Instituti
Mësimi 16 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Jezu Krishti u Jep Shërbesë Njerëzve Një e nga Një


“Mësimi 16 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Jezu Krishti u Jep Shërbesë Njerëzve Një e nga Një”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)

“Mësimi 16 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit

Mësimi 16 Materiali i Përgatitjes së Klasës

Jezu Krishti u Jep Shërbesë Njerëzve Një e nga Një

Një nga Një, nga Walter Rane

Shërbesa e Krishtit të ringjallur mes njerëzve në vendin Begati na jep një dëshmi të fuqishme për hyjninë e Jezu Krishtit dhe një shembull të gjithanshëm për mënyrën se si t’u japim shërbesë të tjerëve. Ndërsa e studioni këtë material, përsiatni se çfarë mund të bëni për ta forcuar dëshminë tuaj se Jezu Krishti është Shpëtimtari juaj. Ndërsa reflektoni mbi mënyrën se si Ai dha shërbesë, merrni parasysh plot lutje se kush mund të ketë nevojë ta ndiejë dashurinë e Shpëtimtarit nëpërmjet jush.

Pjesa 1

Si mund ta forcoj dëshminë time se Jezu Krishti është Shpëtimtari im?

Pas shkatërrimit të madh dhe tri ditëve të errësirës që u sinjalizuan njerëzve se Shpëtimtari kishte vdekur, rreth 2 500 burra, gra dhe fëmijë u mblodhën rreth tempullit në vendin Begati. Ata dëgjuan një zë, të cilin në fillim nuk e kuptuan. Ndërkohë që vazhdonin të dëgjonin, ata e kuptuan se ishte zëri i Atit Qiellor duke iu bërë të njohur Birin e Tij, Jezu Krishtin. (Shih 3 Nefi 11:1–10.) Shpëtimtari më pas zbriti nga qielli dhe shpalli: “Vini re, unë jam Jezu Krishti, për të cilin profetët dëshmuan se do të vinte në botë” (3 Nefi 11:10).

Jezu Krishti u Shfaqet Nefitëve, nga Arnold Friberg

Për këtë moment, Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha:

Plaku Xhefri R. Holland

“Ajo shfaqje dhe ai deklarim përbëjnë pikën qendrore, çastin më të madhërishëm, në të gjithë historinë e Librit të Mormonit. Ishin manifestimi dhe vendimi që i ishte njoftuar çdo profeti nefit dhe i kishte frymëzuar ata për gjashtëqind vitet e mëparshme. …

Kushdo kishte folur për Të, kishte kënduar për Të, kishte ëndërruar për Të dhe ishte lutur për shfaqjen e Tij – por në të vërtetë ja tek ishte. Dita e ditëve! Perëndia i cili e kthen çdo natë të errët në dritë mëngjesi, kishte ardhur.” (Christ and the New Covenant: The Messianic Message of the Book of Mormon [1997], f. 250–251)

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te 3 Nefi 11:13–17 dhe kërkoni atë që bënë njerëzit për t’i forcuar dëshmitë e tyre se Jezusi ishte Krishti i ringjallur.

Krishti në Vendin Begati, nga Simon Dewey
ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Çfarë mund të mësoni rreth karakterit të Jezu Krishtit nga bashkëveprimet e Tij me nefitët dhe lamanitët?

Plaku Uolter F. Gonzáles, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim atë që vijon rreth përvojës së njerëzve që dëshmuan Krishtin e ringjallur:

Plaku Uolter F. Gonzáles

“‘[Ejani] tek unë, që të mund të ndieni dhe të shihni’ [3 Nefi 18:25]. Ky ishte një urdhërim që Shpëtimtari ua bëri banorëve të Amerikës së lashtë. Ata ndien me duart e tyre dhe panë me sytë e tyre se Jezusi ishte Krishti. Ky urdhërim është pikërisht po aq i rëndësishëm për ne sot sa qe për ata në kohën e tyre. Ndërsa vijmë te Krishti, ne mund të ndiejmë dhe ʻmës[ojmë] me siguriʼ [3 Nefi 11:15] – jo me duart e sytë tanë por me gjithë zemrën e mendjen tonë – se Jezusi është Krishti.

