Talenti i Tejlorit
Hithër Holl, Juta, SHBA
“A mund të më thoni se cilat janë talentet e Tejlorit që të mund t’ia tregoj klasës sime?” më pyeti mësuesja e Fillores e djalit tim tetëvjeçar. Ajo kishte telefonuar sepse në klasën e Tejlorit do të flisnin për talentet që u kishte dhënë Ati Qiellor.
Mu bllokua truri. Çova nëpër mend tetë vitet e shkuara, duke u përpjekur të gjeja një përgjigje. Kur ishte katër ditësh, Tejlori kishte kaluar një aksident vaskular cerebral që i la dëmtime të thella të trurit dhe një çrregullim epileptik të pakontrollueshëm. Ai nuk është në gjendje të shohë, të flasë ose të komunikojë. Ai nuk ka përparuar kurrë përtej nivelit të zhvillimit mendor të një fëmije gjashtë-vjeçar. Ai e kalon shumicën e ditës në një karrocë invalidi, ndërsa ne kujdesemi për të dhe përpiqemi që të jetë rehatshëm.
Ne u gëzuam kur mësoi të vinte buzën në gaz apo të pinte nga një gotë e veçantë; dhe ne festuam kur mundi të qëndronte në këmbë dhe të hidhte pak hapa. Por ndërsa nga pamja e jashtme u gëzuam dhe festuam, përbrenda vajtuam se kuptuam se këto arritje të vogla ishin ndoshta po aq të rëndësishme sa çdo gjë që Tejlori mund të arrinte. Deri diku nuk e mendova se kjo ishte ajo që mësuesja e tij e Fillores donte të dëgjonte.
Pastrova zërin dhe me mundim u përgjigja: “Tejlori në të vërtetë nuk ka ndonjë talent që të më vijë në mendje.”
Atëherë kjo motër e dashur me përgjigjen e saj e ndryshoi përgjithnjë marrëdhënien time me birin tim.
“Ndërsa po mendoja rreth këtij mësimi, e kuptova se çdo fëmijë i Perëndisë ka një talent”, tha ajo. “Do ju sugjeroja se talenti i Tejlorit është që ai i mëson të tjerët të shërbejnë. Nëse jeni dakord me këtë, do të doja t’i flisja klasës sonë sesi e kam vënë re talentin e Tejlorit këtu në kishë. Kam parë fëmijët e tjerë të Fillores të mësojnë të shtyjnë karrocën e tij të invalidit, t’i hapin dyert atij dhe të tejkalojnë frikën që kanë për t’i fshirë mjekrën me shami kur është e nevojshme. Mendoj se kjo është një talent i mrekullueshëm me anë të të cilit ai bekon jetën tonë.”
Unë belbëzova duke pohuar dhe qetësisht thamë mirupafshim. Pyes veten nëse ajo mësuese e Fillores e dinte ndikimin e thellë që ajo bisedë do të kishte në jetën time. Tejlori nuk ndryshoi. Atij akoma i duhet shumë përkujdesje. Spitalet, mjekët dhe terapistët ende hanë një pjesë të madhe të jetës sime. Por pikëpamja ime ndryshoi dhe unë fillova të vë re talentin e tij.
Pashë sesi njerëzit përreth nesh ndryshonin sjelljen e tyre kur përpiqeshin të kujdeseshin për të. Vura re gjithashtu sesi ai na kujton të ulim tempin, të vëmë re nevojat e tij dhe të bëhemi më të dhembshur, të vëmendshëm dhe të duruar.
Unë nuk e di qëllimin e Perëndisë që e vuri Tejlorin të përballej me sfida kaq frikësuese, por besoj se mësuesja e tij e Fillores më dha një paraqitje të shpejtë, të vogël të këtij qëllimi. Ai është këtu për të ndarë talentin e tij me ne. Ai është këtu për të na dhënë mundësinë që të mësojmë sesi të shërbejmë.