Instituti
Mësimi 13 Materiali i Mësuesit: Mbledhja e Izraelit në Ditët e Fundit


“Mësimi 13 Materiali i Mësuesit: Mbledhja e Izraelit në Ditët e Fundit”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)

“Mësimi 13 Materiali i Mësuesit”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit

Mësimi 13 Materiali i Mësuesit

Mbledhja e Izraelit në Ditët e Fundit

Në këtë njësi ne do të diskutojmë për mësimet dalluese të Librit të Mormonit rreth shpërndarjes dhe mbledhjes së Izraelit. Zoti e shpërndau Izraelin e lashtë për shkak se ata njerëz nuk e pranuan besëlidhjen e Tij, por Ai premtoi që do t’i mblidhte ata në ditët e fundit. Në këtë mësim studentët do të kenë mundësinë që të shpjegojnë bekimet dhe përgjegjësitë e të qenit pjesë e shtëpisë së Izraelit. Ata gjithashtu do të nxiten që të marrin parasysh se si mund ta ndihmojnë dikë “në çdonjërën prej anëve të velit – të hedhë një hap drejt bërjes së besëlidhjeve jetike me Perëndinë” (Rasëll M. Nelson dhe Uendi W. Nelson, “Shpresa e Izraelit” [takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018], pjesë e shtuar në revistat New Era dhe Ensign, f. 8, HopeofIsrael.ChurchofJesusChrist.org).

Sugjerime për Mësimdhënien

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Ndihmojini studentët që të zbulojnë lidhjen [me jetën e tyre]. Kur studentët e ndiejnë se ajo që ata po studiojnë, lidhet me rrethanat e jetës së tyre, kanë më të ngjarë që të përfshihen në të mësuarit që i ndihmon ata të ndërmarrin veprime të drejta. Teksa përgatitni mësimet, merrni parasysh rrethanat shoqërore, përvojat kulturore, interesat, pyetjet dhe vështirësitë e studentëve tuaj. Jini të kujdesshëm që të mos u thoni studentëve se cilat gjëra lidhen me jetën e tyre; përkundrazi, ndihmojini ata që ta zbulojnë vetë lidhjen.

Lehi dhe Nefi dhanë mësim rreth shpërndarjes dhe mbledhjes së Izraelit.

Paraqitni skenarin vijues:

Shoqja juaj Beki sapo ka marrë pjesë në mbledhjen e saj të parë të sakramentit. Pas kishe ju e pyetni atë se si u ndje ajo rreth saj. Ajo përgjigjet: “Njerëzit ishin miqësorë dhe bisedat ishin interesante, por u pështjellova vërtet kur një folës diskutoi për mbledhjen e Izraelit dhe tha se ishte gjëja më e rëndësishme që po ndodh në tokë sot”. Më pas ajo pyet: “Çfarë është mbledhja e Izraelit dhe përse është kaq e rëndësishme për kishën tuaj?”

Ftojini studentët të diskutojnë me një shok/shoqe për mënyrën se si do t’i përgjigjeshin pyetjes së Bekit. (Nëse nevojitet, studentët mund të rishikojnë gjithashtu pjesën 1 të materialit të përgatitjes.) Pasi studentët të kenë dhënë përgjigjet e tyre, ftojini disa vetë të tregojnë atë që mësuan ose ndien rreth shtëpisë së Izraelit ndërkohë që biseduan së bashku.

Merrni parasysh të paraqitni figurën shoqëruese. Ftojini studentët të shqyrtojnë pjesën 2 të materialit të përgatitjes (veçanërisht vargjet te 1 Nefi 10:12–14 dhe te 1 Nefi 15:12–15). Pastaj kërkojini një studenti që të shpjegojë shkurtimisht se si Lehi dhe Nefi përdorën një pemë ulliri për të folur rreth shpërndarjes dhe mbledhjes së Izraelit.

pemë ulliri

Ju mund të doni ta shkruani në tabelë thënien e paplotë vijuese: Një njeri mblidhet në shtëpinë e Izraelit kur ai ose ajo …

Ndërsa studentët japin idetë e veta, shkruajini përgjigjet e tyre, të cilat mund të përfshijnë të vërtetën vijuese: Një njeri mblidhet në shtëpinë e Izraelit kur ai ose ajo e merr plotësinë e ungjillit, arrin të marrë një njohuri se Jezu Krishti është Zoti dhe Shëlbuesi ynë dhe kur i bën e i mban besëlidhjet e ungjillit. Ju mund të përdorni disa nga pyetjet vijuese për t’i ndihmuar studentët që ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre për mbledhjen e Izraelit:

  • Si lidhet mbledhja e Izraelit me njerëzit që janë gjallë dhe me ata që kanë ndërruar jetë?

  • Si mendoni ju, përse Presidenti Nelson tha se mbledhja e Izraelit është “gjëja më e rëndësishme që po ndodh në tokë sot” (“Shpresa e Izraelit”, f. 4)? (Ju mund të doni të shqyrtoni thëniet e tij te pjesa e hyrjes dhe pjesa 1 dhe 2 e materialit të përgatitjes.)

