“Hyrje te Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (Feja 275)”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)
“Hyrje”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit
Hyrje te Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (Feja 275)
Mirë se vini në kursin Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit! Faleminderit që e pranuat mundësinë për t’i ndihmuar studentët e institutit të vijnë te Krishti nëpërmjet studimit të Librit të Mormonit. Ky program mësimor është hartuar për t’ju ndihmuar që të jeni një mësues i qendërzuar te Krishti dhe i përqendruar te studenti.
Cilat janë synimet e këtij kursi?
Synimi i Seminareve dhe Instituteve të Fesë thotë:
“Qëllimi ynë është të ndihmojmë rininë dhe të rinjtë në moshë madhore që t’i kuptojnë dhe të mbështeten te mësimet dhe Shlyerja e Jezu Krishtit, të kualifikohen për bekimet e tempullit, si dhe të përgatiten vetë, të përgatisin familjet e tyre dhe të tjerët për jetën e përjetshme me Atin e tyre në Qiell”. (Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit: Një Manual për Mësuesit dhe Udhëheqësit në Seminaret dhe Institutet e Fesë [2012], f. x)
Ky kurs është hartuar për t’ju ndihmuar ju dhe studentët tuaj të përmbushni Synimin e Seminareve dhe Instituteve:
-
Duke krijuar përvoja të të mësuarit që i ndihmojnë mësuesit dhe studentët të ndiejnë dashurinë e Atit Qiellor dhe ta forcojnë marrëdhënien e tyre me Të.
-
Duke ofruar mundësi për të rritur besimin te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij.
-
Duke i ndihmuar studentët të përcaktojnë dhe shpjegojnë mësimet dhe doktrinën dalluese të Librit të Mormonit, të marrin parasysh se si këto mësime janë të rëndësishme për rritjen e tyre vetjake dhe të përcaktojnë se si ta zbatojnë atë që po mësojnë në jetën e tyre.
-
Duke ushqyer një mjedis të dashur dhe të respektueshëm ku studentët ftohen të bëjnë pyetje, të shprehin shqetësimet, të diskutojnë për përvojat e tyre dhe të japin dëshmitë e tyre.
Si janë strukturuar këto materiale?
Ky kurs është ndarë në 8 njësi me 28 mësime. Çdo njësi trajton një temë të spikatur doktrinore nga Libri i Mormonit. Mësimet brenda çdo njësie janë të bazuara te tema dhe lidhen me temën doktrinore.
Çdo mësim është hartuar për një orë mësimore 50‑minutëshe. Për orët mësimore që bëhen një herë në javë për 90 minuta, mësuesit mund të ndërthurin dy mësime, duke qenë se mësimet brenda çdo njësie janë të lidhura ngushtë me temën e njësisë.
Secili mësim përbëhet nga materiali i përgatitjes së klasës dhe materiali i mësuesit. Ky material është hartuar që të ftojë për një përgatitje të kujdesshme, për t’i nxitur studentët që të përfshihen në një të mësuar më të thellë dhe për të bërë të ndodhin veprime që i ndihmojnë ata të bëhen më shumë si Ati Qiellor.
Për të ditur se si ta shfrytëzoni më mirë këtë program mësimor për të bekuar jetën e studentëve tuaj, do t’ju duhet t’i studioni edhe materialin e përgatitjes së klasës dhe materialin e mësuesit teksa përgatiteni për diskutimet si klasë.
Teksa e studioni programin mësimor, lutuni për ndihmën e Zotit që të kuptoni nevojat e studentëve tuaj. Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Jini të hapur – jini veçanërisht të hapur ndaj Shpirtit. Lini pak hapësirë manovrimi në planin tuaj mësimor. Nëse ju nevojitet ta shkurtoni një mësim në mënyrë që të jepni dëshminë tuaj dhe të stimuloni diskutim mbi një çështje të kohës, ju lutemi, bëjeni kur Shpirti ju nxit dhe jua dikton se është me vend. …
… Mbani mend se një student nuk është enë që duhet mbushur; një student është zjarr që duhet ndezur.” (“Engjëj dhe Habi” [fjalim i mbajtur në transmetimin e trajnimit të Sistemit Arsimor të Kishës, 12 qershor 2019], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org)
Materiali i Përgatitjes së Klasës
Materiali i përgatitjes së klasës përfshin fragmente nga Libri i Mormonit, kontekst për ato fragmente, thënie nga udhëheqës të Kishës, figura, materiale filmike dhe një pjesë “A Doni më Shumë?” që ofron burime shtesë të cilat lidhen me temën e mësimit.