Një mënyrë për të ardhur te Krishti është duke synuar t’i mësojmë të vërtetat thelbësore me zemër. Ndërsa e bëjmë këtë, mbresat që vijnë nga Perëndia do të na japin njohuri, të cilën nuk mund ta marrim në asnjë mënyrë tjetër.” (“Të Mësuarit me Zemër”, Liahona, nëntor 2012, f. 81)

ikonë, shënoni

Shënojini Mendimet Tuaja

Ndërsa reflektoni mbi dëshminë tuaj për Jezu Krishtin, shënoni në ditarin tuaj vetjak një përvojë që e ka forcuar dëshminë tuaj për Të. Ose, në vend të kësaj, ju mund të gjeni një himn që pasqyron mënyrën se si ndiheni rreth Shpëtimtarit dhe të shënoni ndjenjat që keni kur e dëgjoni apo e këndoni këtë himn.

Pjesa 2

Çfarë mund të mësoj rreth dhënies së shërbesës nga shembulli i Shpëtimtarit?

Pasi Shpëtimtari i dha secilit individ mundësinë për të ndier plagët në duart dhe këmbët e Tij, Ai thirri dymbëdhjetë dishepuj dhe i mësoi turmës shumë të vërteta të rëndësishme (shih 3 Nefi 11–16). Ndërsa Jezusi po përgatitej të largohej, Ai tha: “Unë shoh se … nuk mund të kuptoni të gjitha fjalët” dhe Ai i ftoi njerëzit të ktheheshin në shtëpitë e tyre, të përsiatnin për atë që Ai u kishte mësuar, dhe të përgatiteshin për kthimin e Tij ditën pasuese (3 Nefi 17:1–3).

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te 3 Nefi 17:5–10 dhe kërkoni mënyra se si Zoti e dha shembullin e mirësisë dhe dhembshurisë ndërsa Ai jepte shërbesë mes njerëzve.

Pasi Shpëtimtari e shëroi turmën, Ai urdhëroi që të “silleshin [të gjithë] fëmijët e tyre të vegjël” tek Ai (3 Nefi 17:11) dhe se çdokush tjetër duhej të gjunjëzohej. Më pas Ai bëri një lutje në emër të tyre që ishte “kaq [e] m[adhërishme] dhe [e] mrekullueshme” (vargjet 16–17) saqë turma u pushtua nga gëzimi. (Shih 3 Nefi 17:10–19.)

Krishti dhe Fëmijët në Librin e Mormonit, nga Del Parson
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te 3 Nefi 17:19–24 ose shikoni materialin filmik “My Joy Is Full” [“Gëzimi Im Është i Plotë”] (04:04) dhe përsiatni arsyen përse dhënia e shërbesës i solli gëzim Shpëtimtarit.

Presidentja Xhin B. Bingham, Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, dha mësim rreth rëndësisë që ka ndjekja e shembullit të Shpëtimtarit ndërsa japim shërbesë:

Presidentja Xhin B. Bingham

“Pasi gjithçka të jetë thënë e bërë, dhënia e vërtetë e shërbesës arrihet një e nga një, me dashurinë si shtysë. Vlera, merita dhe mrekullia e dhënies së sinqertë të shërbesës është që ajo e ndryshon vërtet jetën! Kur zemrat tona janë të hapura dhe të gatshme për të dashur e për të përfshirë, për të nxitur e për të ngushëlluar, fuqia e dhënies së shërbesës sonë do të jetë magjepsëse. Me dashurinë si shtysë, do të ndodhin mrekulli. …

Shpëtimtari është shembulli ynë për çdo gjë – jo vetëm për atë që duhet të bëjmë, por edhe për arsyen përse duhet ta bëjmë atë gjë [shih Efesianëve 5:2].” (“Dhënia e Shërbesës Ashtu Siç e Jep Shpëtimtari”, Liahona, maj 2018, f. 106)

ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Mendoni për dikë që mund të ketë nevojë për ndihmën tuaj. Si mund ta ndiqni shembullin e Shpëtimtarit dhe të tregoni mirësi dhe dhembshuri ndaj këtij individi?