Instituti
Mësimi 3 Materiali i Mësuesit: Ëndrra e Lehit për Pemën e Jetës


“Mësimi 3 Materiali i Mësuesit: Ëndrra e Lehit për Pemën e Jetës”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)

“Mësimi 3 Materiali i Mësuesit”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit

Mësimi 3 Materiali i Mësuesit

Ëndrra e Lehit për Pemën e Jetës

Ëndrra e Lehit për pemën e jetës na ndihmon të dimë se si ta përjetojmë dashurinë e Perëndisë dhe të gëzojmë bekimet e Shlyerjes së Shpëtimtarit. Në këtë mësim, studentët do të përcaktojnë se çfarë mund t’i ndihmojë ose t’i pengojë në përpjekjet e tyre për të ardhur te Krishti. Ata do të kenë mundësinë për të përcaktuar atë që mund të bëjnë për ta bërë fjalën e Perëndisë një përparësi më të lartë në jetën e tyre.

Sugjerime për Mësimdhënien

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Përpiquni të jeni i/e përqendruar te studentët. Presidenti Dallin H. Ouks vërejti: “Një mësues i ungjillit, ashtu si Mësuesi të cilit i shërbejmë, do të përqendrohet tërësisht tek ata të cilëve u jep mësim” (“Gospel Teaching”, Ensign, nëntor 1999, f. 79). Ndërsa përpiqeni të jeni i/e përqendruar te studentët, bëjini vetes pyetjet vijuese: Çfarë mund të bëj që t’i kuptoj më mirë rrethanat, përvojat, sfidat dhe nevojat e studentëve të mi? Si mund t’i ndihmoj ata që të ndërtojnë mbi atë që tashmë e dinë? Si mund t’i ndihmoj ata që të jenë studentë aktivë dhe të japin ndihmesë në të mësuarit e të tjerëve? Çfarë mund të bëj që t’i ftoj ata t’i afrohen më shumë Shpëtimtarit?

Lehi sheh një vegim për pemën e jetës.

Ëndrra e Lehit, nga Greg K. Olsen

Tregoni figurën shoqëruese të vegimit të Lehit për pemën e jetës dhe kërkojuni studentëve që të tregojnë shkurtimisht atë që dinë rreth vegimit. Ju mund tʼi kërkoni një studenti që të përmbledhë shkurtimisht rrëfimin e ëndrrës së Lehit.

Ftojini studentët të shqyrtojnë vargjet te 1 Nefi 8:10–12 dhe 1 Nefi 11:21–22, që përmenden te materiali i përgatitjes, duke kërkuar mënyrën se si Lehi dhe Nefi e përshkruan pemën dhe frutën e saj.

Bazuar te kuptueshmëria e studentëve për ëndrrën e Lehit, ju mund të bëni disa nga pyetjet vijuese:

  • Çfarë përfaqësojnë pema dhe fruta e saj? (Shih pjesën 1 të materialit të përgatitjes.)

  • Çfarë na mëson përshkrimi i Lehit për pemën dhe frutën e saj rreth dashurisë së Perëndisë dhe Shlyerjes së Shpëtimtarit?

  • Çfarë na mësojnë këto vargje rreth përftimit të gëzimit? (Studentët mund të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me atë që vijon: Ardhja te Krishti dhe marrja e bekimeve të Shlyerjes së Tij, na sjellin gëzim.)

  • Në ç’mënyra janë “[të] dëshiruesh[me] mbi çdo” gjë tjetër bekimet që vijnë nga Shlyerja e Shpëtimtarit? (1 Nefi 8:12; 11:22.)

Paraqiteni thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson.

Presidenti Rasëll M. Nelson

“Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, gëzimi që ndiejmë, ka të bëjë pak me rrethanat e jetës sonë dhe ka të bëjë plotësisht me përqendrimin e jetës sonë.

Kur [ne] përqendr[ohemi] … te Jezu Krishti e ungjilli i Tij, ne mund të ndiejmë gëzim pavarësisht nga ajo që po ndodh – apo nuk po ndodh – në jetën tonë. Gëzimi vjen prej Tij dhe për shkak të Tij. … Jezu Krishti është gëzim!” (“Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2016, f. 82).

  • Çfarë mund të bëni që ta vendosni Jezu Krishtin në një përqendrim më të madh në jetën tuaj, që ju të mund të përjetoni gëzim më të madh? (Jepuni studentëve kohë të përsiatin dhe të shënojnë mbresat e tyre.)

Lehi dhe Nefi mësojnë se fjala e Perëndisë të çon te Shpëtimtari dhe Shlyerja e Tij.

Ndajeni klasën në grupe të vogla dhe jepini secilit student fletushkën vijuese.

