Hyrje
A mund të më ndihmojë ky grup ta nis apo ta rrit një biznes?
Nuk është e lehtë të fillosh ose të rritësh një biznes, por grupi juaj i mbështetjes te vetja do t’ju ndihmojë të merrni vendime të urta biznesi. Në mbledhjet e grupit, ju do të zotoheni të kryeni veprime konkrete. Grupi do t’ju japë ide të reja dhe do t’ju nxitë. Qëllimi i këtij grupi nuk është vetëm t’ju ndihmojë për biznesin tuaj; ai është gjithashtu që t’ju ndihmojë të veproni me bindje dhe besim më të madh te Zoti dhe të merrni bekimet e premtuara të Tij të mbështetjes te vetja materialisht dhe shpirtërisht.
Çfarë është një grup i mbështetjes te vetja?
Një grup i mbështetjes te vetja është i ndryshëm nga shumica e kurseve, mësimeve dhe seminareve praktike në Kishë. Nuk ka mësues, udhëheqës apo trajnues. Anëtarët e grupit mësojnë së bashku dhe e përkrahin dhe nxitin njëri-tjetrin. Ne e mbajmë njëri-tjetrin përgjegjës për zotimet tona dhe këshillohemi së bashku për t’i zgjidhur problemet.
Çfarë bëjnë anëtarët e grupit?
Në mbledhje, anëtarët e grupit zotohen të veprojnë. Ne jo vetëm i mësojmë por edhe i bëjmë gjërat që na bëjnë të mbështetur te vetja. Ne marrim zotime, ndihmojmë njëri-tjetrin për të mbajtur zotimet dhe e raportojmë përparimin tonë. Ngaqë grupi punon si këshill, është me rëndësi që të marrim pjesë rregullisht dhe në orar në mbledhje. Silleni gjithnjë këtë fletore pune dhe broshurat Themeli Im: Parimet, Aftësitë, Zakonet dhe Shtegu Im drejt Mbështetjes te Vetja. Çdo mbledhje e grupit duhet të zgjatë rreth dy orë. Të vepruarit sipas zotimeve do të kërkojë një deri dy orë në ditë.
Çfarë bën një ndërmjetës?
Ndërmjetësit nuk janë ekspertë në biznes apo mësimdhënie. Ata nuk e udhëheqin apo i japin mësim grupit. Ata thjesht e ndihmojnë grupin t’i ndjekë materialet saktësisht siç janë shkruar. Një specialist i mbështetjes te vetja normalisht i ndërmjetëson mbledhjet e grupit; gjithsesi, anëtarë të grupit mund të caktohen të ndërmjetësojnë pas disa javësh nëse nevojitet. Për të mësuar më shumë, shihni Udhëzuesin e Udhëheqësit dhe materialet filmike te srs.lds.org.
Certifikatë Përfundimi
Anëtarët e grupit që marrin pjesë në mbledhje dhe i mbajnë zotimet, do të kenë të drejtën të marrin dy certifikata nga Kolegji i Biznesit i SHDM-së: një certifikatë për sipërmarrje biznesi (shihni faqet 197–198 për kërkesat) dhe një certifikatë për mbështetjen te vetja (shihni faqen 29 te broshura Themeli Im).