Mesazhi i Presidencisë së Parë
Një Punë e Shkëlqyer e Perëndisë

6 prill 1830
Njëqind e tetëdhjetë vite më parë, Jozef Smithi, Oliver Kaudri dhe një grusht njerëzish të tjerë u mblodhën së bashku për të organizuar Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Sipas të gjitha rrëfimeve qe një mbledhje e thjeshtë por shpirtërore. Jozefi tregon se pas sakramentit, “Fryma e Shenjtë u derdh mbi ne në një masë shumë të madhe – disa profetizuan, ndërkohë që të gjithë lëvduam Zotin dhe u gëzuam së tepërmi”1.
Ngjarjet e asaj dite nuk u vunë re nga bota: ato nuk u shoqëruan me tituj gazetash apo lajmëtarë. Megjithatë, sa duhet të ketë gëzuar qielli dhe të ketë përlëvduar Perëndinë – sepse në atë ditë, Kisha e Jezu Krishtit u rikthye në tokë!
Solomon Çambërlein
Që nga ajo ditë deri më sot, miliona bij e bija të Atit Qiellor të mbushur me besim kanë ndjekur nxitjet e Frymës së Shenjtë dhe kanë hyrë në ujërat e shenjta të pagëzimit. Një njeri i tillë qe Solomon Çambërleini.
Solomoni qe një njeri shpirtëror dhe kishte kaluar shumë kohë në lutje, duke kërkuar heqjen e mëkateve të tij dhe duke iu përgjëruar Atit Qiellor që ta udhëhiqte tek e vërteta. Dikur rreth vitit 1816, Solomonit iu premtua në një vegim se ai do të jetonte sa ta shihte ditën kur do të organizohej Kisha e Krishtit pasi rendi apostullor të vendosej edhe një herë në tokë.
Vite më vonë Solomoni po udhëtonte me anije drejt Kanadasë kur lundra e tij ndaloi në qytezën e vogël Palmira të Nju Jorkut. Atje ai ndjeu një forcë detyruese që e nxiste të zbriste nga anija. Pa e ditur se përse qe aty, ai filloi të fliste me njerëzit e qytezës. Nuk kaloi shumë kohë para se ai të dëgjonte të flitej për një “Bibël të artë”. Ai tha se ato dy fjalë lëshuan “një forcë si elektricitet [që] më shkoi nga maja e kokës deri në fund të gishtave të këmbëve”.
Kërkimet e tij e çuan tek shtëpia e Smithëve, ku ai foli me të pranishmit mbi lajmin e mrekullueshëm të ungjillit të rivendosur. Pasi kaloi dy ditë atje dhe mori një dëshmi të së vërtetës, Solomoni rifilloi udhëtimin e tij drejt Kanadasë, duke marrë me vete 64 faqe të saposhtypura, të palidhura të Librit të Mormonit. Kudo ku shkoi, ai u mësoi njerëzve, “si nga shtresa të larta ashtu dhe të ulta, të pasurve dhe të varfërve … të përgatiteshin për punën e shkëlqyer të Perëndisë që tani qe gati të niste”2.
Një Punë e Shkëlqyer e Perëndisë
Që nga ajo ditë në prillin e 1830-ës, miliona njerëz kanë zbuluar të vërtetën e ungjillit të rivendosur dhe kanë hyrë në ujërat e pagëzimit. Unë dëshmoj se kjo “punë e shkëlqyer e Perëndisë” është në tokë sot. Unë jap dëshmi se Zoti e mbron Kishën e Tij dhe e drejton atë nëpërmjet profetit të Tij, Presidentit Tomas S. Monson. Nuk është bekim i zakonshëm të jetosh në këto ditë të mëvonshme. Këto janë kohë të lavdishme, të parashikuara nga profetë të lashtë dhe të shoqëruara nga ushtri engjëllore përkujdesëse. Zoti kujtohet për Kishën e Tij. Ai kujtohet gjithashtu për ata që, ashtu si Solomon Çambërleini, ndjekin nxitjet e Frymës së Shenjtë dhe bashkohen me vëllezërit e motrat e tyre në mbarë botën për të ndihmuar që të zhvillohet kjo punë e shkëlqyer e Perëndisë.
Fotografi nga Matthew Reier bërë në sheshxhirimin e Jozef Smithi: Profeti i Rivendosjes
Fotografia nga Matthew Reier; ilustrimet nga Maryn Roos
Zona e Fëmijëve