“Mësimi 6 Materiali i Mësuesit: Shlyerja e Pafundme e Jezu Krishtit”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)
“Mësimi 6 Materiali i Mësuesit”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit
Mësimi 6 Materiali i Mësuesit
Shlyerja e Pafundme e Jezu Krishtit
Libri i Mormonit është një dëshmi e fuqishme e Jezu Krishtit dhe e shëlbimit që vjen nëpërmjet Tij. Ky mësim do t’i ndihmojë studentët të shpjegojnë se si jemi shëlbuar nga Rënia nëpërmjet Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij. Studentët gjithashtu do të përcaktojnë atë që mund të bëjnë për t’u mbështetur më shumë te Shpëtimtari që t’i ndihmojë ata t’i mposhtin prirjet e veta të burrit ose gruas së natyrshme.
Sugjerime për Mësimdhënien
Profetët në Librin e Mormonit dëshmojnë për nevojën për Shlyerjen e Jezu Krishtit.
Paraqiteni pyetjen e paplotë vijuese: Si do të ishte jeta ime pa …?
Që t’i ndihmoni studentët të marrin parasysh mënyra se si mund ta plotësojnë pyetjen, paraqitni disa figura ose fjalë të ndryshme. Ftojini studentët të diskutojnë shkurtimisht me një shok/shoqe se si do t’i përgjigjeshin pyetjes për secilën figurë apo ide. Ju mund të përdorni figurat shoqëruese ose disa që i zgjidhni vetë. Sigurohuni që figura përfundimtare të jetë një përfaqësim i flijimit shlyes të Jezu Krishtit, në mënyrë që studentët të mund të diskutojnë si do të ishte jeta e tyre pa Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij.
Shkruajeni në tabelë thënien e paplotë vijuese: Pa Shpëtimtarin dhe Shlyerjen e Tij, ne do të …
Kujtojuni studentëve se Jakobi dhe Amuleku dhanë predikime të rëndësishme rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit. Kërkojuni studentëve të shqyrtojnë vargjet te 2 Nefi 9:6–10 dhe tek Alma 34:9, duke kërkuar fraza që mund t’i përdorin për të plotësuar thënien në tabelë.
-
Cilat janë disa fraza nga këto fragmente që mund t’i përdorim për të plotësuar thënien në tabelë? (Ndërsa studentët tregojnë mënyra të ndryshme se si ta plotësojnë thënien, shënojini përgjigjet e tyre poshtë saj te tabela. Studentët mund të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me këtë: Pa Shpëtimtarin dhe Shlyerjen e Tij, ne do të kishim mbaruar patjetër. Të vërteta të tjera që mund të përcaktojnë, përfshijnë sa vijon: Pa Shpëtimtarin dhe Shlyerjen e Tij, ne do të ishim përjashtuar nga prania e Zotit, nuk do të ishim ngritur më, do t’i ishim nënshtruar djallit, do të bëheshim si djalli, do të mbeteshim në mjerim dhe do t’i ishim nënshtruar përbindëshit të tmerrshëm të vdekjes dhe ferrit. Ftojini studentët të shpjegojnë atë që mendojnë se nënkuptojnë këto fraza.)
-
Çfarë është “përbindëshi [i] tmerrshëm” që përshkroi Jakobi te 2 Nefi 9:10? Përse është kaq i tmerrshëm? (Si të nevojitet, ndihmojini studentët të kuptojnë se përse një vdekje e përhershme fizike dhe shpirtërore nuk do të na lejonte të bëheshim si Ati Qiellor. Vini në dukje se vdekja shpirtërore vjen si pasojë edhe e Rënies edhe e mosbindjes sonë vetjake. [Shih “Death, Spiritual” [“Vdekje, Shpirtërore”] dhe “Death, Physical” [“Vdekje, Fizike”], Gospel Topics [Tema të Ungjillit], topics.ChurchofJesusChrist.org]; [Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta].)
-
Në ç’mënyrë njohja e pasojave të Rënies na ndihmon ta kuptojmë se përse kemi nevojë për Jezu Krishtin?
Lexoni së bashku te 2 Nefi 9:11–12, 19–22 dhe ftojini studentët të kërkojnë mënyra se si Jezu Krishti na shëlbon nga “k[y] përbindësh [i] tmerrshëm” (vargu 10) i vdekjes dhe ferrit.
-
Si na siguron Jezu Krishti një rrugëdalje nga “k[y] përbindësh [i] tmerrshëm” i vdekjes dhe ferrit?
-
Si ndiheni rreth Shpëtimtarit duke e ditur se Ai është edhe i gatshëm edhe i aftë që t’ju çlirojë nga vdekja dhe ferri?
