“Mësimi 24 Materiali i Mësuesit: Fuqia Çliruese e Zotit”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)
“Mësimi 24 Materiali i Mësuesit”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit
Mësimi 24 Materiali i Mësuesit
Fuqia Çliruese e Zotit
Përvojat e popullit të Limhit dhe njerëzve të Almës, që të dyja tregojnë aftësinë e Zotit për t’i përkrahur dhe çliruar ata që i drejtohen Atij në sprovat e tyre. Në këtë mësim, studentët do ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre për mënyrën se si ata mund të zhvillojnë një këndvështrim të përjetshëm mbi fuqinë e Zotit për të çliruar. Studentët do të ftohen gjithashtu të përcaktojnë se çfarë mund të bëjnë për të marrë nga fuqia e Zotit ndërsa përballen me sprovat e tyre.
Sugjerime për Mësimdhënien
Lamanitët i robërojnë njerëzit e Almës dhe popullin e Limhit.
Ftojini studentët të tregojnë shembuj të sprovave me të cilat po përballen aktualisht ata ose njerëzit që i njohin.
-
Cilat janë disa arsye të ndryshme për sprovat tona? (Mund të jetë e dobishme të shqyrtoni shembujt në pjesën 1 të materialit të përgatitjes.)
-
Cilat janë pyetjet, shqetësimet ose ndjenjat e zakonshme që mund të kenë njerëzit kur përballen me sprova?
Njerëzit e Almës
Shqyrtoni shkurtimisht rrethanat që çuan në robërinë e njerëzve të Almës nga lamanitët. Ju mund t’i ftoni studentët të përfytyrojnë se si mund t’u jetë dukur njerëzve të Almës, të cilët po jetonin me drejtësi, ta humbnin befas lirinë e tyre dhe të detyroheshin t’u shërbenin lamanitëve.
Ftojini studentët të shqyrtojnë vargjet te Mosia 23:21–24 duke kërkuar arsye të mundshme se përse Zoti mund të ketë lejuar që njerëzit e Almës të kalonin përmes sprovave.
-
Sipas këtyre vargjeve, çfarë qëllimi kishte Zoti që i lejoi njerëzit e Almës të kalonin përmes këtyre sprovave?
-
Në çfarë mënyrash synimi për ta kuptuar këndvështrimin e përjetshëm të Zotit mbi sprovat, mund të na ndihmojë ta rikonceptojmë mënyrën se si i shohim sprovat tona? (Mund të doni të shfaqni materialin filmik “Shqyrtimi i Pyetjeve me një Këndvështrim të Përjetshëm” [02:56], në të cilin ilustrohet mënyra se si t’i riformulojmë pyetjet duke përdorur mësimet e ungjillit.)
Nxitini studentët të kërkojnë të vërtetat gjatë gjithë këtij mësimi që mund t’i ndihmojnë të fitojnë një këndvështrim të përjetshëm për sprovat e tyre.
Populli i Limhit
Kujtojuni studentëve se populli i Limhit ishte në robëri. Përmblidhni rrethanat që kishin të bënin me robërinë e tyre. Ftojini studentët të këqyrin vargjet te Mosia 21:6–12, duke kërkuar mënyrën se si populli i Limhit u përpoq të shpëtonte nga robëria. Merrni parasysh të bëni pyetjet që vijojnë:
-
Çfarë i ndodhi popullit të Limhit teksa u përpoq të çlirohej nga robëria?
-
Çfarë problemesh mund të hasim kur përpiqemi të mposhtim sprovat tona pa i kërkuar ndihmë Zotit? Çfarë mund të na pengojë për t’iu drejtuar Zotit në sprovat tona?
Ftojini studentët të shqyrtojnë vargjet te Mosia 21:13–16, ose kërkojini një studenti të përmbledhë atë që bëri populli i Limhit pasi kuptoi se nuk mund ta çlironte veten nga robëria. Pastaj ftoni një student të përmbledhë mënyrën se si populli i Limhit u çlirua si përfundim. Merrni parasysh të bëni një ose më shumë nga pyetjet vijuese për t’i ndihmuar studentët të zhvillojnë një këndvështrim të përjetshëm për vetë sprovat e tyre:
-
Çfarë mësuat nga përvoja e popullit të Limhit rreth mënyrës se si Perëndia i përkrah ose i çliron ata që i drejtohen Atij në sprovat e tyre? (Përveç të vërtetave që tregojnë studentët, ndihmojini ata të përcaktojnë një parim të ngjashëm me atë që vijon: Kur e përulim veten dhe i thërrasim Perëndisë, Ai do të na i dëgjojë lutjet dhe do të na çlirojë nga sprovat tona në vetë kohën e Tij.)
