2010
Fixhi: Frytet e Besimit
Prill 2010


Fixhi Frytet e Besimit

Zbulimi i të vërtetës nga një familje, rritja e rrethit të dashurisë të një familje tjetër dhe besimi plot bindje i një të reje.

Fixhi dikur konsiderohej si mjaft larg nga pjesa tjetër e botës – një vend për t’u tërhequr nga problemet e një stili jete më të përshpejtuar e urban. Por jo më. Aeroplani, sateliti dhe tregtia botërore tani i sjellin brigjeve të Fixhit gjithë sfidat e jetës moderne që gjenden gjetkë në botë. Për anëtarët e Kishës në Fixhi, mënyra për t’i përballuar me sukses ato sfida është njësoj si në çdo vend tjetër të botës: bindja me besnikëri ndaj parimeve të ungjillit.

Tre shembuj nga Fixhi na mësojnë se si këto parime modelojnë jetë.

Familja Kumar

Xhorxh Kumar thjesht po kërkonte për një mënyrë që ta siguronte se djali i tij më i madh, Rajan, do të bënte një jetë të frytshme e të moralshme. Familja Kumar gjeti shumë më tepër: të vërteta të përjetshme të ungjillit që u sollën të gjithë atyre një mënyrë të re, më të lumtur jetese.

Ungjilli rigjallëroi familjen e tyre, thotë Vëllai Kumar. “Ne kalojmë më shumë kohë së bashku – kohë më cilësore, me marrëdhënie me një komunikim më të sinqertë.” Ata bëjnë lutje familjare përditë dhe mbrëmja familjare e shtëpisë e mbajtur rregullisht është “një gjë e ‘detyrueshme’”, thotë Rajan.

Rajani ishte ai që udhëhoqi rrugën drejt Kishës.

Kur Rajani ishte në mes të adoleshencës së tij, Xhorxh Kumar filloi të shqetësohej për rrugën që i biri mund të merrte në jetë. I shqetësuar që Rajani e miqtë e tij nuk po e harxhonin kohën në mënyrë të frytshme, Xhorxhi gjeti një mënyrë për ta rrethuar të birin me të rinj që silleshin ndryshe. Xhorxhi mësoi se Rajan mund të kualifikohej për pranim në Kolegjin e Kishës SHDM të Fixhit, në Suva, nga biseda me një kushëri që punon atje. (Kolegji i Kishës është shkollë e mesme e barasvlershme me një shkollë trevjeçare dhe të mesme në zona të tjera.)

Pasi hyri në Kolegjin e Kishës, sjellja e Rajanit filloi të përmirësohej. “Ishte shembulli i studentëve të tjerë”, thotë ai. Më parë, me miqtë e tij, ai kishte harxhuar shumë kohë duke u marrë me aktivitete boshe. Por pasi pashë ndryshimin në jetën e studentëve në shkollën e Kishës, “E humba dëshirën për të bërë ato gjëra”, shpjegon ai.

Rajani fitoi një dëshmi të ungjillit dhe prindërit e tij ishin kaq të kënaqur me ndryshimet në jetën e tij saqë kur ai i kërkoi leje për t’u pagëzuar e konfirmuar, ata menjëherë ranë dakord. Rajani e la grupin e tij të vjetër të miqve. Ai kishte fituar miq të rinj.

Megjithatë, kur ai i kërkoi prindërve të dëgjonin misionarët sidoqoftë, “ne ngurruam”, kujton Xhorxhi. Por prapë, ata i kishin parë ndryshimet që ungjilli kishte sjellë në jetën e Rajanit, kështu që e dinin se Kisha duhej të ishte e mirë. Kthesa në sjelljen e Rajanit ishte kaq e dukshme saqë në vitin tij të tretë dhe të fundit të Kolegjit të Kishës, ai u titullua studenti më i mirë, nder i cili zakonisht rezervohet për një student që e ka kaluar në shkollë tërë karrierën e tij shkollore.