Pengesat për Marrjen e Frutës së Pemës së Jetës

Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit – Mësimi 3

Lexojeni këtë paragraf si grup: Në vegimin e Lehit për pemën e jetës, lumi i fëlliqur, “mjegullat e errësirës” (1 Nefi 12:17) dhe “ndërtes[a e] gjerë dhe [e] madhe” (1 Nefi 8:26) e bënë më të vështirë që njerëzit të shkonin atje apo të rrinin te pema dhe të hanin frutën e saj. Në materialin e përgatitjes së klasës, ju mund të keni përcaktuar disa shembuj bashkëkohorë të këtyre rreziqeve ose shpërqendrimeve që i mbajnë njerëzit larg nga Shpëtimtari. Me anëtarët e grupit tuaj, diskutoni mënyra se si të rinjtë e të rejat në moshë madhore sot ndeshen me situatat vijuese:

Fëlliqësia apo mëkati (lumë i fëlliqur: 1 Nefi 8:13; 12:16; 15:27)

Mashtrimet dhe tundimet (“mjegull[a e] errësir[ës]”: 1 Nefi 8:23; 12:17)

Krenaria dhe tallja e botës (“ndërtes[a e] gjerë dhe [e] madhe”: 1 Nefi 8:25–28; 12:18)

Diskutoni: Në ç’mënyra shembujt që diskutuat, mund ta pengojnë një të ri apo të re në moshë madhore që të vijë te Jezu Krishti dhe të gëzojë bekimet e Shlyerjes së Tij? Si jeni përpjekur që t’i kapërceni këto pengesa në vetë jetën tuaj?

Pengesat për Marrjen e Frutës së Pemës së Jetës

fletushka e mësuesit

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë që t’i tregojnë klasës atë që diskutuan në grupet e tyre.

Ftojini studentët që ta shqyrtojnë atë që mësuan për katër grupet e njerëzve që pa Lehi në vegimin e tij (shih pjesën 3 të materialit të përgatitjes). Shkruani në tabelë titujt vijues: Grupi 1 (1 Nefi 8:21–23), Grupi 2 (1 Nefi 8:24–28), Grupi 3 (1 Nefi 8:30, 33), Grupi 4 (1 Nefi 8:31–32).

  • Çfarë roli luajti për secilin grup shufra e hekurit ose fjala e Perëndisë? (Shënojini përgjigjet e studentëve nën titullin e duhur.)

  • Çfarë është domethënëse rreth frazës ata “nuk ua vu[n]ë veshin” te 1 Nefi 8:33? Me çfarë mund të ngjasojë kjo në kohën tonë?

  • Çfarë shprese ka për ata që e kanë lëshuar shufrën e hekurit dhe kanë dalë nga shtegu? (Ju mund të doni t’u kërkoni studentëve të shqyrtojnë thënien nga Motra En M. Dib në materialin e përgatitjes.)

Shpjegoni se, kur Nefi u lut për ta kuptuar ëndrrën e atit të tij, atij iu tregua një vegim dhe mësoi kuptimin e ëndrrës. Më pas, ai u mësoi vëllezërve se çfarë përfaqësonte shufra e hekurit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë vargjet te 1 Nefi 15:23–24. Më pas pyetni:

  • Çfarë mësoni nga shpjegimi dhe ftesa e Nefit ndaj vëllezërve të tij? (Midis të vërtetave të tjera, studentët mund të përcaktojnë një parim të ngjashëm me atë që vijon: Të mbajturit me vendosmëri te fjala e Perëndisë na aftëson t’u bëjmë ballë përpjekjeve të Satanit për të na larguar nga Jezu Krishti.)

  • Çfarë mendoni se do të thotë të “mba[hesh] vazhdimisht me vendosmëri” te fjala e Perëndisë? (1 Nefi 8:30.)

Paraqiteni thënien vijuese nga Plaku Kevin W. Pirson, i Të Shtatëdhjetëve.

Plaku Kevin W. Pirson

“Po të mos ‘mba[hemi] vazhdimisht me vendosmëri’ [1 Nefi 8:30] te fjala e Perëndisë dhe ta jetojmë atë, ne do të bëhemi të verbër nga shpirti në vend që të bëhemi mendjekontrolluar nga shpirti. Hetojeni Librin e Mormonit dhe fjalët e profetëve të gjallë çdo ditë, çdo ditë, çdo ditë! Ai është çelësi për mbijetesën shpirtërore dhe shmangien e mashtrimit. Pa të, ne jemi të humbur shpirtërisht.” ( “Qëndroni Afër Pemës”, Liahona, maj 2015, f. 115).

Kërkojuni studentëve të tregojnë se si të mbajturit me vendosmëri te fjala e Perëndisë i ka ndihmuar ata të mbijetojnë shpirtërisht ose të shmangin mashtrimin. Ftojini ata të tregojnë gjithashtu se si fjala e Perëndisë i ka ndihmuar ata t’i afrohen më shumë Jezu Krishtit dhe fuqisë së Tij shlyese.

Për t’i ndihmuar studentët të veprojnë sipas asaj që po mësojnë dhe ndiejnë, ju mund të paraqitni pyetjet vijuese dhe t’i ftoni studentët të përsiatin dhe të shënojnë përgjigjet e tyre.

  • Çfarë mund të bëj që të mbahem me vendosmëri më të madhe te fjala e Perëndisë?

  • Kush mund të bekohet nga të dëgjuarit e dëshmisë sime për rëndësinë e të mbajturit me vendosmëri te fjala e Perëndisë?

Merrni parasysh t’i ftoni disa studentë të tregojnë atë që kanë shkruar.

Për Herën Tjetër

Duke pasur parasysh diskutimin për shufrën e hekurit, ju mund t’i ftoni studentët të mendojnë rreth mënyrës se sa të zellshëm kanë qenë ata në studimin e tyre të shkrimit të shenjtë kohët e fundit. Teksa e studiojnë materialin e përgatitjes për orën tjetër mësimore, nxitini ata të marrin parasysh se si bërja prioritet e studimit vetjak të shkrimit të shenjtë mund t’i afrojë ata më shumë te Shpëtimtari.