Derisa të Takohemi Sërish
Varre të Vulosura
Pretendimet e broshurës së shitjeve dukeshin të pamundura – pothuajse qesharake – por ato më kujtuan një premtim që është i garantuar përjetësisht.
Ditën pasi Babai ndërroi jetë, nëna ime, vëllezërit, motrat dhe unë bëmë vizitën e nevojshme tek morgu për përgatitjet e funeralit. Detyrat tona përfshinin zgjedhjen e një arkivoli dhe të një dhome varrimi në të cilën do të vendosej arkivoli.
Ndërsa ne shqyrtonim variantet, vura re një broshurë shitjesh e cila i bënte reklamë njëfarë dhome varrimi. Pretendonte, ndër të tjera, se dhoma ishte me vetëvulosje dhe e garantonte atë vulosje për 75 vjet. Megjithëse rasti ishte solemn, garancia më bëri të qesh.
“Kush do të kontrollonte vulosjen në 75 vjet?” pyesja unë me vete. “Dhe, nëse dikush do ta bënte dhe vulosja do të ishte prishur, kush do t’i merrte paratë e garancisë? Cilat janë mundësitë, realisht”, mendova unë, “që ajo dhomë varrimi të qëndrojë e vulosur?”
Në atë çast mendimesh, mendja ime iu drejtua një tjetër dhome varrimi, asaj të përshkruar në Mateu 27. Kjo dhomë varrimi, në fakt, një varr në një kohë e vend të largët, kishte një vrimë të mbuluar me një gur të madh:
“Dhe të nesërmen, që ishte mbas ditës së Përgatitjes, krerët e priftërinjve dhe farisenjtë u mblodhën te Pilati,
duke thënë: ‘Zot, na ra në mend se ai mashtruesi, sa ishte gjallë, tha: “Pas tri ditësh unë do të ringjallem”.
Prandaj urdhëro që varri të ruhet mirë deri në ditën e tretë, se mos vijnë dishepujt e tij natën e ta vjedhin trupin dhe pastaj t’i thonë popullit: “U ringjall së vdekuri”; kështu mashtrimi i fundit do të ishte më i keq se i pari.”
Pilati u tha atyre: ‘Rojen e keni; shkoni dhe e siguroni varrin, si t’ju duket më mirë’.
Dhe ata, pra, shkuan dhe e siguruan varrin dhe, përveç rojës, vulosën gurin” (Mateu 27:62–66).
Nga të gjitha urdhrat e dhëna ndonjëherë në historinë e mbretërve, gjeneralëve dhe sundimtarëve, urdhri i Pilatit për ta mbajtur varrin të siguruar ishte ndoshta më i padobishmi.
Çfarë mundësie kishte ai varr për të qëndruar i vulosur? Në të vërtetë, nuk kishte asnjë mënyrë që ushtarët ta zbatonin atë urdhër, meqenëse nuk kishte asnjë mënyrë që të mos hapej varri: “Dhe ja, ra një tërmet i madh, sepse një engjëll i Zotit zbriti nga qielli, erdhi dhe e rrokullisi gurin nga hyrja e varrit dhe u ul mbi të” (Mateu 28:2).
Në saje të zhvulosjes së atij varri të vetëm, të gjitha dhomat e varrimit dhe varret që kanë qenë të vulosura ndonjëherë, do të hapen. E sigurt.
Shkëmbi i Shpëtimit Tonë është çliruesi ynë prej vdekjes dhe ferrit. Ai është “ringjallja dhe jeta” (Gjoni 11:25). Në saje të Tij “ferri duhet të çlirojë shpirtrat e tij të robëruar dhe varri duhet të çlirojë trupat e tij të robëruar, dhe trupat dhe shpirtrat e njerëzve do të ribashkohen me njëri-tjetrin; dhe kjo është nga fuqia e ringjalljes së të Shenjtit të Izraelit.” (2 Nefi 9:12).