“Mësimi 14 Materiali i Mësuesit: Të Bëhemi Mjete në Duart e Perëndisë”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)
“Mësimi 14 Materiali i Mësuesit”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit
Mësimi 14 Materiali i Mësuesit
Të Bëhemi Mjete në Duart e Perëndisë
Pasi bijtë e Mosias u penduan dhe u kthyen në besim tek ungjilli i Jezu Krishtit, ata u bënë misionarë të fuqishëm dhe ndihmuan shumë lamanitë që të vinin tek Ai. Ky mësim do t’u japë studentëve mundësinë që të tregojnë se si forcimi i kthimit të tyre në besim mund ta rritë dëshirën e tyre për ta shpërndarë ungjillin tek të tjerët. Studentët do të marrin parasysh se çfarë mund të bëjnë që të bëhen mjete më të efektshme në duart e Perëndisë, ndërsa mbledhin Izraelin në përgatitje për Ardhjen e Dytë të Zotit.
Sugjerime për Mësimdhënien
Alma dhe bijtë e Mosias kthehen në besim dhe shkojnë t’u predikojnë lamanitëve.
Paraqitini thëniet vijuese. Kërkojuni studentëve që në heshtje ta klasifikojnë veten për secilën thënie, me një shkallë nga 1 deri në 5 (1 = aspak dakord dhe 5 = plotësisht dakord).
-
Unë kam dëshirë ta shpërndaj ungjillin tek të tjerët.
-
Unë lutem që të kem mundësi për ta shpërndarë ungjillin.
-
Shpërndarja e ungjillit është një pjesë normale dhe e natyrshme e jetës sime.
-
Unë përpiqem fort të jem një mjet i efektshëm në duart e Perëndisë duke e shpërndarë ungjillin e Tij.
Pasi studentët të kenë pasur kohë për ta bërë këtë vetëvlerësim, paraqitni pyetjen vijuese: Çfarë mund të bëj unë që të bëhem një mjet më i efektshëm në shpërndarjen e ungjillit të Jezu Krishtit? Ftojini studentët të mbajnë vesh për çfarëdo nxitje që mund t’i ndihmojë ata t’i përgjigjen kësaj pyetjeje dhe ta shënojnë atë.
Kujtojuni studentëve se bijtë e Mosias u bënë mjete në duart e Perëndisë ndërsa agjëruan dhe u lutën për Shpirtin e Tij dhe e predikuan ungjillin e Tij (shih Alma 17:3, 9, 11; 26:3, 15). Ftojini studentët të lexojnë te Mosia 27:35–36 dhe Mosia 28:1–3, duke kërkuar mënyrën se si zemrat e bijve të Mosias ndryshuan pas kthimit të tyre në besim.
-
Çfarë vutë re rreth dëshirave të bijve të Mosias? Çfarë mund të mësojmë nga mënyra se si kthimi i tyre në besim ndikoi në dëshirën e tyre për t’u bërë mjete në duart e Perëndisë? (Ju mund të doni t’i ftoni studentët të shqyrtojnë thënien nga Presidenti Dallin H. Ouks në pjesën 1 të materialit të përgatitjes. Duke përdorur përgjigjet e studentëve, shkruani në tabelë një parim të ngjashëm me atë që vijon: Kur kthimi ynë në besim thellohet, dëshira dhe gatishmëria jonë për të qenë një mjet në duart e Perëndisë dhe për ta shpërndarë ungjillin, rriten).
-
Si mendoni ju, përse thellimi i kthimit tonë në besim e forcon dëshirën tonë për ta shpërndarë ungjillin? Në ç’mënyrë të kuptuarit e këtij parimi na ndihmon të përgatitemi për misione ose të jemi më të aftë në shpërndarjen e ungjillit në jetën tonë të përditshme?
-
Cilët janë disa shembuj nga shkrimet e shenjta ose historia e Kishës që e tregojnë këtë parim? Çfarë përvojash ju kanë ndihmuar që ta dini se ky parim është i vërtetë? (Ju mund të doni t’i ftoni studentët që t’ia tregojnë shembujt e tyre dhe përvojat vetjake një shoku ose shoqeje.)
Jepuni studentëve disa minuta për ta rishikuar vetëvlerësimin që bënë dhe të përsiatin për pyetjen që iu paraqit atyre në fillim të orës mësimore. Merrni parasysh që t’i ftoni ata të shënojnë mendimet dhe ndjenjat që kanë pasur gjatë orës mësimore.
Bijtë e Mosias bëhen mjete në duart e Zotit.
Ftojini studentët të tregojnë ndonjë sfidë që kanë hasur ndërsa janë përpjekur ta shpërndajnë ungjillin. (Ju mund të doni t’i renditni përgjigjet e tyre në tabelë dhe të diskutoni se si këto sfida mund të na pengojnë që ta shpërndajmë ungjillin.)
