Instituti
Mësimi 19 Materiali i Mësuesit: Të Jetuarit me Drejtësi në një Kohë Ligësie


“Mësimi 19 Materiali i Mësuesit: Të Jetuarit me Drejtësi në një Kohë Ligësie”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)

“Mësimi 19 Materiali i Mësuesit”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit

Mësimi 19 Materiali i Mësuesit

Të Jetuarit me Drejtësi në një Kohë Ligësie

Presidenti Rasëll M. Nelson vërejti: “Libri i Mormonit u jep dritë mësimeve të Mësuesit sikurse dhe nxjerr në pah taktikat e kundërshtarit” (“Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 62; shih edhe 2 Nefi 26–33). Njësia 6 do t’i ndihmojë studentët të dallojnë më mirë taktikat e kundërshtarit dhe të përcaktojnë se çfarë mund të bëjnë për ta përforcuar veten kundrejt planeve të tij të liga. Në këtë mësim, studentët do të përcaktojnë atë që mund të bëjnë për të qëndruar të fortë kur përballen me përndjekje dhe çfarë mund të bëjnë për të jetuar me drejtësi në një botë të mbushur me ligësi.

Sugjerime për Mësimdhënien

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Përdorni skenarë nga përditshmëria. Kur studentët shohin lidhjen ndërmjet jetës së tyre dhe asaj që po studiojnë në shkrimet e shenjta, ata janë të përgatitur më mirë për ta vlerësuar lidhjen me fjalën e Perëndisë dhe të shohin se si ajo mund t’i çojë në veprime të efektshme e të drejta. Skenarët që paraqesin situata nga jeta reale dhe trajtojnë pyetjet, shqetësimet dhe sfidat aktuale që hasin studentët, mund t’i ndihmojnë studentët ta lidhin jetën e tyre me doktrinën dhe parimet që gjenden në fjalën e Perëndisë. Skenarët nga përditshmëria mund t’i ndihmojnë gjithashtu studentët që ta zbulojnë vetë se nganjëherë jeta është e ndërlikuar dhe përgjigjet nuk janë gjithmonë të lehta për t’u gjetur.

Pasuesit e drejtë të Jezu Krishtit forcohen në mes të përndjekjes.

Për ta filluar orën mësimore, merrni parasysh të tregoni skenarin vijues ose një skenar tjetër që ka lidhje, i cili ju vjen ndërmend.

Akari është një anëtare e Kishës e pagëzuar rishtas. Prindërit e saj e mohuan kur ajo u pagëzua. Në fillim, gjithsecili në lagjen e saj ishte shumë miqësor. Megjithatë, kohët e fundit disa anëtarë kanë thënë disa gjëra të pahijshme për të shkuarën e Akarit dhe madje e kanë tallur për shkak të dëshirës së saj të madhe për ta jetuar ungjillin. Ajo dëshiron të jetë një anëtare besnike e Kishës por ndihet vërtet e shkurajuar.

  • Përse mund të jetë veçanërisht sfiduese për Akarin që të përndiqet nga bashkanëtarët e saj të Kishës?

  • Nëse Akari do të vinte tek ju për ndihmë, çfarë do t’i thoshit ose bënit?

Kujtojuni studentëve se te Helamani 3:24–34 ne lexojmë se dhjetëra e mijëra njerëz u bashkuan me Kishën dhe njerëzit përparuan së tepërmi. Megjithatë, si përfundim, krenaria hyri në zemrat e disa anëtarëve të Kishës, të cilët filluan t’i përndiqnin ata që qëndronin të përulur dhe besnikë.

Ftojini studentët të shqyrtojnë vargjet te Helamani 3:33–35 dhe të kërkojnë atë se çfarë i ndihmoi anëtarët e përulur të Kishës të qëndronin të fortë përballë përndjekjes. Merrni parasysh se cilat nga pyetjet vijuese mund të bëni për ta nxitur më mirë të mësuarit për studentët tuaj:

  • Cilat mësime në këto vargje mund ta ndihmonin Akarin ose dikë tjetër në një situatë të ngjashme? (Ju mund të renditni disa nga të vërtetat që gjejnë studentët, të tillë si vijon: Kur ne agjërojmë, lutemi dhe ia japim zemrat tona Perëndisë, përulësia dhe besimi ynë te Jezu Krishti do të forcohen më shumë dhe zemrat tona do të shenjtërohen – pavarësisht nga sjellja lënduese e të tjerëve.)

  • Në çfarë mënyrash agjërimi, lutja dhe dhënia e zemrave tuaja Perëndisë ndikuan në besimin tuaj te Jezu Krishti? (Shih Helamani 3:35.) Si ju kanë ndihmuar këto veprime të drejta ndërsa keni hasur sjellje lënduese nga të tjerët?

