Kur Rosakët Nuk Pluskojnë
Ne thjesht supozuam që rikat tona do të mund të jetonin në ujë. Ramë në një të papritur.
E gjitha kjo filloi me një dhuratë të papritur që Babi u solli në shtëpi tri vajzave të tij. Duke parë brenda kutisë prej kartoni plot cicërima, ne vajzat klithëm nga gëzimi. Rika të vogla! Nuk na pritej sa të zgjasnim dorën e të kapnim një. E shtymë babin aq shumë, sa atij gati sa nuk i ra kutia.
“Me ngadalë, vajza!” tha ai ndërsa e zuri e qeshura. “Ka nga një për secilën prej jush!”
U befasova që ajo rikë e vogël m’u duk aq e imët në dorën time. Në hapësirën e dorës sime, trupi i saj i ngrohtë dukej sa çereku i madhësisë dhe gjithashtu peshonte afërsisht po aq.
“Ua, sa e lehtë që është!” thirra unë. “S’është çudi që bibat e rosave mund të notojnë!”
Babi qeshi përsëri ndërsa shkoi në kuzhinë për të ndenjur me Mamin. Babi ishte i shkëlqyer për të papritura, veçanërisht për ato të cilat e bënin familjen e tij të buzëqeshte. Pikërisht atëherë m’u kujtua vaska e notimit. Ajo do të ishte mjedisi i përkryer për rosakët tanë të rinj.
“Nora, nxirre atë vaskën e vjetër plastike nga garazhi”, e urdhërova unë motrën time.
Ndërsa tubi vaditës i oborrit prapa shtëpisë pomponte ujë të pastër e të ftohtë në vaskë, ne filluam të këqyrnim rosakët tanë dhe filluam t’u vinim emra. I imi kishte një pikëz të murrme mbi sqepin e ti të rrumbullakët dhe, si për të qeshur, këmbë të stërmëdha me membrana.
Papritmas kujtova miqtë e mi. Ata do të qeshnin me ngazëllimin tim për këto shpendë të rinj shtëpiakë. Pastaj u kujtova që miqtë e mi nuk do të ishin aty pranë për disa ditë në vijim. Prindërit e tyre u kishin dhënë leje që të shkonin për kampim në malet pranë. Do të ecnin me biçikleta në një shteg të vjetër të pashtruar, do të zgjidhnin një vend kampimi, do të ngrinin tendat. Do të kishin plot argëtime dhe do të ishin në shtëpi ditën tjetër, duke qeshur e folur për kampimin e tyre. Mami nuk më kishte dhënë mua leje. Ajo tha se isha shumë e vogël!
Pasi u mbush vaska, ne vajzat u mblodhëm përreth, duke e pritur me padurim këtë çast. Shpendët tanë, që përplasnin krahët e gagarisnin, i vendosëm në ujë dhe, pëlltum, ranë drejt e në fund. Që të tre u zhytën brenda!
Ne futëm duart brenda në vaskë dhe i shpëtuam të ngratët zogj që mezi merrnin frymë. Cili të kishte qenë gabimi? Ne s’po u kërkonim që ata të bënin diçka të vështirë, p.sh., not. Gjithçka që duhej të bënin ishte të pluskonin. A nuk është kjo e lehtë për një rosak?
“Ç’ndodhi vallë?” pyeste veten motra ime.
“Ndoshta ne i zumë në befasi!”
Të gjitha qemë të një mendjeje se kjo gjë ishte si foshnjat kur mësojnë të ecin. Ato thjesht duhet të rrëzohen nganjëherë. Ramë dakord që ta provonim përsëri.
“Një, dy, tre, hop!”
Pëlltum! Pëlltum! Pëlltum! - drejt e në fund porsi sfera plumbi.
Për fatin e mirë të rikave, asnjëra nga ne nuk pati zemër ta zbatonte më tej teorinë tonë, që atyre u duhej thjesht të bënin praktikë. Kur Nora sugjeroi që të përdornim tharësen e flokëve për puplat e tyre, ne të gjithë u turrëm në shtëpi. Lehtë-lehtë, dy motrat e mia u frynë ajër zogjve të ngratë me tharësen time ngjyrë rozë, ndërsa unë kërkova numrin e telefonit nisur nga emri mbi kutinë prej kartoni.
“Alo, zotëri? Jemi ato që sapo blemë – domethënë, babi ynë sapo bleu – tri rika të vogla. Po, zotëri. Shiko, ka një problem me rosakët tanë. Shikoni, ne parapëlqejmë që rosakët tanë të pluskojnë.”
Gjëja që do të thoshte ai burri, ishte për mua si të më hapte sytë. Nuk e kuptova se kisha mësuar aq shumë derisa dëgjova veten t’ua shpjegoja këtë Norës dhe Suzit: “Shikoni, pendët me push nuk e pengojnë dot ujin. Ato njomen me të shpejtë. Ne duhet të presim një a dy javë të tjera që trupi i tyre të prodhojë një yndyrë të dylltë që do t’ua mbrojë pendët nga uji.
“Por kjo nuk është e vërtetë”, kundërshtoi Nora. “Unë kam parë biba rosash që e ndjekin nënën e tyre në lumë. Ato ishin vetëm disaditëshe.”
“Burri ma shpjegoi këtë gjë. Kur rosakët lindin, nëna e tyre i mbështjell krahët e saj përreth bibave që t’i mbajë ngrohtë. Yndyra që vjen nga krahët e nënës fërkohet mbi bibat e saj. Me nënën e tyre ato mund të qëndrojnë mbi ujë. Që të bëhen të pavarura, atyre u nevojitet të rriten ca, para se të jenë të sigurta në ujë.”
Pikërisht atëherë mendja ime u end diku drejt maleve, duke menduar për miqtë e mi nëpër tenda. Ndoshta Mami thjesht dëshironte të më mbante nën krahët e saj paksa më gjatë. Ledhatova me njërin gisht shpinën e imët të rikës sime.
“Për tani, do t’ju mbajmë jashtë vaskës, vogëlush”, i premtova unë. Pastaj, mbasi u mendova sërish, shtova: “Të mungon mami yt?”