Materiali i përgatitjes së klasës përmban gjithashtu pyetje dhe veprimtari që i nxitin studentët ta thellojnë të mësuarit e tyre dhe të përgatiten për të marrë pjesë në orën mësimore. Për shembull, te materiali i përgatitjes së klasës për mësimin 4, “Shqyrtoni Shkrimet e Shenjta”, studentët ftohen të studiojnë rreth mënyrës se si shkrimet e shenjta mund të përshtaten ose krahasohen me Liahonën. Ata ftohen më pas të bëjnë veprimtarinë vijuese:
Plaku Kim B. Klark, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim për atë se çfarë duhet të bëjë një student (dhe mësues) për të mësuar thellësisht:
“Nëse dëshironi vërtet të mësoni thellësisht, nëse zemra juaj dhe mendja juaj janë të hapura ndaj të mësuarit dhe nëse veproni sipas asaj dëshire, Zoti do t’ju bekojë. Kur e bëni pjesën tuaj – luteni me besim, përgatiteni, studioni, përfshiheni aktivisht dhe bëni më të mirën që mundeni – Fryma e Shenjtë do t’ju japë mësim, do ta lartësojë aftësinë tuaj për të vepruar sipas asaj që mësoni, dhe do t’ju ndihmojë të bëheni çfarë Zoti do që ju të bëheni.” (“Learning for the Whole Soul”, Liahona, gusht 2017, f. 27)
Materiali i Mësuesit
Në hyrje të materialit të mësuesit të çdo mësimi, ju do të gjeni një përshkrim të rezultateve të synuara për studentin. Kjo hyrje pasohet nga ide mësimdhënieje të sugjeruara që sigurojnë strukturë, përmbajtje, ndihma për diskutim dhe ide për zbatimin e mësimit.
Ndërsa e studioni materialin e mësuesit, kushtojini vëmendje mënyrës se si ai mbështetet te përgatitja e studentëve. Mbështetja vazhdimisht te përgatitja e studentëve do t’i ndihmojë ata ta ndiejnë rëndësinë e përgatitjes për çdo orë mësimore. Udhëzimi në vijim nga mësimi 4, është një shembull i mënyrës se si materiali i mësuesit mbështetet te përgatitja e studentëve:
Shënim: Kur studentët të jenë përgatitur për diskutimet si klasë, ju do të zbuloni se në orën mësimore mund të kaloni më shpejt në diskutime të thella e domethënëse të temave. Kjo duhet t’ju japë më shumë kohë në orën mësimore për të eksploruar se si ju dhe studentët tuaj mund të planifikoni dhe të ndërmerrni veprime të efektshme e të drejta.
Si mund të përgatitem me efektshmëri për të dhënë mësim?
Ati Qiellor do t’ju vijë në ndihmë ndërsa përgatiteni për t’u dhënë mësim fëmijëve të Tij. Përpjekjet tuaja për ta jetuar me zell ungjillin, do t’ju ndihmojnë që të kualifikoheni për udhërrëfimin e Shpirtit gjatë përgatitjes suaj për të dhënë mësim.
Mund t’ju duket e dobishme t’i bëni vetes pyetjet vijuese si pjesë e përgatitjes suaj për të dhënë mësim:
-
A jam lutur për të marrë udhërrëfim nga Fryma e Shenjtë dhe për t’i kuptuar nevojat e studentëve të mi? Si mund ta vlerësoj se çfarë është më e rëndësishme për ta?
-
A ndihem i bazuar mjaftueshëm te materiali i përgatitjes dhe materiali i mësuesit? A ka ndonjë gjë që kam nevojë ta përshtat për t’i përmbushur nevojat e studentëve të mi?
-
Si mund t’i ndihmoj studentët e mi ta rritin besimin e tyre tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti ndërsa e studiojmë këtë mësim? Si mund t’i ndihmoj studentët të kërkojnë të mësojnë nëpërmjet Frymës së Shenjtë?
-
Si mund ta ndihmoj secilin prej studentëve të mi që të përfshihet plotësisht në mësim? Si mund të sigurohem se kanë hapësirën që iu duhet për të bërë plane vetjake për ta zbatuar atë që po mësojnë?
-
Si mund të krijoj një mjedis të mësuari ku studentët të ndihen të vlerësuar, të pranuar dhe të sigurt për t’i treguar njëri-tjetrit dhe mësuar nga njëri-tjetri? (Shih Doktrina e Besëlidhje 88:78, 122.)
Si mund t’i përshtat mësimet për njerëzit me aftësi të kufizuar?
Ndërsa përgatiteni që të jepni mësim, jini të vëmendshëm ndaj studentëve që kanë nevoja të veçanta. Përshtatini veprimtaritë dhe pritshmëritë në mënyrë të tillë që këta studentë të ndihen të përfshirë dhe që t’i ndihmoni për t’ia dalë mbanë. Për më shumë informacion, drejtojuni burimeve te faqja Disabilities [Për Personat me Aftësi të Kufizuara] te disabilities.ChurchofJesusChrist.org.
Çfarë pritet prej studentëve që të marrin kredite?
Që të marrin kredite për diplomimin nga instituti, studentëve u kërkohet:
-
Ta studiojnë materialin e përgatitjes për të paktën 75 përqind të mësimeve.
-
Të marrin pjesë në 75 përqind të orëve mësimore që zhvillohen.
-
Të plotësojnë njërën nga tri përvojat e të mësuarit: të mbajnë një ditar studimi, të shkruajnë përgjigjet për tri pyetje ese ose të hartojnë e të përfundojnë një projekt të vetin për të mësuarit (me miratimin e mësuesit) që lidhet me përmbajtjen e kursit. Gjeni më shumë hollësi te “Ngrijeni Përvojën e të Mësuarit për Institutin”, që është në dispozicion në faqen institute.ChurchofJesusChrist.org.
Nëse studentët i shënojnë përgjigjet për të gjitha pyetjet dhe veprimtaritë në materialin e përgatitjes, kjo gjithashtu do ta plotësojë kërkesën e përvojës së të mësuarit. Studentët nuk kanë nevojë t’jua dorëzojnë juve përgjigjet e tyre. Në fund të semestrit, ata thjesht nevojitet t’ju tregojnë se çfarë plotësuan.