Ndihmo Që Të Realizohet
Ashtu thonë këto të reja nga India qëkurse projekti i tyre i thjeshtë i shërbimit arriti të entuziazmojë të gjithë degën e tyre në lidhje me mbrëmjen familjare të shtëpisë.
Të rejat e Degës së Dytë të Çenait, në Distriktin e Çenait të Indisë, dëshironin që t’i nxitnin anëtarët e degës për të mbajtur mbrëmje familjare në shtëpi. Atyre nuk u kërkoi shumë kohë që të dilnin me një ide të thjeshtë, por praktike. Ato bënë rrethore për mbrëmjet familjare në shtëpi: tabela me një shigjetë rrotulluese për ndjekjen e detyrave të tilla si thënia e lutjeve, dhënia e mësimit dhe përgatitja e një “ëmbëlsire”.
Rrethoret prej letre ishin të thjeshta, por plot ngjyra. Ato u ndërtuan një mbrëmje tek një aktivitet i Të Rejave në godinën e mbledhjeve, secila ishte e veçantë, me fotografi të familjes për të cilën qe bërë. Dy nga të rejat, Sushimita Santosh Kumar, 15 vjeçe, dhe motra e saj Sujeeta, 14 vjeçe, ishin veçanërisht të emocionuara kur mësuan se, meqë ishin anëtare të reja të Kishës, ato dhe familja e tyre do të merrnin rrethoren e parë.
“Mbas Aktivitetit të Përbashkët ne si grup shkuam në banesën e tyre dhe ia paraqitëm rrethoren babait të tyre”, thotë Dejsi Daniel, 16 vjeçe. “Gjithë familja dukej e kënaqur.” Familja tashmë kishte biseduar me misionarët kohëplotë për mbrëmjen familjare në shtëpi dhe rrethorja u dha atyre një shtysë të mëtejshme për të vënë në zbatim ato që kishin mësuar.
Të rejat gjithashtu bënë mjaft rrethore për t’u dhënë nga një secilës familje të fëmijëve të Fillores në degë. Më pas bënë rrethore shtesë, që misionarët kohëplotë t’ua jepnin të kthyerve të rinj në besim.
“Në degë shumë nga ne janë anëtarë të rinj dhe nuk jemi mësuar me mbajtjen e mbrëmjeve familjare të shtëpisë”, thotë Dejsi. “Por unë kam një dëshmi se mbrëmja familjare në shtëpi do t’i ndihmojë fëmijët dhe prindërit që të punojnë bashkërisht dhe shpresoj që, sa herë që këto familje të shohin rrethoren e mbrëmjes familjare të shtëpisë, do të mendojnë: ‘Mirë, pra, anëtarët e Kishës sonë na duan dhe ata na e dhanë këtë mjet kujtese, prandaj, le të bëjmë mbrëmjen tonë familjare të shtëpisë’.” Ajo parashikon se, së shpejti, mbrëmja familjare e shtëpisë do të jetë ngjarje e përjavshme për shumë njerëz në degë.
Një Shërbim i Mirë Çon në Një Tjetër
Rrethoret e mbrëmjes familjare të shtëpisë janë vetëm një nga disa projekte të shërbimit që kanë përfunduar këto të reja. Në përpjekje për të ndihmuar që një vejushë nga dega të ndihet më pak e vetmuar, të rejat stolisën një shportë dhe e mbushën plot me shënime të shkurtra e të gëzueshme me shkrim dore. “Atje nuk ka asnjë që të përkujdeset për të”, thotë Dejsi. “Prandaj, ne donim t’i kujtonim asaj se anëtarët e degës mendojnë për të.” Të rejat e dërguan vetë shportën dhe i shpjeguan që ajo mund të lexonte një shënim çdo ditë që t’i sillte asaj buzëqeshje në fytyrë.
Shporta me shënime frymëzoi një ide tjetër. Të rejat vendosën që t’i shkruanin njëra-tjetrës letra vlerësimi.”Secila nga ne i shkruan një letër të bukur çdo të reje tjetër”, shpjegon Monisha Kalai Selvam, 13 vjeçe.
Jetë të Gjatë Mbrëmjes Familjare të Shtëpisë!
Nëpërmjet këtyre aktiviteteve dhe të tjerave, të rejat e Degës së Dytë të Çenait po mësojnë se edhe veprimet e thjeshta të shërbimit mund t’i sjellin njerëzit më pranë Shpëtimtarit. Ndoshta anëtarët e degës do t’i kujtojnë gjatë rrethoret e mbrëmjes familjare të shtëpisë ngaqë mjaft prej tyre i morën dhe po i përdorin ato tashmë. Por edhe nëse rrethoret janë një mjet kujtues i përkohshëm, kjo është gjithashtu mirë.
“Gjithkush mund të bëjë rrethoren ose tabelën e vet apo thjesht me një laps dhe letër të ulet e të shkruajë planet”, thotë Dejsi. “Ne thjesht e dimë se mbrëmja familjare e shtëpisë është e rëndësishme për këdo dhe donim të ndihmonim që ajo të realizohej.”
Përparësia Më e Lartë
Ne i këshillojmë prindërit dhe fëmijët që t’i japin përparësinë më të lartë lutjes familjare, mbrëmjes familjare të shtëpisë, studimit dhe udhëzimit mbi ungjillin dhe veprimtarive të shëndetshme familjare. “Sado të denja dhe të përshtatshme qofshin kërkesat ose veprimtaritë e tjera, ato nuk duhet të lejohen të zëvendësojnë detyrat e caktuara hyjnisht që vetëm prindërit dhe familjet mund t’i kryejnë ashtu siç duhet.”
Letër e Presidencisë së Parë, 11 shkurt 1999; shih Liahona, dhjetor 1999, f. 1.
Fotografitë nga Richard M. Romney
Kartikejani
Meganatani
Danieli
Barat Raxhi