Merrni parasysh të paraqitni pyetjet vijuese dhe t’u jepni studentëve pak kohë individuale që të vlerësojnë një ose më shumë prej tyre dhe të bëjnë një plan për mënyrën se si do të reagojnë ndaj çdo nxitjeje që marrin:

  • Si po veproni me mikpritjen dhe shoqërimin e të tjerëve në Kishën e Jezu Krishtit?

  • Si po veproni me dhënien e zemrës suaj Perëndisë?

  • Si mund ta rritni besimin tuaj te Jezu Krishti, pavarësisht ndonjë sjelljeje lënduese të të tjerëve?

Jepni dëshminë tuaj ose ftojeni një student të dëshmojë për fuqinë që vjen ndërsa veprojmë me besim dhe ia japim zemrat tona Perëndisë.

Ndërsa nefitët rriteshin në ligësi, Mormoni dhe Moroni qëndruan besnikë ndaj Zotit.

Ftojini studentët të tregojnë shembuj nga ngjarjet e lajmeve, prirjet kulturore dhe temat e bashkëbisedimit në mediat shoqërore që mund ta bëjnë sfiduese të jetuarit e ungjillit në kohën tonë.

  • Cilat rrethana e bënë sfiduese të jetuarit e ungjillit në kohën e Mormonit dhe birit të tij Moronit? (Nëse nevojitet, ftojini studentët të shqyrtojnë pjesën 2 të materialit të përgatitjes ose t’u hedhin shpejt një sy krerëve të kapitujve te Mormoni 1–6 dhe Moroni 9.)

  • Si e përfytyroni se mund të ketë qenë të jetoje në kohën e Mormonit dhe Moronit?

Ftojini studentët të shqyrtojnë vargjet te Mormoni 1:1–2, 15 dhe Moroni 9:25–26, duke kërkuar arsye të mundshme se përse Mormoni dhe Moroni ishin në gjendje të qëndronin besnikë ndaj Zotit ndërsa u përballën me një shoqëri të zhytur në ligësi.

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga këto vargje rreth mënyrës se si të qëndrojmë besnikë ndaj Zotit në kohë ligësie? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë një parim të ngjashëm me atë që vijon: Ne mund ta mposhtim ligësinë e kësaj bote ndërsa përjetojmë mirësinë e Jezu Krishtit dhe qëndrojmë besnikë ndaj Tij.)

  • Çfarë mendoni se do të thotë të përjetosh mirësinë e Jezu Krishtit?

  • Në ç’mënyrë të shikuarit te Jezu Krishti dhe përjetimi i mirësisë së Tij na ndihmojnë të qëndrojmë të drejtë kur na rrethon ligësia? (Ju mund të doni t’i ftoni studentët të shqyrtojnë thëniet nga Presidentja Xhoi D. Xhons dhe Plaku Nil L. Andersen në pjesën 2 të materialit të përgatitjes.)

  • Si ju ka ndihmuar dëshmia juaj për mirësinë e Jezu Krishtit dhe besimi juaj në Të që të bëni zgjedhje të drejta ndërsa jeni përballur me ligësinë?

Kujtojuni studentëve se në pjesën 2 të materialit të përgatitjes, ata u ftuan të përcaktonin një individ ose grup njerëzish në Librin e Mormonit ose dikë që e njohin personalisht, i/e cili/a është përballur me ligësinë dhe ka qëndruar besnik/e. (Nëse nevojitet, jepuni studentëve kohë të shqyrtojnë atë që shkruan.) Në varësi të numrit të studentëve të klasës suaj, përzgjidhni një qasje që do t’i japë secilit student mundësinë ta tregojë shembullin e tij ose të saj.

Paraqitni pyetjen vijuese:

  • Bazuar në atë që keni mësuar dhe ndier sot, çfarë do të bëni që ta rritni kapacitetin tuaj për të qëndruar të fortë në zotimin tuaj ndaj Zotit ndërsa përballeni me ligësinë e botës? (Nxitini studentët të shënojnë çfarëdo mbrese që marrin nga Fryma e Shenjtë dhe të veprojnë sipas tyre.)

Për Herën Tjetër

Jepeni këtë citim nga Profeti Jozef Smith: “Është dashuria për lirinë që frymëzon shpirtin tim – liria civile dhe fetare për të gjithë racën njerëzore” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 368). Ndërsa studentët studiojnë materialin e përgatitjes për orën tjetër mësimore, ftojini ata të përsiatin se çfarë do të thotë për ta liria fetare dhe të vijnë të përgatitur për të diskutuar atë që mund të bëjnë për të ndihmuar që ta nxitin ose ruajnë atë liri.