Shkruajeni në tabelë thënien e paplotë vijuese: Ne mund të bëhemi mjete më të efektshme në duart e Perëndisë kur ne …
Shqyrtojini shkurtimisht sfidat që hasën bijtë e Mosias ndërsa filluan të predikonin ungjillin mes lamanitëve (shih pjesën 2 të materialit të përgatitjes). Ftojini studentët të shqyrtojnë vargjet tek Alma 17:2–3, 9–11, duke kërkuar atë që bënë bijtë e Mosias për t’i kapërcyer sfidat e tyre dhe për t’u bërë mjete më të efektshme në duart e Perëndisë.
-
Duke përdorur atë që kemi mësuar nga bijtë e Mosias, si mund ta plotësonim thënien në tabelë për të formuar një parim? (Duke përdorur fjalët e studentëve, plotësojeni thënien në mënyrë që të formojë një parim të ngjashëm me atë që vijon: Ne mund të bëhemi mjete më të efektshme në duart e Perëndisë kur ne lutemi, agjërojmë dhe i shqyrtojmë shkrimet e shenjta.)
Ftojini studentët të vërejnë nga Alma 17:2–3 se çfarë bekimesh shpirtërore u erdhën këtyre misionarëve kur u lutën, agjëruan dhe i shqyrtuan shkrimet e shenjta. (Ndihmojini studentët të përcaktojnë një parim tjetër të ngjashëm me atë që vijon: Kur ne lutemi, agjërojmë dhe i shqyrtojmë shkrimet e shenjta, ne mund të marrim shpirtin e zbulesës.)
-
Si e ndihmoi shpirti i zbulesës Amonin që të ishte një mjet i efektshëm në duart e Perëndisë? (Ju mund të doni ta ftoni një student të ritregojë shkurtimisht përvojën e Amonit me mbretin Lamoni dhe më pas lexoni tek Alma 18:33–35.)
-
Përse është thelbësore ta kemi shpirtin e zbulesës kur kërkojmë të jemi mjete në duart e Perëndisë?
-
Si ju ka ndihmuar shpirti i zbulesës për të qenë një mjet më i efektshëm në duart e Perëndisë?
Merrni parasysh ta ftoni një student të lexojë thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson:
“Kur kërkojmë ta dëgjojmë – ta dëgjojmë vërtet – [Jezu Krishtin], ne do të udhërrëfehemi për ta ditur se çfarë të bëjmë në çfarëdo rrethanë. …
E përsërit përgjërimin tim ndaj jush që të bëni çfarëdo që të duhet që ta rritni aftësinë tuaj shpirtërore për të marrë zbulesë vetjake.” (“Dëgjojeni Atë”, Liahona, maj 2020, f. 89, 90)
Ftojini studentët të shqyrtojnë thënien nga Plaku Diter F. Uhtdorf, në pjesën 3 të materialit të përgatitjes dhe të përsiatin pyetjet vijuese:
-
Cilin/ën mund të ftoj për të ardhur më afër Shpëtimtarit?
-
Çfarë mund të bëj për të qenë një mjet në duart e Zotit për t’i ndihmuar ata individë që të vijnë më afër Krishtit?
Mund të doni t’u jepni kohë studentëve që të shënojnë mendimet dhe ndjenjat e tyre. Mund të ftoni gjithashtu cilindo student që është i gatshëm, të tregojë se çfarë ka në plan të bëjë.
Vini në dukje se për shkak të përgatitjes së tyre, bijtë e Mosias e morën gjithashtu shpirtin e profecisë dhe qenë në gjendje që të jepnin mësim me fuqi dhe autoritet. (Mund të jetë e dobishme që të shpjegohet se fraza “frymë e profecisë” mund t’i referohet “dëshmi[s]ë [së] Jezusit” [Zbulesa 19:10].) Sigurojini studentët se edhe ne mund të marrim bekime të ngjashme kur përgatitemi për të qenë mjete në duart e Perëndisë.
Merrni parasysh që të jepni dëshminë tuaj se me ndihmën e Zotit, secili prej nesh mund të jetë mjet në duart e Tij dhe të ndihmojë që ta mbledhë Izraelin.
Për Herën Tjetër
Kërkojuni studentëve të shqyrtojnë se sa të përgatitur ndihen për Ardhjen e Dytë të Krishtit. Shpjegoni se njësia tjetër është rreth vizitës së Shpëtimtarit te nefitët në kontinentin amerikan. Ndërsa studentët përgatiten për orën tjetër mësimore, nxitini ata të kërkojnë se çfarë mund t’u mësojnë atyre ngjarjet që pararendën shfaqjen e Shpëtimtarit te nefitët, rreth përgatitjes për kthimin e Tij në ditët e fundit.