Instituti
Mësimi 2 Materiali i Mësuesit: Të Përgjigjemi ndaj Profetëve të Zotit


“Mësimi 2 Materiali i Mësuesit: Të Përgjigjemi ndaj Profetëve të Zotit”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)

“Mësimi 2 Materiali i Mësuesit”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit

Mësimi 2 Materiali i Mësuesit

Të Përgjigjemi ndaj Profetëve të Zotit

Profetët e Zotit zbulojnë dhe japin mësim fjalën e Perëndisë. Teksa ua vëmë veshin mësimeve të tyre, ne mund të përjetojmë fuqinë e fjalës së Perëndisë në jetën tonë. Pas këtij mësimi, studentët duhet të jenë në gjendje të shpjegojnë se si bekohemi kur mirëbesojmë te profetët e Zotit dhe mesazhet që ata janë thirrur të japin. Studentët do të vlerësojnë gjithashtu vetë përpjekjet e tyre për t’ua vënë veshin këshillave profetike të tanishme.

Sugjerime për Mësimdhënien

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Përshtateni materialin mësimor që të plotësojë nevojat e studentëve. Nganjëherë mësimet përmbajnë më shumë material nga sa ju mund të trajtoni siç duhet në klasë. Në vend që të përpiqeni të trajtoni çdo gjë në planin mësimor, përqendrohuni te shkrimet e shenjta dhe materiali që do t’i ndihmojë më së miri studentët tuaj që të ndërmarrin veprime të efektshme e të drejta, që ata të mund të bëhen më shumë si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Kërkoni drejtim nga Fryma e Shenjtë dhe nga studentët që t’ju ndihmojnë të dini se cilat parime, pyetje dhe veprimtari të përdorni në klasë.

Zoti e dërgon Lehin t’u profetizojë njerëzve në Jerusalem.

Fillojeni orën mësimore duke u kërkuar studentëve të reflektojnë për një rast kur dikush u përgjigj negativisht ndaj një mesazhi ose një ideje që ata po përpiqeshin të jepnin.

  • Përse anëtarët, misionarët dhe profetët vazhdojnë të japin mesazhe që e dinë se mund të mos kenë popullaritet?

Lehi duke Predikuar në Jerusalem, nga Del Parson

Paraqitni një figurë të Lehit duke predikuar. Ftojeni një student të përshkruajë rrethanat e fillimit të Librit të Mormonit siç shënohen te 1 Nefi 1. (Nëse po trajtoni bashkë dy mësimet e para të këtij kursi, studentët mund të mos e kenë pasur mundësinë që ta studiojnë materialin e përgatitjes për këtë mësim. Ju mund të doni ta ftoni një student të lexojë me zë të lartë te 1 Nefi 1:4.)

Shpjegoni se në një vegim, Zoti i dha Lehit një libër për ta lexuar. Lehi lexoi se Jerusalemi do të shkatërrohej. (Shih 1 Nefi 1:12–13.)

Lexoni së bashku te 1 Nefi 1:14, duke kërkuar mënyrën se si reagoi Lehi ndaj vegimit.

  • Çfarë mësoi Lehi rreth karakterit të Zotit? Si mendoni ju, në ç’mënyrë kjo njohuri për mëshirën e Zotit ndikoi në vendosmërinë e Lehit për t’u profetizuar njerëzve të Jerusalemit?

Ftojini studentët të lexojnë te 1 Nefi 1:18–19, duke kërkuar atë që mund të mësojmë rreth profetëve nga përvoja e Lehit. Ndihmojini studentët të përcaktojnë të vërteta të tilla si ato që vijojnë: Profetët shpallin fjalët dhe vullnetin e Zotit. Profetët japin mësim dhe dëshmojnë për Jezu Krishtin dhe shëlbimin që vjen nëpërmjet Tij.

  • Cilat janë disa mesazhe të kohëve të fundit nga profetët dhe apostujt tanë të gjallë që shpallin fjalët dhe vullnetin e Zotit?

Ftojini studentët të shqyrtojnë thëniet nga Plaku D. Tod Kristoferson dhe Plaku Ulises Soares në pjesën 1 të materialit të përgatitjes dhe të tregojnë se çfarë u bëri më shumë përshtypje.

  • Si ndikojnë këto thënie në mënyrën se si ndiheni rreth profetëve tanë të tanishëm? Si ndikojnë ato në mënyrën se si ndiheni ju rreth Jezu Krishtit?

  • Çfarë mesazhesh profetike të kohëve të fundit ju kanë ndihmuar që ta kuptoni më mirë dashurinë e Perëndisë për fëmijët e Tij? (Studentët e përsiatën një pyetje të ngjashme me këtë kur studiuan pjesën 1 të materialit të përgatitjes.)