  • Në çfarë mënyrash e nderojmë ne jetën dhe flijimin e Jezu Krishtit kur marrim pjesë në mbledhjen e Izraelit?

  • Si është ndikuar jeta juaj ose si është bekuar jeta e pjesëtarëve të familjes suaj nëpërmjet mbledhjes së Izraelit?

Merrni parasysh që t’i ftoni studentët të përsiatin atë që mund të ndiejnë dhe se si mund të përgjigjeshin nëse profeti do t’u bënte personalisht këtë pyetje: “A do t’ju pëlqente të ishit një pjesë e madhe e sfidës më të madhe, kauzës më të madhe dhe punës më të madhe në tokë sot?” (“Shpresa e Izraelit”, f. 5)

Jezu Krishti thërret shërbëtorë për të ndihmuar në veprën e mbledhjes së Izraelit.

Shqyrtoni shkurtimisht se si Jakobi përdori alegorinë e Zenosit të pemës së ullirit për të dhënë mësim rreth mbledhjes dhe shpërndarjes së Izraelit (shih pjesën 3 të materialit të përgatitjes). Vini në dukje se në një pikë të caktuar gjatë alegorisë, Zoti i vreshtit u pikëllua për shkak se pemët e ullirit (që përfaqësonin popullin e Zotit) nuk po prodhonin frutë të mirë. Ftojini studentët të lexojnë te Jakobi [LiM] 5:47, 51, duke kërkuar ndjenjat e Zotit rreth shtëpisë së Izraelit.

  • Çfarë na mësojnë këto vargje rreth karakterit të Jezu Krishtit?

  • Si mund të ndikojë njohuria se Zoti shqetësohet thellësisht për ju tek ndjenjat tuaja për Të?

Ftojini studentët të shqyrtojnë vargjet te Jakobi [LiM] 5:61–62, 70–72, duke kërkuar rolin tonë në ndihmë të Zotit për ta mbledhur Izraelin. (Ndihmojini studentët të përcaktojnë parimin vijues: Kur punojmë me zell me Zotin për të ndihmuar që Izraeli të mblidhet, ne do të bekohemi me gëzim.)

  • Përse është e rëndësishme që secili prej nesh t’i vijë në ndihmë Zotit në mbledhjen e Izraelit?

  • Çfarë gjërash mund të bëjmë për ta mbledhur Izraelin? (Studentët mund të shpenzojnë ca kohë duke renditur ide dhe duke biseduar rreth mënyrës se si ata kanë marrë pjesë në mbledhjen e Izraelit. Ju gjithashtu mund të doni të shqyrtoni thënien nga Presidenti Nelson, në pjesën 3 të materialit të përgatitjes.)

  • Si jeni ndier kur e keni ndihmuar dikë në çdonjërën prej anëve të velit që të mblidhet në shtëpinë e Izraelit?

Ju mund të doni ta përfundoni mësimin duke treguar thënien vijuese ose duke shfaqur një pjesë nga materiali filmik (kodi kohor nga 32:19 në 33:37) të thënies vijuese nga Presidenti Nelson, marrë te biseda “Shpresa e Izraelit”:

Presidenti Rasëll M. Nelson

“Çdo profet ka folur rreth kohës sonë, kur Izraeli do të mblidhej dhe bota do të përgatitej për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit. Mendoni për këtë! Nga të gjithë njerëzit që kanë jetuar ndonjëherë në planetin tokë, ne jemi ata që na u dha mundësia të marrim pjesë në këtë ngjarje të fundit, në këtë mbledhje të madhe. Sa emocionuese është kjo!” (“Shpresa e Izraelit”, f. 5)

Kujtojuni studentëve se gjatë përgatitjes për këtë mësim, ata u ftuan të përcaktonin dikë – në çdonjërën prej anëve të velit – të cilin/cilën mund ta ndihmojnë që të hedhë hapa drejt bërjes së besëlidhjeve me Perëndinë (shih pjesa 2 dhe 3 e materialit të përgatitjes). Jepuni studentëve kohë që të reflektojnë, të shënojnë mbresat e tyre dhe ta përmbyllin planin e tyre të veprimit. Si ta ndieni se është e përshtatshme, ftojini disa studentë të tregojnë se çfarë ndihen të frymëzuar që të bëjnë.

Për Herën Tjetër

Shpjegojuni studentëve se për të ndihmuar që Izraeli të mblidhet, ne ftohemi që të bëhemi mjete në duart e Perëndisë dhe ta shpërndajmë ungjillin e Tij tek të gjithë njerëzit. Ndërsa studentët lexojnë në përgatitje për orën tjetër mësimore, ftojini ata që të marrin parasysh se çfarë mund të bëjnë për t’u bërë mjete edhe më të efektshme në duart e Perëndisë për ta shpërndarë ungjillin.