2010
Një Tempull për Konan
Prill 2010


Një Tempull për Konan

Kur Lërua dhe Rouz Alip vendosën të sakrifikonin për të frekuentuar tempullin çdo muaj, Zoti i bekoi ata përtej mjeteve të tyre për të shkuar – si dhe për të marrë të tjerë me vete.

Lërua Alipi dëgjoi me kujdes kur u veçua për të shërbyer në një këshill të lartë kunji në Ishullin e Madh të Hauait. Në bekim, Vëllait Alip iu tha se do të ishte në ishull kur të ndërtohej atje një tempull dhe se ai do të shërbente në tempull. Kjo ndodhi në vitin 1984 dhe i vetmi tempull në Hauai ishte në ishullin Oahu, shumë kilometra larg për t’u përshkuar me anije ose aeroplan.

Bekimi i priftërisë i dha energji Vëllait Alip. “Besoj se kur të jepet një bekim, ti ke përgjegjësinë të bësh gjithçka që mundesh për ta sjellë atë bekim tek ti”, thotë ai. Kështu që ai dhe bashkëshortja e tij, Rouz, vendosën të shkonin një herë në muaj në tempullin në Oahu.

Ta bënin këtë, nuk qe e lehtë. Udhëtimi për atje kushtonte 300 USD, shumë parà për një çift që mezi jetonin me rrogën e Vëllait Alip nga një zyrë qeveritare ku punonte. Mënyra e vetme si mund ta kryenin udhëtimin ishte të merrnin nga kursimet e tyre. Ata e bënë këtë me gëzim.

Megjithatë, brënda një viti ata i mbaruan paratë. “Por zemrat tona ishin tek tempulli”, thotë Vëllai Alip. “Dëshironim që të vazhdonim të shkonim. Kështu që u lutëm për ndihmë.”

Jo shumë kohë pas kësaj, Vëllai Alip mori papritur një ofertë për ta shtuar të ardhurën e tij duke shpërndarë gazeta për një kompani lokale. Për këto shpërndarje mëngjeseve herët, atë e paguanin gati 700 dollarë në muaj. Me më shumë para nga sa u duheshin për të vazhduar të shkonin në tempull, Vëllai dhe Motra Alip patën nxitjen ta fusnin tepricën në fondin e tyre të veçantë për tempullin.

Nga fundi i qershorit 1986 u bë e qartë arsyeja për atë nxitje: duke jetuar tani në Kunjin e Konas të Hauait, ata mund të çonin në tempull një numër grash nga kunji që qenë të denja, por që nuk kishin pasur mundësinë të merrnin indaumentet e tyre. Kështu që çdo muaj, çifti Alip merrte me vete një Motër për në Oahu. Çdo herë, Motra kthehej për të dhënë dëshmi për fuqinë shpirtërore dhe gëzimin që kishte ndier duke bërë punë në tempull për vete dhe për të tjerët. Shpejt, shpirti i punës në tempull u përhap në mbarë kunjin dhe më shumë anëtarë filluan të kërkojnë mënyra për të frekuentuar tempullin.

Me kontaktet që kishte Vëllai Alip në industrinë e udhëtimeve, ai qe në gjendje të merrej vesh për një zbritje të çmimit të udhëtimit, transportit tokësor dhe strehimit për të gjithë ata nga kunji që donin të shkonin. Nga viti 1994 më shumë se 100 anëtarë nga kunji i Konas po kryenin udhëtimin mujor për në Tempullin e Laies në Hauai. Vëllai Alip qesh. Ai kujton: “Presidenti i tempullit bënte shaka që shenjtorët nga Kona po i konsumonin qilimat, sepse kaq shumë prej tyre po shkonin në tempull.”

Në vitin 1997, Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) njoftoi një drejtim të ri për ndërtimin e tempujve. Ndërtimi i tempujve të vegjël do të bënte të mundur të ndërtoheshin më shumë tempuj. Besnikëria e shenjtorëve në Ishullin e Madh u shpërblye gjashtë muaj më vonë, kur Presidenti Hinkli njoftoi për një tempull për Konan. Pasi tempulli u përkushtua në vitin 2000, Vëllai Alip u thirr si këshilltar i dytë në presidencinë e tempullit. Sot, plotësisht i larguar nga karriera e tij, por plotësisht i angazhuar në punën e Zotit, ai mbikëqyr punëtorët që e mbajnë të bukur terrenin e Tempullit të Konas në Hauai.

Vëllai dhe Motra Alip janë mirënjohës për mënyrat si i ka bekuar ata Ati Qiellor që të kishin atë çka u duhej për të vazhduar t’u shërbenin të tjerëve. Kur ata erdhën së pari në Kona, Vëllai Alip thotë se “nuk kishim vend ku të rrinim përveç një kasolleje të vogël në kodra, të ndërtuar për punëtorët e fushave të kafesë”. Ata jetuan për muaj atje, derisa qenë në gjendje të merrnin me qera një vilë të vogël.

Disa vite më vonë, ata kishin mjaft kursime dhe të ardhura sa të mendonin për një shtëpi më të këndshme, por asgjë nga ato që panë nuk u dukej se ishte e duhura për ta. Një ditë, kur Vëllai Alip po punonte në terrenin e tempullit të Konas, një Motër e moshuar kaloi pranë. Ajo po qante. Vëllai Alip tund kokën. “Atë po e nxirrnin nga shtëpia dhe nuk kishte vend ku të shkonte. Për ndonjëfarë arsyeje, i thashë të shkonte të vizitonte nipat e mbesat dhe pastaj, kur të kthehej, ajo mund të vinte të banonte me ne.” Problemi qe se shtëpia e familjes Alip qe e mjaftueshme vetëm sa për Vëllain dhe Motrën Alip. Kështu që ata filluan të luten – dhe të kërkojnë me zell për të fituar bekimin që kërkonin.

Pas pak, një agjent për pasuri të patundshme i ftoi të merrnin në konsideratë një shtëpi dykatëshe me gjashtë dhoma gjumi. Atyre u pëlqeu shumë, por e morën me mend se shtëpia do të kushtonte më shumë nga sa mundeshin. Me keqardhje, ata nuk e pranuan ofertën.

Por një shteg u hap. Brenda disa javësh, çmimi i shtëpisë ra dhe çifti Alip mësoi se kishin kredit të mjaftueshëm për ta blerë shtëpinë. Si rezultat, Motra nevojtare pati një vend bashkë me Vëllain dhe Motrën Alip kur u kthye në Kona dhe tre nga fëmijët e çiftit Alip, nevojtarë gjithashtu, gjetën një shtëpi për familjet e tyre në atë banesë.

“Zoti është kujdesur mirë për ne”, thotë Vëllai Alip. “Kur ne tregojmë se jemi të gatshëm të sakrifikojmë kohën, talentet dhe mjetet tona për Të, Ai na mbulon me mëshirat e Tij të dhembshura.”

Ilustrimi nga Steve Kropp; fotografi nga R. Val Johnson

Shtyp në Letër