Nefi merr një pohim se profetët japin mësim fjalën e Perëndisë.

Ftojini studentët të përcaktojnë disa mësime profetike, të cilat njerëzit mund ta kenë të vështirë t’i pranojnë në kohën tonë. (Shënim: Nëse është e nevojshme, kujtojuni studentëve se qëllimi ynë nuk është të kritikojmë profetët e Zotit, por të diskutojmë mbi mënyrën se si mund të përgjigjemi me besim ndaj një mesazhi profetik që ne ose dikush që e njohim, mund ta ketë të vështirë ta kuptojë apo ta pranojë.)

  • Përse nganjëherë mund të jetë sfiduese për ta pranuar atë që shpall një profet?

Paraqitni ose bëni pyetjen vijuese: Çfarë mund të bëj nëse kam vështirësi me diçka që jep mësim një profet? Ndërkohë që studentët e diskutojnë këtë pyetje, ndihuni të lirë ta përdorni të gjithë materialin vijues ose një pjesë të tij, për t’i ndihmuar ata të shqyrtojnë mënyrën se si do të përgjigjeshin nëse ata ose dikush që e njohin do të kishte këtë shqetësim.

Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë se si mund të jenë ndier familjarët e Lehit kur ai u tha se Zoti donte që ata të largoheshin nga shtëpia dhe të udhëtonin drejt vendit të shkretë.

  • Si reaguan Lamani dhe Lemueli për largimin nga shtëpia e tyre? Si reagoi Nefi? (Ftojini ata të shqyrtojnë vargjet te 1 Nefi 2:11–13, 16–17. Mund të vini në dukje se zemra e Nefit gjithashtu mund të ketë pasur nevojë të zbutej [shih 1 Nefi 2:16].)

  • Cilat janë disa nga mënyrat e ndryshme se si njerëzit në Librin e Mormonit u përgjigjën ndaj profetëve dhe mesazheve të tyre? (Mund të doni t’u jepni studentëve kohë për ta shqyrtuar atë që mësuan ndërkohë që studiojnë pjesën 3 të materialit të përgatitjes.) Cilat ishin pasojat e reagimeve të tyre? Kur keni parë shembuj të ngjashëm të këtyre llojeve të ndryshme të mënyrës së përgjigjes në kohën tonë?

  • Çfarë mund të mësojmë nga mënyra se si Nefi u përgjigj ndaj mesazhit të atit të tij? Cili është roli i Zotit në ndihmën që na jep ne, për të ditur nëse fjalët e profetëve të Tij janë të vërteta? (Studentët mund të përcaktojnë një parim të tillë si ky: Teksa e përulim veten dhe i drejtohemi Zotit, Ai mund të na ndihmojë që ta zbutim zemrën ndaj vërtetësisë së fjalëve të profetëve.)

Lexojeni thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson:

Presidenti Rasëll M. Nelson

“Ju mund ta dini vetë atë që është e vërtetë dhe atë që nuk është, duke mësuar të dalloni pëshpëritjet e Shpirtit. …

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ju lutem që të kërkoni me zell një pohim nga Shpirti se ajo që unë ju kam thënë, është e vërtetë dhe është nga Zoti. Ai e ka shpallur se ne mund të kërkojmë njohuri nga qielli dhe të kemi pritshmërinë që ta marrim atë [shih Doktrina e Besëlidhje 42:61]. …

Pyeteni Atin tuaj Qiellor nëse ne jemi vërtet apostujt dhe profetët e Zotit.” (“The Love and Laws of God” [bisedë e dhënë në një takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, më 17 shtator 2019], f. 4–5, speeches.byu.edu).

  • Çfarë përvojash keni pasur me të mësuarit vetë mbi vërtetësinë e një thirrjeje apo mesazhi hyjnor të një profeti?

Ndërkohë që e përfundoni diskutimin për pyetjen: “Çfarë mund të bëj nëse kam vështirësi për diçka që jep mësim një profet?”, merrni parasysh t’u jepni studentëve kohë të përsiatin dhe të shënojnë atë që kanë ndier apo mësuar, që mund t’i ndihmojë ata ose dikë tjetër që ka një pyetje të ngjashme.

Ju mund të doni t’i ftoni disa studentë të tregojnë se çfarë do të bëjnë ndryshe në të ardhmen nëse kanë vështirësi për diçka që jep mësim një profet.

Për Herën Tjetër

Ju mund të doni të tregoni një figurë të vegimit të Lehit për pemën e jetës dhe tʼi ftoni studentët të marrin parasysh ndërsa studiojnë materialin e përgatitjes për orën tjetër mësimore se çfarë mund të na mësojë ky vegim rreth fuqisë së fjalës së Perëndisë.