2010
Fondi i Përhershëm për Arsimim Lulëzon Nëntë Vite pas Fillimit
Prill 2010


Fondi i Përhershëm për Arsimim Lulëzon Nëntë Vite pas Fillimit

Tajsën Kemixh, i goditur nga poliomieliti dhe jetim që foshnjë, u rrit në Nairobi të Kenias, ku nuk fjeti kurrë mbi një dyshek dhe rrallë hëngri dy vakte ushqimi në ditë. Ai sillej rrotull vetëm me ndihmën e një palë patericave.

Ai e ndau mendjen të frekuentonte Kolegjin Augustana të Kenias për të studiuar teknologji informacioni, por pa familje dhe pa para, e ardhmja e tij dukej e pashpresë.

Vëllai Kemixh, që ishte bashkuar me Kishën disa vite më parë, pasi mbaroi shkollën e mesme, kontaktoi një çift misionarësh në moshë dhe u tregoi atyre për dëshirat e tij. Misionarët e vunë në kontakt me komitetin e Fondit të Përhershëm për Arsimim (FPA). Një hua nga FPA e ndihmoi atë të siguronte hyrjen në shkollë.

“Jam njeriu më me fat mbi tokë”, u thoshte shpesh Vëllai Kemixh misionarëve.

Vëllai Kemixh ka shërbyer si president i trupit studentor të universitetit Augustana dhe mban dy thirrje në lagjen e tij.

Nëntë vite pasi Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) njoftoi së pari për FPA, programi ka më shumë se 38.000 pjesëmarrës në 42 vende. Megjithë vështirësitë ekonomike mbarëbotërore, Fondi i Përhershëm për Arsimim është i shëndetshëm dhe po ndihmon njerëz si Tajson Kemixh të arsimohen, t’i shpëtojnë varfërisë dhe të kontribuojnë për komunitetet e tyre.

Më shumë se 87 për qind e pjesëmarrësve të FPA, që e kanë përfunduar shkollimin e tyre, aktualisht janë të punësuar.

Kapërcimi i Sfidave

Ndërkohë që programi nuk është kërcënuar nga rënia ekonomike, ata që e mbikëqyrin programin thonë se atij i është dashur të kapërcejë disa sfida. Një nga sfidat më të mëdha të hasura nga programi është numri në rritje i pjesëmarrësve.

“Pengesat që na është dashur t’i përballojmë dhe t’i kapërcejmë janë pengesat e zakonshme që shoqërojnë rritjen e shpejtë dhe një përpjekje ndërkombëtare”, tha Plaku Xhon K. Karmak, anëtar nderi i Të Shtatëdhjetëve dhe drejtor ekzekutiv i fondit. “Disa nga pengesat kanë përfshirë përhapjen e lajmit, bërjen të njohur të kërkesave e të disponueshmërisë dhe mbështetjen e pjesëmarrësve.”

Programi drejtohet prej zyrave qendrore të Kishës nga një grup relativisht i vogël administrues, përfshirë disa të punësuar, çifte misionare dhe vullnetarë nga vendi. Ai mbikëqyret nga dy Autoritete të Përgjithshme nderi, Plaku Karmak dhe Plaku Riçard E. Kuk.

Me qëllim që të administrohet programi i shumëpërhapur, personeli i FPA dhe misionarët punojnë me Presidencitë e Zonës për të trajnuar udhëheqës të zonës, të cilët, nga ana e tyre, punojnë me udhëheqës vendorë për të trajnuar e mbështetur mësues, personel, vullnetarë dhe pjesëmarrës nga vendi.

“Ishte dhe është një nismë kaq novatore”, tha Reks Alen, drejtor i trajnimit dhe komunikimit për programin. “Është e re në cilindo nivel, kështu që komunikimi dhe trajnimi kanë qenë thelbësorë.”