Në fillim disa ndryshime në sjelljen e Rajanit u dukeshin të çuditshme prindërve. Për shembull, përse nuk mund ta bindnin të ushqehej të dielën e parë te muajit? Por kur Rajani u shpjegoi qëllimin e agjërimit, prindërit e kuptuan se ndryshimet në jetën e tij kishin shkuar më thellë se sa ata kishin përfytyruar.

Vëllai më i vogël i Rajanit, Majkëlli, gjithashtu i kishte vënë re ndryshimet tek vëllai i tij dhe Majkëlli ia vuri veshin ungjillit. “Rajani filloi të shkonte në aktivitetet e kishës dhe gjëja që më bëri për vete është se sa herë kthehej, ai ishte i lumtur,” thotë Majkëlli. “Faktikisht unë iu drejtova vetë misionarëve. Unë doja të merrja mësimet. Unë doja të pagëzohesha e konfirmohesha.”

Kur misionarët, pas pagëzimit, po i jepnin Majkëllit mësimet e anëtarit të ri, mamaja e tij, Alitiana, filloi t’i dëgjonte. Kjo pati ndikim mbi burrin e saj dhe shpejt të dy, Xhorxhi e gruaja e tij, fituan vetë dëshmitë e tyre.

Rajani pati privilegjin që të pagëzonte të dy prindërit e tij në kishë në vitin 2006, pak para se të largohej për të shërbyer në Misionin e Uellingtonit në Zelandën e Re. Më vonë, para se Majkëlli të largohej për në mision, ai pati privilegjin t’i shoqëronte prindërit e tij kur hynë në tempull. Plaku Majkëll Kumar hyri në Misionin Jugor të Solt-Lejk-Sitit, Juta, në gusht 2008, pak para se Rajani të kthehej nga Zelanda e Re.

Pagimi i të dhjetës dhe më pas përkrahja financiare e një djali në mision rezultoi të qe e vështirë për Kumarët. Të ardhurat e vëllait Kumar shkonin të tëra për të shlyer hipotekën e tyre dhe detyrime të tjera. Por ata bënë sakrificat e nevojshme; e gjithë familja e kuptoi nevojën. Për shembull, kurdoherë që Vëllai Kumar thoshte gëzueshëm se ata do të shijonin dietën “normale” atë mbrëmje, e tërë familja e kuptonte se nuk do të kishte mish për darkë. “Kishte ditë kur ne hanim vetëm bukë dhe kakao”, kujton Majkëlli.

Rajani thotë se është mirënjohës për sakrificën e prindërve të tij. “Unë mësova se ata janë me të vërtetë të përkushtuar ndaj besëlidhjeve që kanë bërë.”

Vëllai më i ri i Rajanit vëren se që prej kthimit të tyre në besim, ata, si një familje, ia dalin mbanë sfidave më mirë. Ati Qiellor na ka ndihmuar.”

Kthimi në besim i familjes shpejt preku jetë të tjera gjithashtu. Dy nga kushërinjtë e Rajanit dhe Majkëllit, që kishin ardhur të jetonin me Kumarët, zgjodhën gjithashtu të dëgjonin mësimet e misionarëve dhe të bashkoheshim me Kishën.

Bekimet e sakrificave të Kumarëve kanë qenë si tokësore edhe shpirtërore, thotë Vëllai Kumar. Ata kanë qenë në gjendje të arrijnë të mbulojnë nevojat e tyre me paratë e tyre. Dhe pasi Majkëlli u largua për në mision, Vëllai Kumar qe në gjendje të gjente një punë të re, që shpreson se do ta mundësojë të shlyejë hipotekën e tij më shpejt.

Por më të rëndësishme kanë qenë bekimet shpirtërore që kanë marrë Kumarët në jetën e tyre. Xhorxhi dhe Alitiana u rritën shpirtërisht në thirrjet e tyre – ai si president i kuorumit të pleqve në Lagjen e Dytë të Lamit, Kunji Suva i Fixhit Verior, dhe ajo si këshilltare e dytë në Filloren e lagjes.

Rajani thekson se vetë pikëpamja e tij mbi jetën është tashmë tepër ndryshe nga ajo e shumë shokëve të tij: “Unë kam gjithmonë diçka për të bërë – diçka në ndërtimin e mbretërisë.” Në planifikimin për të ardhmen, thotë ai, ungjilli i bën besimtarët “t’i shikojnë gjërat nga një pikëpamje e përjetshme”.

