2010
Prova Besimi në Vetvete: Nga Frika në Besim në Vendim Martese
Prill 2010


Prova Besimi në Vetvete Nga Frika në Besim në Vendim Martese

Nga një mbrëmje shpirtërore në Universitetin “Brigam Jang” – Ajdaho mbajtur më 25 shtator 2007.

Pamja
Elder Lance B. Wickman

Pas diplomimit në kolegj në vitin 1964, unë u emërova oficer në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara. Unë dola vullnetar për t’u stërvitur si komando i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara. Trajnimi si komando është një kurs i rëndë në taktikat e komandove dhe të elitës së këmbësorisë. Qëllimi është të formohen oficerë dhe nënoficerë me zotësi të mëdha.

Trajnimi im si komando përfshinte një seri “provash besimi në vetvete”, siç i quajnë kuadrot komando, që ishin si sfida për forcën, qëndresën dhe kurajën fizike. Kurse pengesash sfiduese, ngjitja dhe zbritja me litar në faqet e shkëmbinjve vertikalë veshur me akull prej 30 metra apo më tepër lartësi, ecje natën në kënetë nëpër aligatorë dhe gjarpërinj helmues dhe lëvizje me busull natën në 16 kilometra terren të thyer – këto janë vetëm disa nga provat që përballonim. Një qëllim i këtyre provave të besimit në vetvete ishte të mësoheshin komandot se në kushte të vështira dhe provuese lufte, ne ishim në gjendje të bënim më shumë se sa mendonim se mund të bënim. Drejtuesit tanë na mësonin të kishim besim tek vetja dhe tek trajnimi ynë. Më shumë se një herë gjatë provave të ashpra të përvojës sime të luftës, unë përftova kurajë nga mësimet e atyre provave të besimit në vetvete të komandove.

Gjatë gjithë jetës sonë, ne ndeshim prova të tjera besimi në vetvete, më të rëndësishme se sa ato që unë durova në trajnim. Këto nuk janë aq shumë teste besimi në vetvete, por të besimit në atë çka ne marrim nga Shpirti i Perëndisë. Profet pas profeti na kanë këshilluar të kujtojmë ato që dimë – për të ruajtur besimin në Zot. Kur përpiqej të ripërtërinte besim tek populli i tij, Jakobi u thoshte në mënyrë të përsëritur: “Unë e di se ju e dini” (2 Nefi 9:4, 5; theksimi i shtuar). Pali ishte edhe më i drejtpërdrejtë: “Mos e hidhni tej guximin tuaj, që do të ketë një shpërblim të madh” (Hebrenjve 10:35; theksimi i shtuar). Secili nga ne përballet me një të ardhme të pasigurt. Por kur përballemi me të, duke kujtuar atë çka tashmë e dimë, ne e përballojmë me besim. Ne e përballojmë atë me humor të mirë. Ne e përballojmë atë me besim në vetvete.

Një nga provat më të rëndësishme të besimit në vetvete në jetën tokësore zakonisht përjetohet në stinën e rinisë së jetës. Është vendimi për t’u martuar. Asnjë vendimi nuk i drejtohet me frikë më të madhe ky brez të rinjsh. Është një temë që provokon shumë ankth.

Frika rreth Martesës

Nuk jam i sigurt mbi të gjitha shkaqet pse ndodh kjo, por këtu, besoj, janë disa prej tyre:

  • Lehtësia e kalimit të kohës me shoqëri. Shumë të rinj e nxjerrin veten “jashtë loje” në gjetjen e shoqes së duhur duke bërë me tepri shoqërimin e tyre në grupe. Për shkak se ky kalim kohe me shoqëri ndodh në grupe të përziera me meshkuj dhe femra, disa mendojnë gabimisht se janë të angazhuar si duhet në procesin e përzgjedhjes aq thelbësor për gjetjen e shoqes së përjetshme. Por kjo nuk është kështu. Shoqëria në grup mund ta privojë një person nga mundësia e shqyrtimit nga afër të karakterit dhe të personalitetit të personit të veçantë, aq jetike për të bërë një zgjedhje të urtë.

