2010
Historia e Nefit u bë Historia Ime
Prill 2010


Ungjilli në Jetën Time

Historia e Nefit u bë Historia Ime

Telefonata e Xheikut më la zemërthyer, por gjeta shpresë në shembullin e një profeti të lashtë.

Pak vite pasi kisha përfunduar kolegjin, u gjenda në një mbrëmje familjare të shtëpisë, ulur me të rinj të tjerë në moshë madhore të lagjes time. Na kishin ftuar në shtëpinë e një këshilltari në presidencinë tonë të kunjit dhe gruaja e tij po na jepte mësimin.

Ne po lexonim historinë e Nefit dhe vëllezërve të tij që po shkonin të merrnin fletët e tunxhit nga Labani(shih 1 Nefi 3–5). Mësuesja jonë na foli rreth kurajës dhe këmbënguljes që shfaqi Nefi. Pastaj ngriti sytë nga grupi ynë i vogël. Vështrimi ngultas i saj qe depërtues.

“Nefit dhe vëllezërve të tij u qe dhënë një detyrë e vështirë”, vuri në dukje ajo. “U deshën disa përpjekje, asnjëra prej të cilave nuk ishte e lehtë. Por ia vlejti përpjekja këmbëngulëse. Duke pasur shkrimet e shenjta, Nefi për pasojë do të parandalonte që familja e tij ‘të [binte] dhe të mbaro[nte] në mosbesim’ (1 Nefi 4:13).

“Do të ketë ‘fletë’ në vetë jetën tuaj”, vijoi ajo. “Ndoshta do t’ju duhet të shfaqni këmbëngulje në sigurimin e arsimimit tuaj. Ndoshta do të thirreni të shfaqni kurajë kur të dilni në takime. Çfarëdo sakrificash, pengesash, frenimesh, zemërthyerjesh – çfarëdo që do të duhet për të ruajtur familjen tuaj të ardhshme dhe për t’i mbrojtur ata nga rënia në mosbesim – kthehuni dhe merrni fletët.”

Ishte një krahasim i bukur, mendova. E regjistrova menjëherë në kujtesën time për ta sjellë ndërmend më vonë. Në atë çast nuk ndjeva që jeta ime të kishte shumë pengesa. Kisha përfunduar shkollën, puna po më kënaqte dhe isha duke dalë në takime me një djalë të mrekullueshëm – një mik prej shumë kohësh me të cilin gjërat ishin bërë më serioze – për rreth katër muaj. Nuk mund të isha më e lumtur me mënyrën si po shkonin gjërat.

Disa muaj më vonë marrëdhënia ime me Xheikun (emri është ndryshuar) kishte përparuar së tepërmi. Por prindërit e Xheikut ishin ndarë vite më parë dhe ndarja e tyre ende kishte thellësisht ndikim mbi të. Ai kishte frikë se nëse martoheshim, gjërat do të përfundonin për ne ashtu si kishin përfunduar për prindërit e tij.

I thashë atij se isha e gatshme t’i jepja kohë – me shumicë nëse i nevojitej – për të sqaruar gjërat në mendjen e tij dhe zemrën e tij. Ne folëm rreth marrjes së vendimeve duke u bazuar mbi besimin në vend të frikës. Ne diskutuam rolin e zgjedhjes së lirë dhe faktin se atij nuk i duhej të supozonte që rruga e prindërve të tij do të ishte automatikisht edhe fati i tij. Dhe ne folëm rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe aftësisë së Shpëtimtarit për të shëruar zemrat tona.

Bisedat tona dukej se ndihmonin disi në lehtësimin e ankthit të tij dhe lidhja jonë vazhdoi si zakonisht. Kështu që kur ai më telefonoi një të shtunë pasdite për t’u ndarë, mbeta më shumë se e befasuar. Ai më tha se nuk mund ta shihte veten të martuar me mua – as me ndonjë tjetër. Thjesht nuk besonte më në martesë.

Në orën në vijim, ne përsëritëm atë që e kishim diskutuar tashmë, por nuk munda ta bind atë. Ai pëshpëriti: “Më vjen shumë keq”, dhe mbylli telefonin. U ula qetësisht në krevatin tim, me lot që rridhnin në faqet e mia, plotësisht e tronditur.

Pak më vonë shoqja e dhomës trokiti në derën e dhomës së gjumit. “A do të vish në konferencën e kunjit?” pyeti ajo. Nuk më bëhej të shkoja në ndonjë vend ose të bëja ndonjë gjë, por vesha një fustan dhe hipa në makinën e saj.

