Çfarë Besojmë Ne
Ai U Ringjall
Kudo që udhëtoj, përpiqem të bëj një vizitë në varrezën e qytetit. Është një kohë meditimi, reflektimi mbi kuptimin e jetës dhe pashmangësinë e vdekjes. Në varrezën e vogël në qytetin e Santa Klarës, në Juta, mbaj mend dominimin e emrave zviceranë shkruar në gurët e gërryer nga koha të varreve. Shumë nga ata persona lanë shtëpi e familje në Zvicrën e begatë dhe, në përgjigje të thirrjes “Ejani në Sion”, krijuan komunitete atje ku tani “pushojnë në paqe”. Ata duruan përmbytje pranverore, thatësi të verës, të korra të pamjafteshme dhe punë dërrmuese. Ata lanë një trashëgimi sakrifice.
Varrezat më të mëdha, dhe në shumë drejtime ato që evokojnë emocionet më të dashura, nderohen si vende prehjeje të burrave që u vranë në kazanin e konfliktit të njohur si luftë, ndërsa vishinin uniformën e vendit të tyre. Njeriu reflekton për ëndrrat e prera, shpresat e paplotësuara, zemrat e brengosura dhe jetët e shkurtuara nga kosa e luftës.
Shumë kryqe të sistemuara në qytetet e Francës dhe Belgjikës e vënë në dukje çmimin e tmerrshëm të Luftës I Botërore. Verduni, në Francë, është në të vërtetë një varrezë gjigande. Çdo pranverë kur fermerët punojnë tokën, ata zbulojnë një helmetë këtu, një tytë topi atje – kujtesa dëshpëruese për milionat e burrave që vërtet e lanë tokën me gjakun e jetës së tyre.
Vdekja, një Kapitull i Ri i Jetës
Shumë vite përpara qëndrova në anë të shtratit të një të riu, baba i dy fëmijëve, ndërsa ndodhej midis jetës dhe vdekjes. Ai ma mori dorën në të tijën, më vështroi në sy dhe me lutje pyeti: “Peshkop, unë e di se po vdes. Më trego çfarë ndodh me shpirtin tim kur të vdes.”
Unë u luta për drejtim hyjnor. Vëmendja ime u drejtua tek Libri i Mormonit në tavolinë pranë shtratit të tij. Fillova të lexoj me zë të lartë:
“Tani, në lidhje me gjendjen e shpirtit midis vdekjes dhe ringjalljes— … shpirtrat e të gjithë njerëzve, posa të largohen nga ky trup i vdekshëm, … çohen në shtëpi tek ai Perëndi që u dha atyre jetë.
… Shpirtrat e atyre që janë të drejtë pranohen në një gjendje lumturie që quhet parajsë, një gjendje e pushimit, një gjendje e paqes, ku ata do të prehen nga të gjitha trazirat e tyre dhe nga të gjitha vuajtjet dhe brengat” (Alma 40:11–12).
Miku im i ri mbylli sytë, shprehu një falënderim të sinqertë dhe qetësisht shpirti i tij u largua për në atë parajsë për të cilën ne kishim folur.
Fitorja mbi Vdekjen
Le ta lëmë Llukën, mjekun, të përshkruajë përjetimin e Maries dhe të Maries tjetër kur ato po i afroheshin varrit në kopsht:
“Dhe gjetën që guri ishte rrokullisur nga varri. …
… Kur hynë, nuk e gjetën trupin e Zotit Jezus.
… Ndërsa ishin shumë të hutuara nga kjo, ja, iu paraqitën atyre dy burra të veshur me rroba të ndritshme.
Dhe … ata u thanë: ‘Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve?
Ai nuk ështe këtu, por është ringjallur’” (Lluka 24:2–6).
Kjo është thirrja për veprim e të krishterëve. Realiteti i Ringjalljes i jep secilit dhe të gjithëve paqen që tejkalon kuptueshmërinë. Ajo ngushëllon ata, të dashurit e të cilëve prehen në fushat e Flandrës apo që vdiqën në thellësitë e detit, apo që pushojnë në Santa Klarën e vogël. Është një e vërtetë universale.
Si dishepulli i Tij më i vogël, unë jap dëshminë time vetjake që vdekja është mposhtur, që fitorja mbi vdekjen është fituar. U bëfshin fjalët e shenjtëruara prej Atij, që i realizoi ato, një dije e vërtetë tek të gjithë. T’i kujtoni ato. T’i doni fort ato. T’i nderoni ato. Ai u ringjall.
-
Ne kemi ardhur në tokë që të mësojmë, të jetojmë, të përparojmë në udhëtimin tonë të përjetshëm drejt përsosjes.
-
Disa mbeten në tokë veçse për një çast, ndërsa të tjerë jetojnë gjatë mbi dhe. Masa nuk është se sa gjatë jetojmë, por përkundrazi se sa mirë jetojmë.
-
Pastaj vjen vdekja dhe fillimi i një kapitulli të ri jete.
-
Ky kapitull i ri çon në atë ditë të lavdishme të ringjalljes, kur shpirti dhe trupi do të ribashkohen, për të mos u ndarë kurrë më.
Nga “Ai Është Ringjallur”, Liahona, prill 2003, f. 2–7.