Si Funksionon

Programi është bërë i mundur nga qindra mijë individë që i dhurojnë para fondit. Gjithë paratë e dhuruara shkojnë për të mbështetur pjesëmarrësit.

Për pjesëmarrësit, procesi fillon me një fazë përgatitore të bashkërenduar nëpërmjet programit të institutit të fesë ku është i regjistruar anëtari. Me ndihmë nga qendrat e burimeve të punësimit të SHDM, pjesëmarrësit kryejnë kurset “Planning for Success” [“Planifikimi për Sukses”] dhe seminaret praktike për karrierë përpara se të plotësojnë në internet aplikimin për huanë.

Pasi të jenë miratuar huatë, pjesëmarrësit vazhdojnë arsimimin e tyre me mirëkuptimin se do t’i paguajnë borxhet e tyre kështu që të tjerë të mund të përfitojnë gjithashtu nga fondi. Pjesëmarrësit ripaguajnë më shumë se 2,5 milionë USD për huatë e tyre çdo vit.

Plaku Karmak tha se programi është duke pasur sukses jo vetëm për shkak të mbështetjes së madhe financiare të anëtarëve, por gjithashtu për shkak të udhëheqjes së shkëlqyer. “Ati i Fondit të Përhershëm për Arsimimin është Gordon B. Hinkli”, tha ai, “por mbështetja dhe interesimi i Presidentit [Tomas S.] Monson janë po aq të shkëlqyera sa të Presidentit Hinkli. [Presidenti Monson] ka qenë i përfshirë në proces që nga fillimi dhe e drejton atë sot me mprehtësi profetike.”

Rezultatet

Kur e shpalli programin në konferencën e përgjithshme të prillit 2001, Presidenti Hinkli tha: “Me aftësi të mira punësimi, këta të rinj e të reja mund të dalin nga varfëria që kanë njohur ata dhe breza para tyre. Ata do të sigurojnë më mirë për familjet e tyre. Ata do të shërbejnë në Kishë dhe do të rriten në udhëheqje e përgjegjësi. Ata do t’i ripaguajnë huatë e tyre për të bërë të mundur për të tjerë që të bekohen ashtu si ata janë bekuar” (“The Perpetual Education Fund”, Liahona, korrik 2001, f. 60; Ensign, maj 2001, f. 51).

Udhëheqësit e programit vazhdojnë të shohin përmbushjen e fjalëve të Presidentit Hinkli. 10 deri 15 për qind të udhëheqësve të tanishëm të Kishës në disa vende me FPA të miratuar janë përfitues të mëparshëm nga fondi.

“Kjo nuk është një ëndërr e pamend”, vazhdoi Presidenti Hinkli. “Ne kemi burimet nëpërmjet mirësisë dhe mirëdashjes së miqve të mrekullueshëm dhe bujarë. Ne kemi organizatën. Ne kemi fuqinë punëtore dhe shërbyesit e përkushtuar të Zotit që ta bëjmë të ketë sukses. Kjo është një përpjekje gjithëvullnetare që praktikisht nuk do t’i kushtojë asgjë Kishës. Ne lutemi me përulje dhe mirënjohje që Perëndia t’i sjellë sukses kësaj përpjekjeje dhe që ajo do të sjellë bekime, të pasura e të mrekullueshme, mbi kryet e mijëra vetëve tamam ashtu si organizata pararendëse e saj, Fondi i Përhershëm për Emigracion, solli bekime të panumërta në jetën e atyre që morën pjesë nga mundësitë e tij.”

Nëntë vite më vonë, programi vazhdon të rritet, i mundësuar, sipas Vëllait Alen, “nëpërmjet dashamirësisë së shkëlqyer dhe besimit të pamasë”.

Anëtarët e përshtatshëm mund të bekohen …

duke marrë nga frytet e Fondit të Përhershëm për Arsimimin …

dhe duke i rikthyer kështu që të tjerë të mund të përfitojnë gjithashtu.

Ilustrime nga Brad Teare

Shtyp në Letër