Xhorxh dhe Alitiana Kumar-ëve u ishin mësuar të dyve doktrinat e krishtera para se të dëgjonin ungjillin. Por ata nuk kishin gjetur qetësi në atë që u ishte mësuar. “Në besimet e tjera,” thotë Vëllai Kumar, “mësohet ta kesh frikë zemërimin e Perëndisë – të jesh i frikësuar. Por Shlyerja e Jezu Krishtit të jep një mundësi tjetër.”

Kumarët po përpiqen të fitojnë sa më shumë nga kjo mundësi e dytë.

Familja Naivaluvou

Peni dhe Xheni Naivaluvou e dyfishuan madhësinë e familjes së tyre kur futën në shtëpi katër vajza nga Vanuatu-ja, të cilat po frekuentonin Kolegjin e Kishës SHDM të Fixhit. Por Naivaluvou-t nuk e konsiderojnë këtë si sakrificë. Ata ndiejnë se janë bekuar me bollëk ngaqë kanë bërë këtë gjë. Një prej këtyre bekimeve, që ata besojnë, është shtimi në familjen e tyre i foshnjës Hagoth, e lindur në janar 2009.

Në fillim të 2008-ës, Peshkopi dhe Motra Naivaluvou të Lagjes Tamavua, Kunji Suva i Fixhit Verior, dëgjuan se dy studente të reja nga Vanuatu-ja kishin nevojë për një vend për të jetuar, kështu që Naivaluvou-t vlerësuan vetë situatën e tyre. Bijtë e tyre, Soan, 18 vjeç, dhe Rosi, 16 vjeç, ishin larg shtëpisë duke frekuentuar një shkollë Kishe në Tonga, toka e paraardhësve të atit të tyre. Dy vajzat nga Vanuatu-ja po jetonin me një familje jo-SHDM në Suva me një kosto të lartë për prindërit e tyre. Dy vajzat do të ishin shoqëri e mirë për Andrea Naivaluvou-n, në atë kohë 13-vjeçe; Andrea gjithashtu frekuentonte Kolegjin e Kishës dhe vinte në shtëpi pasdite përpara se prindërit e saj të linin punën. Kështu që Vëllai e Motra Naivaluvou vendosën që t’i ftonin dy vajzat nga Vanuatu-ja të jetonin në shtëpinë e tyre pa pagesë.

Vajzat ngulmuam që të ndihmonin me shpenzimet, por prapëseprapë harxhimet e tyre ishin më pak se gjysma e shumës që paguanin më parë – një bekim për familjet e tyre.

Në prill dy vajza të tjera nga Vanuatu-ja erdhën për vizitë dhe u pëlqeu atmosfera e shtëpisë Naivaluvou. Pak kohë më pas këto dy vajza pyetën nëse mund të vinin edhe ato të jetonin aty. Naivaluvou-t i futën në shtëpi me gëzim.

Si ia arritën të mbanin katër të reja të tjera në shtëpi? “Ne kemi ndërtuar një lidhje të tillë që më shumë duket sikur ato janë vajzat tona,” thotë Peshkopi Naivaluvou. Naivaluvou-t e bënë të qartë që në fillim se vajzat do të konsideroheshin pjesë e familjes. Në fakt katër vajzat nga Vanuatu-ja kanë lidhje gjaku me njëra-tjetrën, por në shtëpinë Naivaluvou ato silleshin me njëra-tjetrën si motra të lindura nga të njëjtët prindër. Edhe Andrea Naivaluvou arriti që t’i pranonte, “si motrat e mia,” thotë ajo; vajzat e rritura kujdeseshin për të dhe madje e ndihmonin me detyrat e shtëpisë kur ishte e nevojshme. Katër vajzat filluan t’i thërrisnin Peshkopin dhe Motrën Naivaluvou Ta dhe Na – “Babi” dhe “Mami” në fixhianisht.