Kujtojuni studentëve se edhe Jakobi edhe Amuleku e përshkruan nevojën për një shlyerje ose flijim të “pafund[më]” që duhej bërë (shih 2 Nefi 9:7; Alma 34:10). Ftojini studentët të shqyrtojnë thëniet nga Presidenti Rasëll M. Nelson dhe Presidenti Ted R. Kelister në pjesën 1 të materialit të përgatitjes, duke kërkuar mënyra se si Shlyerja e Shpëtimtarit është e pafundme.
-
Përse mendoni se është e rëndësishme që të kuptoni se Shlyerja e Shpëtimtarit është e pafundme?
-
Në ç’mënyrë njohuria se Shlyerja e Shpëtimtarit është e pafundme, ndikon te mënyra se si ju i kuptoni dhe u përgjigjeni vetë vështirësive dhe shqetësimeve tuaja?
-
Çfarë mund të bëni për t’i treguar Zotit se besoni që Shlyerja e Tij e pafundme mund t’ju ndihmojë dhe shpëtojë? (Merrni parasysh t’u jepni kohë studentëve që të shkruajnë mendimet e tyre.)
Mbreti Beniamin e mëson popullin e tij se ata mund ta zhveshin burrin apo gruan e natyrshme nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.
Paraqitni thënien vijuese: “Njeriu i natyrshëm është një armik ndaj Perëndisë dhe ka qenë që nga rënia e Adamit” (Mosia 3:19). Kujtojuni studentëve se mbreti Beniamin e dha mësim këtë të vërtetë.
-
Si do t’ia shpjegonit frazën “njeriu i natyrshëm” dikujt që nuk e njeh këtë term? (Ju mund t’i nxitni studentët që të shqyrtojnë thënien nga Plaku Dejvid A. Bednar në pjesën 2 të materialit të përgatitjes.)
Lexoni si klasë te Mosia 3:19 dhe ftojini studentët të kërkojnë atë që mbreti Beniamin i mësoi popullit të tij rreth mposhtjes së njeriut të natyrshëm.
-
Çfarë parimi mund të mësojmë nga mësimet e mbretit Beniamin, që mund të na ndihmojë ta mposhtim burrin apo gruan e natyrshme brenda nesh? (Studentët mund të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me atë që vijon: Kur ne i dëgjojmë thirrjet e Shpirtit të Shenjtë, Jezu Krishti do të na ndihmojë që ta zhveshim burrin apo gruan e natyrshme dhe të bëhemi shenjtorë nëpërmjet Shlyerjes së Tij.)
Për t’i ndihmuar studentët që ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre për këtë parim, merrni parasysh të bëni një ose më shumë nga pyetjet vijuese sipas nevojave të studentëve:
-
Çfarë do të thotë për ju t’i “dëgjo[sh] thirrjet e [Shpirtit të] Shenjtë”? Si ju ka ndihmuar Fryma e Shenjtë që t’i mposhtni prirjet e burrit apo gruas së natyrshme?
-
Përse zhveshja e burrit apo gruas së natyrshme mund të ndodhë vetëm atëherë kur ne mbështetemi te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij?
-
Në ç’mënyrë mbështetja te Shlyerja e Shpëtimtarit ju ka ndihmuar në përpjekjet tuaja për t’u bërë një shenjtor – një njeri i shenjtëruar dhe si Krishti?
-
Si mund të na sjellin shpresë dhe forcë mësimet te Mosia 3:19 kur ndihemi sikur nuk mund t’i kontrollojmë ose t’i mposhtim orekset dhe impulset e burrit apo gruas së natyrshme?
Merrni parasysh t’i ftoni studentët të mendojnë për një fushë të jetës së tyre, ku mund të kenë vështirësi me orekset, dëshirat ose impulset e burrit apo gruas së natyrshme. Paraqitni pyetjet vijuese dhe ftojini studentët t’i përsiatin dhe shënojnë mendimet dhe mbresat e tyre:
-
Çfarë mund të jetë duke më penguar mua nga dëgjimi i Shpirtit të Shenjtë?
-
Cilat nga cilësitë si të Krishtit të përshkruara te Mosia 3:19, kam nevojë të zhvilloj më plotësisht?
-
Çfarë veprimesh do të bëj që të mund të marr ndihmë më të madhe nga Shpëtimtari ndërsa përpiqem fort për ta zhvilluar këtë cilësi si të Krishtit?
Mbylleni duke dhënë dëshminë tuaj se Jezu Krishti na ka shëlbuar nga Rënia dhe mund të na shëlbojë nga mëkatet tona vetjake dhe të na shndërrojë për t’u bërë më shumë si Ai dhe Ati ynë Qiellor.
Për Herën Tjetër
Ftojini studentët të mendojnë rreth një vështirësie fizike, mendore, emocionale ose shpirtërore që mund të jenë duke kaluar. Nxitini ata ndërsa e studiojnë materialin e përgatitjes për orën tjetër mësimore të marrin parasysh se si Jezu Krishti mund t’i ndihmojë lidhur me vështirësitë e tyre.