Unë Kam Nevojë të Shkoj në Tempull
Një aksident, ditë dhe netë në autobus, lëvizje të gjata me barkë dhe çmimet e larta të udhëtimit nuk e kanë ndaluar këtë vëlla brazilian të shkojë në tempull.
Hozé Gonsalves da Silva befas u zgjua nga njerëz që thërrisnin emrin e tij. Ishte errësirë dhe ai nuk e kishte idenë se ku ndodhej.
“Po flija kur autobusi u rrokullis”, kujton Hozeja aksidentin e mëngjesit herët në janar 2008. “Askush nuk mund të më gjente sepse isha në fund të autobusit i mbuluar me bagazhe. Disa nga vëllezërit më në fund më gjetën kur filluan të mblidhnin valixhet.”
Kur shoferi i autobusit humbi kontrollin në një pjesë të ngushtë rruge me kthesa në pyllin e dendur tropikal në Venezuelën jugore, Hozeja dhe shenjtorë të tjerë të ditëve të mëvonshme nga Manaus-i, Brazil, ishin gati në gjysmë të rrugës të udhëtimit të tyre tre-ditor për në tempullin e Karakasit në Venezuelë. Hozeja pësoi vetëm lëndime të vogla, por disa vëllezër dhe motra duhej të shtroheshin në spital.
“Është koha të heqësh dorë së shkuari në tempull”, i thanë anëtarë të shqetësuar të familjes Hozesë, që ishte 80 vjeç kur ndodhi aksidenti. I palëkundur, sidoqoftë, ai tha: “Unë kam nevojë të shkoj në tempull. Nëse Zoti e lejon, unë do të kthehem përsëri.”
Ai menjëherë filloi të kursejë para për udhëtimin e tij të katërt për në Karakas, që e bëri në fillim të 2009-ës. Për Vëllanë Gonsalves da Silva, udhëtimi 40-orësh me autobus është i lehtë në krahasim me tre udhëtimet që ai kish bërë më parë për në tempullin e San Paolos në Brazil. Për shumë vite, tempulli i San Paolos, që gjendej mijëra kilometra në juglindje të Manaus-it, ishte tempulli më i afërt me këtë qytet prej dy milionë banorësh në shtetin verior të Amazonës. Atëherë, në 2005-ën, Manaus-i u bë pjesë e Distriktit të Tempullit të Karakasit në Venezuelë.
Gjatë atyre viteve të udhëtimit për në San Paolo, “ne do të merrnim një barkë këtu në Manaus dhe do të kalonim katër ditë për të shkuar në Porto Velho”, kryeqyteti i shtetit Rondonia, thotë Hozeja. “Pastaj do të kryenim një udhëtim katërditor me autobus për në San Paolo. Gruaja ime nuk është anëtare e Kishës dhe kur shkova në tempull për herë të parë në 1985-ën, unë isha vetëm. Kalova natën në stacionin e autobusit në Porto Velho ngaqë arrita vonë dhe nuk kishte autobus. Mëngjesin tjetër u drejtova për në San Paolo. Ishte një përvojë e këndshme, por arrita pak i lodhur.”
Ai pastaj kaloi tri ditë të plota duke shërbyer në tempull përpara se të bënte udhëtimin tetëditor për në shtëpi. Atij i duhet një vit për të kursyer mjaft nga pensioni sa për të mbuluar kostot e udhëtimit për në tempull.
“Është sakrificë të shkosh, por ia vlen”, thotë vëllai Gonsalves da Silva, që ka bërë shumë punë si mëkëmbës për familjen e tij. “Unë ndjeva një gëzim të veçantë ditën që u pagëzova për babanë tim, kur dikush u pagëzua për nënën time dhe në përfaqësimin e babait tim kur prindërit e mi u vulosën. Ishte një mundësi e mrekullueshme. Të gjithë vëllezërit dhe motrat e mia kanë vdekur tani, por unë e kam bërë punën për ta gjatë udhëtimeve të mia në tempull.”
Hoze-ja beson se sakrifica që lidhet me udhëtimin deri tani për në tempull do t’i ndihmojë shenjtorët e ditëve të mëvonshme në Manaus të jenë mirënjohës për ditën kur një tempull të përkushtohet atje. “Unë jam i etur për atë ditë”, thotë ai.
Manaus-i kishte një degë të vogël me 20 anëtarë kur Hoze-ja u bashkua me Kishën në vitin 1980. Qysh atëherë ai e ka parë Kishën të lulëzojë atje me afro 50.000 anëtarë që banojnë në tetë kunje.
“Kur erdhi njoftimi në 2007-ën se do të ndërtohej një tempull në Manaus”, thotë Hoze-ja, “unë qava nga gëzimi i madh që ndjeva dhe u luta që Zoti të më linte të jetoja aq sa të shihja fillimin e punimeve”, që ndodhi një vit më pas. Tani ai lutet që të jetojë sa të shohë tempullin të përfunduar dhe bashkëshorten të pagëzohet në mënyrë që ata të mund të vulosen.
“Ne nuk e dimë kur do të vdesim, por ne duhet të jemi të përgatitur dhe të lumtur kur ajo kohë të vijë”, thotë Vëllai Gonsalves da Silva. “Unë mezi pres të rikthehem në praninë e Atit tim në Qiell dhe të Shpëtimtarit tim, Jezu Krishtit. Qenia në tempull më ndihmon të përgatitem për atë ditë.”