“Kjo mund të jetë hera e parë,” thotë Motra Naivaluvou, “që vajza nga Vanuatu-ja të cilat frekuentojnë Kolegjin e Kishës kanë pasur mundësi të jetojnë me familje anëtare.” Babai i një prej vajzave, kur erdhi për vizitë, u shprehu mirënjohjen e tij të thellë Naivaluvou-ve për dashurinë që i kanë treguar së bijës.

Motra Naivaluvou vë në dukje se një nga vajzat, e bija e një presidenti distrikti në Vanuatu, ishte një shembull i mrekullueshëm për familjen e tyre për besimin që kishte; Peshkopi Naivaluvo thotë se shembulli i saj e ndihmoi familjen e tij të ishin më të përpiktë në studimin e shkrimeve të shenjta dhe lutje familjare.

Çifti Naivaluvou thotë se janë bekuar nga ana tokësore sepse kanë ndarë me të tjerët. Burimet e tyre janë shtuar më tej. Dhe Motra Naivaluvou beson se bekimi që qe në gjendje të ngelte përsëri shtatzënë pas 13 vjetësh, ka lidhje me gatishmërinë e tyre për të ndarë dashuri me të tjerët.

Kur dy bijtë e Naivaluvou-ve në fund të vitit shkollor në Tonga u kthyen në shtëpi, edhe ata i pranuan të rejat si pjesë të familjes. Por ndoshta Soanit mund t’i falej që nuk i konsideronte vajzat tamam si motra. Ai e gjeti veten të ftuar si shoqërues për një nga të rejat në mbrëmjen e fundvitit. Ai e luajti rolin e tij si zotëri i vërtetë.

Kur në 2008-n të katër vajzat mbaruan vitin shkollor dhe u kthyen në shtëpi në Vanuatu, lamtumirat qenë emocionuese, kujton Peshkopi Naivaluvou. Dukej sikur ai dhe gruaja e tij po u thoshin lamtumirë katër bijave. Dhe kur një vit i ri shkollor filloi në 2009-n, Naivaluvou-t qenë të gëzuar të mirëprisnin përsëri katër “bijat” e tyre – plus edhe dy të tjera.

Me katër dhoma fjetjeje në shtëpinë e tyre, disa habiteshin sesi mund të bënin vend edhe për gjashtë të reja veç vetë bijës së tyre dhe foshnjës së re. Por familja Naivaluvou shpejt i zgjidhi gjërat pa vështirësi.

Në fund të fundit, nuk ishte çështja tek hapësira vetjake. Ishte thjesht një çështje e zgjerimit të rrethit të tyre të dashurisë.

Asenaka Ramasima

Gjatë 2008-ës, Asenaka Ramasina fitoi dy nga çmimet ndoshta më prestigjioze për studentët në Kolegjin e Kishës SHDM të Fixhit. Në fillim ajo u përzgjodh si e dalluara apo studentja më e mirë në shkollë. Ky çmim mbart në vetvete një bursë për pagimin e shkollës. Por ajo gjithashtu mori çmimin “Luani i Zotit”, që i jepet një studenti shembullor të seminarit. Ajo e çmon këtë çmim të dytë edhe më shumë sesa të parin, sepse është diçka që e kujton sesi është përpjekur të ushtrojë besim në Atin e saj Qiellor në vetë jetën e saj të përditshme.

Jeta tashmë e ka goditur Asenakën me një numër të madh vështirësish, megjithëse ajo është vetëm 19 vjeç. Dhe prapëseprapë ajo duket sikur rrezaton gëzim – gëzim nga dija që ajo ka një familje të përjetshme sepse ata u vulosën në Tempullin e Suva-s në Fixhi në vitin 2001 dhe gëzim nga dija që Ati i saj Qiellor e njeh dhe e do.

Asenaka është më e vogla e pesë fëmijëve, vjen pas katër vëllezërish. Ajo kujton se kur babai i saj ndërroi jetë, vëllai më i madh, që po shërbente si misionar në atë kohë, i nxiti të gjithë ata të mbanin mend se babai i tyre nuk kishte humbur për ta; ai do të ishte gjithmonë pranë.

