëz të veshur në mënyrë jomodeste, qoftë drejtpërdrejt njerëz ose në media. Mund të mos jeni gjithmonë në gjendje të kontrolloni mjedisin tuaj, por mund të kontrolloni mendimet tuaja.
Nëse shikoni një njeri të veshur në mënyrë jomodeste, shpejt mund t’i hidhni sytë tutje ose ta largoni veten nga situata. Nëse një mendim i papastër ju vjen në mendje, mos zgjidhni të jetoni me të, por përkundrazi shtyjeni jashtë me mendime të pastra. “Dhe virtyti duhet t’i stolisë mendimet e tua pa pushim; atëherë … Fryma e Shenjtë do të jetë shoqëruesi yt i vazhdueshëm” (DeB 121:45–46). Të pasurit e mendimeve të pastra do t’ju ndihmojë të jeni më të gëzuar dhe të keni ndikimin e Shpirtit me vete.
Bëjeni zakon që të keni gjithmonë mendime të pastra. Përpiquni të rrini me njerëz që vishen në mënyrë modeste dhe shmangni situatat ku mund të shihni veshje jomodeste. Lutuni që Ati Qiellor t’ju ndihmojë. Mësoni përmendësh himne ose shkrime të shenjta në mënyrë që të keni gjëra të mira për të menduar kur tundoheni. Lexoni shkrimet e shenjta rregullisht dhe frekuentoni tempullin nëse është e mundur. Kështu që kur të shikoni dikë të veshur në mënyrë jomodeste, të mund të mendoni për diçka pozitive.
Ne Nuk Jemi nga Bota
Ne duhet të mbajmë mend se jemi në botë por nuk jemi nga bota. Ne jemi bij e bija të veçanta të Atit tonë të dashur Qiellor. Për këtë arsye, kundërshtari na tundon edhe më shumë, por ne duhet të jemi më të fortë se tundimi. Njerëzit e botës mund të vishen në mënyrë jomodeste ngaqë nuk e dinë se trupi është një tempull i shenjtë. Por Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme e kanë këtë njohuri. Prandaj, ne duhet të qëndrojmë të virtytshëm dhe të pastër. Nëse mendime të këqija dynden në mendjen tonë, ne duhet të kërkojmë menjëherë ndihmën e Atit tonë Qiellor me anë të lutjes, sepse nuk ka asnjë më të mirë se Ai që të na ndihmojë.
Dajana H., 19 vjeçe San Paolo, Brazil
Kërkojini Miqve Tuaj që t’ju Ndihmojnë
Duke qenë e vetmja Shenjtore e Ditëve të Mëvonshme e klasës së gjashtë në shkollën time, unë përballem me gjuhë vulgare, mungesë modestie dhe presion për të ndjekur turmën. Por në fillim të vitit, unë u shpjegova miqve të mi standardet e mia dhe se unë i ndjek ato pavarësisht nga situata në të cilën ndodhem. Gjatë muajve, ata kanë mësuar rreth vlerave të mia të Kishës. Miqtë tuaj do t’ju ndihmojnë nëse u shpjegoni atyre vlerat tuaja dhe standardet tuaja. Zakonet, veshja dhe gjuha e miqve të mi kanë ndryshuar për mirë. Kam mësuar se nëse janë me të vërtetë miqtë tuaj, ata do t’ju ndihmojnë të keni mendime të pastra dhe do t’ju ndihmojnë të qëndroni në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar.
Celia N., 12 vjeçe, Virxhinia, SHBA
Lutja Ndihmon
Zbulova se kur përpiqesha të mbaja mendime të pastra, lutja ishte përgjigjja ime e vërtetë për ta mbajtur pastër mendjen dhe për të lejuar që ndikimi i Shpirtit të jetë me mua kudo që të shkoj. I lutem Atit Qiellor, çdo mëngjes, për të më ndihmuar të kem mendime të pastra dhe për të më dhënë udhëheqje gjatë ditës dhe e falënderoj Atë në mbrëmje që përmirësoi marrëdhënien time me Të dhe më ndihmoi të largohem nga mungesa e modestisë dhe të mbaj standardet e mia. Një lutje çdo mëngjes e mbrëmje mund t’ju ndihmojë të ftoni Shpirtin të jetë me ju kur përballeni me kundërshtimet e botës. “Jeni të qëndrueshëm dhe të palëvizur, gjithmonë plot me vepra të mira” (Mosia 5:15).
Gunar R., 16 vjeç, Uiskonsin, SHBA
Ne Jemi Tempuj
Kur njerëzit përreth jush vishen në mënyrë jomodeste, mos i kritikoni meqë ju duhet të keni mendime të mira. Jini një shembull për ta duke u treguar që ndiqni standardet e Kishës. Dhe ndihmojini njerëzit duke i dashur dhe duke u treguar se Ati ynë Qiellor i do ata dhe dëshiron që të jenë të pastër moralisht si në veprime edhe në mendime. Dëlirësia është thelbësore për shpëtimin tonë sepse ne jemi tempujt e Perëndisë sonë.
Marikris B., 19 vjeçe, Kuezon, Filipine
Jetoni sipas Mësimeve të Ungjillit
E di se mund të kemi mendime të pastra nga studimi i shkrimeve të shenjta dhe vënia në praktikë e mësimeve të tyre. Kur ne i zbatojmë të gjitha vlerat që na mësohen në kishë, kur lexojmë Për Forcën e Rinisë, dhe kur shkojmë në tempull, ne mund të fitojmë mendime të pastra.
Xhosi O., 16 vjeç, Antikua, Kolumbi
Mendja Është si një Skenë
Predikoni Ungjillin Tim ka një seksion që flet për virtytin. Thotë se mendja jonë është si një skenë në një teatër. Në këtë skenë, vetëm një individ mund të aktrojë në një kohë. Kur çojmë nëpër mend mendime të pastra e të virtytshme, mendja jonë do të qëndrojë e përqendruar në këto mendime dhe skena e mendjes sonë nuk mund të rrëmbehet nga mendime të dëmshme. Virtyti është një cilësi e Jezu Krishtit që na është kërkuar ta zhvillojmë. Në kishë, ne mësojmë se duhet të mendojmë gjithmonë për gjëra të pastra, por kur diçka e padëlirë na tundon, ne mund të këndojmë himnin tonë të parapëlqyer ose të mendojmë rreth shkrimit tonë të shenjtë të parapëlqyer. Formulimi më i mrekullueshëm i ndihmës gjendet tek 2 Nefi 32:9: “[Lutuni] gjithmonë dhe mos u jepni.”
Plaku Mek-Ekron, 21 vjeç, Misioni i Zhao Pesoa-s në Brazil
Mendoni për të Tjerët si Fëmijë të Perëndisë
Ju e keni nën kontroll mënyrën si përgjigjeni ndaj asaj që shihni. Thjesht sepse ka diçka aty pranë, ju nuk duhet ta ngrini në skenën e mendjes tuaj. Ju i zgjidhni mendimet tuaja; zgjidhni t’i mbani ato pastër. Shmangni shikimin e gjërave jomodeste sa më shumë të mundeni dhe vishuni gjithnjë me modesti. Veç kësaj mendoni se ata me të cilët keni kontakte, janë fëmijë të Perëndisë me potencial hyjnor, të cilët Ati ynë në Qiell i do personalisht. Kur i shikoj të tjerët si fëmijë të Perëndisë, është e vështirë të mos trishtohem nga mungesa e modestisë që has.
Ami S., 19 vjeçe, Juta, SHBA