  • Frika nga bërja e një gabimi. Statistikat e divorceve janë të mirënjohura. Disa të rinj kanë përjetuar dhembje zemre duke parë të dështojnë martesat e prindërve të tyre apo të miqve, apo kanë kaluar vetë nëpër divorc. Ata kanë përjetuar me finesë traumën që lidhet me të tilla ndarje. Ndonjëherë, efekti është që ata tremben t’i afrohen martesës, sepse tremben nga zgjedhja e personit të gabuar.

  • Zmbrapsja adoleshente nga përgjegjësia. Të paktën për disa, ka një ngurrim për të shkrirë dëshirat dhe interesat e veta me ato të një tjetri. Një egoizëm i tillë ka një mënyrë që e nxit njeriun ta shtyjë vendimin për martesë.

Mendim i Gabuar

Çfarëdo arsye që të ketë frika nga vendimi i martesës, ajo çon në disa mendime të gabuara, në “flakjen tej” të vetëbesimit të njeriut. Kjo, si rrjedhim, shkakton dështimin e njeriut që të marrë vendosmërisht përgjegjësinë e tij apo të saj për ta marrë atë vendim. Edhe nëse një frikë e tillë nuk rezulton në shtyrjen apo madje shmangien e martesës, ajo mund të çojë në gabime të tjera. Për shembull, disa priren ta trajtojnë vendimin si tërësisht shpirtëror. Në vend që të bëjnë çka duhet lidhur me detyrimin për vete, ata presin për diçka si për shembull një gisht hyjnor që të shkruajë një përgjigje në mur apo për detet që të hapen, apo për një fenomen tjetër mbinatyror që u tregon atyre pa dyshim se filani apo filania “është ai apo ajo”.

Të tjerë shohin nga dikush tjetër që të vendosë për ta. Një president kunji i Universitetit “Brigam Jang” më tregoi se nuk është e pazakontë për disa femra që t’i nënshtrohen idesë që një mik aktual t’u thotë atyre se ai është “personi i duhur”. Të tjera i nënshtrohen gjykimit të një prindi – shpesh të babait – që ka marrë vendime për to në të kaluarën. Në çdo rast, ka një heqje dorë nga përgjegjësia për zgjedhjen më të rëndësishme që njeriu bën në jetën e tij.

Këshilla nga prindërit, peshkopët dhe persona të tjerë të denjë mund të jetë e çmueshme. Por në fund të fundit, askush tjetër nuk mund – apo nuk duhet – tʼju tregojë juve çfarë të bëni. Vendimi me kë të martohesh është thellësisht vetjak.

“Mos e hidhni tej guximin tuaj, që do të ketë një shpërblim të madh.” Kujtoni që ne vijmë në këtë jetë të destinuar, të shprehemi kështu, për të rënë në dashuri. Mos e bëni më të vështirë nga sa është! Kujtoni çka dini dhe shkoni përpara me besim tek Ati Qiellor dhe te pozita që gëzoni si bir apo bijë e Tij.

Këshillë për Vardisje

Vardisja është koha për t’u njohur e dy njerëzve. Ajo është koha për të njohur dikë, interesat e tij apo të saj, zakonet dhe perspektivën në jetë dhe në ungjill. Ajo është koha për të ndarë ambiciet dhe ëndrrat, shpresat dhe pasiguritë. Ajo është koha të provohet angazhimi i njeriut për të jetuar ungjillin.

Plaku Dejvid A. Bednar nga Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve tregon për një misionar të kthyer që takohej me një të re të veçantë. Ai ishte shumë i lidhur me të dhe po mendonte seriozisht t’i bënte propozim për martesë. Kjo ishte pasi Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) i kishte këshilluar gratë të mbanin vetëm një komplet vathësh. Ky i ri priti me durim njëfarë kohe, tha Plaku Bednar, që e reja të hiqte kompletet ekstra të vathëve që mbante. Por kjo nuk ndodhi. Për këtë dhe shkaqe të tjera, me zemër të dëshpëruar, ai i ndërpreu takimet me të.