Vëllezërit e saj u bënë ata që i siguronin bukën familjes; ndërsa nëna e tyre u bë një faktor bashkues shpirtëror që i mbajti ata të bashkuar. Fëmijëve u ka sjellë dobi ndjekja e shembullit të prindërve të tyre.

“Babai im ishte frymëzim për mua. Ai gjithmonë na mësonte: ‘Punoni fort, punoni fort’”, thotë Asenaka gojëmbël. Puna e palodhur në shkollë ka qenë për të mënyra e nderimit të babait të saj dhe e përkrahjes së nënës së saj. Bursa që rrjedh nga çmimi i të dalluarës është një ndihmesë e çmuar që Asenaka ka dhënë për shpenzimet e arsimimit të vet.

Shembulli prindëror gjithashtu i dha asaj një themel për arsimimin e saj shpirtëror. “Ne na jepet mësim çdo ditë në shtëpi përmes leximit familjar të shkrimeve të shenjta dhe mësimeve nga vetë prindërit tanë”, thotë Asenaka. Mamaja e saj, shton ajo, vazhdon ta ndërtojë mbi këtë themel familjen.

Studimi i rregullt i shkrimeve të shenjta nga vetë Asenaka, e ka ndihmuar atë të mbajë dhe forcojë besimin e saj në Jezu Krisht. Ajo gjen kohë për studimin e shkrimeve të shenjta pavarësisht sesi mund të jetë programi i saj.

Në këmbim, besimi në Jezu Krisht e ka ndihmuar që të qëndrojë pranë Atit të saj Qiellor kështu që ajo mund të kërkojë udhëheqjen e Tij. “Unë e di se Ai është gjithmonë atje”, thotë ajo. “Nëse unë bëj atë që Ai do që të bëj, Ai do të jetë pranë meje dhe Shpirti i Tij do të më konfirmojë atë që është e drejtë.”

Kjo udhëheqje është e rëndësishme ndërkohë që disa të reja në moshën e saj përpiqen t’i thonë “të argëtohet” siç bëjnë ato – duke pirë pije, duhan dhe duke lënë mënjanë dëlirësinë. Por Asenaka thotë: “Ato gjëra janë në kundërshtim me ndërgjegjen time”, dhe për shkak të besimit të saj dhe sigurisë që ndien nga udhëheqja e Atit Qiellor, “Unë mund t’u them ‘Jo’.”

Shërbimi në Kishë, thotë ajo, e ka ndihmuar të ketë vetëbesimin që përndryshe do t’i mungonte. Kjo do të jetë e rëndësishme kur ajo të përfundojë shkollimin në Kolegjin e Kishës, sepse paskëtaj ajo shpreson të jetë në gjendje të ndjekë Universitetin Brigam Jang në Provo, Juta, ose UBJ–Havai për të studiuar për financë.

Ato vende ndodhen shumë larg nga shtëpia e familjes së saj në një zonë rurale në rrethinat e Suvas. A do të ishte paksa e frikshme vajtja kaq larg shtëpisë? Asenaka mendon për një çast rreth kësaj pyetje, pastaj jep një nga buzëqeshjet e saja të mëdha. Po, përgjigjet ajo – por ajo do t’ia dalë mbanë që të arrijë qëllimet e saj.

Është e lehtë të besosh që Asenaka do ta bëjë atë që thotë. Deri tani, ajo ia ka dalë shumë mirë në arritjen e qëllimeve të saj. Dhe, si edhe anëtarë të tjerë besnikë në Fixhi, ajo ka gjetur si rritje shpirtërore edhe mbarëvajtje tokësore nga ushtrimi i besimit dhe mbajtja e urdhërimeve.

Fotografi nga Don L. Searle

Xhorxh, Alitiana dhe Rajan Kumar.

Plaku Majkëll Kumar kur po shërbente në Misionin Jugor të Solt-Lejk-Sitit, Juta.

Përpara: Peni, Xheni, dhe Andrea Naivaluvou. Prapa: Soan dhe Ros Naivaluvou.

Tempulli i Suvas në Fixhi

Shtyp në Letër