Kur arritëm, personi i parë që pashë qe gruaja që kishte dhënë atë mësim të mbrëmjes familjare të shtëpisë muaj më parë. Asnjëra prej nesh nuk tha gjë, por sytë tanë u takuan dhe, në mendjen time, dëgjova një zë të më thërriste në emër dhe të më thoshte: “Kthehu dhe merr fletët.”

Deri diku e dija gjithçka që donte të thoshte nxitja. Nuk ishte thjesht për një profet të lashtë që të kthehej dhe të merrte një anal të shenjtë. Ishte për mua gjithashtu. Donte të thoshte se megjithëse Xheiku nuk besonte në martesë, unë akoma mund të besoja. Unë mund të shpresoja për të dhe të lutesha për të dhe të punoja për të – jo në një mënyrë të dëshiruar dhe të etur, por në një mënyrë besimplote e aktive, të llojit: ‘pregatit-vetveten-përditë-sepse-ky-është-plani-i-Perëndisë-për-fëmijët-e-Tij’. Nuk donte të thoshte se duhej të kthehesha tek Xheiku dhe të qëndroja me të derisa ‘ta lodhja e bindja’ për idenë e martesës dhe gjithashtu, nuk donte të thoshte që duhej të filloja të dilja menjëherë me dikë tjetër. Ishte normale për mua që të kisha një kohë për brengosje dhe rimarrje të vetes.

Por gjatë kësaj kohe mund ta shmangia zhytjen në keqardhje për veten. Mund t’i bëja ballë tundimit për të folur keq për Xheikun – ose për burrat në përgjithësi. Mund të kërkoja miq që besonin në martesë dhe prisnin për të. Edhe unë, ashtu si Nefi, mund të kisha besim tek një Atë Qiellor i dashur që nuk jep urdhërime – pavarësisht nëse është marrja e analeve të lashta të shkrimeve të shenjta apo martesa e krijimi i familjeve – pa përgatitur një udhë për ne për ta plotësuar atë.

Unë jam akoma në fazën e përpjekjeve për të realizuar këtë – nuk e kam realizuar ende. Unë ende nuk jam martuar, por ndihem mirënjohëse për përvojat e mira që kam pasur në takime – përvojat e pasuruara nga një kuptim i përmirësuar i rolit që luan këmbëngulja për qëllimet e drejta.

Gjithashtu ndihem e ngushëlluar dhe me vetëbesim nga dija e asaj që Plaku Riçard G. Skot i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve na mësoi rreth modelit të këmbënguljes të Nefit. Ai tha:

“Pas dy përpjekjeve të pasuksesshme, Nefi qëndroi me vetëbesim. Ai u fut vjedhurazi në qytet për tek shtëpia e Labanit pa pasur të gjitha përgjigjet. Ai vërejti: ‘Unë isha i udhëhequr nga Shpirti, duke mos ditur më parë gjërat që unë duhet të bëja,’ duke shtuar në mënyrë kuptimplote, ‘Megjithatë, vazhdova të ecja.’ (1 Ne 4:6–7; janë shtuar kursivet.)

Nefi ishte i gatshëm të përpiqej vazhdimisht, duke vënë në përdorim orvatjet e tija maksimale. Ai shprehu besim se do të ndihmohej. Ai nuk pranoi të shkurajohej. Por për shkak se ai veproi, pati besim në Zot, ishte i bindur dhe e përdori me kujdes zgjedhjen e tij të lirë, ai mori drejtim. Ai ishte i frymëzuar hap pas hapi deri në sukses dhe sipas fjalëve të nënës së tij u ishte ‘dhënë … fuqi [që] të plotësonin gjënë që Zoti i ka urdhëruar.’ (1 Ne. 5:8; janë shtuar kursivet.)”1

Sigurisht, ky parim i këmbënguljes nuk kufizohet në fushën e takimeve. Gjen zbatim gjithashtu për ata që janë vazhdimisht të sëmurë dhe nuk janë të sigurt se mund t’i bëjnë ballë gëzueshëm një dite tjetër të mbushur me dhimbje; për një çift që po përpiqen të zgjidhin sfidat në martesën e tyre; për prindërit që luten me vite për një fëmijë që ka dalë nga rruga; për një adoleshente që përballet me kundërshtime në shkollë për shkak të gjërave në të cilat beson; për misionarët që kanë punuar me ditë të tëra pa arritur të japin një mësim. Në një mënyrë, të gjithë ne jemi urdhëruar të kthehemi dhe të marrim fletët.

Dhe ashtu si Nefi, ne mund t’ia dalim. Me kurajë, këmbëngulje dhe besim, ne mund të arrijmë të gjitha gjërat që na ka urdhëruar Zoti.

Shënim

  1. Riçard G. Skot, “Learning to Recognize Answers to Prayer,” Ensign, nëntor 1989, f. 32.

Ilustrime nga Michael Parker