Duke treguar këtë përvojë, Plaku Bednar tha: “Unë marr me mend se disa nga ju … mund të besojnë se i riu qe tepër gjykues apo që ta bazosh një vendim me rëndësi përjetësie, edhe pjesërisht, mbi një çështje të tillë të quajtur të vogël është budallallëk apo fanatizëm. Ndoshta jeni bezdisur sepse shembulli përqendrohet mbi një të re që nuk iu përgjigj këshillës profetike dhe jo mbi një të ri. [Por më lejoni thjesht t’ju theksoj që] çështja nuk ishin vathët!”1

Këtu është një sugjerim tjetër. Si pjesë e kësaj përvoje vardisjeje, kujdes, mos i bazoni gjykimet tuaja thjesht mbi atë që mund të përshkruhet si një “kontroll bilete” sipërfaqësor. Me këtë, dua të them mos i mbështesni vendimet vetëm në faktin nëse dikush ka kryer mision me kohë të plotë apo mban një thirrje të veçantë në lagjen tuaj. Këto gjëra mund të jenë, duhet të jenë dhe zakonisht janë tregues përkushtimi, besnikërie dhe ndershmërie. Por jo gjithnjë. Kjo është arsyja pse duhet të njiheni. Ta njihni dikë aq mirë sa për të ditur zemrën dhe karakterin e tij apo të saj në radhë të parë dhe jo thjesht “rezymenë ungjillore” të tij apo të saj.

Përfundimi është ky: shmangni të jeni gjykues mbi dikë deri sa ta njihni atë. Gjykimet impulsive negative mund të jenë po aq të gabuara dhe ngatërruese sa edhe pozitivet. Jini po aq syçelët ndaj një diamanti të mbuluar sa edhe ndaj shkëlqimit të artë fals.

Lutja për Këtë

Vetëm pasi vini në veprim gjykimin dhe intuitën tuaj mbi lidhjen pas një periudhe kohe të mjaftueshme ju duhet të luteni për një konfirmim. Mbani mend, ashtu si çdo vendim tjetër i rëndësishëm, martesa është zgjedhja juaj. Zoti do të presë që ju të ushtroni gjykimin tuaj. Ashtu siç Ai i tha Oliver Kaudrit: “Vër re, ti nuk ke kuptuar; ke menduar se do të ta jap atë, kur ti nuk e more mundimin as për të më pyetur” (DeB 9:7). Pasi ju bëni pjesën tuaj nëpërmjet një vardisjeje të përshtatshme dhe përpiqeni të merrni një vendim, kini besim se Ati Qiellor do t’i përgjigjet lutjes suaj.

Zoti pret që ju ta përdorni intuitën tuaj. Ai pret që të mbështeteni në ndjesitë tuaja natyrore të tërheqjes burrë-grua të vendosura tek ju qysh nga lindja. Pasi jeni tërhequr tek një person i gjinisë tjetër, keni gëzuar periudhën e miqësisë – vardisjes – me të dhe jeni bindur që ai apo ajo ndan vlerat tuaja dhe është dikush me të cilin mund të ndani lumturisht lidhjen më intime – atëherë drejtojani çështjen Atit Qiellor. Mungesa e një mbrese kundërshtuese në ndjenjat tuaja mund të jetë mënyra e Tij për t’ju thënë se Ai nuk ka kundërshtim për zgjedhjen tuaj.

Ki Besim tek Zoti

Kanë kaluar vite tani që nga koha e asaj stine sfiduese në trajnimin tim si komando. Unë kam pasur shumë përvoja në jetë qysh nga provat e besimit në vetvete të ditëve të mia të ushtrisë. Por kujtimi i tyre dhe mësimet e tyre qëndrojnë. Ne jemi të aftë të durojmë stuhitë e jetës dhe ta bëjmë këtë më mirë se sa mund ta kemi menduar. Është thjesht një çështje që gjithnjë ta kujtojmë atë që dimë.

“Mos e hidhni tej guximin tuaj, që do të ketë një shpërblim të madh.” Kini besim në atë që dini! Atëherë ju do t’i përballoni provat tuaja të besimit në vetvete me kurajë e hir dhe Zoti do të drejtojë me siguri rrugën tuaj.

Shënim

  1. David A. Bednar, “Quick to Observe”, Liahona, dhjetor 2006, f. 17.

Ilustrimet nga Dilleen Marsh

Shoqëria në grup mund ta privojë një person nga mundësia e shqyrtimit nga afër të karakterit dhe të personalitetit të personit të veçantë, aq jetike për të bërë një zgjedhje të urtë.

Ju keni nevojë të njiheni. Të njihni dikë aq mirë sa për të ditur zemrën dhe karakterin e tij apo të saj në radhë të parë dhe jo thjesht “rezymenë ungjillore” të tij apo të saj.

Shtyp në Letër