“Mësimi 17 Materiali i Mësuesit: Përkatësia në Kishën e Zotit”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)
“Mësimi 17 Materiali i Mësuesit”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit
Mësimi 17 Materiali i Mësuesit
Përkatësia në Kishën e Zotit
Ashtu siç bëri Ai me pasuesit e Tij në Palestinë, Jezu Krishti organizoi Kishën e Tij mes nefitëve dhe lamanitëve. Ai thirri dymbëdhjetë dishepuj dhe u dha autoritetin e priftërisë për ta udhëhequr Kishën e Tij. Ky mësim do t’u japë studentëve mundësinë të përqendrohen tek ordinanca e sakramentit dhe të përcaktojnë atë që mund të bëjnë për ta bërë atë një përvojë më kuptimplotë dhe më të përqendruar te Krishti. Studentët do të përcaktojnë gjithashtu se çfarë mund të bëjnë për t’i ndihmuar të tjerët të kenë një ndjenjë përkatësie dhe vëllazërie në lagjet apo degët e tyre.
Sugjerime për Mësimdhënien
Jezu Krishti fillon sakramentin dhe i urdhëron njerëzit që të mblidhen shpesh së bashku dhe të mos ndalojnë askënd që të bashkohet me ta gjatë adhurimit të tyre.
Tregoni figurën vijuese dhe kujtojuni studentëve se si pjesë të shërbesës së Tij mes nefitëve dhe lamanitëve, Jezu Krishti u dha autoritetin e priftërisë dymbëdhjetë dishepujve të Tij dhe organizoi Kishën e Tij (shih 3 Nefi 11:18–22; 12:1; 18:5, 37; 26:17–21).
-
Përse ndieni se është domethënëse që Zoti i ka vendosur një përparësi kaq të madhe themelimit të Kishës së Tij, si në lashtësi edhe në kohën tonë? (Ju mund të doni t’i ftoni studentët të shqyrtojnë thënien nga Plaku D. Tod Kristoferson në pjesën 1 të materialit të përgatitjes.)
Vini në dukje se ndërkohë që ka shumë aspekte të Kishës rreth të cilave mund të mësojmë më shumë, ky mësim do të përqendrohet vetëm në dy aspekte. Paraqitini pyetjet vijuese dhe ftojini studentët të përzgjedhin pyetjen që do t’u pëlqente më shumë ta hulumtonin më tej:
-
Çfarë mund të bëj që sakramenti të jetë një pjesë më kuptimplotë e përvojës sime në kishë?
-
Si mund të ndihmoj për të krijuar një përvojë më mikpritëse dhe gjithëpërfshirëse në kishë për të gjithë njerëzit?
Ftojini studentët të formojnë grupe të vogla (tre deri në katër vetë në çdo grup) me ata që kanë përzgjedhur të njëjtën pyetje. Jepini secilit grup fletushkën që përkon me pyetjen e tyre. (Të dyja fletushkat gjenden në fund të këtij mësimi.) Ftojini studentët të përdorin pyetjet dhe burimet te fletushka për të nxitur një diskutim kuptimplotë. Ndërsa grupet diskutojnë, ju mund të doni të qarkulloni nëpër klasë dhe të jepni udhërrëfim e përkrahje sipas nevojës.
Pasi t’u jepni grupeve kohë të mjaftueshme për të diskutuar për temën e tyre, ftojini studentët t’i tregojnë klasës disa nga parimet që mësuan nga mësimet që Shpëtimtari u dha njerëzve. Mund t’ju duket e dobishme të përqendroheni në një temë për disa minuta dhe më pas të trajtoni temën tjetër.
Studentët mund të përcaktojnë parime të ngjashme me atë që vijon:
-
Kur marrim sakramentin, ne i dëshmojmë Atit Qiellor gatishmërinë tonë që ta kujtojmë gjithmonë Jezu Krishtin dhe t’u bindemi urdhërimeve të Tij.
-
Ndërsa e marrim sakramentin dhe përpiqemi fort që ta kujtojmë gjithmonë Jezu Krishtin, ne do ta kemi Frymën e Shenjtë me vete.
-
Zoti na urdhëron që të jemi ftues dhe gjithëpërfshirës ndaj të gjithë fëmijëve të Perëndisë dhe t’i ndihmojmë ata të vijnë tek Ai.
Kur të përcaktoni parimet, ju mund t’u kërkoni studentëve t’i shkruajnë ato në tabelë. Merrni parasysh t’u kërkoni studentëve të tregojnë çfarëdo mendimi ose pyetje që kanë rreth cilitdo nga këto parime.
Paraqitini pyetjet vijuese dhe ftojini studentët të përzgjedhin njërën prej tyre ose të dyja ato për t’i përsiatur. Ju mund t’i nxitni studentët ta shënojnë çfarëdo mendimi dhe mbrese që iu vjen.
-
Çfarë do të bëj për t’u përgatitur që ta marr sakramentin dhe ta bëj atë një përvojë më kuptimplotë dhe më të përqendruar te Krishti?
-
Çfarë do të bëj që t’i ndihmoj të tjerët të ndihen të mirëpritur dhe të kenë një ndjenjë përkatësie në Kishën e Jezu Krishtit?
Për Herën Tjetër
Ftojini studentët të mendojnë rreth disa prej kushteve në botë përreth tyre që mund ta bëjnë sfiduese të jetuarit e ungjillit. Nxitini studentët të studiojnë materialin e përgatitjes për orën tjetër mësimore, duke kërkuar atë që mund të mësojnë nga shembujt e njerëzve në Librin e Mormonit, të cilët u përpoqën fort të jetonin me drejtësi pavarësisht se jetuan në një mjedis të lig.