2010
Këshillë Drejtuar Të Rejave mbi Takimet
Prill 2010


Këshillë Drejtuar Të Rejave mbi Takimet

Young Women General Presidency

Takimet janë zbavitje! Takimet janë një mundësi për ju që të zhvilloni e të zgjeroni miqësitë tuaja me të rinj. Plaku Robert D. Hejls nga Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve dha një përkufizim të thjeshtë e kuptimplotë të një miku: “Miqtë janë njerëz që e bëjnë më të lehtë ta jetosh ungjillin e Jezu Krishtit.”1 Takohuni me të rinj që ju bëjnë të dëshironi të jeni një njeri më i mirë. “Të jeni individi më i mirë që mund të jeni”, që të mund të jeni një ndikim i mirë për ata me të cilët takoheni.2

Bëhuni Ai Lloj Njeriu me të Cilin Do Të Donit Edhe Vetë të Dilni

Ju mund të filloni tani të punoni që të zhvilloni ato cilësi që do t’ju bëjnë tërheqëse dhe interesante.

  • Buzëqeshni! Po, buzëqeshni dhe jini të lumtura. Dhe buzëqeshja juaj do të jetë ngjitëse dhe do të ndihmojë që të tjerët të kënaqen në shoqërimin me ju.

  • Jini shpirtërisht të shëndetshme. Bëni ato gjëra që do t’ju afrojnë me Frymën e Shenjtë në mënyrë që Ai të jetë shoqëruesi juaj i përhershëm.

  • Jini fizikisht të shëndetshme. Kujdesuni mirë për trupin tuaj, jini aktive dhe praktikoni zakone të shëndetshme të të ushqyerit. Jini të pastra.

  • Zhvilloni interesat dhe talentet tuaja. Kërkoni gjithë arsimimin që mundeni. Ju mund të lexoni libra të mrekullueshëm, të dëgjoni muzikë të mirë, të dini ngjarjet e fundit ose të mësoni një gjuhë tjetër.

  • Silluni si një bijë e Perëndisë. Të mos jeni të paturpshme, të zhurmshme, të patakt ose nënkuptuese për gjëra të pahijshme. Mund ta keni parë këtë lloj sjelljeje nëpër filma, por kjo nuk është e përshtatshme për një të re që e kupton identitetin e saj si një bijë e Perëndisë.

  • Përmirësoni aftësitë tuaja shoqërore. Të jeni e sjellshme, të përfshini të tjerët dhe të mbani parasysh nevojat e të tjerëve. Praktikoni komunikimin ballë për ballë. Mësoni rregullat dhe mënyrat e mirësjelljes. Të gjitha këto gjëra do t’ju ndihmojnë të bëheni ai lloj njeriu që të tjerët do të duan ta kenë pranë.

  • Interesohuni për njerëzit. Tregoni interesim për të tjerët dhe gjërat që u pëlqejnë të bëjnë. Bëni pyetje që do t’i ndihmojnë të ndihen rehat dhe do t’ju ndihmojnë t’i njihni më mirë.

  • Vendosni kufij. Mos i lejoni të tjerët të përfitojnë prej jush. Ruani pastërtinë tuaj morale.

  • Jetoni standardet e broshurës Për Forcën e Rinisë. Mos ngurroni t’i ndani këto standarde me ata me të cilët takoheni. Mos i ulni standardet tuaja për askënd. Nëse dikush pret nga ju ta bëni këtë, ai ose ajo nuk është e denjë për miqësinë ose shoqërinë tuaj.

  • Ndihmojini të tjerët të jenë individi më i mirë që mund të jenë. Bëjini ata më të mirë ngaqë u takuan me ju. Edhe nëse nuk keni shumë mundësi për takime, ju mund të buzëqeshni dhe të zini miq të rinj. Zgjidhni të jeni optimiste. Edhe zhgënjimet në takime mund t’ju ndihmojnë të rriteni shpirtërisht. Çdo person që takoni mund ta pasurojë jetën tuaj dhe ju mund të bekoni të tjerët ndërsa ndani me ta më të mirën nga vetja.

Zgjidhini me Zgjuarsi Ata me të Cilët Dilni në Takime

Takimet janë një mundësi që të arrini të njihni të rinjtë gjatë përgatitjes për martesë. Jini të kujdesshme rreth atyre që zgjidhni për të dalë në takim. Kur jeni duke menduar të dilni me një të ri, sigurohuni që ai ka standarde të larta dhe do t’ju ndihmojë gjithmonë të jetoni ungjillin e Jezu Krishtit. Këtu keni disa pyetje që ju ndoshta doni t’ia bëni vetes:

  • A ka ai një karakter të fortë dhe të mirë?

  • A është ai i besueshëm dhe dikush ku mund të mbështetesh?

  • A është ai i ndershëm?

  • A është ai i respektueshëm dhe i sjellshëm me të tjerët dhe me mua?

  • A është ai bujar?

  • A i respekton ai prindërit e mi dhe a i nderon prindërit e tij?

  • A e nderon ai priftërinë e tij?

  • A më nxit mua të jem individi më i mirë i mundshëm?

  • A është i denjë për të frekuentuar tempullin?

Zbavituni dhe jini zbavitëse në takime ndërsa njihni të tjerët. Planifikoni aktivitete tërheqëse së bashku. Disa nga takimet më zbavitëse mund të jenë të thjeshta, si gatimi i një vakti së bashku. Ose merrni parasysh një mundësi shërbimi. Ju mund ta vëzhgoni dhe ta njihni më mirë personin tjetër duke kryer veprimtari, sesa thjesht duke ndenjur e duke parë filma.

Profeti ynë ka thënë: “Në takime, trajtojeni me respekt personin me të cilin dilni dhe prisni që ai/ajo të tregojë po të njëjtin respekt për ju.”3 Ne e dimë se ju do të jeni një ndikim pozitiv në jetën e gjithë të rinjve me të cilët takoheni – dhe të gjithë miqve tuaj që shohin shembullin tuaj të drejtë.

Ndërsa vazhdoni të zhvilloni dhuntitë e talentet tuaja, të bëni zgjedhje të zgjuara në miqësitë tuaja me të tjerët dhe të bëheni një ndikim i drejtë, vitet tuaja të takimeve do të jenë pozitive, shpërblyese dhe zbavitëse. Kjo është një kohë që të vështroni lart, të prisni më të mirën dhe të bëheni gjithçka që Ati ynë Qiellor ka si qëllim për ju. Ju jeni një bijë e Atit tonë Qiellor; Ai ju do dhe po kështu dhe ne.

Shënime

  1. Robert D. Hales, “This Is the Way; and There Is None Other Way”, në Brigham Young University Speeches of the Year, 1981–1982 (1982), f. 67.

  2. Tomas S. Monson, “Të Jini Më i Miri që Mundeni”, Liahona dhe Ensign, maj 2009, f. 67.

  3. Thomas S. Monson, “Standards of Strength”, New Era, tetor 2008, f. 5.

Fotografi e Tempullit të Kebekut në Montreal © Laurent Lucuix