-
Si mund të mirëbesojmë në kohën e planifikuar të Zotit në vend të kohës së planifikuar prej nesh kur përballemi me sprova? (Mund të jetë e dobishme të shqyrtoni thënien nga Presidenti Dallin H. Ouks në pjesën 2 të materialit të përgatitjes.)
-
Çfarë bekimesh keni marrë ndërsa keni ndjekur vullnetin e Zotit dhe keni mirëbesuar në kohën e planifikuar të Tij për jetën tuaj?
Mund të doni t’u jepni studentëve disa minuta që të reflektojnë për një sprovë me të cilën po përballen aktualisht, dhe të përcaktojnë se si ta rikonceptojnë atë me një këndvështrim të përjetshëm.
Zoti i forcon njerëzit e Almës dhe i çliron ata nga robëria.
Kujtojuni studentëve se edhe njerëzit e Almës ishin nën robërinë e lamanitëve. Jepuni studentëve disa minuta për të shqyrtuar vargjet te Mosia 24:10–16, duke kërkuar ngjashmëritë dhe ndryshimet ndërmjet sprovave që përjetuan njerëzit e Almës dhe populli i Limhit.
-
Çfarë ngjashmërish gjetët? Si ishin të ndryshme përvojat e dy grupeve? (Përgjigjet e mundshme mund të përfshijnë atë që vijon: Të dyja grupet e njerëzve u përkrahën nga Zoti dhe në fund u çliruan; robëria e njerëzve të Almës erdhi si provë e besimit të tyre ndërkohë që po përpiqeshin fort ta ndiqnin Zotin, kurse robëria e popullit të Limhit erdhi për shkak të mëkatit; njerëzit e Almës iu drejtuan menjëherë Perëndisë, kurse populli i Limhit iu drejtua Atij pasi u përpoq së pari që të çlirohej vetë.)
-
Çfarë prove të dashurisë së Zotit shikoni te të dyja këto rrëfime?
-
Çfarë mësimesh të tjera mund të marrim nga përvoja e njerëzve të Almës rreth mënyrës se si Perëndia i përkrah ose i çliron ata që i drejtohen Atij në sprovat e tyre? (Ndërsa studentët tregojnë të vërtetat që kanë përcaktuar, ndihmojini të përcaktojnë një parim të ngjashëm me atë që vijon: Kur ne ushtrojmë besim dhe durim në mundimet tona dhe e thërrasim Perëndinë, Ai mund të na forcojë që t’i mbajmë më mirë barrët tona. Shënim: Alma i Riu jep mësim një parim të ngjashëm tek Alma 36:3, 27.)
Ndajeni klasën në grupe me nga dy ose tre studentë dhe ftojini ata të shqyrtojnë thënien nga Plaku Dejvid A. Bednar në pjesën 3 të materialit të përgatitjes. Paraqitini pyetjet vijuese dhe ftojini studentët të diskutojnë për to në grupet e tyre:
-
Si mund të jetë e dobishme të dimë se Zoti nuk na i heq gjithnjë menjëherë sprovat tona?
-
Sipas Plakut Bednar, në ç’mënyrë mbajtja e besëlidhjeve tona na jep forcë të shtuar ndërsa përballemi me sprova?
-
Si ju ka përkrahur dhe forcuar Zoti ju personalisht apo dikë që e njihni, ndërsa keni përjetuar një sprovë ose keni mbajtur një barrë? Çfarë bekimesh erdhën nga të mos qenit menjëherë i çliruar nga sprova?
Ftoni një ose dy studentë të tregojnë se çfarë u bëri përshtypje gjatë diskutimit të tyre me grupin. Jepuni studentëve disa minuta për të shënuar çfarëdo mbrese që kanë marrë në lidhje me mënyrën se si ta rritin mirëbesimin e tyre te Zoti ndërsa përballen me sprova.
Për Herën Tjetër
Pyetini studentët nëse kanë ndonjë pyetje, përgjigjen e së cilës do tʼu pëlqente ta merrnin nga Zoti. Nxitini ata ta studiojnë me kujdes Librin e Mormonit dhe materialin e përgatitjes për orën tjetër mësimore, që të shohin se çfarë mund të mësojnë rreth marrjes së përgjigjeve nga Zoti.